Diaspora mbetet njëra ndër instrumentet më të vlefshme politike dhe ekonomike që ka Kosova, sidomos në vitet e fundit kur komunitetet e diasporës kanë filluar të luajnë rol shumë aktiv në jetën politike dhe ekonomike në vendin e tyre tё origjinës dhe në vendet ku banojnë.
Në historinë e vonshme Kosova kishte tri valë të mëdha të migrimit: e para që nisi në vitet 1960, e dyta në vitet 1990 dhe e treta pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e sidomos në 2014/2015, kur qindra mijëra qytetarë migruan në vendet e BE-së. Vala e fundit përbëhet kryesisht nga punëtorë të kualifikuar e kuadro të cilët janë shumë të kërkuar në tregun evropian tё punës, karakteristikë kjo që për herë të parë është theksuar së voni.
Numri i saktë i diasporës kosovare nuk është i ditur; një tentativë për regjistrim vullnetar të tyre pati filluar por pati dështuar. Mirëpo vlerësohet se rreth 800,000 shqiptarë të Kosovës jetojnë në diasporë, shumica prej tyre në Gjermani dhe Zvicër.
Në vitet e 90-ta diaspora ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në çlirimin e Kosovës nga regjimi serb, ndërsa tani mbetet ndër burimet kryesore financiare për vendin nëpërmjet remitencave. Ato rrisin ndjeshëm të ardhurat, konsumin, dhe kontribuojnë në mbajtjen e nivelit të mirëqenies sidomos te familjet me të ardhura të ulëta dhe mbushin arkën e shtetit nëpërmjet burimeve tatimore.
Në vitin 2018, remitencat nga diaspora ishin rreth 750 milionë euro apo rreth 15% e GDP-së së Kosovës. Këto shuma reflektojnë vetëm qarkullimet zyrtare në banka, por jo edhe hyrjen e parave të gatshme, kontributeve jomonetare dhe dhuratave.
Për më tepër, në kohën e vështirë të pandemisë që po e kalojmë, përgjatë vitit 2020 diaspora ka dërguar më shumë para te familjet e tyre dhe është burim kyç i të hyrave që po e ndihmojnë ekonominë e vendit.
Gatishmëria e qytetarëve nga diaspora — që në numër janë gati sa gjysma e popullsisë së Kosovës — për të qenë pjesë aktive në zhvillimet politike, sociale dhe ekonomike në vendin e origjinës ka ngritur nevojën e hartimit të politikave publike që rregullojnë përfshirjen dhe angazhimin e tyre. Pa dyshim se në hartimin e politikave për ta është e nevojshme të përfshihen edhe ata vetë.
Përfaqësimi politik i diasporës
Në nëntor të vitit 2020, në Kuvendin e Kosovës u diskutua për identifikimin e formave për përfaqësimin politik të diasporës në Kosovë. Një ndër format që deputetët i diskutuan ishte krijimi i vendeve të rezervuara në Kuvend për përfaqësuesit e diasporës.
Krijimi i vendeve të rezervuara për diasporën në Kuvend është shumë kompleks për arsye të ndryshme — një ndër to fakti se një proces i tillë do të kërkonte ndryshime kushtetuese. Kur e kemi parasysh se për çdo ndryshim kushtetues kërkohen votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit si dhe votat e 2/3 të deputetëve të pakicave, është e qartë se një ndryshim i tillë kushtetues në formatin ekzistues është thuajse i pamundshëm.
Ky diskutim mes deputetëve më shumë ishte sipërfaqësor dhe për përfitime politike ditore, sesa që dukej se kishte ndonjë nismë konkrete për rregullimin e kësaj çështjeje me qëllim të përfshirjes më të madhe të diasporës në vendimmarrje në vend.
Sido që të jetë puna, para se të diskutohet për krijimin e vendeve të rezervuara për diasporën, është mirë të diskutohen forma më kreative, më lehtë të realizueshme dhe që kanë ndikim më të madh pozitiv në jetën e përditshme të qytetarëve nga diaspora. Mbase duke filluar me lehtësimin e procesit të votimit për ta?
Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për Shtetësinë e Kosovës ua garanton qytetarëve të diasporës të drejtën e votës në Kosovë. Mirëpo, qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë krijuar kushte për lehtësimin e pjesëmarrjes së tyre në proces të votimit në zgjedhje, madje duke mos i lejuar të votojnë nëpër ambasada apo konsullata.
Vërehet rritja e interesimit të diasporës për votim përgjatë viteve të fundit.
Lehtësimi i procedurave të votimit për diasporën është nxitur edhe nga Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili inkurajon shtetet anëtare t’ua mundësojnë qytetarëve të tyre të marrin pjesë në masën më të madhe të mundshme në zgjedhje.
Vlerësohet se ndërmjet 380,000-400,000 pjesëtarë të diasporës kanë të drejtë vote. Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2019, KQZ pranoi gjithsej 40,313 aplikacione për regjistrim për të votuar, prej të cilave u pranuan 35,087 si të rregullta. Prej tyre, vetëm 20,200 persona arritën që suksesshëm të dërgojnë pakot e votimit, kurse pjesa tjetër u refuzuan për shkak të mosplotësimit të kritereve apo nuk arritën t’i dërgojnë fletëvotimet.
Në zgjedhjet e vitit 2017 kishte 28,354 aplikime për të votuar, prej tyre 15,118 u pranuan dhe 9,157 votuan. Kërkesa të përafërta kishte edhe në zgjedhjet e vitit 2014, ndërkaq vërehet rritja e interesimit për votim përgjatë viteve.
Klasa politike në Kosovë duket që qëllimisht nuk e ka lehtësuar procesin e votimit të diasporës për shkak të zhgënjimit sistematik ndër vite të pjesëtarëve të diasporës me partitë politike që kanë qeverisur vendin për afro 20 vite, por edhe frikës se diaspora mund të sjellë ndryshime të mëdha në procesin zgjedhor sepse mbetet grupi më i madh social i Kosovës me mbi 400,000 votues.
Edhe pse në numër të ulët të pjesëmarrjes në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, diaspora ishte përcaktuese e rezultatit në zgjedhjet qendrore të vitit 2019. Dallimi ndërmjet fitueses së zgjedhjeve Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që doli e dyta ishte vetëm 14,485 vota, dhe numri më i madh i votave të diasporës në këto zgjedhje ishin për Vetëvendosjen.
Vitin e kaluar, kryetari i LDK-së Isa Mustafa deklaroi se nuk është e drejtë që fituesin e zgjedhjeve ta caktojnë votat e diasporës, por qytetarët të cilët jetojnë në Kosovë. Ky konstatim është tejet zhgënjyes dhe ofendues në rrethanat tona, marrë parasysh faktin që kemi një diasporë aktive e dinamike që ende mban lidhje të ngushta me vendin.
Pse është angazhimi i nevojshëm?
Përfshirja e diasporës në përfaqësimin politik të jashtëm të Kosovës është e rëndësishme për përmirësimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit, i cili është në pozicionin më të keq ndërkombëtar të mundshëm dhe nuk është në vëmendjen e partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë aq sa ishte në të kaluarën.
Në vijim të kësaj, pjesa më e madhe e zyrtarëve dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës që ishin aktivë në vitet 1990-2000 janë në pension, duke u zëvendësuar me zyrtarë tjerë të cilët mund të mos jenë të familjarizuar me kontekstin e Kosovës. Po ashtu, edhe lobi shqiptar i Kosovës që ka qenë shumë aktiv në SHBA dhe Evropë gjatë periudhës së çlirimit të Kosovës, tani pothuajse nuk është fare aktiv.
Të gjitha këto kanë ndikuar që vendi të humbë shumë miq me peshë në ShBA dhe BE. Kjo ndërlidhet edhe me faktin se pas luftës në Kosovë, politika e vendit nuk ka pasur dëshirë dhe vullnet për të inkuadruar në politikëbërje të Kosovës lobin shqiptar nga diaspora. Kjo neglizhencë ndaj lobit shqiptar në diasporë si dhe mungesa e ndonjë kauze specifike mbarështetërore janë ndër arsyet kryesore pse angazhimi i bashkërenduar është dobësuar.
Në politikën e jashtme duhet të punësohen si staf diplomatik në ambasadat dhe konsullatat jashtë vendit ekspertë dhe profesionistë kosovarë të cilët janë rritur apo arsimuar në diasporë. Kjo mund të bëhet në bazë të marrëveshjeve bilaterale me shtetet e ndryshme veç e veç.
Aktivitetet kryesore të organizuara për diasporën kanë qenë koncertet folklorike dhe ngjarjet e vobekta kulturore pa ndonjë përfitim të shëndoshë për ta.
Angazhimi i diasporës në diplomacinë kosovare do të ndihmonte në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, do të ndihmonte vendin në ndërtimin e urave të bashkëpunimit me shtete të ndryshme, si dhe do të ndikonte në përfaqësimin më të fuqishëm të Kosovës jashtë. Kjo qasje është po ashtu më e favorshme për buxhetin e shtetit të Kosovës. Madje, angazhimi i diasporës në personelin diplomatik të Kosovës do të përmirësonte edhe imazhin e brishtë të shërbimit diplomatik që vazhdon të jetë i mbushur me militantë të partive politike dhe familjarë të politikanëve, biznesmenëve e oligarkëve të fuqishëm të Kosovës.
Përfshirja e profesionistëve nga diaspora drejtpërdrejt në qeverisjen e vendit (si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda) do të ishte një ndihmesë e madhe dhe do të kontribuonte që diaspora të forconte edhe më shumë lidhjet me Kosovën. Ka njerëz të zotë të diasporës që janë të gatshëm të angazhohen në qeverinë e vendit nëse ajo do të ishte kredibile, do të krijonte mundësi e ambient për punë me integritet dhe do të luftonte nepotizmin e korrupsionin.
Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një program të veçantë financiar për angazhimin e profesionistëve të diasporës në qeverisje e vendimmarrje. Një nismë e tillë veçse u nis në qeverisjen jetëshkurtër të ish-kryeministrit Kurti, i cili në kabinetin e tij angazhoi disa profesionistë dhe ekspertë nga diaspora në fusha të ndryshme: kryesisht në drejtësi, ekonomi e politikë të jashtme.
Koha e fundit ta ngushtojmë lidhjen
Përkundër faktit që Kosova ka pasur strategji për diasporën në të cilën janë paraparë objektiva konkrete për të rritur bashkëpunimin, shumë pak është bërë për zbatimin e saj. Deri më tani aktivitetet kryesore të organizuara për diasporën kanë qenë koncertet folklorike e aktivitetet e vobekta kulturore pa ndonjë përfitim të shëndoshë për ta. Po ashtu, janë organizuar edhe konferenca në Kosovë e diasporë në të cilat çështjet e njëjta janë diskutuar për vite me radhë pa pasur ndonjë veprim konkret pasues.
Përkundër progresit të vogël të adresimit të çështjeve të diasporës, vitet e fundit është rritur vetëdija për rolin e diasporës në Kosovë. Ka nisma ligjore për lehtësimin e procesit të votimit për ta dhe partitë politikë në programe kanë përfshirë edhe çështjet e diasporës. Mirëpo kërkohet zbatim konkret i tyre. Për më keq, nuk ka një regjistrim të individëve, sidomos të atyre që konsiderohen fuqi e kualifikuar, mbi bazën e së cilës disa prej tyre do të mund të ftoheshin për kontribut në Kosovë.
Përveç ndihmës financiare për të cilën Kosova ka nevojë, ka ardhur koha që diaspora të ndihmojë edhe me ekspertizë në ndërtimin e shtetit.
Përfundimisht ka ardhur koha që diaspora të jetë temë me prioritet për Kosovën dhe krijimi i një fondi për diasporën nga Qeveria e Kosovës do të ishte ndihmesë e madhe në këtë drejtim. Fondi do të mund të përdorej për qëllime të ndryshme, si për rritjen e kualitetit të librave për mësim të shkrim-leximit të gjuhës shqipe të cilët shpërndahen në diasporë. Ky veprim konkret do të mbante fëmijët shqiptarë në diasporë më afër kulturës, historisë dhe gjuhës së vendit të tyre të origjinës dhe do të ndihmohej ruajtja e identitetit kombëtar të qytetarëve tanë në diasporë.
Njohja e gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës së Kosovës nga fëmijët shqiptarë në diasporë e lufton krizën e identitetit e cila është kërcënim në rritje për diasporën dhe i mbron ata nga ideologjitë e format e ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm, i cili është ndër kërcënimet më serioze në Evropë. Ky fond do të mund të krijohej shumë lehtë duke ndarë një përqindje të vogël të parave që hyjnë në Kosovë nëpërmjet remitencave, apo edhe përmes formave të tjera alternative.
Fondi për Diasporën, gjithashtu, do të mund të ndihmonte në ringjalljen e rreth 700 shoqatave kulturore (formale e joformale) shqiptare që kanë ekzistuar në diasporë në të kaluarën dhe të cilat janë shuar plotësisht për shkak të mungesës së mjeteve materiale. Me këtë do të mund të krijohej një mekanizëm koordinues për rifunksionalizmin e të gjitha shoqatave kulturore shqiptare në diasporë.
Duke mos lënë anash remitencat, diaspora e Kosovës ka potencial shumë të madh për të ndihmuar Kosovën. Përveç ndihmës financiare për të cilën Kosova ka nevojë, ka ardhur koha që diaspora të ndihmojë edhe me ekspertizë në ndërtimin e shtetit si rezultat i përvojës së llojllojshme të fituar kryesisht në vendet perëndimore. Është koha e fundit që institucionet e Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë për lehtësimin e përfshirjes së diasporës në jetën politike në vend.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.
Një analizë e shkelqyeshme e cila do tê duhet në të ardhmen të plotësohet me temë „ si ti mbrrojm gjeneratat e treta e ne vijim nga asimilimi“ - çfar masash duhet te marrin institucionet e Kosoves