Biseda | Ambienti

Shpresa Loshaj: Tash është koha që unë të flas më shumë

Nga - 23.02.2021

Aktivistja mjedisore shpjegon se çfarë është në rrezik në Deçan.

Kur në vitin 2018 Shpresa Loshaj ishte kthyer në vendlindje, Deçan, nga jeta e saj e zakonshme në Kanada, ajo nuk dinte asgjë për hidroenergjinë. Sot, ajo është fytyra e një lëvizjeje që shkon përtej mjedisit, ose lumenjve, ose ujit – një lëvizje që ka dalë si nismë demokratike për t’i dhënë fund shfrytëzimit të të përbashkëtave në dobi të një pakice njerëzish dhe kulturës së marrëveshjeve të fshehta, pasojat e të cilave godasin më së rëndi qytetarët.

Tash e më se dy vjet, Loshaj është e kredhur në luftën kundër hidrocentraleve të vogla në luginën e Deçanit, ku kompania austriake Kelag (Kelkos në Kosovë) zhvillon disa projekte hidroenergjetike në lumin Lumbardh brenda zonës së Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna. Siç ka ndodhur edhe me rajonet e lumenjtë e tjerë në Kosovë, si në Lumin Lepenc të zonës së Parkut Kombëtar të Sharrit, digat dhe gypat janë bërë pjesë e peizazhit edhe pse qytetarët kanë ngritur zërin fuqimisht kundër këtij lloj ndërtimi në qytezat dhe fshatrat e tyre.

Me mbështetjen e aktivistëve, Loshaj ka trokitur në dyert e gjithkujt, përfshirë ato të ministrive, diplomacisë austriake, parlamentarëve evropianë, organizatave mjedisore ndërkombëtare, si dhe ato të gjykatave. 

Vetë Kelkos publikoi rishtas në Twitter se që nga viti 2018 ka regjistruar “më shumë se 40 deklarata shpifëse publike” nga organizata Pishtarët, e themeluar nga Loshaj dy vjet më parë. Por Loshaj nuk është e vetme në ngritjen e shqetësimeve dhe akuzimin e institucioneve të Kosovës për dhënien e lejeve pa përmbushjen e kushteve dhe procedurave nga Kelkos ose të tjerët.

Problemet ligjore që lidhen me ndërtimin e hidrocentraleve në tërë Kosovën janë aq të shumta dhe aq flagrante, sa një numër institucionesh publike kanë theksuar shqetësimin e tyre dhe kanë nisur hetimet e veta. Nga tetori 2020 deri para zgjedhjeve të shkurtit, një komision parlamentar u formua posaçërisht për ta hetuar procesin e licensimit dhe monitorimit të hidroenergjisë. Megjithëse puna e tyre mbeti e papërfunduar për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, komisioni ia dha publikut mundësinë t’i shohë një nga një hisedarët e përfshirë në biznesin e hidroenergjisë, përfshirë zyrtarët publikë dhe mospërputhjet në punën e tyre. 

Së fundi, Avokati i Popullit nxori një raport të pakontestueshëm ex-officio që përmend mungesën e transparencës, mungesën e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe shkelje të mundshme ligjore të legjislacionit të mjedisit dhe të vetë Kushtetutës. Çfarë tregon raporti është se për shkak të mungesës së transparencës nga Ministria e Ambientit, nuk është siguruar qartësi për bazën ligjore të operimit të hidrocentraleve. 

"E kemi ditur se atje s'ka pasur dëmtime prej luftës dhe gjithmonë e kam paramenduar atë vend ashtu qysh ka qenë."

Shpresa Loshaj

Me mbështetjen e aktivistëve të tjerë të mjedisit, në janar Loshaj mbarti luftën për Grykën e Deçanit në gjykatë përmes një padie të pashembullt kundër institucioneve publike, duke sjellë dëshmi dhe duke kërkuar nga Ministria e Ambientit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë t’i anulojë lejet dhe licensat e lëshuara për Kelkosin që ia mundësojnë operimin e dy hidrocentraleve në Lumbardh. Më në fund, në shkurt gjykata pezulloi koncesionin e dy licensave 40-vjeçare dhe një license 15-vjeçare për operimin e Kelkosit në Deçan. Kjo ishte fitore, aty për aty, por pastaj doli të jetë thjesht betejë në një luftë më të gjerë.

Vetëm disa ditë më vonë, Loshaj, e cila është paepurisht e zëshme për dëmet mjedisore dhe shoqërore të shkaktuara nga Kelkosi në komunitetet dhe mjedisin e Deçanit, pranoi një padi për shpifje nga ana e Kelkosit. Kompania kërkon dëmshpërblim prej 100,000 eurosh.

Aktivistët e të drejtave civile e kanë quajtur këtë rast Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (Strategic Lawsuit Against Public Participation – SLAPP), e cila synon frikësimin, censurën dhe trembjen e njerëzve të tjerë që duan të flasin kundër veprimeve të Kelkosit në Kosovë. Kjo nuk është padia e parë e tillë nga Kelkos, meqë kontraktori austriak ka paditur aktivistin Adriatik Gacaferi në vitin 2020, duke i kërkuar 10,000 euro si dëmbshpërblim.

Padia e Kelkosit mund ta ketë ndezur një shkëndijë të re brenda lëvizjes, meqenëse aktivistët janë kthyer në debatin publik për të ripërsëritur secilin shqetësim të ngritur kundër Kelkosit dhe institucioneve publike përgjegjëse.

Këtë herë kemi folur me Loshajn përmes ekranit ndërsa ajo është kthyer në shtëpinë e saj në Otava të Kanadasë pas më se një viti aktivizmi në Deçan. E kemi pyetur si ka evoluar lufta e saj, për problemet e hasura si dhe për rrugën që e pret. 

K2.0: Kur ke ardhur në Deçan për herë të parë, pas kohës që ke qenë jashtë, cila ka qenë situata ose momenti kur e ke parë që duhesh të angazhohesh për të ndryshuar çka po  ndodh atje, që diçka nuk është në rregull? 

Shpresa Loshaj: Për herë të parë që e kam parë çka ka ndodhur në Grykë të Deçanit ka qenë viti 2018. Kam ardhur në Kosovë për një konferencë të diasporës dhe në Prishtinë kam dëgjuar se në Deçan ka hidrocentrale. Çdo vit që kam ardhur më përpara, asnjëherë nuk kam dëgjuar që në Deçan apo n’Grykë të Deçanit ka hidrocentrale; askush nuk e ka përmendur.

Edhe jam interesuar më shumë se çka qenka puna e këtyre hidrocentraleve në Deçan. “Jeta në Kosovë” ka qenë duke e bërë një emision edhe m’kanë thënë, “nëse do me ardhë me pa, hajde me neve”. Ishte maji i 2018-tës kur kam shkuar me ta për herë të parë ta shoh. 

Kur unë kam qenë në Kosovë para luftës, gjithmonë kemi veruar në bjeshkë, tamam ku është [hidrocentrali] Lumbardhi II tash. Ne e kemi pasur bjeshkën aty, edhe e kemi. Edhe aty e kam parë se është krejt ndryshe prej çka kam parë më përpara, qysh e kemi lënë bjeshkën. Unë nuk kam qenë aty pas luftës se ka qenë rruga e keqe; e kemi ditur se atje s’ka pasur dëmtime prej luftës edhe gjithmonë e kam paramenduar një vend ashtu qysh ka qenë. T’paktën kujtimet e mia kanë qenë të padëmtuara prej luftës, kujtimet e fëmijërisë në bjeshkë. 

Kur e kam parë atë shkatërrim aq të madh, ka qenë shumë e rëndë për mua se e kam parë që edhe ai vend qenka shkatërruar. Nuk paska… [i dridhet zëri prej emocionit] se është shumë e dhimbshme… nuk paska asnjë vend n’Kosovë që nuk e paska shkatërruar lufta e që nuk e paskemi shkatërruar ne vetë. Nuk mundesha ta paramendoj se dikush e di këtë që ka ndodhur, kur kam dëgjuar se është pjesë edhe Ministria [e Ambientit] — që vetë i ka lejuar e nuk vjen t’i ndalë.

Për mua ka qenë shumë e pakuptueshme se nuk kam menduar që ka njeri në Kosovë që i ka kaluar ato që i kemi kaluar ne, edhe ka mundësi [prapë se prapë] t’i bëjë diçka vendit të vet kështu. 

Tjetra punë, kur kam dëgjuar që s’guxon kush të flasë për hidrocentrale, atëherë jam bërë edhe më kurioze, më e determinuar dhe e motivuar se dikush duhet të flasë për këto hidrocentrale. Edhe pse jam kthyer n’Kanadë atë kohë, gjithmonë jam munduar ta mbaj lidhjen edhe gjithmonë m’ka brejtur. 

Pamje nga Gryka e Deçanit në vitin 2018. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sa më shumë kam zbuluar, e kam parë se çdo gjë që është keq me Kosovën, çdo gjë që nuk funksionon në Kosovë Kelkosi e paraqet, shkatërrimet në Grykë të Deçanit e paraqesin. Dështimi i institucioneve të Kosovës, dështimi i demokracisë — t’gjitha aty mund t’i gjesh. Krejt çka është problem me Kosovën, aty — moszbatimi i ligjit. 

Unë tani e kam parë që nëse është një hap për ta ndrequr [atë që ka ndodhur] në Grykë të Deçanit, është një hap për të kontribuar në ndërtimin e Kosovës. Sepse mendoj se Kosova ka me qenë shtet funksional kur ligji të funksionojë në Grykë të Deçanit, dhe ne e dimë se kjo do të marrë kohë shumë të gjatë. 

Nuk i kemi hyrë kësaj pune duke thënë se do ta ndreqim menjëherë sepse e dimë që është e lidhur me funksionimin e shtetit të Kosovës. Së pari ka qenë dëmtimi i natyrës — qysh ka mundur të ndodhë në një vend që nuk është prishur në luftë e ne ta prishim vetë, t’i prishim ndoshta t’vetmet kujtime që i kemi të pandikuara prej luftës. Edhe e dyta është funksionimi i shtetit të Kosovës, dështimi i shtetit të Kosovës në një aspekt dhe i zbatimit të ligjit, që prapë lidhet me sakrificat e luftës. 

Është e pamoralshme për mua t’i lëmë të shkelin mbi sakrificat e njerëzve. N’Deçan kanë vdekur shumë njerëz, kemi vuajtur shumë, për ta parë që funksionon ligji — ligji ynë. Tash mos ta zbatojmë është tradhti për të gjithë ata që kanë vdekur. 

Për lexuesit që ndoshta nuk e kanë përcjellë çdo hap dhe çdo problem me hidrocentralet në Deçan, a mund t’i numërosh problemet dhe dështimet e Ministrisë së Ambientit? 

Në vitin 2010 ka filluar ky projekti i hidrocentraleve të reja në Deçan. Prej fillimit ministria nuk i ka kërkuar dokumentet e duhura prej Kelkosit që t’i lëshojë lejet e duhura. Për shembull, e kemi rastin specifik të lejes ujore: është një studim i lumit [Pranim i Prurjes së Pranueshme Ekologjike] që duhet bërë për t’u ditur sa ka ujë në lumë dhe sa duhet lënë ujë në lumë për t’u siguruar jetesa e peshqve dhe ekosistemit natyror [para se] Kelkosi ta fusë në gypa. Ai është studimi i parë që [duhet bërë kur një entitet] aplikon për të ndërtuar hidrocentral. Ai studim kurrë nuk është bërë, ministria kurrë nuk e ka kërkuar. 

Me sy nuk mund ta matësh lumin se tash paska taman ujë ose tash nuk paska.

Kështu që Kelkosi çdo hap që vjen deri te aplikimi për leje e ka evituar dhe leja i është dhënë. Lejet përfundimtare Kelkosi i ka, edhe thotë, “Unë i kam lejet”. Por çka është dashur të bëjë për të ardhur deri te leja — asnjë dëshmi nuk është, tash qysh po shihet edhe në natyrë. 

Tash pas dhjetë viteve, ministria e ka kërkuar atë studim për t’u bërë nga Kelkosi. Edhe më përpara ka kërkuar në disa leje, “Qe lejen, po ti bëje studimin, 60 ditë i ke afat”. Sipas ligjit, nëse një kusht i lejes thyhet, leja revokohet dhe për tri vjet operatori nuk ka të drejtë të aplikojë për atë leje. Kelkosi e ka thyer s’di sa herë, është publikisht evidenca. 

Puna tjetër është, edhe nëse Kelkosi e paska bërë studimin, ministria nuk i ka kërkuar që me afat t’i instalojë matësit e ujit që mund ta zbatojnë këtë studim. Qysh mundesh ta zbatosh studimin — me sy nuk mund ta matësh lumin se “tash paska taman ujë ose tash nuk paska”. Duhet me qenë matësit në kohë reale për ta parë se sa ka ujë në lumë. Në këtë lejen e fundit ujore [të lëshuar në nëntor 2020] Ministria ka kërkuar edhe një herë nga Kelkosi që të instalohen matësit e ujit, po nuk u kanë dhënë afat kohor.

Kelkosi mund të shkojë në gjykatë apo kudo që të jetë para publikut, të thotë, “Ne nuk i kemi fajet. Neve na kanë dhanë një leje dhe na kanë thënë t’i instalojmë matësit, po nuk kemi afat. Ne nuk jemi duke e thyer ligjin”. 

Sipas Kelkosit ata i kanë mënyrat e veta që sigurojnë dhe dëshmojnë se ka ujë në lumë. Këto mënyra të gjitha janë në mbikëqyrje të tyre dhe njëra përfshin fotografim të lumit dy herë në ditë. Mua më ka pasë thënë dikush që ka punuar për Kelkosin se edhe pse ne [aktivistët] po tregojmë që Kelkosi po e lë lumin pa ujë, ata [Kelkosi] po mbledhin kinse dëshmi duke e lëshuar ujin dy herë në ditë në lumë dhe duke e fotografuar, pastaj e ndalin prapë. 

Nuk kisha si ta verifikoj prandaj nuk e kam përmendur, por më është dukur absurde që fotografia e shkrepur në një sekondë të përdoret si dëshmi se ka ujë në lumë për 24 orë. Por këtë vit, kur kam pasur qasje në aplikim të Kelkosit për leje mjedisore e kam parë se pikërisht kjo është evidenca e Kelkosit që kinse dëshmon se lumi ka ujë 24 orë, dhe fatkeqësisht Ministria e Ambientit nuk sheh problem me këtë metodë. Pra matësit e ujit në kohë reale për 24 orë po zëvendësohen me dy foto që Kelkosi i shkrep kur të dojë, dhe me një sustë e lëshon dhe e ndal ujin në lumë kur të dojë.

Pra, ministria vazhdimisht po shkon duke ua humb dinjitetin edhe integritetin institucioneve të Kosovës, duke lëshuar këso lloj lejesh. As nuk është profesional e as nuk është etik përdorimi i një institucioni publik për të hyrë në marrëveshje, që unë i konsideroj individuale, sepse në këtë rast nuk është Republika e Kosovës duke i bërë këto, nuk është Republika e Kosovës në përputhje me ligjet e Kosovës që po bëjnë këso marrëveshje me Kelkosin. Janë disa individë në ministri me disa individë të Kelkosit që janë duke u marrë vesh çfarë leje të jepen, dhe që e përjashtojnë publikun kundërligjshëm nga ky proces. Përderisa ne [publiku] nuk e dimë se çka është duke ndodhur aty, atëherë asgjë nuk mundet të jetë legjitime për ne.   

Ti dhe një aktivist tjetër jeni paditur për shpifje për aktivizmin tuaj. Si do ta përshkruaje modus operandi të Kelkosit në ndërtimin e hidrocentraleve?

Në bazë të veprimeve të Kelkosit, unë mendoj se ata nuk kanë qëllim të jenë pjesë e komunitetit ku ata veprojnë dhe i përdorin burimet tona. Por e kanë qëllim sa më shumë të na izolojnë neve nga ajo pjesë, sepse nga pasojat e veprimeve të Kelkosit ne nuk kemi qasje në të njëjtat burime që kemi pasur përpara. Dhe, në një mënyrë si duket Kelkosi pretendon të jenë ata të vetmit në Grykë të Deçanit që kanë qasje në ato burime.

Tash është koha që unë të flas më shumë — komuniteti më ngadalë duhet të merret me këtë pjesë se nuk është e sigurt për ta.

Prandaj kur e kanë parë që ne po e ngrisim zërin, menjëherë kanë ngritur padi kundër nesh sepse kanë menduar se mund ta heshtin komunitetin. Asnjëherë deri tash Kelkosi nuk është treguar partner i mirëfilltë dhe i dëshirueshëm në komunitet. Por fatkeqësisht, komuniteti lokal e dinë se nëse thonë diçka kundër Kelkosit do të jenë në telashe nga shumë njerëz aty, kështu që gjithëkush ruhet. Jo gjithëkush, po shumëkush, dhe me të drejtë. 

Ke thënë që njerëzit e komunitetit në Deçan janë në rrezik. Çfarë lloj rreziku? 

Pllakatet që i kemi vendosur në Deçan për mbrojtje të mjedisit vazhdimisht vandalizohen prej njerëzve të Deçanit që mbrojnë interesat e Kelkosit. Nuk mendoj që ata njerëz janë të rrezikshëm për mua, por janë të rrezikshëm për ata që jetojnë aty. Kështu, sa kemi parë dhe kemi zbuluar me dëshmi, Kelkosi e ka një rrjet shumë të gjerë që i mbron interesat e veta në mënyrë joligjore. 

Prej se bëj aktivizëm, asnjëherë nuk kam dashur që dikush të thotë diçka që mund [të nxjerrë] telashe, sepse e kam ditur se ata njerëz që flasin do të kenë probleme të vërteta me jetën e tyre. Prandaj unë kam vendosur të flas më shumë. Tash është koha që unë të flas më shumë; komuniteti më ngadalë duhet të merret me këtë pjesë se nuk është e sigurt për ta. 

Deri tash krejt njerëzit më kanë thënë, “Shumë mirë je ka ban, po ruju”, edhe nganjëherë kam menduar a thua është diçka që unë taman duhet të ruhem. Ka qenë ni kohë që jam ruajtur; pas orës 6 në mbrëmje për shembull nuk kam shkuar më në bjeshkë sepse e kam ditur që gjithçka mund të ndodhë. 

Por ka ardhur një kohë kur kam thënë, “Më shumë se me vdekë nuk ka çka të ndodhë, kështu që nëse nuk e provoj nuk mundem as të arrij kurrgjë”. Unë gjithashtu kam punuar dhe punoj me bashkëshortin tim, Visar Alimehaj, dhe jemi së bashku në çdo hap. Kjo sigurisht e ka bërë më të lehtë për mua të ndihem më e sigurt. Kur ka pasur dyshime dhe arsye për t’u brengosur ne kemi dërguar dëshmi që ne kemi menduar se paraqet rrezik për aktivizmin tonë në polici të Deçanit dhe KFOR, që monitoron zonën e veçantë ku është [njëri] hidrocentral. 

Por, për njerëzit aty rreziku është shumë real sepse ata njerëz që unë i njoh, që i mbrojnë interesat e Kelkosit dhe për shembull po bëjnë vandalizëm me posterat tanë, ata janë të rrezikshëm. Ata janë të rrezikshëm për komunitetin.

Zalli i Rupës është një prej zonave të prekura nga ndërtimi i hidrocentraleve në Deçan, dhe ti vetë ashtu si edhe banorët keni përmendur rëndësinë që ka. Çka do të thotë ky vend për ty? 

Zalli i Rupës është një rrafshinë e rrethuar me bjeshkë ku kanë qasje banorët e fshatrave të Deçanit, Junikut, Gjakovës dhe Pejës. Pra ka qenë një pikëlidhje e shumë bjeshkëve, por ka qenë edhe një bukuri e rrallë natyrore, rrafshinë e rrethuar me bjeshkë dhe me lumë. 

Toka ka qenë zallore, andaj Kelkosi e ka parë një benefit material dhe ka propozuar të bëjë basen akumulues [duke ndërtuar pendë] në atë vend. Qeveria e Kosovës e ka pranuar me shumë gëzim atë basen kinse për ujitjen e fshatrave. Komuna e Deçanit të gjithëve u ka thënë se po bëhet basen; njerëzit kanë mendu, “po bëhet basen, është shumë mirë për neve”. 

Ende nuk e dimë pse Kelkosi nuk e ka bërë basenin, sepse nuk ka informata publike.

Kelkosi ka filluar të gropojë, të marrë zall, t’i ndërtojë hidrocentralet poshtë. Tani ka thënë se nuk po mundet ta bëjë basenin se nuk e mban toka ujin. Kishin mundur ta provojnë 1 metër, 2, hajde 3 metra — nuk mundesh me kilometra të marrësh zall dhe ta shkatërrosh natyrën edhe të thuash “desha të bëj basen”. Pra si duket baseni akumulues asnjëherë nuk ka qenë në plane të Kelkosit, edhe tash gati 10 vite pas nuk kemi asnjë fjalë konkrete për basen — unë mendoj që ky ka qenë vetëm mashtrim i Kelkosit.

Kështu që Kelkosi që nga fillimi e ka pasur qasjen e shfrytëzimit të burimeve tona, dhe nuk ka përcjellë qasje ligjore. Nëse njëmend nuk mund të bëhet baseni, është dashur të tregojë me kohë. Ende tash nuk e dimë pse Kelkosi nuk e ka bërë basenin, sepse nuk ka informata publike. 

Tash ajo pjesë është shkatërruar komplet — sidomos verës është një shkretëtirë. Bjeshkatarët që më herët kanë pasur qasje në atë vend më nuk kanë. Nuk ke më vend për piknik, sepse nuk mund të bësh piknik në një vend që është shkretëtirë. T’dhemb zemra të shkosh të bësh piknik aty. 

Nuk mund të bësh piknik askund përgjatë lumit në Grykë të Deçanit sepse jo vetëm që lumi është shkatërruar, por Kelkosi e ka ndërruar edhe gjeografinë e Grykës së Deçanit. Lumi nuk është më si ka qenë përpara, lartësia e rrugës në përputhje me lumin nuk është më e njëjtë, ka lisa që komplet e ndajnë lumin nga rruga. 

Është një botë tjetër dhe për çdo ditë që kalon po krijohet një botë që nuk mbështet turizmin apo shfrytëzimin nga banorët lokalë; nuk ka qasje të njëjtë as për piknik, as për të dalë në bjeshkë me kullosa për bagëti, apo për kamping veror. Kam frikë se eventualisht nuk do të mbetet gati për asnjë gjë. 

Kelkosi prapë nuk merr përgjegjësi për Zallin e Rupës. Ministria e Ambientit e ka ditur për këtë tragjedi prej fillimit. Ne e kemi raportin e Ministrisë; më 2014 ka shkuar një inspektor dhe me fotografi [e ka dëshmuar] se çka është duke bërë Kelkosi. I kemi [në foto] kamionat me zall rrugës duke ardhur teposhtë. Kur ka shkuar ai raport në 2014 në ministri, çka ka ndodhur? Asnjë gjë. Asnjëherë kurrë më kjo çështje nuk është përmendur, edhe pse unë kam kërkuar të di çka u mor vendim pas atij raporti, a u bë diçka. Asnjëherë nuk kam marrë përgjigje.

Pamje nga Zalli i Rupës në vitin 2018. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kështu që Ministria e Ambientit është bashkëpunëtore me Kelkosin në shkatërrimin e Zallit të Rupës, në shkatërrimin e mënyrës së jetesës të dhjetëra mijëra banorëve që kanë qasje në mënyra të ndryshme për ta përdorur Zallin e Rupës dhe bjeshkët përreth. Ne kemi pasur qasje për kamping po ka qenë edhe pikëlidhje me bjeshkët e tjera për ecje malore, kemi shkuar për të mbledhë çaj, boronica — ka qenë pjesë shumë e rëndësishme e jetesës së deçanasëve, pjesë e ADN-së tonë

Krejt këto sende tani ndërrohen — nuk e ke më të njëjtën mënyrë të jetesës sepse të shkosh në shkretëtirë nuk është e njëjta. Eventualisht ato bjeshkë do të humbin komplet karakteristikën më të rëndësishme të deçanasëve, që secili fshat është i lidhur ngusht me to, dhe më e rëndësishmja është që do të ndikojë dëmshëm në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e blegtorisë, edhe ky një sektor tashmë shumë i zhvilluar në Deçan.

Kur gjenerata ime nuk ka qasje në bjeshkë, gjenerata tjetër që nuk ka qenë asnjëherë nuk do të dojë të shkojë asnjëherë atje. Kështu që, përderisa neve na mbajnë të izoluar, atëherë për gjeneratat e tjera do ta kenë [edhe] më lehtë. 

Dhjetorin e kaluar shkuat në gjykatë për të kërkuar pezullimin e lejeve mjedisore nga Ministria e Ambientit dhe të licensave nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që Kelkos të operojë dy hidrocentrale në Deçan, Belaja dhe Deçani. Paralelisht Vetëvendosja shkoi në gjykatë për të njëjtat arsye. Gjykata vendosi t’i pezullojë por Ministria lejoi Kelkosin të vazhdonte punën dhe apeloi vendimin. Në ndërkohë, këto institucione i dhanë Kelkosit edhe një tjetër licensë dhe leje operimi për Lumbardhin II. Në fund, pas ankesave, të gjitha lejet dhe licensat u pezulluan edhe një herë nga Gjykata. Në një kohë shumë të ndjeshme, Ministria luftoi shumë për ato licensa. Çfarë tregojnë këto lëvizje për ty?

Kur janë lëshuar lejet nëntorin e kaluar për dy hidrocentrale ka qenë shkelje tepër e rëndë, unë mendoj një nga më të mëdhatë në demokraci të Kosovës. 

Dy javë para zgjedhjeve [në fillim të këtij viti] na janë dhënë informata të brendshme që disa persona nga Ministria e Ambientit kanë qenë duke punuar në mënyrë intensive që t’ia japin Kelkosit të gjitha lejet që u duhen para zgjedhjeve. Si duket ata kanë qenë duke e bërë një marrëveshje me Kelkosin ku duket që Kelkosi kanë marrë cilatdo dokumente që u duhen dhe disi e gjithë kjo ka qenë e ligjshme edhe pse asnjë nga kushtet për ujin dhe mjedisin nuk janë plotësuar. 

Nga ambasada e Austrisë kemi kërkuar ta ndajnë veten nga Kelkosi dhe t'u thonë "Ne s'ju mbështesim".

Shkurt, duket që këta persona të cilët kanë bashkëpunuar me Kelkosin kanë harruar për ligjin dhe kanë pranuar çkado që Kelkosi u ka ofruar dhe u kanë dhënë çfarëdo dokumente që u janë dashur. Kjo nuk është më çështje rreth çfarë kriteresh ligjore Kelkosi nuk ka plotësuar, është një çështje rreth si është e mundur që disa persona mund të mbajnë peng institucionet publike dhe t’i përdorin ato kundër interesit publik. 

Kjo nuk është neglizhencë, ky është sulm i qëllimshëm në burimet tona dhe sundimin e ligjit. Ne jemi duke bërë një analizë të vendimeve të qeverisë [lidhur me këto hidrocentrale] dhe deri tash nuk kemi gjetur asnjë dokument apo veprim nga asnjë institucion publik që është marrë për të mbrojtur të drejtat tona mjedisore. Është e vështirë të besohet por ky është realiteti. Prandaj, asnjë prej këtyre lejeve nuk është valide.

Kjo është alarmuese për neve dhe i kemi informuar autoritetet e drejtësisë, kryeprokurorin e kemi njoftuar në Pejë dhe kemi dërguar njoftim [publik] që kjo është duke ndodhur. Ne gjithashtu do të marrim hapa të tjerë. 

Nga ambasada e Austrisë më përpara kemi kërkuar ta ndajnë veten nga Kelkosi dhe t’u thonë “Ne s’ju mbështesim”. Por Ambasada publikisht ende është duke e mbështetur Kelkosin, si duket pa konsideruar se çfarë dëmesh po sjellin vendimet e tyre në Kosovë. 

Tani që zgjedhjet janë kryer — nëse formohet një qeveri e re, çka prisni ju aktivistët? 

Shpresojmë që qeveria e re do të fillojë të punojë në këto çështje menjëherë dhe të ndërmarrë një rishikim të plotë të këtyre proceseve dhe që sistemi i drejtësisë do të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë personat e përfshirë. Lejet për të cilat dimë janë në gjykatë, [por] nuk e dimë sa leje ka arritur të marrë Kelkosi. 

Unë asnjëherë nuk kam dëgjuar që duke pasur kaq shumë dëshmi të mund të mohosh faktet.

Gjykata është pajtuar që këto leje duhet të pauzohen dhe të mos ekzekutohen deri në vendimin e radhës pasi ato konsiderohen që shkaktojnë dëm të pariparueshëm ndaj mjedisit tonë. Nuk jemi të sigurt nëse Kelkosi do të respektojë këtë vendim pasi nuk e kanë bërë një gjë të tillë në të kaluarën.

Unë jam duke u paditur për postimet e mia në Facebook, për kontaktim të Ministrisë së Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe kërkesës të suspendojnë licensat e Kelkosit sepse nuk është e ligjshme të operosh pa lejet mjedisore, për bisedat me media — pak a shumë për gjithçka. Dhe si duket në Twitter Kelkosi kanë thënë që kanë shënuar 40 raste të tjera ku unë siç duket kam dëmtuar reputacionin e tyre.

Unë asnjëherë nuk kam dëgjuar, askund në botë, që duke pasur përpara kaq shumë dëshmi të mund të mohosh faktet. 

Ne kemi prova dërrmuese të videove dhe fotografive për të treguar degradimin në tokë. Kemi njerëz që janë ndikuar të cilët dëshmojnë çka janë duke përjetuar për shkak të shkeljeve të Kelkosit, kemi dëshmi si vendimet janë marrë për t’i siguruar lejet e Kelkosit dhe Kelkosi e di mirë këtë. 

Ata kanë shumë frikë dhe mundohen të bëjnë mbulime; për këtë arsye janë duke marrë masa ekstreme për të më heshtur dhe për të parandaluar të tjerët të flasin.

Duket që ata kanë menduar se rendi ligjor nuk do të lëshojë kurrë rrënjë në Kosovë dhe derisa jemi duke e zbuluar si proceset kanë shkuar, është e dhimbshme të shohësh sa pak respekt kanë pasur ata për republikën tonë të re. Ne kemi zbuluar vetëm një pjesë të shkeljeve të tyre dhe të institucioneve publike. 

Degradimi i dukshëm është njëra pjesë por dëmi ndaj institucioneve tona publike është i pariparueshëm dhe kam frikë që do të marrë dekada për t’u rregulluar. Pra në bazë të dëshmive të gjetura, lirisht mund të them se kjo është e tëra që Kelkosi i ka sjellë Kosovës ndërsa vazhdojnë të përfitojnë miliona euro nga taksat tona.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.

Imazhi i ballinës: K2.0.

  • 25 Feb 2021 - 18:14 | Esma Morina:

    Ju uroj zonjes per guximin dhe dashurin per vendin e vete.Dhe te vazhdoj punen perkunder padive qe i behen se me ne fund do fitoj drejtesia😘😘😘😘😘

KOMENTO