Biseda | #podumeditë

Shpend Ahmeti: “Çka kisha pas qef të matet është se sa është Prishtina e qytetarëve”.

Nga - 30.04.2017

Kryetari i Prishtinës flet për mandatin e tij të parë dhe i hedh një vështrim së ardhmes në këtë vit zgjedhor.

Në gjysmën e dytë të këtij viti, Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, do të garojë edhe për një mandat si kandidat i Vetëvendosjes në zgjedhjet komunale. Katër vitet e shkuara të 39-vjeçarit nuk kanë qenë krejt fusha të blerta. Betejat e ashpra politike ndërmjet tij dhe përfaqësuesve të LDK-së e të PDK-së në kuvendin komunal, si dhe lufta për t’ia ndryshuar fytyrën kryeqytetin kanë marrë hovin, duke ia thinjur edhe flokët.

Përkundër sfidave, ish-profesori i politikave publike është gati të futet në një fazë tjetër të transformimit të Prishtinës. Ahmeti dëshiron ta tejkalojë atë që ai e quan periudhë tranzicionale dhe të lëviz nga sigurimi i nevojave elementare për qytetin, siç është uji dhe transporti publik, drejt krijimit të një qyteti i cili do të jetë më i jetueshëm e më tërheqës për turistët. Ahmeti tashmë po shikon nga e ardhmja, dhe ambiciet e tij nuk mbarojnë me rizgjedhjen e tij si kryetar për një mandat të dytë katërvjeçar.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kryetari i tanishëm beson fuqishëm se zgjedhjet e sivjetme do t’i sigurojnë më shumë vota Vetëvendosjes në kuvendin komunal të Prishtinës, ku ai ankohet se projektet e tij shpesh janë bllokuar, dhe ku shpeshherë ka shkëmbyer fjalë të ashpra me rivalët e tij nga radhët e LDK-së dhe të PDK-së. Ai pranon se kompromisi në politikë është i pashmangshëm, por se përfaqësuesit e koalicionit LDK-PDK i kanë sfiduar parimet e tij, duke e bërë kompromisin të vështirë.

Në këtë intervistë të thuktë me K2.0 para këtij viti vendimtar për të, Ahmeti flet për përpjekjet për barazi duke i oftuar sektorit privat hapësirë për biznes, dhe i arsyeton hapat radikal të ndërmarrur për t’i ndihmuar përmirësimit të Prishtinës.

Kosovo 2.0: Në shumë paraqitje tuaja së voni, ju kam dëgjuar të thuani se jeni lodhur duke qenë i pari i Prishtinës, dhe përveç kësaj edhe keni mundur të fitoni më shumë po të bënit tjetër punë. Megjithatë, tashmë jeni kandidat i Vetëvendosjes për të marrë edhe një mandat. Çka ju motivon me kërku edhe një mandat nëse katër vite kanë qenë të lodhshme?

Shpend Ahmeti: Nuk duhet me i besu asnjë politikani që thotë se ka sakrifiku tepër shumë materialisht dhe se ka pas mundësi me i pas punët më mirë. Anën materiale ta zëvendëson ajo shpirtërorja. Materialisht, ndoshta edhe do i kisha pas punët më mirë. Në fakt tash këtë po e di, por nuk dua tash me u viktimizu. Nuk bën me thanë “unë kam sakrifiku”. Jo jo, kurgjë nuk kemi sakrifiku, vet e kemi zgjedh këtë punë dhe unë kam vendos me hy në shërbim dhe gjithë jetën ia kam kushtu shërbimit publik. Kam punu në shoqëri civile, kam dhanë mësim, tash jam kryetar e këto gjana më japin kënaqësi.

E cila pra është kënaqësia e këtyre katër viteve nëse po thuani se keni pasur aq shumë telashe?

Është dëshmia se në Kosovë mund të punohet ndryshe. Kur mundesh me i tregu dikujt që politika nuk është automatikisht e keqe dhe politikani mundet me punu për të mirën e popullit.

A kemi bërë gabime? Natyrisht, pa gabime nuk është e mundur. A kemi mujt t’bëjmë më shumë? Mendoj se gjithmonë mundemi t’bëjmë më shumë. Por në përgjithësi ka qenë një luftë se në Kosovë mundet me u punu ndryshe. Dhe kjo ka qenë e lodhshme për shkak të sabotimeve të brendshme dhe sabotimeve të jashtme. Të brendshme sepse në komunë një strukturë ka punu aktivisht kundër neve, dhe një sabotim i jashtëm [aty] ku ka pas bllokada tepër të mëdha dhe një treg mediatik i cili nuk është krejtësisht i ndershëm.

"Askush nuk vjen në tubim me thanë se keni bërë punë të mirë. Secili e ka një problem por, më e mira është që ata njerëz po e dijnë se komuna dëgjon".

Sulmet e shpeshta, të pavërtetat, shpifjet … pa marrë parasysh se je në gjendje me thanë “hajt se rrena e shpifje”, ato kanë ndikim. Nëse jo te unë, ato ndikojnë tek familja e rrethi e që prapë se prapë ndikon tek unë në mënyrë direkte. Unë ndoshta edhe duket se bëj hajgare, por vërtetë më janë zbardh flokët. Por ajo që më shtyen të kandidoj prapë është mos me e rreziku projektin e Prishtinës. Kjo rrugë duhet me vazhdu dhe natyrisht mendoj se në të ardhmen e afërme edhe do të vijnë njerëz që punojnë më mire se unë, e mezi s’pres atë kohë kur mundem me e transferu [qeverisjen] tek dikush tjetër që të vazhdojë rrugën për t’bërë gjana shumë më të mëdha. Por jam i sigurtë se asnjëherë nuk do të kthehet Prishtina në vitin 2013.

Por a është Prishtina e sotme ajo piktura që ju e keni parë kur jeni bërë i pari i kryeqytetit në fund të 2013-të?

Mendoj se jemi shumë më mirë. Surpriza nuk ka, por tjetër çka është me imagjinu e tjetër me e jetu realitetin. Ti mundesh me e imagjinu tërë kohën se sa ka me qenë vështirë, por kur kalon nëpër të e vëren taman. Është sikur të thuash, “unë po e di që qajo furrë është e nxehtë edhe e di çka ndodhë përafërsisht nëse e shtin dorën në furrë”, por kur e shtin dorën e ke ndjenjën tjetër.

"Një lider matet për kohën e tij pasi ta len ai postin. Nëse ke arrit me kriju sisteme e ndryshime në shoqëri, atëherë ajo do të shihet më vonë".

Ne kemi mendu me e instalu një sistem tjetër të llogaridhënies. Në fund të mandatit kemi mendu që dikush ka me matë çfarë kemi bërë. Dhe matja shkon për disa gjana për të cilat i kam premtu edhe jam votu për to dhe tash unë duhet me tregu a i kam përmbush ato premtime apo jo. Çka kisha pas qef me u matë është se sa është Prishtina e qytetarëve. Ne i kemi fillu tubimet publike me kah 20 persona. Tash vijnë kah 400 në çdo diskutim. Isha në Kodër të Trimave – 400 persona; isha në Hajvali – 350 persona; në Breg të Diellit – mbi 300.

A po doni të thoni se e keni rritur aktivizmin qytetarë?

Askush nuk vjen në tubim me thanë se keni bërë punë të mirë. Secili e ka një problem por, më e mira është që ata njerëz po e dijnë se komuna dëgjon. Ata njerëz po mendojnë se munden me u zgjidh problemet. Në fillim diskutimet ishin me mua me e zgjidh punën e këtyre gropave apo ku ta dijë. Tash është ndryshe pasi është interesant se disktutimet janë ndërmjet qytetarëve. Dhe kjo po më bën mua optimist, pa marrë parasysh a jam kryetar nesër apo jo. Qytetarët nuk e lejojnë më atë çka ka ndodh para 2013-ës. Një lider matet për kohën e tij pasi ta len ai postin. Nëse ke arrit me kriju sisteme e ndryshime në shoqëri, atëherë ajo do të shihet më vonë.

Por nëse ktheheni në retrospektivë, çka kishit ndryshuar gjatë këtyre katër viteve?

Nuk e kam besu përpara se njerëzit munden me mendu kaq keq qysh kanë mendu. Nuk di a kisha mujt me bë ndryshe, por jam asi njeri fundja që kam besu në mirësinë e disa njerëzve më shumë. Unë prapë besoj se njerëzit janë të mirë. Apriori mendoj se janë të mirë, derisa nuk ma dëshmojnë të kundërtën. Por jam dëshpëru me disa njerëz që kam mendu që ja dojnë të mirën Prishtinës. E në fund për mu politika nuk është as një shkëmbim, as një blerje, as interes vetanak apo subjekti, por është arti i së mundshmes – çka mundesh me arrit dhe me përmirësu për mirëqenien e njerëzve.

Të kisha qenë më i shpejtë ndoshta në reformimin e administratës së brendshme sepse disa gjana i kam toleruar më shumë se që është dashur.

Çka më konkretisht?

Punëtorët që na kanë sabotu e kur e kemi ditë që po ndodh, është dashtë me marrë veprime  shumë më shpejtë që mos me leju që me na ngadalësu procese.

Por edhe veprimet që keni marrë shpesh kanë shkaktu përplasje, sidomos në kuvendin komunal. Si po mendoni ta merrni edhe një mandat me këto raporte me LDK-në edhe PDK-në. A është koha për më shumë kompromis?

Unë besoj se ka me ndryshu situata. Në fushatën e ardhshme me qytetarët, unë së paku do ta fokusoj në kuvendin komunal. Janë dy gjana këtu. Nëse ma besoni mua vazhdimin e një mandati, atëherë kërkoj nga ju të më mbështesni edhe në kuvendin komunal.
Është e qartë që nuk guxojmë ta kemi edhe një kuvend komunal që është kaq bllokues.

"Trotuari nuk është për me u parku me veturë, pavarësisht se a ka parking apo jo. Do të thotë, mundemi me diskutu për mungesën e parkingjeve, por për trotuar nuk kemi çka të diskutojmë".

Por edhe ju nuk është se nuk i keni sulmuar kundërshtarët tuaj?

Por jo, nuk është puna të dallimet politike sepse ato i respektoj. Sot ke një mendim ndryshe dhe atë e respektoj, kur unë edhe ti e kemi qëllimin e njejtë – që Prishtina të jetë më mirë. Mund të dallojmë në mënyrën se qysh dojmë me arrit deri te ai qëllim. Por nëse ti e ke qëllimin e keq dhe mendon se qytetarët nuk duhet me pas ujë sepse kështu i ndihmon Shpendit, apo duhet me i ndal autobusat sepse ato duken bukur, unë këtë se pranoj.

 A mendon se i keni shterruar të gjitha argumentet për më shumë kompromis?  

Kompromiset janë të natyrshme në politikë, por jo kompromise në parim. Kompromisi në bazë të parimit është tradhëti ndaj vetëvetes, e kështu e ka thënë Gandi. Kompromiset janë të kuptueshme dhe nuk kam unë pushtet absolut. Por nuk mundem me nda drejtora të shkollave me tjera parti politike sepse nuk mendoj se partitë politike duhe me i nda drejtoritë e shkollave. Më duket se ndoshta nuk kemi fol për gjanat që i kemi gjetur nga qeverisja e kaluar dhe qytetarët as nuk e dijnë se çfarë gjanash kemi gjetur. Për shembull, veç një asambleist që ka qenë drejtor i arsimit për dy vjet i ka punësuar katër qika të motrave e vëllëzerve pa konkurs, e njëra pa fakultet hiç. E këso raste janë me qindra dhe kjo nuk ka të bëjë me Vetëvendosjen e LDK-në por me parimet, sepse po çuditemi kur po na dalin rezultatet e PISA-s.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Por ka shumë kritikë tuaj që thonë që ju veçse keni humbur shumë energji duke u marrë me të kaluarën. Sa qëndron kjo?

Është e pashmangshme që duhesh me u marrë me të kaluarën. Nuk po mundemi me ecë përpara pa u marrë me të kaluarën. Do të thotë, unë duhet me u marrë me punësimet familjare në arsim sepse nëse dojmë me i hek ata njerëz duhet me ditë çka ka ndodhë. Nëse e largojmë dikë edhe nuk e shpjegojmë largimin pastaj thojnë, “ja, po e bëjnë në baza partiake”. Nuk mundemi me vazhdu me djem e qika të motrave duke i punësu se dikush e ka pushtetin. Edhe duhet me e kuptu që nuk duhet me u kthy ky lloj mentaliteti. Ne po punojmë që edhe qytetarët ta ndryshojnë qasjen ndaj komunës së vet. Qytetarët janë pronarë të komunës. Tjetër, 46,000 ndërtime pa leje nuk është që i ka bërë veç një njeri, por e kanë bërë standard të pranueshëm. Gjithkush ka bërë çfarë ka dashtë. Dikush ka pas më shumë pare e ka pagu, dikush është korruptu dhe kështu është ndërtu një rrjet komplet i kriminalizuar.

Polarizimi ka qenë i skajshëm gjatë mandatit, por sipas jush, ku diku kanë pasur të drejtë kundërshtartët e juaj politikë kur ju kanë kritiku?

Kemi pas diskutime të përhershme në kuvendin komunal. Në media shihen vetëm bërtimat dhe piskamat, por ka pas edhe diskutime të mira. Ka pas diskutime rreth buxhetimin, raportimit financiar. Unë kam pas shpesh edhe pajtime me njerëz të opozitës që kanë ngritë çështje. Por nuk kam problem me dallime sepse edhe unë mund të gaboj. Kur i ndalëm ndërtimet pa leje disa na duartrokitën por, edhe të tjerë na thanë se na i ndalët vendet e punës. Por përfundoi ajo punë… Tash diskutimi është i ndërtimeve me leje, pra po ecim e po avansojmë.

Pra ju i arsyetoni edhe masat radikale që të rregullohet një çështje e caktuar sikurse e ndërtimeve pa leje. Në anën tjetër, ka pas raste sikurse mosndërtimi i parkingjeve derisa vendosen kungja për të lejuar ecjen më të lirë të qytetarëve nga veturat. Pra, ju i arsyetoni masat radikale edhe nëse nuk ofroni zgjidhje të shpejtë, sikurse rasti i mungesës së parkingjeve?

Dikush më ka shkruar para një kohë se “nuk mundesh me qitë kungja sepse nuk ke gjet vendparkingje të reja”. Kështu që, “derisa nuk gjen zgjidhje, mos qitë kungja”. Po, por trotuari nuk është për me u parku me veturë, pavarësisht se a ka parking apo jo. Do të thotë, mundemi me diskutu për mungesën e parkingjeve, por për trotuar nuk kemi çka të diskutojmë. Ne duhet me iu shpallë luftë makinave. Mendoj se kjo më humb vota sepse njerëzit në Kosovë kanë njëfarë relacioni të afërt me veturën. Kanë qef me pi kafen edhe veturën me e pa derisa pijnë kafe. Mendojmë se këtë duhet me e ndryshu dhe kjo nuk ndryshon veç me një politikë. Për shembull, unë nuk pajtohem me katër korsi me hy në qytet.

Pra, nuk pajtoheni me projektin e ri të Veternikut?

Nuk pajtohem sepse ato katër korsi prapë kanë me ardhë në dy korsi në qytet, dhe kur ua bën katër korsi veturave iu thu “hajde në qytet”. Nuk mendoj se duhet me i pas politikat që me i thirrë veturat me hy në qytet.

Nuk mendoni se ka me i ndihmu me ndonjë formë shkarkimit të qytetit?

Jo, sepse ato vetura prapë kanë me hy në Prishtinë, e në Prishtinë i kemi kah dy korsi, e dikund edhe ka një. Do të thotë, është sasia e veturave që ka me qenë problematike. Ne po dojmë me i zëvendësu me autobusa, me ecje, me ciklizëm, por një politikan ka një kapital të kufizuar. Nuk mundem me i nis 250 beteja në të njejtën kohë.

"A kemi bërë gabime? Natyrisht, pa gabime nuk është e mundur. A kemi mujt t'bëjmë më shumë? Mendoj se gjithmonë mundemi t'bëjmë më shumë."

Por për ciklista nuk është që është parë diçka të ndërmarrur nga qeverisja juaj.

Prishtina e ka edhe terrenin e papërshtatshëm për ciklista, por nuk pajtohen ciklistat me mua… Ne e kemi planin e mobilitetit që po e bëjmë, që ka qenë grant i BERZH-it [Banka Evropiane Për Rindërtim dhe Zhvillim] por që ka qenë i lidhur me kredinë e autobusëve. E kemi përfundu anketën me 3,700 banorë të Prishtinës dhe po e kuptojmë se ku po lëvizin banorët gjatë ditës, a është lëvizja prej Dardanisë në Breg të Diellit apo kah. Dhe kur ta kuptojmë këtë do t’i ridizajnojmë edhe linjat e reja të autobusëve, edhe për ciklizëm do të ketë projekte, por edhe për këmbësorë. Për shembull, dëshiron për t’bërë një shirit të gjelbër për këmbësorë që me ecë nëpër qytet pa dal asnjeherë nëpër asfalt, që me pas mbi 20 minuta ecje.

A ka hapësirë në Prishtinë për këso projektesh…

Ka, kërkon kreativitet, por gjithsesi se ka.

Sepse ne sot nuk është që kemi shumë hapësirë për persona me aftësi të veçanta nëpër qytet dhe qytetarë në fushatën tonë #podumeditë kanë pyetur për këtë.

Për personat me aftësi të veçanta ne i kemi identifiku, për shembull, individualisht ku jetojnë nëpër banesa dhe që kanë probleme me dal prej banesave të tyre. Kemi ndërtu rampa individuale në shumë hyrje në Prishtinë.

A e dini se sa është numri i tyre?

Po ka shumë raste. Ne e kemi bërë liftin në komunë të Prishtinës që nuk ka qenë asnjëherë, dhe asnjëherë një person me karrocë nuk ka mujt me e taku kryetarin me karrocë të vet. Kemi vendos liftin në qendrën e mjekësisë familjare kryesore në Prishtinë; kemi vendos liftin në qendrën e mjekësisë familjare në Breg të Diellit… A ka ende barriera? Ka. Por me kohë po mundohemi t’i largojmë të gjitha barrierat.

"Nuk pajtohem sepse ato katër korsi prapë kanë me ardhë në dy korsi në qytet, dhe kur ua bën katër korsi veturave iu thu 'hajde në qytet.'”

A është ky qytet friendly apo i barabartë për të gjithë, unë them që jo. Ne për herë të parë kemi vendosur trotuar për persona të verbër në një pjesë të vogël të qytetit.

Por përveç asaj pjesë së qendrës nuk është parë dikund tjetër të vendosen shirita të tillë…

Duhet me pas gjithkah, por këto janë mundësitë tona. Por me rëndësi është që të ju tregojmë qytetarëve se po punojmë për barazi dhe që kjo kategori e njerëzve janë të rëndësishëm për ne. Nuk rregullohet puna me një liftë në komunë sepse aty na mungon [edhe] një toalet i përshtatshëm për persona me nevoja të veçanta… Por po e them kërkesat e shumta na pamundësojnë që të punojmë të gjitha në të njejtën kohë.

Nga 11 premtimet elektorale, është një që as që ka filluar të realizohet – projekti i banimit të përballueshëm me komunën si subvencionues, për ata që punojnë në sektorin publik por s’kanë mundësi të kenë banim të qëndrueshëm. Pse nuk është bërë asgjë në këtë drejtim?

E kemi lënë për fund, nuk është projekt që përfundon për një vit apo edhe një mandat. Ne tash i kemi trasu poltikat për këtë punë.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Çfarë keni bërë konkretisht?

Besojmë që gjatë muajit maj do ta prezantojmë krejt këtë koncept të projektit që e mendojmë. Do të thotë, shfrytëzimin e tokave komunale për ndërtim në bashkëpunim me sektorin privat në mënyrë që ta krijojmë një fond të banesave. [Janë] ato banesa që i kam përmend në fushatë, 40 deri 60 metra katror që do të iu ipeshin punëtorëve me kosto të ndërtimit, mirëpo me kushtin që ja kushtojnë një pjesë të jetës së tyre sektorit publik.

Por ndoshta ka shumë të tillë. A besoni se është projekt i menduar mirë?

Kemi edhe ne shumë tokë dhe nuk janë të gjithë punëtorët e sektorit publik në Prishtinë në nevojë për banesë për banim apo strehim.

E çka nëse dikush që punon në sektorin publik dhe veçse e ka të rregulluar banimin edhe aplikon?

Po me prioritete shkon. Do të thotë, shkojmë më ata që kanë nevojë, do ishte projekt i vazhdueshëm, sikur rasti i banesave sociale [që komuna i ka ndarë për familjet e varfëra]. Mendoj se është rasti më i mirë ndonjëherë që është bërë për raste sociale për banesa.

A keni pas shumë ankesa për këtë proces?

Jo edhe aq shumë sepse ju kam thënë komisionit, merrni sa më shumë vëzhgues, dhe unë në ardhsha me thanë që dikush duhet me marr banesë jepni dorëheqje krejt. Mirëpo edhe juve nëse gjej që keni bërë di
çka të qëllimshme, dijeni që nuk ju njoh dhe ju lajmroj. Kemi ardhë tash në përfundim se 50 familje kanë përfitu dhe 250 nuk kanë përfitu. Prej përspektivës së tyre, secili i ka punët keq, por në fund besoj e kanë parë që procesi ka qenë transparent.

"PËR MU POLITIKA NUK ËSHTË AS NJË SHKËMBIM, AS NJË BLERJE, AS INTERES VETANAK APO SUBJEKTI, POR ËSHTË ARTI I SË MUNDSHMES – ÇKA MUNDESH ME ARRIT DHE ME PËRMIRËSU PËR MIRËQENIEN E NJERËZVE".

A mendon se keni mundur t’i bëni gjërat me një dinamikë më të shpejtë?

Mendoj se gjithmonë mundemi t’bëjmë më shumë dhe nuk duhet me qenë të kënaqur asnjëherë. Por disa gjana as nuk i kam paramendu se do të ndodhin. Një vit na është vonuar për një nënshkrim për autobusët. Tash do të ishte harru ky diskutim. Pra ka pas punë që kanë marrë më shumë kohë se që duhet.

Për shembull, reformimi i transportit publik.

Jo, mendoj se ai ka qenë ndryshim rrënjësor dhe ndryshimet rrënjësore nuk ndodhin brenda një nate.

Por kur do të kompletohet transformimi komplet i transportit publik?

Kqyre, Viena e ka transportin ndër më të mirët, por ende punojnë. Reforma nuk bën asnjëherë me u ndal. Ne e përfundojmë planin e mobilitetit në qershor dhe deri kah shtatori i marrim edhe 21 autobusë të tjerë që i vendosim në linja të tjera. Në qershor i dijmë edhe linjat e reja të qytetit. Jemi duke përgadit kontratat e reja, 7-10 vjeçare, me operatorë privat të cilët duhet me investu në autobusë më të rinj se që i kanë tash. Besoj se tabelat që tregojnë se kur mrijnë autobusët do t’i kemi shumë shpejtë, por unë pres deri në fund të vitit ta kompletojmë një pjesë të madhe të transportit publik. Ne i kemi ble 51 autobusë por na duhet 80 autobusë të sektorit publik e 80 në sektorin privat, dhe ky është kushti i marrëveshjes që e kemi nëshkru me BERZH-in. Por duhet me e pranu se këta 51 autobusë ia kanë ndryshu pamjen qytetit, por edhe ka më pak trafik. Ndoshta njerëzit nuk po e vërejnë.

Mendoni se ka ma pak trafik. Si e keni matur këtë?

Tash do t’bëjmë edhe analiza shkencore që me e vërtetu këtë. Njerëzit më thojnë që nuk e kanë përdor [transporti publik], e tash po e përdorin.

Por a është pak e egzagjeruar kjo puna e autobusëve?

Pak është me kesh që [është viti] 2017 e ne i gëzohemi autobusëve të rinj. Do të ishte mirë në 2017 me u gëzu për tramvaj apo di
çka tjetër. Por nuk mundemi prej shkallës së parë me kalu në të 15-ën.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ne i kemi ndal gjanat e këqija, i kemi fillu të mirat. Shërbimet sociale i kemi përmirësu, e kemi përmirësu barazinë sociale në qytet dhe kemi fillu sikurse me çerdhe, ujë, dhe autobusë. Jemi duke fol për shërbime bazike që po i zgjidhim si probleme. Pishina olimpike, salla koncertale, kjo është ajo faza e dytë e zhvillimit të Prishtinës dhe involvim të sektorit privat. Pas kësaj vjen faza e zhvillimit e ajo është në mandatin e ardhshëm me projekte tjera.

Nga këto që po thuani i bie se nëse e fitoni edhe një mandat, do të mirreni me gjëra bazike të qytetarëve të Prishtinës?

Ne po i përfundojmë këto problemet bazike. Nëse flasim për ujin, transportin publik, çerdhet, nuk është që i kemi përfundu por i kemi përmirësu dukshëm. Kemi vendos një rregull, kemi digjitalizu shërbimin, administrata funksionin tepër më mirë. Tash shkojmë në nivelin tjetër.

"Unë dua që ta mbrojmë një qytetar që e ka një shtëpi e dikush tjetër po ia nxen dritën me një ndërtesë të madhe".

Nëse shëndetësia primare është niveli bazik edhe e kemi përmisu, tash mendojmë për shëndetësinë sekondare. Kalojmë në pishinë e në atraksione tjera. Unë dua ta shoh Prishtinën qytet më të jetueshëm, që tërheq më shumë turista por edhe për ata që duan të vijnë e jetojnë në Prishtinë, dhe një komunë që i’u ofron shërbime cilësore qytetarëve të vet. Unë e parafytyroj Prishtinën se ku duhet të jetë në 2030 ose 2040, kur unë s’do të jem [kryetar].

Dhe ku e shihni atëherë Prishtinën?

Prej një kaosi që e kemi pas unë e shoh me rregull, gjelbërim me hapësira të planifikuara mirë – edhe pse prej këtij kurshlluzi që është bërë në ndërtime ka me pas shumë pasoja që i bartim edhe sot. Ne nuk mundemi me ble autobusa 18 metërsh që i ka pas Prishtina në vitet e 80-ta për shkak të ndërtimeve që janë bërë. Pasoja ka. Por unë kam jetu në Amerikë dy vite dhe atje një qytetar e ka hallin me të hyrat që i ka, por jo me mendu që nuk ka ujë me u la, apo mos me pas pishinë apo sallë koncertale. E këto probleme janë tonat.

Sot kemi një kinema multiplex. Nuk e kemi bërë ne komuna, por megjithatë përmisimet në Prishtinë e kanë bërë që me ardhë një investitor e me mendu që këtu ka hapësirë për një investim edhe po i del më mirë se në Shkup e Tiranë.

Çka paska ndiku nga qeverisja juaj që ata me ardhë?

Po ndoshta mund t’i pyesni ju këto brendet e reja botërore që po vijnë këtu shumë e më shumë dhe pse nuk kanë ardhë më herët – probleme politike, pasiguria, funksionim krejt tjetër me administratë. Tash flasim për një rregull për ndërtime dhe leje.

"Mendoj se jemi një definicion i një qeverisje social demokrate që lufton dhe punon për barazi, që i ndihmon sektorit privat por e ka kyç sektorin publik".

Kur ka ardhë CinnePlexx dhe prej atij momenti kur i kam taku dhe bind se Prishtina është qytet [në të cilin] duhet me ardhë, i kam taku mbi 10 herë e në fund i’u kam ndihmu me promovu. Për mu ka pas rëndësi që qyteti me pas një kinema me shumë salla.

Pse duhesh me i ndihmu një kompanie private nëse e kemi kinemanë e qytetit?

Sepse nuk du qytetari i jem i Prishtinës me shku në Shkup me kqyr film, e tash e ka një sallë më të mirë në Prishtinë. Sepse nuk du një qytetar me shku në Shkup për një McDonalds apo Burger King. Po du këtu me kriju edhe qarkullimin, e këtu me mbetë edhe fitimi.

Mirëpo a nuk bie ndesh me konceptin social demokrat se ju po promovoni kompani private?

Social-Demokracia sipas besimit tim është që beson në sistemin kapitalist dhe ka shumë mënyra. Ne nuk e lejojmë tregun të ndërtojë ku të dojë e çfarë të dojë, por secili social-demokrat ka qef me pas kinema në një qytet ashtu siç ka qef. Që qendrat e mjekësisë familjare me funksionu, që me pas mundësi një qytetar me e ndreq dhëmbin 4 euro e me e nxjerr 1,50, edhe pse në sektorin privat e ki 40 me ndreq e 20 me e nxjerr. Por me ia mundësu shërbimin e mirë.

A mendoni se qeverisja juaj ish identifiku me një qeverisje social-demokrate?

Mendoj se jemi një definicion i një qeverisje social-demokrate që lufton dhe punon për barazi, që i ndihmon sektorit privat por e ka kyç sektorin publik. E di se një numër i kifleve madje edhe hidhen [në bërllog], ndoshta në shkollën Dardania nuk i hanë krejt kiflet fëmijët, por në lagjet më të varfëra po i hajnë krejt. Viteve të ardhshme e avansojmë atë sistem. Mirëpo atij që nuk ka mundësi, dojmë më ia garantu një minimum të kifleve dhe qumështit. Duhet me e kuptu edhe vajza jem kur vjen në shtëpi se pse po e bëj kiflen e qumështin [obligative në shkolla]; duhet me kuptu se shkon me një klasë me 35 veta e ku dikush i ka çantat e lapsat më të mirë e dikush s’ka hiç. Me e kuptu fëmijët prej asaj moshe që disa vlera janë të përgjithshme e duhet ne t’i shtyejmë përpara. Po e instalojmë një mendësi që nuk mundesh me ia shpjegu tabelën e shumëzimit një fëmije të klasës së dytë nëse është i uritur.

Unë dua që ta mbrojmë një qytetar që e ka një shtëpi e dikush tjetër po ia nxen dritën me një ndërtesë të madhe. Po du atë me e mbrojtë, me i thanë “edhe ti ke të drejtë, e nuk është krejt tek paraja.”

Pas fjalimit të fundit në kuvend të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti kundër kompanisë Devolli [për lidhjen e tyre me politikën], kritikë të shumtë e kanë ndërlidhur atë si një formë të drejtuar juve por edhe të atillë që fjalimin e kanë komentuar se z.Kurti ka dashur të tregoj se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e kapur nga asnjë oligark ekonomik, pas fotove që dolën ku ju ishit në jaht me Blerim Devollin. A ekziston përplasje mes jush dhe Albin Kurtit?

E para, Lëvizja Vetëvendoje nuk mund të jetë e kapur nga ndonjë kompani e madhe. Mendoj se jemi mjaftueshëm të zhvilluar edhe të pjekur, që nuk i kemi borgj as unë si individ por as L
ëvizja si subjekt. Lufta jonë për të drejtat e punëtorëve dhe kundër oligarkisë është e ditur dhe është në programin qeverisës të cilin kam kontribuar dhe unë me e shkrujtë.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Unë kam qenë kryesori që ka shtyer hetimet rreth AXOS-it [fituese e 75 përqind të aksioneve të PTK-së], marrëveshjet e PTK-së, edhe për autostradën [mospublikimi i kontratës për ndërtimin e autostradë Ibrahim Rugova nga ana e qeverisë] e plot tjera. Ai fjalim, mundesh me i thanë  dashakëqinjëve apo dashamirëve, nuk ka qenë i drejtuar as kundër meje dhe as kundër ndokujt në lëvizje, por është rikonfirmim i asaj që e kemi thënë ne si lëvizje Vetëvendsoje.

Pse si mendon se ka ardhë fjalimi, a ka qenë fjalim i rastësishëm?

Fjalimi është përgadit me 2 mars, shumë përpara se që mu ka bërë sulmi me fotografi. Do të thotë, ka qenë e menduar si rikonfirmim i asaj që Lëvizja Vetëvendosje i mbron shtresat e ndryshme. Për shembull, tek ne vijnë fshatarë që na thonë që lirë po na e bleni qumështin, apo vijnë punëtorët e supermarketeve që po punojnë gjashtë ditë në javë. LVV ka me e mbrojtë atë shtresë jo domosdo duke i sulmu të gjitha kompanitë e mëdha, por është e qartë se ne jemi për të drejtat e punëtorëve.

Por ka edhe të tillë që e shohin si një garë mes jush edhe z.Kurti. Sa qëndron kjo?

Garë për çka.

Për të qenë i kandiduar nga Vetëvendosje për kryeministër?

Unë e kam potencu, edhe sot po e them që unë jam i interesuar ta vazhdoj punën në Prishtinë. Por kam thënë se nuk ka tabu temë në LVV. Momentalisht nuk kam ambicie të tilla.

Mendoj se mandati i dytë do të jetë më i lehtë për nga punët që kryhen në Prishtinë dhe më dinamik për shkak se besoj që do të jetë një konstelacion tjetër i forcave. Ndërsa besoj se Lëvizja ka njerëz që janë marrë më shumë me nivelin qëndror, pikë së pari Albini e edhe të tjerë, dhe jemi mjaftueshëm të pjekur ta bëjmë këtë diskutim brenda lëvizjes.

Para disa ditëve keni thënë se nuk pajtoheni me pjesën e fjalimit të Kurtit kur ai flet për ndërmarrjet e mëdha apo për pjesën ekonomike.

A pajtohemi 100% me gjithë anëtarët, nuk ka gjasa me u pajtu. Kur e kemi votu programin jemi pajtu që ai është programi qeverisës. Aty ka edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por ka edhe për ndërrmarrjet e mëdha dhe rolin e  shtetit. Do të thotë nëse vërejmë se dikund ka oligarki apo monopol ne do ta shthurim. Këtu s’ka asnjë dyshim. K

 

Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.

Fotografia kryesore: Atdhe Mulla / K2.0. 

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është mbajtë në gjuhën shqipe dhe përfshin pyetje të ngritura nga lexuesit gjatë fushatës tonë #PoDuMeDitë. Fushata #PoDuMeDitë është mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë.