Pikëpamje | Histori

Shteti kroat toleron dhe nxit revizionizmin historik

Nga - 30.04.2024

Për ndërtimin e paqes së qëndrueshme nevojitet një vlerësim i sinqertë i së kaluarës.

Revizionizmi historik është një term që i referohet interpretimit të sërishëm të ngjarjeve historike. Në disa mënyra, revizionizmi është pjesë e pashmangshme e kërkimit historik, një vlerësim i sërishëm dhe shpjegim i përditësuar i ngjarjeve dhe proceseve kur paraqiten dëshmi të reja historike. Megjithatë, mund të përfshijë edhe manipulimin e fakteve historike, interpretimin e pajustifikuar, shtrembërimin dhe mohimin e tyre.

Ky i fundit, një lloj më i rrezikshëm i revizionizmit historik, gjen terren veçanërisht të përshtatshëm në shoqëritë e ndara ideologjikisht si ajo në Kroaci. Historia e trazuar e Kroacisë e shekullit XX karakterizohet prej ndryshimeve të shpeshta dhe të dhunshme të regjimit, në të cilat njerëzit u rreshtuan, qëllimisht ose nën ndikimin e rrethanave, në njërën anë ose tjetrën. Asnjë regjim i ri nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për t’u ballafaquar me të kaluarën.

Asnjë regjim i ri nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për t'u ballafaquar me të kaluarën.

Me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe themelimin e Republikës së Kroacisë si shtet i pavarur, dështimi për t’u ballafaquar me të kaluarën ka prodhuar huti ideologjike dhe interpretim selektiv të historisë. Keqpërdorimi i fakteve historike nga politikanët që synojnë qartësisht ta promovojnë agjendën e tyre politike pa ndjenjën e përgjegjësisë për të vërtetën historike, ka çuar në shpërndarjen e një sasie të madhe informacioni plotësisht ose pjesërisht të pasaktë në hapësirën mediale për ngjarjet, akterët/et dhe proceset historike. Përgjegjësia për këtë dështim mund t’i atribuohet kryesisht shtetit dhe institucioneve të tij, pasi shteti ka fuqinë për të mësuar dhe përmirësuar, përmes sistemit të tij arsimor, legjislativ dhe gjyqësor, por përgjegjësi mbajnë edhe politikanët/et, mediet dhe komuniteti akademik.

Revizionizmi historik bëhet veçanërisht problematik kur promovohet nga institucionet shtetërore. Shteti ka legjitimitet dhe autoritet, të cilat i japin rëndësi ideve që promovohen nga përfaqësuesit/et dhe institucionet e tij.

Revizionizmi historik bëhet veçanërisht problematik kur promovohet nga institucionet shtetërore.

Kushtetuta e Republikës së Kroacisë shprehimisht shprehet se e drejta e popullit kroat për sovranitet manifestohet, ndër të tjera, në vendosjen e “themeleve të sovranitetit shtetëror gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Sipas kushtetutës, kjo “u shpreh në vendimin e Këshillit Antifashist Territorial të Nacionalçlirimit të Kroacisë (1943) në kundërshtim me shpalljen e Shtetit të Pavarur të Kroacisë (1941), dhe më pas në Kushtetutën e Republikës Popullore të Kroacisë (1947) dhe në të gjitha kushtetutat pasuese të Republikës Socialiste të Kroacisë (1963-1990).

Kushtetuta kësisoj afirmon vlerat antifashiste dhe thekson se Republika e sotme e Kroacisë është pasardhëse e Republikës Socialiste të Kroacisë, jo i ashtuquajturi Shteti i Pavarur i Kroacisë (NDH nga Nezavisna Država Hrvatska), i cili ishte një krijim fashist dezertues i krijuar nën patronazhin e Rajhut të Tretë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, shteti dhe institucionet shtetërore shpesh marrin pjesë drejtpërdrejt ose tërthorazi në revizionizmin historik.

Revizionizmi në medie

Radiotelevizioni Kroat (HRT) është transmetuesi publik i Kroacisë, të paktën ligjërisht. Edhe pse nuk duhet të ndikohet nga presionet politike dhe komerciale, në realitet, ai funksionon nën ndikimin e fortë të cilitdo opsion politik që është në pushtet në momentin e caktuar. Statusi i HRT si transmetuesi kombëtar do të thotë se përmbajtja e tij përbën ndikim të veçantë. Prandaj, është posaçërisht shqetësuese kur valët e tij përdoren për promovimin e ideve revizioniste.

Njëri nga shembujt më problematikë të revizionizmit historik në HRT ishte paraqitja e publicistit Igor Vukić në emisionin “Good Day, Croatia” më 30 maj 2018. Vukić po promovonte librin e tij, me titull “Kampi i Punës në Jasenovac”. Libri përmban një seri gënjeshtrash për kampin më të madh të vdekjes, ku ustashët vranë mbi 83,000 njerëz, përfshirë serbë, hebrenj, romë dhe antifashistë. Për dallim nga kampet naziste të industrializuara të vdekjes, të burgosurit vriteshin veç e veç, me varje, thika, sëpata, çekiçë dhe armë zjarri.

Libri i Vukić, megjithatë, përshkruan Jasenovac si kamp internimi dhe pune ku s’kishte vrasje masive. Ai pretendon se një numër shumë më i vogël i të burgosurve vdiqën në kamp sesa që pretendojnë historianët/et dhe se ata vdiqën nga sëmundjet, lodhja dhe pleqëria.

Vukić e portretizon liderin ustash Ante Pavelić si përgjegjësin kryesor për shpëtimin e njerëzve nga kampi dhe jo si udhëheqësin e një regjimi që kreu gjenocid kundër qytetarëve të vet. Kësisoj, ai zvogëlon në mënyrë drastike rëndësinë e ekzistencës së ligjeve racore dhe flet për shpëtimin e hebrenjve nga ustashët. Në të vërtetë, Pavelić dhe lëvizja ustashase ishin drejtpërdrejt përgjegjës, si komandantë dhe ekzekutorë, për shfarosjen e më shumë se 80% të popullsisë hebreje të paraluftës në NDH.

Vukić nuk e përshkruan Jasenovac si vend tmerri dhe vdekjeje, por si burg ku rriteshin frutat, perimet dhe lulet, ku mbaheshin kafshët dhe ku kishte shumë ushqim. Ai përshkruan ndeja dhe ngjarje sportive, që përcilleshin nga kori dhe orkestra e kampit, ku organizoheshin shfaqje muzikore dhe drama, shfaqje të cirkut dhe opera të vogla, si dhe kampionati i futbollit përbrenda kampit. Kjo tallje me viktimat u transmetua në një program argëtues-informativ në një pasdite në televizionin kombëtar. HRT u distancua vetëm pas reagimit të fortë publik, ndërkohë që s’ka pasur asnjë reagim nga moderatorët/et në studio gjatë paraqitjes.

Kjo tallje me viktimat u transmetua në një program argëtues-informativ në një pasdite në televizionin kombëtar.

Jasenovaci është një shembull interesant i revizionizmit të shumëfishtë. Ndërsa revizionistët nga Kroacia pakësojnë ose madje mohojnë plotësisht krimet e kryera në atë kamp vdekjeje, politikat e Serbisë dhe entitetit boshnjak-hercegovinez të Republikës Srpska këmbëngulin në një narrativë për të paktën 700,000 serbë të vrarë. Të dyja tregimet janë krejtësisht të gabuara, siç është vërtetuar vazhdimisht nga kërkimet historike dhe demografike.

Revizionizmi në universitet

Krahas medies, revizionizmi ka gjetur vend edhe në shkencë dhe arsim. Për shembull, Vlatka Vukelić, profesore e historisë në Fakultetin e Studimeve Kroate në Zagreb, u zgjodh nga Këshilli i Fakultetit në postin e dekanes, pavarësisht pikëpamjeve të saj revizioniste që mohonin karakterin kriminal të NDH. Për t’u emëruar në këtë pozicion, zgjedhja e saj duhej të konfirmohej nga senati i universitetit. Emërimit i Vukelić për dekane u vu si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e senatit të planifikuar për Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, “Yom HaShoah”, gjë që shkaktoi reagim të fortë publik. Pas kësaj, pika u largua nga rendi i ditës, u vendos për njërën nga seancat në vijim dhe u hoq edhe prej atij rendi dite pak para seancës.

Në fund Vukelić nuk u emërua dekane, por nuk pati asnjë shpjegim nga rektori i universitetit apo distancim nga pikëpamjet e saj. Një nga temat më kundërthënëse për të cilat foli dhe shkroi Vukelić ishte e lidhur me kampin e fëmijëve në Sisak. Ekzistenca e një kampi të fëmijëve në Sisak është fakt historik i vërtetuar. Fëmijët serbë u ndanë me dhunë nga prindërit, të cilët ishin dërguar me forcë të punonin punë fizike në Gjermani dhe Austri, u vendosën në Sisak, që funksionoi nga korriku i vitit 1942 deri në janar të vitit 1945. Për shkak të kushteve shumë të këqija shëndetësore dhe higjienike, vdekshmëria në kamp ishte e lartë. S’kishte ushqim të mjaftueshëm apo kujdes mjekësor.

Megjithatë, Vukelić mohon karakterin e vërtetë të kampit, duke e quajtur atë një “strehimore”. Ajo fajëson serbët që u rezistuan “autoriteteve të reja” për ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre dhe e konsideron NDH si përgjegjëse për kujdesin ndaj atyre fëmijëve, duke pretenduar se ata morën kujdesin e duhur mjekësor, marrë parasysh kushtet e luftës dhe se nuk kishte asnjë qëllim t’i lëndonin ata fëmijë. Ajo gjithashtu pretendoi se hebrenjtë vullnetshëm ia lanë pronën e tyre Kishës kur u larguan nga NDH. Prona e hebrenjve u konfiskua nga shteti; s’ka pasur asgjë vullnetare aty.

Vukelić promovon idetë e publicistit të lartpërmendur Vukić dhe, bashkë me të, shpërndan teoritë e të ashtuquajturit kampi i trefishtë Jasenovac. Sipas kësaj teorie të pavërtetë, Jasenovac ishte thjesht një burg i zakonshëm për kundërshtarët politikë gjatë NDH, i cili u shndërrua në një kamp komunist vetëm pas luftës. Pretendimi se kampi i Jasenovac vazhdoi të ekzistonte pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore është hedhur poshtë disa herë, duke përfshirë edhe një monografi fotografike që tregon zonën e kampit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Rehabilitimi i një slogani fashist

Mosgatishmëria e qeverisë kroate dhe e institucioneve kroate për t’u përballur me ngjarjet e vështira të së kaluarës është e dukshme edhe në mungesën e ndalimit të përdorimit të përshëndetjes ustashane “Za dom spremni” (Gati për vendlindjen). Kjo është qartazi një përshëndetje ustashësh, e barasvlershme dhe e përdorur në të njëjtën mënyrë si ajo naziste, “Heil Hitler”. Shumë revizionistë janë përpjekur ta portretizojnë atë si një “përshëndetje të vjetër kroate”, por kjo thjesht nuk është e vërtetë. Ka burime që sugjerojnë se kjo përshëndetje ose frazë ka ekzistuar më parë, por udhëheqësi ustash Ante Pavelić tha se ishte autor i saj. 

Ngurrimi i qeverisë për ta kriminalizuar përdorimin e përshëndetjes fashiste rrjedh nga fakti se përshëndetja u përdor nga njësitë paraushtarake kroate dhe më vonë ushtarake gjatë luftës në Kroaci në vitet e ’90-a. Kjo s’ishte aspak e rastësishme; këto njësi mbanin emrat e komandantëve ustashë nga Lufta e Dytë Botërore, përdornin simbole ustashe dhe uniforma të zeza, siç bëri krimineli famëkeq ustash “Legjioni i Zi”. Mosmarrëveshjet për përdorimin e asaj përshëndetjeje bënë që qeveria ta themelonte Këshillin për Ballafaqimin me Pasojat e Sundimit të Regjimeve Jo-Demokratike në vitin 2017, emri i të cilit mund të interpretohet si përpjekje për t’i barazuar regjimet fashiste dhe komuniste. Kjo përpjekje është po ashtu e qartë nga dokumenti i miratuar nga këshilli.

Për sa i përket përshëndetjes “Gati për vendlindjen”, këshilli deklaroi se “nuk e konsideron të papranueshme që ta parashikojë një përjashtim lidhur me mundësinë e kufizuar ligjore të publikut që ta përdorë përshëndetjen “Gati për vendlindjen” për shkak të rrethanave të Luftës së Vendlindjes”. Me fjalë të tjera, përshëndetja fashiste konsiderohet e lejueshme për t’u përdorur nëse lidhet me Luftën për Pavarësi të Kroacisë. Përderisa përdorimi i përshëndetjes është ligjërisht i ndaluar, përjashtimet që lidhen me Luftën për Vendlindjen e bëjnë ndalimin të paefektshëm dhe çështje interpretimi. Ndonëse është mjaft e qartë se njësitë paraushtarake dhe ushtarake e kanë përdorur atë përshëndetje pikërisht për shkak se është përdorur gjatë NDH, tentohet t’i jepet një kuptim që lidhet vetëm me luftën e viteve të ’90-a, duke legjitimuar në fakt përdorimin e saj.

Me fjalë të tjera, përshëndetja fashiste konsiderohet e lejueshme për t'u përdorur nëse lidhet me Luftën për Pavarësi të Kroacisë.

Qëndrimi jokritik i shtetit ndaj ngjarjeve tragjike të së kaluarës vërehet edhe në tubimin në Bleiburg të Austrisë, i cili u mbajt nën patronatin e parlamentit kroat nga viti 1995 deri në 2011 dhe përsëri që nga viti 2016. Gjatë tërheqjes së ushtrisë së NDH në maj të vitit 1945, ushtarët e NDH u përpoqën t’i dorëzoheshin ushtrisë britanike, por britanikët refuzuan dhe i urdhëruan që t’i dorëzoheshin ushtrisë jugosllave. Ushtria jugosllave vrau dhjetëra mijëra të burgosur, përfshirë civilë.

Tubimi në Bleiburg është menduar ta përkujtojë këtë ngjarje, por në fakt është një tubim fashist, me simbole të shumta ustashëse dhe të tjera fashiste, uniforma ustashëse dhe parulla fashiste. Teksti në monumentin në fushën e Bleiburg thotë “Për nder dhe lavdi të ushtrisë së rënë kroate”, megjithëse sipas Kushtetutës kroate, ushtria e NDH nuk mund të konsiderohet ushtri kroate. Siç u përmend më herët, Kushtetuta kroate shpreh qartë se Republika e sotme e Kroacisë nuk është shtet pasardhës i të ashtuquajturit shtet i pavarur i Kroacisë, por shtetësinë e vet e merr nga lëvizja antifashiste. Prandaj, ushtria e NDH nuk mund të konsiderohet ushtri kroate. Austria e pa tubimin si fashist; në vitin 2022, Komisioni për Punët e Brendshme i Parlamentit Austriak kërkoi ndalimin zyrtar të mbajtjes së tubimit.

Ballafaqimi me të kaluarën është shumë i rëndësishëm për të gjithë, veçanërisht shoqëritë pas konfliktit, pasi është baza për ndërtimin e paqes së përhershme dhe të qëndrueshme. Në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, shteti duhet të ketë vend qendror, veçanërisht nëpërmjet institucioneve të tij gjyqësore, arsimore, shkencore, mediale dhe kulturore. Shteti dhe institucionet shtetërore në Kroaci jo vetëm që nuk kontribuojnë në ballafaqimin me të kaluarën, por duke toleruar dhe promovuar revizionizmin historik, në fakt e pengojnë procesin. Ndërtimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të drejtë fillon me pranimin e së vërtetës për të kaluarën e asaj shoqërie.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.