Në thelb | Punë

Të jesh vet shef online

Nga - 21.06.2018

A është puna e pavarur në sektorin digjital përgjigja për krizën e papunësisë në Kosovë?

Çdo natë, kur klienti i Edonjeta Iberhysajt – pronar i një firmës së arkitekturës në Australi – bie në gjumë, ai e mbanë kompjuterin e tij të ndezur. Kjo i mundëson Edonjetës që të ketë qasje në kompjuterin e tij nga distanca, duke punuar drejtpërdrejtë me programet në kompjuterin e tij. Deri sa klienti i saj flenë, Edonjeta i performon detyrat që i caktohen. Ajo krijon imazhe 3D të planeve arkitekturale dhe i ka të gatshme rezultatet deri në kohën kur klienti i saj zgjohet për të ngrënë mëngjes.

Edonjeta e njeh shumë pak klientin e saj, por sitauta e saj po bëhet gjithnjë më e zakonshme në sektorin bashkëkohor të punësimit. Teknologjia i ka mundësuar Edonjetës, e cila së fundmi diplomoi në degën e arkitekturës dhe jeton në Prishtinë, të performojë punë për klientë që jetojnë shumë kilometra më larg.

“Puna online më ka ofruar një mundësi shumë të mirë për të gjetur alternativa tjera të punësimit, pa shkuar për të jetuar në ndonjë vend tjetër”, thotë Edonjeta.

Si arkitekte e diplomuar së fundmi, Edonjeta Iberhysaj i ka shfrytëzuar mundësitë që i ka në dispozicion nëpërmjet punës online. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Jashtë punës së pavarur, Edonjeta ka arritur të gjejë punë në teren, gjegjësisht në Deçan, si arkitekte. Shumë kosovarë të tjerë që janë në moshë të punës nuk e kanë këtë fat. Papunësia në mesin e të rinjve vazhdimisht sillet rreth 50 përqindëshit.

Për shkak se mungojnë mundësitë e punësimit në vendin tonë, gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë kontrata online. Arkitektët, dizajnerët, programerët dhe përkthyesit janë në mesin e atyre që inkuadrohen në tregje të reja.

Edhe Edonjeta është duke konsideruar të fillojë të punojë vetëm online. “Jam duke konsideruar të punoj në mënyrë të pavarur me orar të plotë, por më duken të rrezikshme situatat në të cilat nuk ke të hyra fikse”, thotë Edonjeta. “Vështirë është ta dish nëse do të funksionojë në fund të fundit”.

Akademiku David Harvey kishte thënë dikur se puna si faktor i prodhimit lidhet me hapësirën gjeografike për shkak se “fuqia punëtore duhet të shkojë në shtëpi çdo natë”. Kapitali mund të lëvizet me lehtësi relative, por punëtorët jetojnë në një hapësirë të caktuar fizike.

Sigurisht se kjo vlen për punëtorët edhe në kohët bashkëkohore, por me lidhshmëri gjithnjë më të madhe, punëdhënësit tani po kanë mundësi t’u ofrojnë punë edhe kur janë larg.

Në 1970-at, korporatat ishin nën presion financiar për shkak të krizave botërore dhe kështu kërkonin mënyra të reja për t’i ulur shpenzimet. Duke kaluar sektorin e prodhimit tek shtetet që kanë paga të ulëta, ata mund t’i reduktonin shpenzimet e rrogave duke ruajtur nivele të larta të prodhimit. Në këtë mënyrë, u themelua outsourcing (pranimi i mallrave apo shërbimeve nga një furnizues i jashtëm apo i huaj, zakonisht në vend të një burimi të brendshëm).

“Kur isha studente, gjithmonë preferoja të punoja gjatë natës, pra kjo liri ishte një tjetër përparësi."

Edonjeta Iberhysaj, arkitekte e pavarur

Outsourcing është praktikë e zakonshme në mesin e bizneseve. Kjo dëshmohet nga numri i madh i qendrave ndërkombëtare të thirrjeve (call centers) në Kosovë. Megjithatë, së fundmi është zhvilluar një formë e re e punës e cila i zëvendëson disa aspekte të saj. Në gig ekonomi, siç e kanë emëruar ekonomistët, punëtorët marrin përsipër projekte individuale të cilat reklamohen nga klientët në platforma të internetit, zakonisht pa kontratë të gjatë. Shpeshherë kjo punë kryhet nga distanca, nëpërmjet teknologjisë online.

Kjo i mundëson punëdhënësve të adaptohen në mënyrë dinamike ndaj cikleve biznesore pa bllokuar kapital në kosto të fiksuara të punës. Për punëtorët individual kjo paraqet një mundësi për t’iu qasur një tregut të punës, i cili në kushte të tjera do të kërkonte që ata të migronin. Gjithashtu u jep liri të shtuar për ta caktuar vet orarin e punës.

Të dy këto aspekte i pëlqyen Edonjetës kur ajo e nisi punën online më herët gjatë vitit.

“E kisha një mik i cili gjithmonë ma sugjeronte punën online, për shkak se ka më shumë punë në këtë sektor”, thotë Edonjeta. “Kur isha studente, gjithmonë preferoja të punoja gjatë natës, pra kjo liri ishte një tjetër përparësi”.

Aftësi të reja për një epokë të re

Në nivel kombëtar, puna online gjithashtu premton shpërblime të mëdha. E përballur me shumë probleme si rrjedhojë e nivelit të lartë të papunësisë dhe migrimit, Kosova moti ka kërkuar zgjidhje për t’i mundësuar qytetarët të gjejnë punë pa u larguar nga vendi.

Prandaj, kjo është arsyeja pse autoritetet dhe agjencitë zhvillimore janë duke bërë përpjekje të qëllimshme për ta shtuar nivelin e pjesëmarrjes së kosovarëve në gig platforma. Në programin e Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, Ekonomia Digjitale e Kosovës (KODE), përmendet veçanërisht puna e pavarur online si burim i mundshëm i të hyrave për qytetarët e papunë dhe të nënpunësuar.

Këtë fokus e kishte edhe një projekt testues i quajtur Women in Online Work (WOW – Gratë në Punë Online) i lansuar në vitin 2016 nga korporata zhvillimore Helvetas Swiss Intercooperation dhe OJQ- lokale MDA, si pjesë e një projekti më të gjërë për ngritjen e nivelit të punësimit në mesin e të rinjve. Në këtë projekt testues, rreth 60 gra nga Lipjani dhe Gjakova u ftuan në trajnime në fusha si kodimi dhe dizajni grafik. Synimi ishte të gjejnë punë në platforma online. Ky projekt gjithashtu kishte për qëllim pajisjen e pjesëmarrësve me veglat e nevojshme për të konkurruar në tregun botëror të punës.

“Gjetëm se shumë prej këtyre grave u mungonin veçanërisht soft skills ( kombinim i aftësive sociale, të komunikimit, tipareve të karakterit dhe atributeve të karrierës) dhe shumë prej tyre as që ishin në dijeni për ekzistencën e këtyre platformave”, thotë Lea Shllaku, menaxhere e lartë e ndërhyrjeve në projektin Enhancing Youth Employment (EYE -Rritja e  Punësimit për të Rinj) brenda së cilit zbatohet WOW.

“Trajnimet u mësojnë atyre hard skills (aftësia për gjuhë të huaj, fitimi i një diplome, operimi i një makine, aftësia për të përdorur programet softuerike) si dhe mënyrën e aplikimit në platforma dhe në treg”.

Prej themelimit të tij, ky projekt është përsëritur edhe tri herë të tjera. Në të janë përfshirë edhe gra prej pjesëve të tjera të vendit.

Tim Sparkman, drejtor i projektit EYE, thotë që ndonëse tregu i punës digjitale është ende në fillet e tij, mundësitë për ta shtuar nivelin e pjesëmarrjes në tregun e punës duhet të shfrytëzohen, veçanërisht për shkak të faktit se disa pjesë të popullsisë janë të përjashtuara gjerësisht nga tregu i punës.

“80% të grave në Kosovë nuk janë duke marrë pjesë fare në tregun e punës”, thotë Sparkman. “Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e punës që i kryejnë janë punë të shtëpisë, pa pagesë. Për to, puna online mund të jetë e dobishme si punë me orar të shkurtuar”.

"Babai im e kishte një punë gjatë gjithë jetës, por kjo gjeneratë do të ketë nevojë për llojshmëri të aftësive gjatë karierave të tyre”.

Tim Sparkman, Enhancing Youth Employment

Aktualisht, performuesit më të mirë mund t’i gëzojnë shpërblimet që vijnë si rrjedhojë e mundësive të reja të punës. Qendrim Husaj, 3D dizajner i bazuar në Pejë, punonte si furrtar me rrogë mujore 200-250 euro. Ai thotë se tani aq para i fiton brenda dy ditëve.

“Si punëtor i pavarur, kam krijuar lidhje me njerëz rreth botës dhe kam shumë përvojë të mirë me të gjithë”, thotë Husaj. “Mendoj se ‘gig ekonomia’ është një mënyrë e mirë dhe e qëndrueshme për t’i gjetur punë njerëzve”.

Përderisa puna online ofron burime të mirëpritura të punës së kualifikuar për punëtorë të pavarur dhe me aftësi të nivelit të lartë, performuesit më të mirë nuk e përfaqësojnë domosdoshmërit fuqinë punëtore në përgjithësi. Sipas Sparkman, idea kyçe është ofrimi i mundësive për t’u zhvilluar në një treg bashkëkohor të punës.

“Puna po ndryshon”, thotë ai. “Babai im e kishte një punë gjatë gjithë jetës, por kjo gjeneratë do të ketë nevojë për shumëllojshmëri të aftësive gjatë karrierave të tyre”.

Sa e qëndrueshme?

Sipas ithtarëve të saj, gig ekonomia online i redukton për punëtorët pengesat e hyrjes në tregun e punës. Projektet si Women in Online Work i targetojnë në mënyrë specifike gratë të cilat janë të papuna apo të nënpunësuara; mendohet se punëdhënësit mund të mos jenë të gatshëm të ofrojnë kontrata me orar të plotë njerëzve që u mungon përvoja, por puna e pavarur u jep mundësi për ta provuar veten. Ky mund të jetë një hap veçanërisht i vështirë për t’u marrë në një shoqëri me nepotizëm të përhapur. Kjo e bënë më të vështirë ta fillosh karierën pa lidhje shoqërore apo familjare.

Por përderisa platformat e punës së pavarur e promovojnë meritokracinë si parim udhëzues, nuk është lehtë të ngjitesh në shkallët e suksesit. Një arsye për këtë është se algoritmet e platformave i rendisin punëtorët më të vlerësuar në majë të listave, duke shkaktuar një rritje eksponenciale në oferta të punës. Në disa raste, punët merren nga performuesit më të mirë vetëm për t’u nënkontraktuar tek ndonjë punëtor tjetër i pavarur.

Megjithatë, për pjesën më të madhe të punëtorëve digjital, pengesa më e madhe për hyrje në treg është konkurrenca intensive që zhvillohet në tregun botëror të punës. Në Kosovë ka më shumë punëtorë që janë të gatshëm për të punuar, sesa që ka kontrata në dispozicion. Në nivel ndërkombëtar, kjo situatë amplifikohet, duke i ulur rrogat e punëtorëve që konkurrojnë me njëri tjetrin për të fituar projekte.

Pastaj është edhe çështja e të drejtave të punëtorëve. Në vitin 2015, platforma e punës së pavarur Fiverr e publikoi një reklamë polemizuese, në të cilën u përfshi teksti në vijim: “Ti han kafe për drekë. Ti e kryen punën deri në fund. Pagjumësia është droga jote e preferuar. Ti mund të jesh njeri i punëve”.

Mesazhi ishte i qartë: puna të bënë të suksesshëm në gig ekonominë. Gjumi dhe ushqimi – jo edhe aq.

Bardha Ahmeti nga OJQ-ja e teknologjisë digjitale Lens, paralajmëron që puna e pavarur online të mos shihet si përgjigje e qëndrueshme për krizën e kahmotshme të papunësisë në Kosovë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ndërkombëtarisht, sindikatat e punëtorëve dhe aktivistët e të drejtave të punëtorëve gjatë viteve kanë luftuar për të themeluar përfitime si pagesat për punëtorë që janë të sëmurë, siguria në punë dhe paga minimale, por tregu online, i cili po zhvillohet gjithnjë më shumë, është ende kryesisht i paprekur nga rregullat. Për shkak të këtyre problemeve, aktivistët e shoqërisë civile kanë bërë thirrje për kujdes sa i përket punës online.

Bardha Ahmeti, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive në Lens, një OJQ që fokusohet në përdorimin e teknologjisë, thekson se puna online nuk duhet të shihet si zëvendësim i qëndrueshëm i punësimit tradicional.

“Shumë punë online janë tërheqëse për të rinjtë për shkak se u lejojnë atyre më shumë liri dhe mundësi për të fituar para, por për ata të cilët punojnë në gig ekonomi nuk ka përfitime apo sigurim social”, thotë ajo.

Ekziston gjithashtu shqetësimi se jeta e izoluar profesionale e punëtorëve online, e bënë të vështirë reagimin kolektiv ndaj kushteve të vështira. Për shkak se këta punëtorë nuk e ndajnë një vend gjeografik, ka mungesë të vendtakimeve të natyrshme për organizim. Deri më tani nuk është themeluar asnjë sindikatë specifike për punëtorët digjitalë.

Aktualisht, integrimi i tregut digjital të punës në ekonominë tradicionale ka qenë i kufizuar, për shkak se ky treg rri pezull mbi ekonominë. Për shembull, taksat rrallëherë paguhen në Kosovë për punë online. Megjithatë, jo të gjitha të hyrat shkojnë në xhepat e punëtorëve.

“Nëse je një 19 vjeçar që punon online, pagimin e taksave nuk e ke prioritet. Por tarifat që i paguhen kompanive private jashtë vendit nuk i ndihmojnë zhvillimit të vendit.”

Bardha Ahmeti, Lens

Platformat ua marrin një pjesë për shërbimet e tyre. Një prej platformave më të njohura, Upwork, kërkon 20 përqind për çfarëdo pune të kryer nga klientët deri në 500 dollarë. Për punë që kushtojnë më shumë se kjo shumë, platforma i merr 10 përqind, por natyra e gig ekonomisë e bënë të vështirë sigurimin e pagesave të mëdha për shkak se klientët i mbajnë zgjedhjet e hapura, duke i ndërruar punëtorët e pavarur sipas dëshirës.

Përderisa Upwork fiton para nga një fluks i vazhdueshëm i transaksioneve, kjo uebfaqe është e vendosur për t’i mbajtur punëtorët. Cilido punëtor i pavarur që e kontakton ndonjë klient nëpërmjet shërbimit të tyre, lidhet me uebfaqen për dy vite dhe çfarëdo shkëmbimi i punës jashtë Upwork mund të dënohet. Nëse një punëdhënës dëshiron të punojë drejtpërdrejtë me një punëtor – pra, t’i ofrojë punësim të drejtpërdrejtë – ekziston alternativa për ta prishur marrëveshjen me uebaqen, në këmbim për 25 përqind të rrogave që i merr punëtori për një vit.

Përderisa tarifat e Upwork ndikojnë tek të hyrat e disponueshme të punëtorëve ngjashëm sikur taksat, sigurisht se ato nuk do të hynë në kuletën publike. Sipas Bardha Ahmetit, kjo është një prej arsyeve pse puna online duhet të formalizohet për ta bërë atë pjesë të ekonomisë kombëtare.

“Nëse je një 19 vjeçar që punon online, pagimin e taksave nuk e ke prioritet”, thotë ajo. “Por tarifat që i paguhen kompanive private jashtë vendit nuk i ndihmojnë zhvillimit të shtetit”.

“Të jep stres, sepse nuk e din sa para je duke fituar”.

Arbenita Zabeli, arkitekte e pavarur

Disa punëtorë të pavarur që folën me K2.0 i përmendën si aspekte negative të gig platformave situatën e pasigurt të punës dhe tarifat. Shumë orë pune të papaguara, shkojnë vazhdimisht në gjetjen e kontratave të reja me kostot e transaksioneve, siç është vlera e kohës së kaluar në kërkim të kontratave, kryesisht duke rënë mbi supet e punëtorëve.

“Të jep stres, sepse nuk e din sa para je duke i fituar”, thotë Arbenita Zabeli, një arkitekte e bazuar në Skenderaj. “Gjithashtu, siguria [në punë] është problematike, por kjo varet nga kontratat që janë në dispozicion”.

Tim Sparkman nga EYE pajtohet se tregu digjital i punës është përplot me rreziqe, për shkak se mungojnë përfitimet e sigurisë sociale për punëtorët dhe mundësitë për negociata kolektive. Por, ai beson se në fund të fundit puna online sjell më shumë të mira se të këqija.

“Unë e shoh varfërinë si kufizim të mundësive”, thotë ai. “Puna online mund të hapë më shumë mundësi për punëtorët kosovarë”.

Mbetet të shihet se deri në çfarë pike mund të përdoret puna digjitale si vegël për punësim në një shkallë më të gjërë. Inovacioni teknologjik në epokën e globalizimit është duke e shtyer para këtë trend, e rregullatorët po përballen me vështirësi për ta ndjekur trendin.

Ahmeti paralajmëron se kjo paraqet një rrezik për punëtorët e rinj. “E kuptoj ashpërsinë e nivelit të lartë të papunësisë [në mesin e të rinjve]”, thotë ajo. “Por qeveria duhet të bëjë përpjekje për të krijuar vende të punës për ta, e jo për ta promovuar gig ekonominë”.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Redaktuar nga Jack Butcher.

  • 16 Oct 2020 - 01:10 | Shasene:

    Pershendetje, qysh e vogel deshira ime e vetme ishte te jem e pavarur ! Dua pune online jam infermiere gjithashtu ne studime ne letersine angleze .

KOMENTO