Shoqëria kosovare shpeshherë shihet si ambient i ashpër për personat LGBTI. Në vitin 2015, Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) zhvilloi një sondazh të opinionit publik nëpërmjet të cilit i eksploruan qëndrimet ndaj çështjeve LGBTI në gjashtë shtete: Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë. Kur i prezantuan të dhënat e tyre, NDI-ja erdhi në përfundim se pjesa më e madhe e personave të anketuar nga popullsia e përgjithshme “nuk besojnë se personat LGBTI duhet të kenë mundësi të jetojnë haptas në bazë të të drejtave të barabarta”.
Disa prej të dhënave nga Kosova ishin veçanërisht të dallueshme. Nga popullsia e përgjithshme, prej së cilës u anketuan 1,221 njerëz, vetëm tre për qind të të anketuarve deklaruan se do ta mbështesnin plotësisht fëmijën e tyre po të zbulonin se ai apo ajo është homoseksual/e. Ndërsa 15 për qind – vlera më e lartë kur krahasohet me shtetet tjera – deklaruan se do ta detyronin atë person të largohej nga shtëpia e familjes, ndërsa gjashtë për qind thanë se do ta dënonin fizikisht.
Kur u anketuan personat LGBTI si pjesë e të njëjtit sondazh, në Kosovë ata raportuan se pjesa më e madhe e abuzimit psikologjik dhe verbal, si dhe dhunës fizike, u krye nga ‘miqtë’ e tyre – fenomen unik që nuk u paraqit në shtetet tjera.
Ndonëse në nivel shoqëror, qëndrimet negative dhe paragjykimet ndaj komunitetit LGBT ende janë të përhapura, ndryshimet po ndodhin në nivel individual, sado të vogla që mund të duken ndonjëherë.
Njerëzit shpeshherë kanë krijuar pikëpamjet e tyre pasi janë njohur me personat LGBT, u janë ekspozuar informatave të reja dhe kanë diskutuar me njerëz të cilët avokojnë për të drejtat e këtij komuniteti. Për të ndihmuar me kuptimin e mëtejmë të këti procesi, K2.0 foli me pesë gra e burra të rinj, për të kuptuar se si hoqën dorë ata nga paragjykimet e tyre.
Blerta 25-vjeçare
Unë jam rritur në një zonë kur askush nuk ka folur për çështjet e komunitetit LGBT. Bile e mbaj mend kur në ndonjë skenë filmi kemi parë dy djem ose dy qika duke u puthur në televizion, gati sa s’e kemi thy TV-në. Secili tuj nga e me e ndrru programin, se na u ka dokë shumë e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme. Familja jem ka qenë edhe mjaft fetare, dhe kemi pasë mendime nga ma të këqijat që munden me të ardhë në mend. “Kqyri këto flliqtësina qysh janë tuj e shkatërru një shoqni”, ka qenë njani prej komenteve që e kam bërë, por që tash po më vjen marre me e përmend.
Derisa një ditë ma pranoi se atij i pëlqejnë djemtë. Pak edhe isha e shokuar, dhe me erdhi shumë papritur.
Blerta, 25
Vite pas vite, duke u zhvillu teknologjia dhe ne si shoqëri, dhe duke na ardhë informacionet përmes të gjitha aneve, ja nisa me u adaptu me këtë temë, por prapë s’i pranoja dhe nuk kisha mendime të mira. Por kthesa ndodhi kur njëri prej shokëve të mi më të mirë, për të cilin s’e kam ditur më ka pranuar se është gej. Ne të dy jemi shumë të lidhur dhe s’mund ta imagjinoj jetën pa të. Gjithë kohën e ngucsha pse ai nuk po bën femër, pse s’ka lidhje. Ose nganjëherë edhe ka pas naj lidhje, po gjithë i mbajke si të fshehura dhe s’e kuptojsha. Shpesh ju kom idhnu se mi mshefke do sene. Derisa një ditë ma pranoi se atij i pëlqejnë djemtë.
Pak edhe isha e shokuar, dhe me erdhi shumë papritur. Pastaj duke folur me të, e duke ndarë eksperienca, nisa edhe me kuptu që gjithkush është njëjtë, pa marrë parasysh orientimin seksual. Për mua ai është njëjtë, si gej, sikur të ishte strejt, si transseksual…njejtë. Thjeshtë është njeri.
Artani, 30-vjeçar
“Të rritesh në një qytet të vogël në Kosovë, fatkeqësisht shpeshherë nënkupton të jetosh në pozitë ‘periferike’ jo vetëm në aspekt gjeografik, por edhe në atë të aktiviteteve kulturore, edukative. Unë jam rritur në një prej këtyre qyteteve ‘periferike’, fakt ky që na ka lënë të paekspozuar ndaj diversitetit, shoqërorizimit e temave tabu. E vetmja kohë kur flisnim për homoseksualitetin me shokë ishte koha kur donim ta përbuznim dikë.
Ardhja në Prishtinë – në një qytet që për dallim prej timit nuk ishte ‘periferik’ gjeografikisht apo periferik në aspekt të aktiviteteve – ishte lëvizja e parë që më distancoi nga paragjykimet e mia.
E vetmja kohë kur flisnim për homoseksualitetin me shokë ishte koha kur donim ta përbuznim dikë.
Artan, 30
Këtu fillova studimet dhe punën, me ç’rast gjeta një bashkëbanues. Nuk na u desh shumë kohë që të bëheshim shokë shumë të mirë, e të ndiheshim rehat të diskutonim gjithçka, edhe për homoseksualitetin.
Pa menduar shumë, i tregova se sa shumë i urreja homoseksualët dhe ai nuk pati ndonjë reagim të dukshëm, përveç se me qetësi më tha se çdokush mund të ishte homoseksual, edhe ndonjë nga shokët e mi më të mirë. Nuk e kuptoja këtë logjikë.
Më pas, pasi që kisha vërejtur diçka ndryshe te ai – po flas për shumë vite më pas – shoku me të cilin kisha ndarë një pjesë të madhe të jetës vendosi të ndajë një të vërtetë me mua. Ai më tha: ‘Unë i pëlqej djemtë dhe jo vajzat’. Ai ishte shoku im më i mirë, ishte si vëllai im. E përqafova dhe i thashë që kjo që ai po e përjeton është shumë normale. Ai, normalisht ishte befasuar me sjelljen time, krejtësisht të ndryshme nga ajo e para, kur kishim përmendur homoseksualitetin.”
Besarti, 24-vjeçar
“Nuk më ka rënë të shoh shumë njerëz që kanë qenë pjesë e komunitetit, përveç një shoqeje e cila pas një kohë më ka thënë se është biseksuale. Deri në atë kohë, s’është se i kam dhënë shumë rëndësi.
Unë tash merrem dhe insistoj që asgjë s’na dallon e as na veçon.
Besart, 24
Edhe pse nuk kam qenë në rregull me personat e këtij komuniteti, mirëpo kur shoqja jem më tregoi për orientimin e saj, unë e pranova shumë lehtë. Pastaj fillova të njoh dhe persona tjerë nga ky komunitet. Dhe fillova me e kuptu por edhe me lobu tek shokët e mi, se bota ka probleme shumë më të mëdha me i kundërshtu se dy djem që puthen, apo dy vajza. Unë tash merrem dhe insistoj që asgjë s’na dallon e as na veçon. Kam shumë reagime të këqija nga shokët dhe më thonë edhe mu gej, veç pse unë provoj të mbroj një të drejtë të njeriut.”
Tringa, 32-vjeçare
“Deri diku nga fillimi i shkollës të mesme jemi edukuar se homoseksualiteti është sëmundje, dhe se siç e ka krijuar natyra femrën dhe mashkullin, jam edukuar se kjo është normal dhe çkado jashtë kësaj është sëmundje. Nuk e di edhe nëse atëherë kisha mujt me e quajt homofobi, për shkak se nuk është folë në atë kohë në përgjithësi për homoseksualitet, janë përdorë terme, zhargone ofenduese më shumë.
Më kujtohet kur Freddie Mercury pati vdekur dhe flitej për të, se si ai e kishte pasur virusin HIV, dhe si fëmijë i dëgjoja të mëdhenjtë si flisnin disi me neveri për këtë fakt. Më shumë flitej se tek ‘këta njerëz’ virusi HIV ishte më i përhapur.
Kemi pasë qasje në internet, pra përnjëherë ishim një hap përpara prindërve dhe mësimdhënësve tanë.
Tringa, 32
Në përgjithësi ka pasë shumë stigmë, dhe unë si fëmijë i kam marrë këto fjalë si shumë të vërteta. Mirëpo me vonë u edukova më shumë dhe fatmirësisht ne si gjeneratë në përgjithësi kemi pasë qasje në internet, pra përnjëherë ishim një hap përpara prindërve dhe mësimdhënësve tanë. Unë fillova ta edukoj veten.
Pastaj edhe në shkollë të mesme fillova të kem edhe miq që ishin homoseksual/e. Dhe kështu ngadalë kam filluar pastaj edhe të debatoj me tjerët në lidhje me homoseksualitetin, t’i sfidoj mendimet e mia e njëkohësisht edhe ato të tjerëve.
Tash jam përkrahës i të drejtave të njeriut pa dallim orientimi seksual dhe mendoj se e kam për detyrë të ndikoj sa më shumë në ndryshim të këtij mendimi të gabuar që dikur e kam besuar e që ka qenë kryekëput i krijuar nga keqedukimi dhe keqinformimi. Dhe mendoj se të gjithë ne e kemi këtë detyrë, t’i sfidojmë dhe t’i ndërrojmë idetë e paraformuara mbi lirinë e të qenët njeri.”
Armendi, 26-vjeçar
“Na e kena pasë një fore me shokë, kur jemi përshëndet edhe nëse ndonjëri prej djemve u kon ma i afërt edhe ka dashtë me të përqafu, na i kemi thonë çka ki që po sjellesh si ‘peder’. E kemi pas një djalë në shkollë që ka pas sjellje pak ma femërore edhe na e kemi thirr ato ‘peder’. Gjithë e kemi shajt edhe kurrë s’ka nejt me neve. S’di tash as qysh me shpjegu pse jom kon [qashtu]. Madje as shprehjet lesbike, homoseksual apo transeskual s’i kemi dit. Mendja jem kurrë s’ka mendu që një djalë apo një vajzë mundet me e pëlqy dikë të gjinisë së njejtë.
S’po di valla tash qysh me i shpjegu arsyet se pse m’kanë bo me qenë kështu. Në familje kurrë s’është fol për këtë temë. As në shkollë kur kemi mësu, apo me e pas ndonjë lëndë të caktuar. S’e di. Nuk mund të them tash se ka ndiku feja, apo religjioni se edhe me fe s’jam marrë. Por besoj krejt se mosinformimi për këtë temë, që edhe tashmë konsiderohet tabu, na ka lënë në njëfarë forme hendikep në këtë çështje.
S’di tash as qysh me shpjegu pse jom kon [qashtu]. Madje as shprehjet lesbike, homoseksual apo transeskual s’i kemi dit.
Armend, 26
Kam qenë në shkollë të mesme në vitin e dytë, apo të tretë s’po e mbaj mend kur kanë ardhë një grup i të rinjve nga një organizatë prej Prishtinës me na fol për personat LGBT. Me të thënë të drejtën, unë me shokët e mi planifikofshim me ik prej asaj ligjerate, por në fund ndejtëm dhe i dëgjuam. Pjesë e tyne ish kon edhe një djalë gej. Na krejt e thirrshim që “ky pederi” ka ardhë këtu. E mbaj mend që secili gjatë asaj ligjerate ka kesh edhe ka lujt q*ke me ata që kishin ardhë me na mbajt atë ligjeratë. Në një moment ata i bonëm me u ndi shumë keq.
Po ajo ligjëratë edhe rrëfimi i atij djalit gej më ka lënë me kuptu shumë sene, edhe prej atij momenti kom fillu me mendu ndryshe edhe mu ballafaqu me këtë çështje, e kom nis edhe me lexu për të. Kur dikush ka fol për këtë çështje, apo e kom lexu ndonjë lajm jam ndalë edhe i kom kushtu ma shumë vëmendje. Tash edhe njoh persona të këtij komuniteti, por as që mendoj me i trajtu ata ndryshe.”K
Foto kryesore: Atdhe Mulla
Kthehu prapa tek Monografia