Fillet e shoqërisë civile në Kosovë duhet të shpjegohen duke marrë përbazë fillet e shoqërisë civile në rajon dhe duke vënë theksin në trajektoren jo paralele të zhvillimit të saj në rastin e Kosovës. Zhvillimi i shoqërisë civile në Kosovë ndoqi një trajektore shumë të ndryshme në krahasim me Evropën Lindore, por edhe në krahasim me vendet e Ballkanit, përfshirë edhe vendet e ish-Jugosllavisë.
Sipas raportit “Shoqëria civile në tranzicion – Sektori i OJQ-ve në Kosovën e pasluftës” të vitit 2005 të OJQ-së KIPRED, “Me transformimet e ndryshme politike dhe shoqërore të cilat morën hov të vrullshëm në fund të ‘80 dhe në fund të ‘90, përgjatë vendeve të ish bllokut lindor, koncepti i shoqërisë civile hyri në diskursin politik të Kosovës në momentin kur u popullarizua në pjesët e tjera të ish bllokut komunist. Në fakt, shoqëria civile kosovare mori një përmbajtje më kuptimplote me krijimin e organizatave të para të pavarura joqeveritare, si Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut 1989, Komiteti kosovar i Helsinkut 1990, dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës”.
Në kohën kur filloi rënia e komunizmit në Evropën Lindore, pikërisht atëherë do të fillonte faza e shthurjes së Jugosllavisë, proces ky që do të përcillej me luftëra të njëpasnjëshme. Iniciativat e para për organizimin e shoqërisë civile të Kosovës në vitet e 90-ta, shumë shpejt u gjendën nën regjimin totalitar. Në atë kohë, shoqërisë shqiptare i ishte ekspozuar një segregacion nga strukturat e pushtetit të Serbisë, të instaluara në Kosovë përmes dhunës.
Në këto rrethana, shoqëria civile në Kosovë nuk mundi të zhvillonte dhe as të kryente funksionin e saj në raport me shtetin. Si rrjedhojë, ato organizata që ishin formuar në vitet e 80-90 u vënë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet paralele të formuara aso kohe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK. Pra, në këtë rast shoqëria civile kryente pjesërisht funksionin e vet ngase mbeti krijesë jashtë kohe. Shoqëria civile nuk mundi të kryente funksionet e saj pasi që shoqëria gjendej nën një regjim totalitar dhe e tërë shoqëria shqiptare i ishte ekspozuar një segregacioni nga strukturat e pushtetit të Serbisë, të instaluara në Kosovë përmes dhunës. Ky ishte fati i shoqërisë civile deri në vitin 1999, kur në Kosovë përfundoi lufta dhe Kosova u vu nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.
Nën protektorat ndërkombëtar
Protektorati në Kosovë ka karakteristikat e veta, ngase instalimi i protektoratit ndërkombëtar në Kosovë vjen si nevojë për administrimin e Kosovës, si një vend i dalë nga lufta.
Kosova gjendej tërësisht e shkatërruar në aspektin institucional. Për më shumë se një dekadë nuk kishte funksionim të mirëfilltë të institucioneve qeverisëse në Kosovë.
Pas luftës, administrimin e Kosovës e morën përsipër Kombet e Bashkuar nëpërmjet “Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë” (UNMIK). UNMIK-u në këtë rast ishte një mision i KB i cili kishte marrë përsipër një shumësi detyrash, ndër të cilat ishte edhe formësimi dhe funksionalizimi i shoqërisë civile në Kosovë. Çështje emergjente ishte krijimi i ambientit të përshtatshëm për formimin e organizatave të ndryshme joqeveritare, me qëllim të plotësimit të vakumit në jetën shoqërore.
Vetëm në pesë vitet e para, Kosova përjetoi një lulëzim të regjistrimit të organizatave jo-qeveritare, OJQ-ve. Raporti i KIPRED-it i vitit 2005 numëroi se “nga 65 OJQ në Kosovë gjatë periudhës 1989 -1998, pesë nga të cilat ishin ndërkombëtare, në fillim të vitit 2004 ishin zyrtarisht të regjistruara 2,300 OJQ vendore”.
Në rastin e Kosovës, raporti shoqëri civile - shtet duhej të zhvendosej në raportin shoqëri civile - pushtet. Shteti, në kuptimin e mirëfilltë, nuk ekzistonte.
Funksionimin e OJQ-ve në Kosovë e rregullonte korniza ligjore e krijuar nga UNMIK në vitet 1999, përkatësisht rregullorja 1999/22 dhe një numër plotësues i urdhëresave administrative. Kjo rregullore i definon OJQ-të si joprofitabile, të pavarura prej partive politike dhe të krijuara për një qëllim të ligjshëm.
Pra UNMIK-u krijoi infrastrukturën bazë për fillimin e funksionimit të shoqërisë civile, ngase në suaza të ndërtimit të demokracisë pa dyshim se parashihej formësimi dhe funksionalizimi i shoqërisë civile. Në raportin “Analiza e shoqërisë civile” të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile roli i bashkësisë ndërkombëtare definohej edhe si kyç në këtë drejtim, ku u tha se “Bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë që nga fillimi se vetëm një shoqëri diverse civile në Kosovë paraqet një parakusht dhe mund të garantojë krijimin e një demokracie pluraliste dhe pjesëmarrëse në vend dhe shoqëria civile duhet të jetë pjesë qëndrore e çfarëdo politike zhvillimore në Kosovë”.
Në këtë kontekst, pas vitit 1999 Kosova ishte bërë vendi më i hapur në rajon dhe si rrjedhojë e hapjes së Kosovës ndaj botës ishte krijuar hapësirë e mjaftueshme për veprimin e organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Në këto rrethana, organizata të ndryshme ndërkombëtare filluan aktivitetin e tyre në sfera të ndryshme. Këto organizata, me qëllim që të realizonin misionin e tyre, shpeshherë formonin organizata vendore për t’i shndërruar ato në partnere apo në nëndegë të veta. Dhe meqenëse organizatat vendore në të shumtën e rasteve formoheshin nën ndikimin e organizatave ndërkombëtare, atëherë në një masë të madhe ishte i diktuar edhe orientimi i organizatave vendore kryesisht në fusha të caktuara.
Megjithatë, në këtë drejtim duhet patur parasysh edhe argumentin e shtruar nga Besnik Pula në raportin e KIPRED-it të vitit 2005, se “ndryshimet rrënjësore në shoqërinë civile kosovare nuk mund t’iu atribuohen vetëm ndryshimeve strukturore në periudhën e pasluftës. Trashëgimia e viteve 90 gjithashtu pjesërisht shpjegon qëndrueshmerinë e organizimit të pavarur në Kosovën e shkatërruar nga lufta. Me fjalë të tjera, diversiteti dhe pluralizmi nuk u sajuan në qershor të vitit 1999 por vetëm u rikonfiguruan dhe u zgjeruan brenda rrethanave të reja”.
Formësimi, funksionalizimi dhe zhvilllimi i shoqërisë civile në rrethana të protektoratit ndërkombëtar është shumë kompleks, ngase ka të bëjë me një organizim të përgjithshëm shoqëror i cili është shumë i ndërlikuar. Pikërisht në këtë rast mund ta vëmë fokusin te raporti i shoqërisë civile me strukturat e institucioneve të pushtetit. Varësisht se cili është raporti shoqëri civile – pushtet, mund të kuptojmë shumë edhe për organizimin shoqëror në përgjithësi dhe mund të flasim për nivelin e demokracisë në atë shoqëri. Në rastin e Kosovës, raporti shoqëri civile – shtet duhej të zhvendosej në raportin shoqëri civile – pushtet. Shteti, në kuptimin e mirëfilltë, nuk ekzistonte. Pushteti ishte vet protektori, e që ishte UNMIK-u.
Në librin “Konditat e Lirisë”, filozofi Ernest Gellner për rolin e shoqërisë civile thotë se: “Shoqëria civile është ai grumbull i institucioneve të ndryshme joqeveritare i cili është mjaft i fuqishëm që ta balancojë shtetin dhe, përderisa nuk e parandalon shtetin nga përmbushja e rolit të tij të mbrojtësit të paqes dhe arbitrit ndërmjet interesave kryesore, mund ta parandalojë nga dominimi dhe atomizimi i pjesës së mbetur të shoqërisë”.
Atëherë çështja se kush duhet të kundërbalancohet ndërlikohet edhe më shumë. Në këtë rast, në Kosovë fuqi politike vendim-marrëse ishte UNMIK-u, pra protektori. UNMIK-u nuk mund të kundërbalancohej nga shoqëria civile për arsye se UNMIK-u ishte përgjegjës vetëm ndaj qendrës në New York e jo edhe ndaj shoqërisë kosovare, e aq më pak t’i jepte llogari shoqërisë civile apo OJQ-ve.
UNMIK-u e dinte se ishte i detyruar të ndërtonte mekanizma të demokracisë sepse përndryshe do të shpallej si mision i dështuar dhe do të ishte i pakuptimtë vazhdimi i ekzistimit të tij. Në anën tjetër, UNMIK-u ishte i interesuar që të vazhdonte të qëndrojë edhe më tutje, të paktën derisa të mendohej për zgjidhje të reja. Atëherë, “arma” e vetme e UNMIK-ut për t’u mbrojtur nga sulmet e shoqërisë civile që do ta qonin në dështim dhe si rrjedhojë do t’ia rrezikonin ekzistencën, ishte kontrolli indirekt i shoqërisë civile.
UNMIK-u frikësohej se nëse Kosova përnjëmend shndërrohet në shoqëri demokratike, kjo do ta dëmtonte pozitën e këtij organi në këtë vend.
UNMIK-u krahas krijimit të strukturave dhe mjeteve që ndihmojnë demokratizimin e vendit, zhvillonte edhe mekanizma që të pengonte aktivizimin dhe manifestimin e këtyre strukturave. Pra, krijonte mekanizmat e demokratizimit dhe në të njëjtën kohë krijonte kundër-mekanizma që ishin shumë jodemokratike, në mënyrë që ta bllokonte përkohësisht shpërfaqjen e vlerave të shoqërisë civile. Mirëpo, siç thotë edhe teoricienti politik John Keane: “pa shoqëri civile të mbrojtur e të pavarur, të përbërë nga organizma publik autonom, synimet si lira e barazia, planifikimi participues…do të jenë fjalë boshe…”
UNMIK-u e dinte se kalimi nga një shoqëri komuniste me një prapavijë të ksenofobisë dhe etnocentrizmit në një shoqëri demokratike, do të manifestohej si një betejë mjaft e ashpër.
Dhe, duke e ditur se viktima e parë e betejës do të ishte vet UNMIK-u, atëherë struktura në fjalë zhvillonte strategji për ta penguar ardhjen deri te beteja gjatë kohës së ekzistimit të saj, për ta shtyrë këtë “betejë” për më vonë.
UNMIK-u frikësohej se nëse Kosova përnjëmend shndërrohet në shoqëri demokratike, kjo do ta dëmtonte pozitën e këtij organi në këtë vend. Në dritë të kësaj, raporti i KIPRED-it nxori përfundimin se “Roli i grupeve si KLMDNJ [Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut] dhe zërave të pavarur në media në dënimin e dhunës, në masë të madhe janë injoruar nga UNMIK dhe në vend të kësaj, diplomatët perëndimore në Kosovë filluan ta damkosin publikisht tërë popullatën shqiptare si përgjegjëse për dhunën e pasluftës”.
Historia e demokratizimit në vendet tjera në Europë dëshmon se lipset një betejë shumë jodemokratike për të fituar fuqi demokratike.
Tranzicioni drejt demokracisë
Shoqëria civile në Kosovë, pasi që ishte e hendikepuar sa i përket funksionit të saj në raport me UNMIK-un si pushtet në aspektin e kundërbalancimit të tij, atëherë mori përsipër një mision që nuk ishte aspak i lehtë, e që kishte të bënte me promovimin e vlerave të demokracisë në shoqërinë kosovare.
Për të bërë të mundshme demokracinë, pa dyshim se është e nevojshme që në gjirin e shoqërisë të ketë grupe të ndryshme të organizuara jashtë ombrellës së institucioneve qeverisëse. Institucionet qeverisëse në një shoqëri demokratike nuk mund të mbulojnë të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe madje as që duhet të pretendojnë një gjë të tillë. Është pikërisht shoqëria civile ajo e cila mbulon sferat ku institucionet qeverisëse nuk arrijnë të kenë çasje apo tregohen të dobëta për të mbushur boshllëkun.
Prandaj, shoqëria civile e bën më funksionale demokracinë dhe po ashtu e bën më të pasur jetën shoqërore në përgjithësi.
Profesori i sociologjisë Servet Pllumbi në librin “Sprova në sociologjinë politike” definon rolin e OJQ-ve si në vijim, që ato të “realizojnë detyra më modeste por jo të parëndësishme. Së pari, duke aftësuar individë që të veprojnë si qytetarë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre. Së dyti, duke marrë pjesë në diskutime për probleme të ndryshme, si konsultime për ligje të rëndësishme, strategji zhvillimi, e kështu me radhë. Së treti, duke krijuar lobe për të ndikuar mbi politikën shtetërore apo grupe presioni mbi qeverinë për çështje të veçanta”.
Prandaj, shoqëria civile e bën më funksionale demokracinë dhe po ashtu e bën më të pasur jetën shoqërore në përgjithësi. Një vend ku shoqëria civile ka hapësirë të mjaftueshme për veprim, është indikatori kryesor që tregon për një sundim të demokracisë. Në një shoqëri që pretendon demokraci të mirëfilltë, është plotësisht normale që të lindin edhe grupe të organizuara që janë kundër qeverisë ose pushtetitdhe që nuk pajtohen me rendin ekzistues apo synojnë të sjellin ndryshime.
Liria e veprimit të këtyre grupeve tregon nëse në atë vend ka demokraci ose jo. Nëse një grup që është kundër veprimeve të qeverisë, kritikon punën e saj dhe kundërshton me masa të ligjshme dhe për këtë fakt përndiqet dhe pengohet aktiviteti i tyre, atëherë mund të merret si tregues se në atë vend nuk ka demokraci të avancuar. Autorja Sondra Myers në librin “Democracy is a Discussion II” thotë se “Në vendet postkomuniste është bërë e qartë se është shoqëria civile ajo që e bëri demokracinë të funksionojë”. Kur themi se grupet e ndryshme të organizuara janë një nga agjentët kyç të cilat ndihmojnë që demokracia të përmbrendësohet, atëherë mendojmë kryesisht në përvetësimin e vlerës së participimit në jetën shoqërore-politike. Përmes këtyre organizimeve të ndryshme që bëjnë pjesë në shoqërinë civile, qytetari arrin që të bëhet aktor i drejtpërdrejt në jetën politike-shoqërore.
Nga shumë autorë që merren me çështje të demokracisë, pjesëmarrja e qytetarit në jetën politike konsiderohet si njëri nga elementet kyçe që e bën demokracinë të funksionojë dhe të ketë legjitimitet. Njëkohësisht, ndërmjetësuesi më adekuatë ndërmjet shtetit dhe qytetarit është vet shoqëria civile.
Sipas historianes Diane Ravitch në librin “Ç’është demokracia”, “Një demokraci e shëndoshë varet nga pjesëmarrja e vazhdueshme dhe e hapur e të gjitha shtresave të shtetasve, pavarësisht nga niveli i ndihmesës së tyre”. Shoqëria civile në Kosovë, funksionin e saj në raport me demokracinë e realizon duke u nisur nga koncepti i ndërtimit të demokracisë nga posht – lart. Duke u nisur nga rrethanat politike në të cilat ndodhej Kosova pas lufte, aplikimi i modelit për ndërtimin e demokracisë nga posht -lart ishte i pashmangshëm.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.