Në librin “Nepotizmi në Organizata” të Shoqatës për Psikologji Industriale dhe Organizative, thuhet se një ndër tiparet e një lideri autentik është ndërgjegjësimi për veten. Sipas këtij publikimi, një lider i vetë-ndërgjegjshëm e di se “manifestimi i padrejtë i favorizimit të bazuar në lidhje familjare mund të ketë ndikim të dëmshëm në anëtarët e organizatës dhe në performancën e vetë organizatës”.
Në këtë libër është një shembull i mirë me Mbretin Edward II, i cili ishte pasardhës në fron i babait të tij të respektuar Mbretit Edward I. Ai u mbështet në shokët e tij jokompetentë dhe u dha atyre pushtet, gjë që në fund ia pruri punën të dorëhiqej.
Kur bëhet fjalë për jetën institucionale, koncepti i kolektivit në mesin e shumicës së shqiptarëve në Kosovë është i ngushtë. Nuk e mbërrin bashkësinë e qytetit, madje as atë të lagjes. I gjithë koncepti ngushtohet në një kolektiv të vetëm: në familje.
Nepotizmi nuk është domosdoshmërisht sinonim i dështimit. Fakti se dikush e fiton një vend të punës përmes lidhjeve familjare nuk do të thotë se automatikisht do të dështojë ta kryejë punën e vet në mënyrë të duhur. Sidoqoftë, kjo praktikë mund të na mësojë shumë, jo vetëm për vizionin e liderëve tanë, por edhe për vetëdijen tonë kolektive të orientuar gabimisht, që pashmangshmërisht i ndikon edhe ata.
Pse të mbahet në familje?
Nepotizmi ndodh për arsye të ndryshme, dhe janë disa që mund t’i përmendim. Mund të thuhet me siguri se arsyeja kryesore pse ndodh nepotizmi në institucione publike është në mënyrë që liderët ta konsolidojnë pushtetin që kanë. Përmes punësimit të njerëzve të vet, ata jo vetëm që e rrisin kontrollin, por e forcojnë edhe autoritetin; në një farë mënyre e blejnë bindjen e tyre duke i shpërblyer me poste publike.
Ky presion i vazhdueshëm për ta siguruar mirëqenien e familjeve të tyre mund t'i shtyjë liderët drejt kësaj praktike.
Ekonomisti Vernon Smith, i cili fitoi Çmimin Nobel në Shkencat Ekonomike në vitin 2002, më ka thënë se derisa nepotizmi në biznese private — që janë të pavarura nga qeveria — i duket i pranueshëm, të njëjtën gjë nuk mund ta thotë për nepotizmin që ndodh në sektorin publik.
“Nepotizmi e përdor pushtetin shtetëror duke u bazuar në favore qeveritare dhe paraqet rrezik. Nepotizmi në biznese private, të pavarura nga qeveria, duhet t’i kënaqë konsumatorët të cilët vullnetarisht i blejnë produktet, dhe sipas meje është i pranueshëm”, thotë Smith.
Ekziston besimi se versioni kosovar i nepotizmit nuk është dhe aq dashakeq sa është cekësisht i menduar. Megjithatë, është njëjtë i dëmshëm. Siç u tha mësipër, nepotizmi shpesh nënkupton se dikush e rrit pushtetin e vet përmes rehatimit të të afërmve në sektorin publik.
Përtej kësaj ideje të favorizimit dhe kronizmit, nepotizmi në Kosovë mundet gjithashtu të burojë nga një detyrë e lartë morale e cila u imponohet njerëzve të këtushëm që rriten me vlera të thella familjare.
Ideja e dërgimit të prindërve të moshuar në një shtëpi pensionimi apo të përkujdesjes shpesh u sjell turp atyre që e bëjnë këtë, ndërsa familjari i cili kujdeset për prindërit dhe jeton nën të njëjtën çati me ta i merr të gjitha lëvdatat. Nepotizmi ka ekzistuar për mijëra vite dhe në nivele të ndryshme është i pranishëm në çdo pjesë të botës. Megjithatë në Kosovë, nepotizmi si detyrë morale zgjerohet përtej familjes së ngushtë në familjen e zgjeruar.
Shqiptarët e Kosovës rriten me idenë dhe insistimin se duhet të kujdesen për familjen e vet gjatë gjithë kohës. Familja është vlera qenësore e ekzistencës së tyre kolektive. Një shembull i përkushtimit ndaj familjes është sjellja e pandërprerë e remitencave nga të afërmit që jetojnë jashtë shtetit. Kjo praktikë vazhdon me po të njëjtën forcë, edhe pasi Kosova ka fituar lirinë dhe pavarësinë e saj.
Mjerisht, shumë shqiptarë të Kosovës kujtohen për shtetësinë e tyre kosovare vetëm gjatë ngjarjeve të caktuara, dhe jo në jetën e tyre të përditshme.
Ky presion i vazhdueshëm për ta siguruar mirëqenien e familjeve të veta mund tí shtyjë liderët drejt kësaj praktike. Kjo shtysë mund të jetë aq e fuqishme saqë i inkurajon të punësojnë të afërmit e tyre nëpër pozita, pavarësisht kualifikimeve të tyre.
Ky lloj i punësimit ndodh shpejt, rrëmbimthi, dhe pa menduar për pasojat afatgjata. Ndodhi të tilla janë aq të shpeshta saqë edhe njerëzit e kualifikuar kanë tendencë të lëshojnë pe para këtyre praktikave, të cilat në një farë mënyre janë kthyer në normale.
Krijimi i meritokracisë
Vitin e kaluar, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Balkan Green Foundation kërkuan zëshëm nga sistemi prokurorial i Kosovës të ndalte punësimet joligjore dhe diskriminuese në administratën publike.
Në njëfarë mënyre, është ironike se si shqiptarët e Kosovës njihen për suksese si individë, e jo si kolektiv; sidoqoftë lidhjet e tyre me familjet janë aq intensive sa që në disa raste edhe individualiteti i tyre shkrihet në të. Ky përkushtim i padiskutueshëm ndaj familjeve të tyre ndonjëherë nxit rënien e tyre.
Merreni si shembull politikanen zvicerane me prejardhje shqiptare Qëndresa Sadriu, e cila shërben si anëtare e Kuvendit Kantonal të Cyrihut. Sa vështirë do ta kishte të ngritej nëpër pozita pa lidhje familjare apo të ngjashme po të jetonte në Kosovë?
Nga një perspektivë e caktuar, nepotizmi nuk tingëllon rëndë. Në njëfarë mënyre tingëllon bukur. Duhet të jetë tunduese dhe e këndshme të fitosh mjaftueshëm autoritet dhe fuqi e pastaj t’i ndihmosh ata që i do më së shumti dhe ata me të cilët je rritur.
Për shembull, duhet të jetë emocionuese të jesh në gjendje t’ia gjesh një vend pune dajës që ta ka blerë biçikletën e parë, apo kushëririt me të cilin keni luajtur të mbathur me atlete të shqyera gjatë ditëve të varfra të fëmijërisë.
Mjerisht, shumë shqiptarë të Kosovës kujtohen për shtetësinë e tyre kosovare vetëm gjatë ngjarjeve të caktuara, dhe jo në jetën e tyre praktike të përditshme. Dita e Pavarësisë së Kosovës, ndeshjet e ekipit kombëtar të futbollit, dramat politike të rajonit — të gjitha këto nxisin shpërthimin online të krenarisë dhe ndjesisë kombëtare dhe pastaj, pas dy ditësh e gjithë zhurma shuhet.
Është pikëlluese që një shqiptar i Kosovës nuk e kupton se ai ose ajo do ta vendoste familjen e vet në rend të parë duke menduar së pari për shoqërinë.
Sidoqoftë, ne nuk po flasim për ngjarje. Po flasim për institucione të cilat e rregullojnë jetën tonë qytetare dhe e sigurojnë përparimin e shëndetin e një komuniteti më të gjerë; dhe këto institucione mjekësore, gjyqësore e arsimore janë të stërmbushura me njerëz jokompetentë që kanë lidhje me njerëzit e pushtetshëm.
Një shtet për të gjithë
Ky centrizëm familjar shkakton shkëputje të një cikli të shëndetshëm funksional (komunitetet më të vogla që përfitojnë brenda komuniteteve më të mëdha); shkakton një çarje të paturp të moralit (Hegeli do ta quante Sittlichkeit – rend etik) dhe e gjithë kjo derivon nga një llogaritje e gabuar e njerëzve të cilët e zgjedhin të parën mirëqenien e familjeve të tyre në kurriz të shtetit. Kjo është një katastrofë në bërje e sipër që një ditë do t’i mbërthejë edhe familjet e tyre.
Është pikëlluese që një shqiptar i Kosovës nuk e kupton se ai ose ajo do ta vendoste familjen e vet në rend të parë duke menduar së pari për shoqërinë. Është dëshpëruese të thuhet ajo që është e ditur, se një shoqëri e shëndetshme e përbërë nga mjekë, akademikë e inxhinierë, logjikisht do të krijojë një ambient të denjë për të gjithë qytetarët.
Duke iu siguruar shumë prej anëtarëve të familjeve të tyre vendet e punës të cilat ata nuk i meritojnë, ata jo vetëm që e dëmtojnë shoqërinë, por i dëmtojnë edhe vetë familjet e tyre të cilat janë pjesë e pashkëputshme e kësaj shoqërie.
Ky shkrim nuk është asgjë tjetër pos një thirrje që njerëzit tanë ta kultivojnë dhe liderët ta praktikojnë një ndjesi të sinqertë të shtetësisë. Është një thirrje që liderët t’i drejtojnë obligimet ndaj familjeve të tyre në një rrugë të duhur, e të mos bëjnë zgjidhje të shpejta për familjet e tyre të ngushta e të gjera, që sigurisht se do të kenë rezultate të tmerrshme për shoqërinë dhe vendin ku ata jetojnë, rrjedhimisht edhe për familjet e tyre.
Nga një prizëm më romantik, është një thirrje për reflektim rreth një gjëje që më ka shqetësuar gjatë gjithë jetës sime: dhënia e gabuar e dashurisë, veprimet e gabuara në nderim të njerëzve të dashur. Gjëja e dytë më tragjike në jetë, pas mungesës së dashurisë, është dhënia e gabuar e saj. Përmes praktikave të padrejta të punësimit të familjarëve jokompetentë, jo vetëm që po e dëmtoni shtetin, por potencialisht edhe familjen të cilën e favorizoni.
Nepotizmi në sektorin publik mund të mos jetë problemi kryesor, por është një ndër indikatorët më relevantë për diçka më të madhe — se pas dymbëdhjetë vitesh të pavarësisë, shumë kosovarë nuk e kanë vetëdijen dhe ndjesinë e të qenit qytetarë të cilët përmes respektimit të ligjeve dhe mbrojtjes së interesit të shtetit e dinë se e sigurojnë mirëqenien e vet dhe të familjeve të tyre në të.
Shoqëria si tërësi
Për një lider a lidere është e rëndësishme të shkojë përtej mendimit të pamatur se mund të krijojë një utopi të vogël për familjen e vet derisa e zgjeron distopinë përreth tyre. Fëmijët kosovarë duhet të rriten me ndjesinë më të gjerë të kolektives. Është e domosdoshme që ata ta dinë nga fillimi se e drejtë dhe e mençur për një mirëqenie afatgjatë është të luftohet për mirëqenien e të gjithë shoqërisë, ku familjet e tyre të dashura do ta gëzojnë atë jetesë.
Në dramën e tij “The Burial at Thebes” (“Varrimi në Thebes”), poeti dhe dramaturgu i njohur Seamus Heaney e thotë thjesht por qartë se njeriu më i keq është ai i cili dështon të veprojë sipas këshillave të mira për shkak të mosdurimit të tij dhe se “njëjtë për t’u fajësuar është çdokush që e vë interesin personal mbi të përgjithshmen, që zgjedh shokun ose familjen së pari”.
A nuk bëhen bashkë logjika dhe e drejta për të na dhënë një mësim të mirë? Se përpjekja për mirëqenie të përgjithshme nuk është vetëm moralisht e drejtë por edhe praktikisht e zgjuar. Për shembull, është një kirurg i kualifikuar — i cili jo domosdoshmërisht është anëtar i familjes suaj (e as votues i juaji) — i zgjedhur për këtë punë.
Epo, a e dini çka? Do ta keni një gjë më pak për t’u frikësuar kur zorra qorre t’iu shpërthejë në mes të natës dhe kur do t’ju duhet të shkoni me nxitim në spital. Kjo është aq e ditur saqë tingëllon e sikletshme të shkruhet për të; por kur përballeni me situata të tilla qesharake, e ndieni nevojën ta thoni përsëri dhe përsëri.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.