“Njeri s’po vjen me u shëru këtu, po veç me u smu ma shumë”, shprehje që në vete mban një të vërtetë. Shprehje që më mbeti në kokë gjatë një jave që më ra ta kaloja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Shprehje që brenda vetes pasqyron një realitet që e përjetova vetë.
Sapo hyra në dhomën ku po qëndronte një i afërm i imi, pashë se dhoma ishte e stërngarkuar, me shtretër dhe vizitorë. Dukej që kishte më shumë shtretër se sa që parashihej. Çdo pacient kishte nga një kujdestar –– anëtar të familjes dhe hapësira sa vinte e ngushtohej. Kjo mungesë hapësire bëhet edhe më e rëndë duke ditur që jemi në kohë pandemie.
Qëndrova në cep të shtratit ku shtrihej i afërmi im, sepse nuk kishte vend tjetër. Qëndrimi në këtë cep ma dha mundësinë të dëgjoj brenga që si duket, janë lënë në cep të vëmendjes institucionale.
Një prej familjareve të njërit pacient, e shqetësuar ankohej se kishte bërë kërkesa të shumta për kujdes ndaj pacientit, por ato nuk ishin përfillur. Ajo ankohej se kishte pritur për orë e ditë. Kësaj pritjeje nuk i shpëtova as unë. Sapo morrëm lajmin se është e nevojshme marrja e gjakut për të afërmin tim, iu drejtuam personit përgjegjës. Na tha të presim 20 minuta dhe ne, normalisht, pritëm. Pas 20 minutash, askush nuk erdhi.
Shkova t’i pyes se çfarë po ndodhte dhe prapë m’u tha të pres. 20 minutat fillestar u shndërruan në plot katër orë. Një pritje prej katër orësh në një gjendje të këtillë ishte vështirë e përballueshme, por nuk kishim nga t’ia mbanim.
Më ra të qëndroj aty një javë. I afërmi im kishte nevojë për inçizim të llojit CT (computerized tomography). Edhe kjo punë morri jo katër orë, por dy ditë të plota, sepse na u tha që pajisja nuk punonte.
Ndërkohë, papastërtia vërehej kudo. Pa letra higjienike, deterxhentë e gjëra bazike për mirëmbajtje të higjienës, detyroheshim që zgjidhjet t’i bënim vetë. Po ashtu, qasja në barna që nevojiteshin ishte e vështirë. Kështu, iu shtova vargut të familjarëve e pacientëve që ankoheshin për gjendjen e rëndë të QKUK.
Disa zgjidhje të shëndetshme
Përvoja ime në QKUK nuk ishte rast i izoluar, të paktën sipas observimeve të mia dhe lajmeve të njëpasnjëshme për pacientë e të afërm të pacientëve që ankohen se nuk pranojnë shërbimet e nevojshme dhe trajtimin e duhur në spital.
Kur mendoj për zgjidhjet, gjëja e parë që më shkon në mendje është pa dyshim angazhimi më i madh i Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë. Mbase, po të kishte vetëm vizita më të shpeshta, do ta shihnin se në çfarë rrethanash mjekohen pacientët dhe punojnë ekipi profesional mjekësor.
Është e tepërt ta përmend se sa themelore është qasja në shërbime shëndetësore, sepse nuk mund të ketë kurrfarë zhvillimi pa shëndetësi të mirë.
Janë disa hapa që mendoj se do t’i lehtësonin rrethanat me të cilat më ra të përballem, e mbi të gjitha hapa që do ua lehtësonin përvojën në spital, pacientëve, të cilët veç përballen me shqetësime shëndetësore që janë mjaftueshëm të rënda.