Blogbox | Ballkan

Taman në kohë

Nga - 04.08.2023

Kur udhëton me autobus në Ballkan, krejt varet…

Nëse merr autobusin e ditës, zakonisht të duhen rreth gjashtë orë për të arritur nga Beogradi në Prishtinë, ose e anasjelltas.

Por ja ku isha — po qëndroja në pikë të ditës në stacionin e autobusëve të Prishtinës — dhe tabela e madhe prej kartoni, e ngjitur pas xhamit të autobusit, në të cilën shkruhej orari i mbërritjes, thoshte se këtë herë do të duheshin shtatë orë.

E pyeta shoferin për sqarim: gjashtë apo shtatë orë?

“Epo. Nganjëherë gjashtë e nganjëherë shtatë. Zavisi”, tha ai. “Varet”.

As nuk e mora mundin ta pyesja se nga çka varet. Në këto anë, secili e dimë se mund të varet nga shumë gjëra.

Për shembull, sa kohë do të zgjasin pauzat.

Kur shoferi i autobusit ndalë autobusin dhe bërtet “pesë minuta!” nuk i bie njëmend pesë minuta. I bie pauzë për tualet dhe cigare. Një cigare, ndoshta dy, apo mbase edhe tri. Varet.

Asnjë orë nuk e matë këtë kohë, përveç asaj në kokën e shoferit. Kështu që ne sillemi vërdallë nën ankth duke pritur ta dëgjojmë të thotë: “Hajde! U nisëm!”

E kur shoferët thonë 10 minuta, kjo nënkupton pauzë për kafe. Tash, nuk mund ta shijosh një filxhan kafe të mirë brenda 10 minutash, kështu që kjo është arsyeja pse merr më shumë kohë. Por kurrë nuk e di saktësisht se sa kohë.

Më ka ndodhur një herë që shoferi të thërriste “Hajde!” e unë sapo kisha marrë makiaton time. Kështu, u çova prej karriges, duke lënë filxhanin plot në tavolinë. Shoferi më pa dhe tundi dorën, duke m’u lutur të ulem përsëri. “Mos u ngut”, tha ai. “Të presim”.

Asgjë, asnjëherë nuk duhet ta prishë ceremoninë e shenjtë të pirjes së një filxhani kafeje — sidomos jo diçka si orari i autobusit.

***

Tani po udhëtojmë në një rrugë tjetër, atë mes Sarajevës dhe Beogradit. Nuk po shkojmë me autobus, por me veturë. Shoferja quhet Rada. Ka më shumë se 20 vjet që merr udhëtarë midis Serbisë dhe Bosnjës.

Pra, ja ku jemi ulur në një kafiteri afër kufirit, për një pushim 10-minutësh. Po, ashtu: do të qëndrojmë këtu për aq kohë sa i nevojitet secilit për ta përfunduar kafen pa u nxituar.

Në pauzën e kafesë, Rada mbledh paratë nga udhëtarët. Është një turmë e përzier njerëzish. Disa paguajnë me dinarë serb, disa paguajnë në marka boshnjake të konvertueshme dhe disa në euro. Rada i pranon të gjitha dhe në këmbimoren e saj të improvizuar e të padukshme, llogarit shpejt çmimet dhe sa duhet ta kthejë kusurin. Mund t’ia kërkosh gjithashtu të ta kthejë kusurin në një monedhë ndryshe nga ajo që ke paguar dhe ajo e llogarit edhe atë.

Ajo mban një bllok të vogël shënimesh në të cilin ruan me përkushtim të dhënat e saj. Ky libër përmban numrin e udhëtarëve që ajo ka pasur, sa para ka pranuar, sa i duhen ta paguajë naftën dhe tarifat e rrugës, si dhe për çajin dhe ushqimin e saj, dhe më në fund, më e rëndësishmja, ajo llogarit diferencën midis shumës që ka shpenzuar dhe asaj që ka marrë: profitin.

Dhe megjithëse në të vërtetë nuk ka ndonjë vlerë praktike, ajo shkruan gjithashtu numrin e kilometrave që ka bërë në atë ditë të caktuar, të cilat i ka shtuar ndër vite.

Një herë më pyeti jo pa krenari nëse mund ta hamendësoja numrin e kilometrave që ka bërë në total. Jam i mirë në matematikë të thjeshtë. Rruga është rreth 300 kilometra, një-drejtimshe. I bie rreth 5 orë me veturë (është rrugë e vështirë). Ajo shpesh bën udhëtim vajtje-ardhje brenda një dite, nganjëherë gjashtë ditë në javë. E di që asaj i pëlqen të shkojë në bregdet. Noti i bën mirë shpinës së saj prej shofereje. Kështu që i llogarita dy javë pushim nga puna çdo vit. I bie 50 javë vozitje në vit, 20 vjet rresht.

Rreth 3 milionë kilometra?

Ajo mërzitet paksa; në fakt është më pak se sa mendova. 2.4 milionë, më thotë. Si t’i biesh tokës përreth plot gjashtëdhjetë herë.

“Punë e vështirë”, i thashë një herë.

“Më lejo të të them diçka. Të zgjohesh në mëngjes pa bukë, kjo është e vështirë”.

***

Kthehemi në linjën Beograd – Prishtinë, mbërrijmë në një pikë të vogël karburanti në mes të asgjëkundit, diku afër kufirit mes Serbisë dhe Kosovës.

Është ndoshta rreth 2:30 e mëngjesit. Jashtë është shumë errësirë dhe ftohtë. S’ka asgjë tjetër pos rrugës dhe kësaj pike karburanti, si dhe rrethi i vogël i dritës vezulluese rreth saj. Përreth nesh ndodhen kodra të mëdha kërcënuese me ngjyrë të zezë dhe një qiell pa yje.

Autobusi ndalet dhe dritat brenda ndizen. Disa njerëz janë ende në gjumë, disa po zgjohen. Disa të tjerë nuk kanë bërë gjumë fare.

Gratë me fëmijët nxitojnë për në tualet.

Prej burrave nuk pritet asgjë, pos të kujdesen për veten. Shumica e tyre janë duhanpirës dhe dalin natën e akullt për të pirë një cigare. Mund ta dëgjoje zhurmën e një përroi që rridhte shpejt diku më poshtë, që të bënte të kesh edhe më shumë të ftohtë.

Menjëherë burrat mblidhen në grup dhe fillojnë të diskutojnë rreth diçkaje. Po përpiqen ta bëjnë veten të duken seriozë — sikur s’po qëndrojnë aty, duke ngrirë, thjesht sepse kanë nevojë për cigare.

I shikoj teksa kërcejnë nga njëra këmbë te tjetra, të rrethuar nga terri dhe kuptoj diçka të çuditshme dhe banale. Kur përpiqen të ngrohen, shqiptarët dhe serbët bëjnë pikërisht të njëjtat lëvizje.

Të gjithë dëshirojnë që kjo, e gjithë kjo, të përfundojë, të mbërrijnë në mënyrë të sigurt kudo që janë nisur dhe ta kenë ngrohtë dhe rehat.

***

E mbani mend kur ju thashë se autobusi mes Prishtinës dhe Beogradit zgjat gjashtë orë? Nëse udhëton natën, gjithmonë merr shtatë orë. Në fillim nuk e kuptoja dot pse. Është i njëjti drejtim dhe është e njëjta rrugë. Dhe natën nuk ka trafik, kështu që s’ka lidhje me atë.

Kur isha shumë i vogël, udhëtova për në Japoni dhe mësova se nevojitet më pak kohë për të udhëtuar nga lindja në perëndim, sesa në drejtimin tjetër. Megjithatë, Beogradi dhe Prishtina janë vetëm 300 km larg dhe drejtimi është veri-jug. Dhe jemi me autobus. Pra, as kjo s’ishte arsyeja.

Më në fund, mendova se thjesht mund ta pyesja shoferin.

“Është e thjeshtë”, tha ai. “Nëse arrijmë atje shumë herët, udhëtarëve do t’iu duhet të presin deri sa të fillojë transporti publik në Beograd dhe të hapet ndonjë kafene. Është më mirë që këtë kohë ta kalojnë duke fjetur brenda një autobusi të ngrohtë. Kështu që ne shpenzojmë një orë plus duke vozitur më ngadalë dhe mbërrijmë aty — taman. As shumë herët. As shumë vonë. Pikërisht në kohë”.

Ky blog u prodhua për një shfaqje në skenë në festivalin ndërkombëtar të rrëfimit “ZEG” në Tbilisi, Gjeorgji, në qershor 2023. U krijua nga “skenat e  fshira” të artikullit të K2.0 “Sistemi Alternativ Postar i Ballkanit”, i cili u përfshi në listën e ngushtë për Çmimin Evropian të Shtyp.

Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0