Pikëpamje | BiH

Të gjithë do të dalim, patjetër

Nga - 31.08.2019

Si të shkruajmë dhe të flasim publikisht për LGBTQI në shoqërinë tonë.

Në fillim ishte dollapi.

Si ta nisim bisedën për marshin e parë të Krenarisë në Bosnje dhe Hercegovinë (më 8 shtator)? Si të diskutojmë për këtë çështje? 

Mua më duket se, shtatë a tetë vjet pas luftës, kur në klasë e lëshoja “Celluloid Closet”, një dokumentar të HBO që ofron një përmbledhje historike të përfaqësimit LGBTQI në Hollywood, ishte më lehtë të nisej biseda për tema të tilla me studentët e Departamentit të Gjuhës Angleze të Universitetit të Banja Llukës sesa është sot me gjeneratën e re të feministëve dhe teoricienëve queer në Ballkan.

Dhjetë vjet më vonë, kur doli filmi “Brokeback Mountain”, shumica prej tyre arsyetonin – ndonëse jo pa kundërshti e me disa shikime të vrenjtura – se edhe në këta shkëmbinjtë tanë, diku është ndonjë kamionist të cilit i pëlqejnë “çunat”, e që nuk lejohet “të dalë jashtë” nga kultura patriarkale maço. Konsensusi i përgjithshëm ishte se vajzat e kanë më të lehtë, por pak a shumë u pajtuan që të jesh person LGBTQI në shoqërinë tonë është telash. 

Ishte e rëndësishme që studentët e mi të jenë të aftë ta artikulojnë veten, të flasin dhe të shkruajnë për seksualitetin homoseksual, lezbian dhe queer, ndërsa mendimet personale mbaheshin “në shtëpi” apo diskutoheshin nëpër kafene.

Për ta kaluar provimin, duhej të ishin të njohur me gjininë dhe seksin, heteroseksualitetin “e detyrueshëm”, gjininë si konfiguracion kulturor, performativitetin, përfaqësimin medial, shenjën dhe shenjuesin, rendin simbolik, dhe disa koncepte të tjera. Nuk ishte relevante çfarë besimesh personale kishin. Të gjitha këto nëntema u përdorën për t’ua zgjeruar horizontin, për ta bërë më të pranueshëm dhe më pak problematik pranimin e të tjerëve dhe njerëzve të ndryshëm prej tyre – mua më dukej që teoria kurrë nuk ishte aq efikase për formësimin e praktikës sa ç’ishte atëherë.

Akademia ka ofruar vetëm copëza, dhe gjithandej ishte një botë e atyre që vazhduan të jetojnë inkonjito, apo në pajtim të pashprehur me Bosnjen & Hercegovinën e pasluftës.

Nga përvoja ime si profesoreshë në Banja Llukë, Sarajevë dhe Tuzël, do të thosha se vetëm një pjesë e vogël e komunitetit akademik që ligjëron për studime gjinore dhe queer kishte për qëllim t’i prezantonte temat LGBTQI si pjesë e detyrueshme e kurrikulës. Megjithatë, as Jeanette Winterson, Judith Butler, e as motrat Brontë sipas Eve Kosofsky Sedgwick, nuk do të mund të lexoheshin a interpretoheshin pa çelësin queer.

Valëvitja e qëllimeve dhe kamikazët individualë

Njohuria e shqyer ndërmjet qëllimeve të brishta e pompoze të ndonjë kamikaze akademike dhe institucioneve të ashpra mbetet e fjetur, duke rezultuar kohë pas kohe në diskutime të nxehta, analiza të thella, ndonjë ‘dalje jashtë’ të studentëve, dhe në largim të mirëfilltë e të përhershëm nga shteti i më të mirëve dhe më të mençurve të tyre.

Edhe disa gra të bardha dhe në dukje heteroseksuale shpeshherë e mendonin vetën si queer për shkak të politikave të tyre, dhe studentët e dinin si ta lexonin këtë. Kjo ishte veçmas e vërtetë kur kryqëzoheshin çështjet e seksualitetit dhe të politikës, kur diskutonim për jetën publike dhe private, dhe kur të gjithë e kuptonim që normat sociale do të hynin “në dhomën e gjumit”, gjë që urrehej dhe rezistohej në pjesën më të madhe të qarqeve akademike.

Marshi i Krenarisë do të mbahet më 8 shtator, 2019. Foto nga Komiteti Organizativ i Marshit të parë të Krenarisë në BeH.

Jeta queer ishte e mundshme për këdo që do ta kundërshtonte pa kompromis “gjininë, shtetin dhe kryeqytetin”, siç shkruhet në librin “Irreconcilable”, të botuar në 2018. Megjithatë, paralelisht, ishte një botë e tërë e njerëzve LGBTQI që jetonin fshehurazi, pa qasje në akademi dhe vende pune, shpeshherë të ballafaquar me prostitucion dhe forma të tjera të skllavërisë dhe shtypjes, pa mundësi për të ardhur e për të folur e për t’u takuar me njerëz të rinj e për t’u miqësuar.

Akademia ka ofruar vetëm copëza, dhe rretheqark ishte krejt një botë e atyre që vazhdonin të jetonin pa u kapur nga radari, ose në pajtim të pashprehur me Bosnjen & Hercegovinën e pasluftës.

Në anën tjetër, dhe posaçërisht pas shpërbërjes së programit ambicioz masters të studimeve gjinore në Sarajevë, i cili doli të ishte fillim i fortë për biseda më serioze, temat gjinore dhe queer disi u morën përsipër nga sektori joqeveritar. Gjenerata e fundit e studentëve u regjistrua më 2010-11, e më pas programi u mbyll. 

Fillimisht kishte përpjekje sporadike për të organizuar ndeja queer në Banja Llukë, me plot sigurim dhe probleme të kohëpaskohshme. Pas kësaj, gjërat u sistematizuan paksa më shumë: u mbajtën ligjërata në shkollën feministe të Žarana Papić, organizuar nga Sarajevo Open Center si program akademik dhe aktivist arsimor me dy semestra, e gjithashtu u mbajt një seminar psikoanalitik në vitin 2015 në Tuzël, organizuar nga Universiteti i Punëtorëve, si dhe festivali feminist BLASFEM po mbahet për të tretin vit radhazi, organizuar nga Banja Luka Social Center (BASOC).

Falë punës me komunitetin, Q Association, CRVENA (e Kuqja) e Sarajevës, Qendra Rinore KVART e Prijedorit, Shoqata e Qytetarëve të Banja Llukës Oštra Nula, Geto dhe të tjerë, përbënin shtyllat kryesore të mbështetjes për copat e vogla të aktivizmit që u shfaqën, duke kërkuar të degëzohen.

Fakti është që të gjithë ne, pa marrë parasysh shtresën sociale dhe asocimin me elitat politike, kishim dhe ende kemi frikë nga dhuna në BeH, që disi gjithmonë e kemi në majë të gishtave.

Megjithatë, gjithçka dukej e pamjaftueshme. Një ditë isha në një ndejë fantastike underground LGBTQI në Prijedor, një qytet që ende ballafaqohet me vështirësitë e të kaluarës së luftës, dhe e takova Boba Dekić, e cila më tha: “Danijela, gjenerata jonë ka dështuar krejtësisht. Kjo do të arrihet prej të rinjve”. 

Kolegët e mi të punës anembanë Bosnjes e Hercegovinës dhe të rajonit nuk deshën të dilnin, e as politikanët – njerëzit më me famë në rajonin tonë, që nuk deshën të shkonin as në ndejën underground LGBTQI. Një jetë paralele në platformat online për takime romantike si Romeo, Tinder etj. po zhvilloheshin pa shumë zhurmë, dhe dukej se do të vazhdonte kështu.

Edhe pasi hyri në politikë kryeministrja serbe Ana Brnabiç, e cila e ka pranuar publikisht që është lezbike – të cilën komunistët dhe feministët e panë si prezantuese të masave shtrënguese – nuk ndodhi diçka e ngjashme në BeH.

Marshi do të shkojë nëpër rrugën Marshal Tito, bulevardi kryesor në Sarajevë. Foto nga Komiteti Organizativ i Marshit të parë të Krenarisë në BeH.

Fakti është që të gjithë ne, pa marrë parasysh shtresën sociale e asocimin me elitat politike, kishim dhe ende kemi frikë nga dhuna në BeH, që disi gjithmonë e kemi në majë të gishtave.

E kishim Festivalin e parë Queer në BiH në 2008 dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmave Queer Merlinka në 2014 për të na kujtuar dhunën dhe kundërshtimin e ashpër nga komunitetet fetare të këtij vendi. Edhe sot jam duke e shtjelluar në krye pyetjen se a do të ketë vullnet dhe aftësi policia për t’i mbrojtur miqtë e mi në Sarajevë më 8 shtator të këtij viti.

Hyrja në politikë

Me paralajmërimin e Marshit të parë të Krenarisë në Bosnje & Hercegovinë nën moton “Po dalim jashtë”, gjërat u ngatërruan edhe më shumë.

Ngazëllimi i pasluftës u zëvendësua me përditshmëri të varfëruara, me hendek gjithnjë më të madh ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, konservatorëve dhe progresistëve, grave dhe burrave, njerëzve religjiozë dhe laikë, ndërsa sektorit të profesionalizuar LGBTQI jo vetëm që nuk i bëhej vonë më për kamionistin gej që e përmendëm në fillim të artikullit, por u ça përbrenda vetes në bazë të klasëve sociale dhe interesave, duke u justifikuar nëpërmjet zgjedhjeve personale politike. 

Disa statistika të ngulitura thonë se segmenti i njerëzve LGBTQI gjithmonë përfaqëson 10-15% të popullsisë në një shoqëri. Në BiH specifikisht, nuk ka hulumtime për këtë fushë. Në kohët socialiste, homoseksualiteti dënohej, pastaj pranohej nën doktrinën “mos pyet, mos trego”, siç diskutohet në hulumtimet e historianit Franko Dota – me sa duket me anë të “përqendrimit të OJQ-ve” u rrit një qark elitar i të rinjve të pasur që presin të marrin rrogë për aktivizmin e tyre.

Unë e shoh marshin e Krenarisë si pjesë të një rrjeti të solidaritetit të këtyre betejave.

Një mik i imi, aktivist i shquar gej, më tha rishtazi se po mendon për kë do të marshojë më 8 shtator. Sepse, është e diskutueshme nëse grupi LGBTQI do të qëndrojë përkrah boshnjakëve, serbëve a kroatëve të spastruar etnikisht. Apo me David Dragičević apo Muriz Memić, të rinjtë që u vranë, e vrasësit e tyre s’u kapën kurrë; apo me punëtorët e DITA të cilëve u është marrë e drejta për të votuar, me Gratë e Kruščicës që po e mbrojnë lumin, dhe nëse do ta kundërshtojnë instalimin e kafazëve për njerëz, e të dalin në solidaritet me njerëzit në lëvizje, që duan ta kalojnë BeH për të arritur në Bashkimin Evropian.

Unë e shoh marshin e Krenarisë si pjesë të një rrjeti të solidaritetit të këtyre betejave, dhe besoj që nuk duhet ta mbyllim njërin sy kundrejt problemeve të tjera të pranishme në spektrin e majtë dhe të brishtë të BeH.

Mbetet të shihet se si bëhet kjo dhe nëpërmjet çfarë vazhdimësie. Marshi i parë i Krenarisë duhet të mirëmbahet, dhe nuk duhet të ketë diskutim për këtë.

Pritje të mëdha, pak solidaritet – A do të dalim jashtë?

Kur isha 20 vjeçare – në fillim të shekullit 21 – po e zbuloja feminizmin dhe lëvizjen LGBTQI, që për mua ishte një luftë unike, një front kundër mashtrimeve kolektive, kundër heshtjes në ballafaqim me padrejtësinë, kundër mizorisë së jetës së përditshme. Një kritikë e qartë dhe e padyshimtë ndaj marrëveshjes së patriarkalitetit mbi gjininë dhe seksualitetin, të luftës dhe dhunës si teknika shtypëse menaxhimi, me njohuri për liminalitetin e pozitave specifike mbi gjininë, sistemin dhe stetin.

“Lufta jonë” është një nga slloganet e Marshit të Krenarisë. Foto nga Komiteti Organizativ i Marshit të parë të Krenarisë në BeH.

Prandaj njohuritë janë të rëndësishme, për të zbuluar se çfarë lloj ankthi i shtyn njerëzit të përfshihen në prostitucion, se si viktimat gra dhe burra të përdhunimit ballafaqohen me traumat e tyre, që ta mendojmë surrogacinë si çështje shumë komplekse politike, jo vetëm sa i përket çfarë legalizon aranzhimi i saj, por edhe se çfarë ndodh me një mitër “të marrë me qira” dhe çfarë ndodh me gratë që e shohin këtë si mënyrë të vetme për të bërë fëmijë e që mund ta përballojnë financiarisht këtë proces.

Sivjet, e lartpërmendura Ana Brnabić u bë nënë në Serbi, ku as martesa gej, as fekondimi artificial i partnerëve të të njejtit seks, e as surrogacia, nuk janë të lejuara; kjo është e mundshme vetëm për ata që përfitojnë nga privilegji i klasës së mesme, dhe për shkak se janë anëtarë të elitës politike.

A jemi bërë ujq të së majtës që jetojmë në shtetet periferike të Evropës juglindore që janë në shkatërrim e sipër?

Nëse të gjitha marrëdhëniet janë të lidhura me fuqi ose pafuqi, a nuk e bën kjo të vështirë ndërtimin e solidaritetit?

Debatet e sotme më shtyjnë ta pyes veten a ka vend për feministë dhe komunistë në aktivizmin LGBTQI të ditëve të sotme. Pse disa feministë nuk i njohin personat trans dhe pse disa persona trans janë të verbër ndaj luftës feministe, duke e shpërfillur atë si jorelevante për ta? Çfarë lloj krizash janë këto? Ku dhe si shpërndahet pushteti në qarqet majtiste?

A është e mundshme që kapitalizmi dhe logjika e privatizimit na kanë shkyer jo vetëm kujtesën për pronësinë në socializëm (që mund të mos ketë qenë e përkryer, por në krahasim me atë që kemi sot, përbën një hap para për civilizimin), por edhe e kanë eliminuar mundësinë për të menduar ndryshe?

A jemi bërë ujq të të majtës që jetojnë në shtetet periferike të Evropës juglindore që janë në shkatërrim e sipër?

Na mbetet neve të vendosim për cilat politika do të avokojmë dhe si do ta bëjmë këtë, kush do t’i përfaqësojë “politikat tona”, çfarë lloj rrjetesh të solidaritetit do të krijohen dhe si. A do të vazhdojmë të përdorim solidaritete të vjetra dhe të ndërtojmë të reja – ndoshta edhe aty ku nuk kishte më parë. Sepse, është gjë e vështirë për t’u bërë.

Përndryshe, mund “të dalim jashtë” të gjithë – jo vetëm për Krenarinë, por edhe “të dalim” nga shtetet në të cilat jetojmë. Shumëkush tashmë e ka bërë këtë.

Foto kryesore nga Komiteti Organizativ i Marshit të parë të Krenarisë në BiH

KOMENTO