Në thelb | Maqedonia e Veriut

Demokracia dhe Projekti i Rinovimit të Shkupit të Dalura nga Binarët

Nga - 07.09.2015

Neglizhenca dhe ndarja e karakterizojnë Shkupin 2014.

Disa e shohin të çuditshme dhe groteske, e e kanë pagëzuar si ‘kryeqyteti i ‘kitsch’-it në Evropë‘. Tjerë e kanë lëvduar duke thënë se po i nderon heronjtë e tyre të shumtë dhe historinë prekëse të tyre. Sidoqoftë, pamja e re e Shkupit, kryeqytetit të Maqedonisë, sigurisht se do t’i habit shumë njerëz, për mirë ose për keq.

‘Shkupi 2014’ është emri i projektit arkitektural që u prezantua në 2010 dhe e ka ndryshuar shumë pamjen e pjesës qëndrore të qytetit. Ata që e vizitojnë Shkupin në 2015 mund ta shohin qendrën e qytetit të mbushur me struktura të ndërtuara në stilet neo-barok dhe neoklasik: ndërtesa të reja dhe rikrijime të të vjetrave, statuja e monumente në nder të heronjve kombëtar, fontana, ura, një hark triumfi, e edhe një rrotë të madhe si ato që i shohim në ‘llunaparqe’.

Si pjesë kryesore e projektit të rinovimit qëndron një statujë 22 metra e lartë e Aleksandrit të Madh, përballë me një statujë tjetër të babait të tij, Filipit II. Këto dyja e kryesojnë procesin e rishkrimit të historisë dhe identitetit larg rrënjve sllavike, e deri te rrënjët e lashta, në mënyrë që të merret historia e Maqedonisë së lashtë dhe të fuqizohet shpirti kombëtar i maqedonëve etnik.

skopje01

Kështu projekti e tregon një histori të re të Shkupit. Pas tërmetit tragjik që e fshiu shumicën e qytetit në 1963, Shkupi u rindërtua në stil ‘brutal‘, me ndërtesa masive të betonit dhe hapësira të gjëra e të hapura publike. Sot, pamja e re e Shkupit ka ndërtesa barok e klasike si dhe skulptura e monumente të panumërta, që shfaqin distancim të qartë nga historia e qytetit. Për më tepër, janë ndërtesat më të vonshme në botë me këtë stil, e disi duken si të pavenda në Ballkanin e shekullit 21.

Kryeministri Nikola Gruevski vet u mburr publikisht duke thënë që projekti ishte ide personale e tij. Disa prej bisedave telefonike që u lansuan gjatë rasteve të përgjimit në pranverë zbuluan që kjo nuk ishte deklaratë e zbrazët, pasi që Gruevski vet e kishte zgjedhur dizajnin e fasadave, ballkonave, materialeve ndërtimore, e edhe dizajnin e brendshëm të autobusëve të ri dy-katësh. Megjithatë, ‘Shkupi 2014’ nuk është vetëm për rinovime estetike. Bronzi, mermeri dhe plastika e pamjes së re të qytetit e materializojnë politikën maqedonase sot, dhe janë shenja të demokracisë së dalur nga binarët. Fatkeqësisht, kosto e kësaj shkon përtej financave.

Rinovim i Bollshëm

Kur u prezantua për herë të parë para publikut të gjërë në 2010, ‘Shkupi 2014″ parashikonte rreth 40 monumente, skulptura, fasada dhe ndërtesa të rinovuara, me kosto totale rreth 80 milion euro. Sot në 2015, një vit pas afatit të fundit të përfundimit të tij, numri i objekteve është trefishuar dhe kosto totale vlerësohet të jetë diku 578 milion deri në 1 miliard euro. Për të ilustruar shkallën e projektit në kontekst të prokurimit të përgjithshëm të publikut në Maqedoni, një e treta e 100 kontratave më të mëdha të prokurimit publik (ose rreth 28 përqind të kostos) prej vitit 2010 deri në 2014 kanë qenë të lidhura me modifikime estetike dhe ndërtime, kryesisht për statuja dhe monumente. Në kontekstin e performancës gjithmonë të ngadalshme të ekonomisë maqedonase, nivelit ekstrem të papunësisë (aktualisht 27.3 përqind), dhe infrastrukturës së ligësht, kjo duket si e çuditshme dhe problematike.

Për më tepër, prej shpenzimeve të tilla publike duket që përfitojnë shumë pak njerëz, si kompania e ndërtimit DG Beton, që i është dhënë mandat për të ndërtuar gati një të tretën e projektit. Ngjashëm, artistja Valentina Stevanovska, relativisht e panjohur para punës së saj në ‘Shkupi 2014’, është autore e strukturave më të rëndësishme të projektit, duke përfshirë statujën e Aleksandrit të Madh dhe Filipit II, harkun triumfal dhe disa skulptura tjera të shpërndara në zonën qendrore të qytetit.

Një raport i auditimit të këtij projekti rinovues nga Transparency International tregoi se kishin ndodhur keqpërdorime të ndryshme në proceset e prokurimit publik, pasi që kishte raste ku u pranuan oferta tepër më të shtrenjta, kosto të pjesëve të projektit nuk u shpallën qartë dhe nuk u verifikuan, si dhe raste të ndërhyrjes së qartë të qeverisë qëndrore me fuqitë e qeverisë lokale.

skopje02

Në fund, përkundër çmimit të majmë, disa struktura të projektit veç se kanë filluar të mos i qëndrojnë kohës. Shkupi duket se është ende në përpunim e sipër, pasi që shumica e shtyllave në ndërtesa të reja janëboshe dhe fasadat e plastikës mbulojnë fasadat origjinale të ndërtesave të vjetra.

Politikë e Ashpër

Mbi koston e lartë financiare, pamja e re e Shkupit solli kosto të madhe politike. Në vend se të hapej debat publik, planifikimi i qytetit është vendosur me konferenca të shtypit nga zyrtarët e qytetit dhe qeverisë në një anë, dhe protesta të qytetarëve nga ana tjetër. Dy anëve u mungon bashkëveprimi.

Si rezultat i kësaj, që prej zanafillës së tij, projekti është përballur me kundërshtim të madh nga sektori i shoqërisë civile. Në 2009, një grup i aktivistëve civil u mblodhën në sheshin e qytetit për të protestuar kundër planit të qytetit për të ndërtuar një kishë në sheshin qendror. Si reagim, protestuesit u rrahën nga një grup i mbështetësve konservator të projektit. Edhe pse policia dhe mediat ishin të pranishëm, fatkeqësisht askujt s’iu la përgjegjësia për këtë veprim deri sot.

Në një nismë tjetër qytetare, aktivistët që u vendosën në një park të vogël në zonën qendrore për të parandaluar zëvendësimin e zonës së gjelbërt me ndërtesë të re të qeverisë, u arrestuan nga policia; pak më vone filloi ndërtimi në atë pikë. Nisma ‘Go sakam GTC!’ / ‘I love the City Shopping Center!’, që pati për synim parandalimin e rinovimit të fasadës së qendrës tregtare, organizoi takime masive të fshehta si dhe referendum komunal kundër këtij plani. Edhe pse referendumi në fund nuk ishte i suksesshëm, qëndron si i vetmi referendum lokal që u administrua ndonjëherë në Maqedoni, dhe shfaqi pakënaqësinë e një numri të madh të banorëve lokal.

Nisma e fundit në listën e nismave të panumërta që po mundohen të gjejnë hyrje në debat publik, është kundër planeve për të ndërtuar rrotën e madhe në bregun e Lumit Vardar. “Shkupi nuk është Disneyland!” shkruan sllogani i tyre dhe javën e kaluar protestuan për t’u kujtuar planifikuesve të qytetit për llogaridhënien dhe përgjegjësinë që e kanë ndaj qytetarëve të Shkupit.

Sanja Mihajlovic, një prej organizatoreve të protestës, e quajti ‘Shkupi 2014’ si “Disneyland ideologjik”, duke thënë se projekti ishte përpjekje për të përhapur nacionalizëm dhe për të larguar vëmendjen e publikut nga problemet përkatëse sociale. Disa nga protestuesit pranuan se i shmangen shetitjes në sheshin e qytetit, ku shumica e objekteve të ‘Shkupi 2014’ janë ndërtuar, sepse nuk mund të identifikohen me këtë pamje të re të qytetit. Tjerë thanë se 19 milion euro që u ndanë për rrotën e madhe mund të shpenzohen më me mend, duke i adresuar rastet e më shumë se 300 qytetarëve që kanë nevojë për trajtim të shtrenjtë mjekësor dhe nuk po arrijnë ta përballojnë financiarisht.

Shumë pak janë optimistë për shansat e nismës kundër planifikuesve të qytetit. Megjithatë, ndikimi i kufizuar i nismave të tilla shfaq një dialog të dobët publik dhe planifikim të qytetit që dështon të jetë në përputhje me standardet krijimit të politikave gjithëpërfshirëse. Më shumë se çdo gjë tjetër, një dialog i tillë publik është fajtor për përjashtimin e disa seksioneve të shoqërisë dhe shpërbërjen e ngjitësit social, që në shoqëri heterogjene si Maqedonia është më i rëndësishëm se kudo tjetër.

Shkupi 2015: Qytet i Ndarë

Përtej fasadave, ndërtesave dhe monumenteve të përfshira në ‘Shkupi 2014’ është një rrëfenjë e ritregimit dhe rimarrjes së pjesëve të historisë kombëtare që janë shkëputur nga identiteti kombëtar maqedonas gjatë shekujve të historisë së mbushur me trazira dhe diskutime. Në rastin e Maqedonisë, një ringjallje e tillë ka ardhur përkundër armiqësisë së qëndrueshme me Greqinë mbi të drejtat e emrit Maqedoni dhe historisë antike të lidhur me këtë rajon. Për më tepër, në kontekstin e politikës maqedonase, që kryesisht funksionon nëpërmjet kampeve etnike, ‘Shkupi 2014’ është deklaratë nga shumica për të mbështetur retorikën e përhapur nacionaliste duke e okupuar hapësirën qëndrore publike.

Pikërisht një retorikë e tillë e ka mundësuar koalicionin udhëheqës të së djathtës me partinë etnike maqedonase VMRO-DPMNE dhe atë etnike shqiptare të Bashkimit Demokratik për Integrim, dhe ruajtjen pozitës së tyre në fuqi për më shumë se një dekadë. Në rrënjë të kësaj qasjeje është ndarja e anëtarëve të shoqërisë në “patriotë” dhe “tradhëtarë”, në bazë të vetperceptimit të elitës qeveritare si mbrojtësit e vetëm legjitim të interesave të komunitetit të tyre etnik. Për më tepër, në kontekstin e së kaluarës socialiste të Shkupit, e shprehur nga stili i veçantë arkitektural para ‘Shkupi 2014’, rinovimi i qytetit është edhe për shfuqizimin e asaj pjese të historisë së qytetit dhe izolimin e elitave intelektuale ish-socialiste dhe aktualisht liberale. Kështu një projekt radikal dhe transformues si ‘Shkupi 2014’ është bërë i mundur duke imponuar ndarje të tilla dhe duke krijuar të huaj etnik dhe ideologjik.

Në mes të krizës aktuale të thellë politike në vend, është vështirë të flasim për të ardhmën e pamjes së re të Shkupit. Megjithatë, sigurt mund të themi se rezultati i krizës sigurisht do të përcaktojë nëse Shkupi do të adaptohet me pamjen e re, apo do të hapet rruga për një rinovim tjetër.K