Pikëpamje | Politika

Të djathtën ekstreme në BE po e normalizojnë votuesit/et

Nga - 19.06.2024

E majta s’po arrin t’i bindë votuesit/et e pakënaqur/a.

Partitë e qendrës së djathtë, të djathtës së fortë dhe të djathtës ekstreme performuan fuqishëm në zgjedhjet e vitit 2024 për Parlamentin Evropian (PE). Kësisoj, grupet e së djathtës së fortë dhe ekstreme në PE, të cilat përbëhen nga parti të veçanta kombëtare, pritet t’i mbajnë mbi 18% të ulëseve në PE. Çuditërisht, qendra e djathtë fitoi gjithashtu një numër të vogël ulësesh, duke tejkaluar parashikimet.

Siç ka ndodhur shpesh me zgjedhjet për PE, ndikimi dhe pasojat e menjëhershme ndihen më shumë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në nivelin politik të brendshëm, sesa në nivel të BE. Në këtë cikël zgjedhjesh, rezultatet kanë vërshuar kryetitujt në Francë, ku partia  Rilindja e presidentit Emmanuel Macron mori më pak se gjysmën e numrit të votave në krahasim me partinë e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, udhëhequr nga Marine Le Pen dhe Jordan Bardella. Macron shpalli zgjedhje të parakohshme me shpresën që t’i nxisë votuesit kundër të djathtës ekstreme, i bindur se mund t’ua dëshmojë atyre se Tubimi Kombëtar s’mund të fitojë në zgjedhjet e brendshme në Francë.

Tani për tani, ndikimi në politika është i panjohur dhe do të mbetet ashtu deri të formohet koalicioni i shumicës dhe deri të zgjidhen e konfirmohen kandidatët/et për pozitat kryesore institucionale të BE. Megjithatë, ajo që dihet është se shtetet e BE, që e konsiderojnë veten si demokraci liberale, po përballen me sfida serioze përbrenda, teksa zotimet e tyre për t’i mbështetur vlerat e supozuara universale sfidohen nga vetë qytetarët/et e këtyre vendeve — qytetarët/et, të cilëve thirren t’u shërbejnë.

Çfarë duan votuesit/et?

Asnjëra prej këtyre çështjeve s’do të kishin rëndësi nëse njerëzit nuk do të votonin për këto parti. Në vargun e shqetësimeve të mëdha dhe analizave politike rreth shpërbërjes së parlamentit nga Macron, kryeministrit belg Alexander De Croo, që dha dorëheqje pasi partia e tij e qendrës së djathtë u mposht me të madhe nga një rival i djathtë në zgjedhjet kombëtare që u mbajtën në kohë të njëjtë me ato të PE, apo koalicionit qeverisës të kancelarit gjerman Olaf Scholz, që u poshtërua nga Alternativa për Gjermani (AfD) dhe Kristian-demokratët e qendrës së djathtë, është e lehtë të harrosh këtë fakt: asnjëra nga këto s’do të kishte rëndësi nëse njerëzit nuk do t’i votonin ata. Votuesit, të cilët mund të ndihen sikur janë braktisur nga udhëheqësit e tyre politikë, duke mos pasur kujt t’i drejtohen, votuan për ta për shkak të asaj që ofrojnë, qoftë në nivel politikash apo në nivel retorik.

Shoqëritë demokratike mbështeten në premisën që vota e secilit vlen barabartë — moralisht e ligjërisht. Në shumicën e demokracive anembanë BE — Hungaria nën drejtimin e Viktor Orbán përbën përjashtimin më të qartë — kjo ide e demokracisë lidhet ngushtë me idenë e vlerave liberale; demokracia nuk është thjesht një qëllim, por mjet për të ndërtuar një shoqëri që bazohet në të drejtat universale të njeriut. Është deklaratë vlerash, aq sa është strukturë institucionale.

Çka ndodh kur votuesit/et zgjedhin populistët/et, që barazojnë vullnetin e shumicës me të mirën morale?

Ajo që po testohet tani është se çka ndodh kur votuesit zgjedhin përfaqësues/e, të cilët në mënyrë aktive i kundërshtojnë normat dhe vlerat që shtetet zotohen t’i mbrojnë. Çka ndodh kur votuesit/et zgjedhin populistët/et, që barazojnë vullnetin e shumicës me të mirën morale? Apo edhe më e rrezikshme, kur zgjedhin populistë/e që barazojnë të mirën morale me vullnetin e grupit etnik dominues? Ose kur legjitimiteti demokratik u ofrohet politikanëve/eve dhe lëvizjeve politike që e trajtojnë këdo që u duket ndryshe prej vetes si armik dhe kërcënim?

Për shtetet që pretendojnë t’i përfaqësojnë dhe të kujdesen për interesat e të gjithë qytetarëve/eve, votuesit e së djathtës së fortë dhe ekstreme kanë të drejtë që t’i shprehin preferencat e tyre politike përmes kutive të votimit si kushdo tjetër. Sigurisht, dikush mund të argumentojë se votuesit e këtillë janë gabim. Dikush mund të paraqesë argumente morale, argumente të bazuara në politika, argumente të bazuara në logjikën se katastrofa klimatike po na kanoset secilit prej nesh dhe se asnjë industri nuk duhet të jetë e paprekshme në përpjekjen për ta ruajtur jetën njerëzore siç e njohim ne. Dikush mund të përpiqet t’i bindë njerëzit që ata po gabojnë pasi po i votojnë politikanët/et, që nuk janë të interesuar të punojnë për më të mirën e njerëzimit. Dikush mund të thotë se këta votues janë gabim sepse po zgjedhin për përfaqësues politikë dallaveraxhinj të interesuar/e për pushtet vetëm për hir të pushtetit dhe të atillë që ndoshta janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo kompromisi dhe t’i shesin njerëzit e tyre për pushtet dhe për pagën e rehatshme të deputit/es të PE.

Por, çka nëse këto argumente dështojnë t’ua ndërrojnë mendjen këtyre votuesve/eve? Ku i lë kjo shtetet demokratike të BE, një bashkim “i themeluar mbi vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave”, siç thuhet në versionin e konsoliduar të Traktatit të Bashkimit Evropian? Vlera të tilla, thotë BE, ekzistojnë në përpjekjet për të ndërtuar shoqëri ku “mbizotëron pluralizmi, mosdiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia mes grave dhe burrave”. Por çka ndodh kur njerëzit votojnë aq shumë për parti që ofrojnë një vizion jo pluralist të së ardhmes, një vizion që këmbëngul në të drejtën e ruajtjes së një Evrope të bardhë dhe të krishterë, sa është e pamundur t’i shpërfillësh e të mos i marrësh seriozisht?

Pabarazia në rritje dhe pasiguria ekonomike kanë krijuar një terren të përshtatshëm që këto parti të arrijnë te votuesit, shqetësimet e të cilëve nuk janë marrë parasysh nga partitë politike me shtrirje më të gjerë dhe alternativat e tjera politike.

Kjo është sfida me të cilën përballen votuesit/et dhe partitë politike në të gjithë BE, pas zgjedhjeve për PE të vitit 2024. Edhe pse partitë e ekstremit të djathtë nuk arritën fitore dërrmuese, siç kishin frikë disa, fushata dhe rezultatet konfirmojnë edhe më tej faktin se këto parti janë të rrënjosura në politikat zgjedhore nëpër të gjithë BE. Pabarazia në rritje dhe pasiguria ekonomike kanë krijuar një terren të përshtatshëm që këto parti të arrijnë te votuesit, shqetësimet e të cilëve nuk janë marrë parasysh nga partitë politike me shtrirje më të gjerë dhe alternativat e tjera politike. Partitë që kanë mbajtur tradicionalisht qendrën e majtë dhe qendrën e djathtë, po ndëshkohen nga votuesit/et që kërkojnë t’i mbajnë ato përgjegjëse për ndryshimet sociale dhe ekonomike të dekadave të fundit.

Megjithatë, nëse votimi për ekstremin e djathtë do të ishte ekskluzivisht votë proteste, mund të pritej që të dilnin në pah fuqishëm partitë e së majtës ekstreme, themelet ideologjike socialiste të të cilave mund të sugjeronin se ato do të perceptoheshin si parti ku njerëzit do ta hedhnin votën e protestës. Kjo s’ndodhi. E majta në të gjithë BE me sa duket ka dështuar ta bindë një numër të rëndësishëm votuesish se mund të jetë adresë për shqetësimet e tyre, duke lënë të kuptohet se prapa suksesit të partive të së djathtës së fortë dhe ekstreme, ka diçka më shumë sesa thjesht një refuzim të gjithmbarshëm ndaj partive të mëdha.

Tregu i ideve politike

Në terma thellësisht të thjeshtuar, politika demokratike mund të mendohet në termat e ofertës dhe kërkesës në tregun e ideve. Politikanët sigurojnë furnizimin e ideve, të organizuara zakonisht në parti politike të bashkuara rreth qëllimit për t’i fituar zgjedhjet mbi bazën e ideve apo politikave të caktuara. Nga ana e kërkesës, votuesit potencialë kanë nocione dhe instinkte para-ekzistuese rreth asaj që dëshirojnë ta shohin në përfaqësuesit e tyre të zgjedhur si dhe rreth ideve që ata dëshirojnë të përqafohen prej përfaqësuesve të tyre.

Oferta dhe kërkesa prodhojnë material informues për njëra-tjetrën; nëse votuesve nuk u pëlqen ajo që një parti e caktuar e paraqet, ata do të kërkojnë te tjerat dhe partia në fjalë do të detyrohet ose t’i përllogaris gjërat sërish ose ta humbas relevancën. Anasjelltas, një votues/e që sheh se pikëpamjet e veta nuk përfaqësohen nga asnjë parti, detyrohet të zgjedhë midis bërjes së kompromisit dhe zgjedhjes së partisë ose kandidatit/es që është më afër asaj që votuesi/ja do të dëshironte, ose alternativa tjetër, të heqë dorë nga tregu krejtësisht.

Në kontekstin e politikës bashkëkohore të BE, duket se anës së kërkesës i është dhënë më pak rëndësi, duke çuar në një mbulim të tepërt të së djathtës së fortë dhe të ekstremit të djathtë, pa u dhënë vëmendje të barabartë votuesve aktualë, nga të cilët varen partitë e të djathtës së fortë dhe ekstremit të djathtë. Mund të jetë tepër e lehtë që kërkesat e fermerëve që protestojnë ndaj rregulloreve mjedisore të shpërfillen, duke i cilësuar ata si fshatarë, të cilët janë më pak të arsimuar dhe të shkëputur nga kërcënimi ekzistencial i ndryshimeve klimatike, ndërkohë që profesionet historikisht të rëndësishme si bujqësia janë pakësuar nga një përzierje midis logjikës ekonomike kapitaliste, rregullimit mjedisor dhe automatizimit dhe teknologjizimit të përgjithshëm të ekonomisë.

BE ka mbështetur historikisht sektorin e bujqësisë, në përpjekje për t’i mbajtur çmimet e ushqimeve të qëndrueshme, duke e bërë marrëdhënien e saj me bujqësinë mjaft të pazakontë. Në të vërtetë, në vitin 2022, bujqësia mori 23% të të gjitha subvencioneve nga buxheti i BE, pavarësisht se përbën vetëm 1.6% të prodhimit ekonomik dhe 4.2% të punësimit në BE. Megjithatë, 80% e atyre subvencioneve shkojnë për vetëm 20% të fermerëve, që do të thotë se pavarësisht mbështetjes për sektorin, shumë fermerë në BE operojnë në margjina të ulëta, rreth ose nën kufirin e varfërisë.

Për më tepër, nuk është aq vështirë të kuptohet që fermerët ndihen posaçërisht të shënjestruar nga rregulloret mjedisore, që u bëjnë atyre thirrje t’i reduktojnë bagëtitë qumështore — eufemizëm për vrasjen e atyre kafshëve kaq të këndshme — gjersa emetuesit e mëdhenjë, siç janë linjat ajrore, pranojnë ndihma nga shteti.

Votuesit/et po normalizojnë të djathtën ekstreme

Por, çka nëse votues/e të tillë janë thjesht të shkëputur nga shkenca e ndryshimeve klimatike? Po sikur të votojnë për të djathtën ekstreme thjesht sepse u pëlqejnë qëndrimet kundër migrimit dhe premtimet për ta mbrojtur Evropën e bardhë dhe të krishterë, sado moralisht i mangët dhe  i shkëputur prej historisë të jetë ky pozicion? Çka mund të bëjnë forcat politike kundërshtare dhe strukturat politike, kur njerëzit që, në mënyrë aktive vënë në dyshim tolerancën, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen si themele për shoqëri të shëndetshme, gëzojnë të drejtën e njëjtë për të votuar, organizuar, protestuar dhe lobuar për politikëbërësit si gjithë të tjerët? Çka ndodh nëse ka votues/e të tillë/a mjaftueshëm për të bërë që sistemi politik të fillojë t’i pasqyrojë plotësisht preferencat e tilla politike, ashtu siç synojnë t’i përfaqësojnë pikëpamjet e qytetarëve sistemet politike demokratike? A i shërbejnë shtetet një qëllimi më të madh sesa kanalizimit të preferencave politike të qytetarëve? A i detyrohen më shumë njerëzimit në aspekt më të gjerë?

Diskursi për partitë e ekstremit të djathtë reflekton ndjenjën e pafundme të vetë-rëndësisë të establishmentit politik.

Diskursi për partitë e ekstremit të djathtë reflekton ndjenjën e pafundme të vetë-rëndësisë të establishmentit politik. Ky diskurs vazhdon t’i mendojë veprimet e establishmentit si variablin e pandryshueshëm nga i cili varet votimi, duke supozuar se preferencat e votuesve do të përputhen me të, nëse ata votues do të ishin të informuar siç duhet për çështjet në fjalë. Mediet, rrjetet sociale, dezinformatat, partitë politike të qendrës së majtë dhe ato të qendrës së djathtë fajësohen për normalizimin e ekstremit të djathtë dhe teksa është normalisht e vërtetë që këto veprime kanë ndikim, në fund të fundit janë votuesit ata që po normalizojnë politikat e të djathtës ekstreme. Asnjëra nga këto s’do të kishte rëndësi po që se njerëzit nuk do t’i kishin votuar ata.

Barra bie mbi partitë e tjera politike që të garojnë në mënyrë aktive me sfiduesit e tyre të ekstremit të djathtë, për t’i kapur votat e qytetarëve të zhgënjyer, në vend se të kërkojnë ndonjë arsye për t’i shpërqendruar nga fakti se shumë njerëzve nuk u pëlqen establishmenti politik dhe nuk besojnë se ai, si qëllim parësor i ka interesat më të mira, që edhe ashtu i ka përcaktuar vetë.

Pakënaqësia ekziston. Ka kërkesë për ide të reja që shkëputen nga një status quo e mbizotëruar nga pabarazia në rritje dhe nga ndasitë rurale-urbane, të cilat krijojnë mjedis të pasur, në të cilin të huajt mund të kryqëzohen. Derisa partitë e tjera të jenë në gjendje të tërheqin një numër të konsiderueshëm votuesish të pakënaqur për të votuar për ta, duket se pak gjëra do të ndryshojnë. Njerëzit votojnë për ta.

 

K Lexo edhe: Pse kanë rëndësi për Ballkanin zgjedhjet e vitit 2024 në BE?

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.