Pikëpamje | Kulturë

Të lirë, përtej komunizmit dhe liberalizmit

Nga - 09.02.2022

Koncepti i lirisë në shoqërinë shqiptare duhet të zhvillohet përtej interpretimeve ideologjike.

“Të lirë: Të rritesh në fund të historisë” i Lea Ypit u prit me shumë debat në Shqipëri. Ky libër, i cili flet për natyrën e lirisë përmes përjetimeve të autores gjatë fundit të komunizmit dhe fillimit të liberalizmit në Shqipëri, shkaktoi reagime të forta për mënyrën se si e trajton përvojën shqiptare të komunizmit dhe për kritikën ndaj dështimeve të liberalizmit në Shqipëri. 

Botuar në shqip në nëntor të vitit 2021, libri shtron pyetje të rëndësishme rreth konceptit të lirisë në dy sisteme të ndryshme politike –– komunizëm dhe liberalizëm –– si dhe rreth identitetit dhe përgjegjësive morale të individit në shoqëri. Debati për këto çështje thelbësore u përpi prej vorbullës së traumës post-komuniste, një gjendje konflikti shoqëror që buron prej ndasive shoqërore të periudhës komuniste dhe që hera-herës thellohet dhe ashpërsohet kur këto ndasi instrumentalizohen nga partitë politike. 

Kjo gjendje bëri që diskutimi për librin dhe natyrën e lirisë të zhvillohej përbrenda kornizave të interpretimeve kategorike –– pozitive ose negative –– për ndikimin e komunizmit në shoqërinë shqiptare. Kjo qasje shpërfaq njëfarë refuzimi të shoqërisë shqiptare për të diskutuar të kaluarën e saj dhe për të kuptuar mënyrën se si periudha e komunizmit ende ndikon në marrëdhëniet shoqërore, politikën e vendit dhe mendimin bashkëkohor për lirinë. 

Kështu, debati që shkaktoi libri është mjaft i rëndësishëm për të kuptuar se si përvoja e komunizmit ende ndikon në mënyrën se si shoqëria shqiptare e kupton lirinë sot, 30 vjet pas rënies së regjimit komunist.   

Mes ujqërve të ‘Rilindjes’

Një pjesë e konsiderueshme e diskutimeve për librin dhe autoren filluan prej aktivitetit promovues, në nëntor 2021, në Tiranë, në vilën ku dikur jetonte Enver Hoxha. Këto diskutime u nxitën veçanërisht për shkak të pranisë së kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë socialiste të pagëzuar “Rilindja”. Prania e tyre hidhëroi jo vetëm kritikët e qeverisë, por edhe ata që mund ta kishin pëlqyer librin për shkak të stilit të rrëfimit dhe tematikës që trajton. Ata menduan se autorja, në vend që t’i kundërvihej korrupsionit artistik dhe shoqëror të qeverisë së Shqipërisë, u bë pjesë e tyre.

Ndonëse autorja e ka përmendur disa herë se nuk mendon që ideologjia e majtë gjendet te ndonjë parti politike në Shqipëri dhe se nuk ndihet e përfaqësuar nga ajo që quhet ‘e majtë’ në vend, këto deklarata nuk kanë mjaftuar për të shuar dyshimet e kritikëve të saj. 

Disa e lidhën praninë e qeveritarëve me tendencat e këtyre të fundit për ta instrumentalizuar politikisht artin duke qenë se kujtimi i shembjes arbitrare të Teatrit Kombëtar në Tiranë, në maj të vitit 2020, ishte ende i freskët. Gjatë debatit mbi shembjen e teatrit, qeveria mobilizoi një pjesë të artistëve të Teatrit Kombëtar në shërbim të saj. Vendimi për shembjen e teatrit u konsiderua i paligjshëm dhe u morr pa konsultim me artistët dhe publikun e gjerë. Përpjekja për të ndërtuar një teatër të ri tinëzisht kishte dëmtuar legjitimitetin e vendimmarrjes të qeverisë. ‘Rekrutimi’ i disa prej artistëve më të njohur të teatrit dhe filmit ishte thelbësore për qeverinë në mënyrë që të rikthente legjitimitetin e humbur në sytë e shumë qytetarëve, që ishin organizuar për më shumë se dy vite për ta penguar shembjen e teatrit. 

Ndërtimi i një Teatri të ri Kombëtar –– nën pretekstin se i vjetri nuk përmbushte nevojat për jetën artistike të vendit –– nuk mund të shihet i kufizuar vetëm në një këndvështrim artistik. Ai është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të qeverisë për të rikrijuar hapësirat urbane të vendit e për të lënë kështu trashëgiminë e saj. Nëpërmjet kësaj përpjekjeje, pjesë e së cilës është edhe instrumentalizimi politik i artit, qeveria synon të formësojë identitetin e saj modern e liberal dhe ta vendosë në kontrast me atë dogmatik, të izoluar dhe anakronik të pararendëses së saj gjatë komunizmit, Partisë së Punës së Shqipërisë.  

Ky kontrast është thelbi i narrativës modernizuese të ‘Rilindjes’. Kjo narrativë shitet sidomos për audiencën jashtë Shqipërisë, që duket e magjepsur me kryeministrin artist dhe simbolet urbanistike të përparimit të Shqipërisë –– kullat e ndërtuara nga arkitektë e studio arkitekture evropiane – që në fakt janë simbol i krimit, korrupsionit dhe pabarazisë

Pavarësisht kësaj simbolike, prania e protagonistëve të Partisë Socialiste bëri që autorja të shihej si politikisht e anshme.

Në këtë kontekst, promovimi i librit u pa nga një pjesë e kritikëve si përpjekje e qeverisë për ta përforcuar të njëjtën propagandë –– përkatësisht, për të treguar se sa larg është Shqipëria e sotme prej izolimit të llojit të Koresë së Veriut dhe kaosit të viteve ’90 kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Pra, për ta shtyrë përpara narrativën se Shqipëria, nën udhëheqjen e Edi Ramës, jo vetëm që ka arritur stabilitet politik, por ka çliruar të gjitha energjitë e saj krijuese dhe modernizuese. 

Kjo largësi u transmetua simbolikisht edhe përmes vetë vendit ku u promovua libri. Ja ku ishte, pra, shtëpia e ish-diktatorit, përgjegjësit kryesor për shtypjen e shqiptarëve, e cila tani u kthye në një strofull të fjalës dhe kritikës së lirë. Pavarësisht kësaj simbolike, prania e protagonistëve të Partisë Socialiste bëri që autorja të shihej si politikisht e anshme. Ky perceptim ndikoi dukshëm në mënyrën se si u interpretua vepra dhe shënjoi kornizat e debatit rreth saj. 

Komunizmi i vërtetë

Debati mbi mënyrën se si vepra e trajton natyrën e komunizmit u nda në dy qëndrime krejt të kundërta me njëra-tjetrën, të cilat përqafojnë dy narrativa po aq të kundërta për komunizmin dhe lirinë.

Për një pjesë, libri rehabilitonte komunizmin duke e humanizuar nëpërmjet kujtimeve nostalgjike të fëmijërisë së një vogëlusheje që fshehin egërsinë e regjimit. Mospajtime pati edhe për kritikën që autorja i bën liberalizmit për mospërmbushjen e idealeve të lirisë së premtuar. 

Për pjesën tjetër –– ata që e vlerësuan pozitivisht –– libri trajtonte në mënyrë të sinqertë  komunizmin në Shqipëri, e cila sipas kësaj kritike të historianit Artan Puto “rëndom tregohet në mënyrë të rreme”. Sipas këtij këndvështrimi, për dallim nga veprat e autorëve të tjerë që e trajtojnë komunizmin duke parë vetëm anët e tij të errëta, ky libër tregonte që njerëzit përpiqeshin të jetonin jetë të lumtura brenda kufizimeve që u imponoheshin nga regjimi.  

Për kritikët e librit, komunizmi shihet nën optikën e të persekutuarve dhe të burgosurve të regjimit, duke krijuar kështu një narrativë përjashtuese ndaj çdo lloj kritike ndaj sistemit komunist që nuk godet ashpërsisht natyrën shtypëse të regjimit dhe të Enver Hoxhës. Për shkak se libri nuk ndjek këtë qasje, ai konsiderohet se nuk e paraqet regjimin ashtu siç ishte, por me gabime. Këto gabime, sipas kësaj kritike të shkrimtarit Ardian Vehbiu, i japin lexuesit, sidomos shqiptarëve që nuk e kanë përjetuar komunizmin e Enver Hoxhës dhe lexuesit jo-shqiptar, përshtypjen e gabuar për atë periudhë.

Problemi me këto dy narrativa nuk qëndron te mënyra se si shihet komunizmi në Shqipëri, por te prirja për të predikuar natyrën ‘e vërtetë’ të tij.

Ndërkohë, prej atyre që e vlerësojnë stilin dhe trajtimin që autorja i bën komunizmit, përjetimet e jetës nën regjimin komunist dhe ngjarjet e librit interpretohen në raport me frikën e individit ndaj regjimit. Për shembull, kur një familje e deklasuar, pra me biografi familjare të dyshimtë në sytë e regjimit dhe një familje komuniste formojnë miqësi, kjo shihet si shprehje e mposhtjes së frikës për të ruajtur solidaritetin njerëzor. Ndërsa, kur një pjesëtar i një familjeje të deklasuar rekrutohet nga regjimi për t’i spiunuar pjesëtarët e tjerë të familjes, kjo shihet si shprehje e mposhtjes së njeriut nga frika prej regjimit. 

Në thelb, problemi me këto dy narrativa nuk qëndron te mënyra se si shihet komunizmi në Shqipëri, por te prirja për të predikuar natyrën ‘e vërtetë’ të tij. Ky predikim është i ashpër dhe jo tolerant ndaj interpretimeve të tjera pasi ka një funksion qartësisht politik. 

Narrativa e komunizmit si një sistem dhunues dhe shtypës u jep legjitimitetin dhe të drejtën morale të shtypurve të regjimit për të marrë pushtetin pas shembjes së komunizmit nëpërmjet përfaqësuesve të tyre politik. 

Narrativa që e sheh frikën si shkaktare të gjëmës së komunizmit përpiqet ta relativizojë përgjegjësinë e funksionarëve të regjimit, duke u dhënë atyre një mundësi për të rehabilituar veten dhe për të pasur legjitimitet moral e politik për të kërkuar të udhëheqin vendin sërish. Për ta fituar këtë legjitimitet, atyre u lypet të dënojnë komunizmin duke mos mbajtur përgjegjësi personale, por duke ua hedhur përgjegjësinë rrethanave fatkeqe jashtë kontrollit të tyre. 

Kufizimet e vendosura nga këto narrativa e vështirësojnë ndryshimin e debatit mbi përvojën komuniste të Shqipërisë, përgjegjësitë shoqërore për krijimin e sistemit dhe dështimet post-komuniste në përmbushjen e idealeve të lirisë. 

 

Liria bardh e zi

Autorja në libër kritikon dështimet e liberalizimit në vend. Këtë e bën duke përmendur rrënimin e ekonomisë pas falimentimit të firmave piramidale, emigracionin masiv dhe shpërbërjen e shtetit dhe shoqërisë në luftën civile të vitit 1997.

Duke vendosur në dukje këto dështime, ajo përshkruan zhgënjimet prej një sistemi që premtonte ta çlironte individin nga shtypja e komunizmit vetëm për ta vendosur pastaj në një gjendje pasigurie fizike dhe ekonomike. Mirëpo, sipas mbështetësve të liberalizmit, kjo kritikë është e pavend, pasi dështimet e këtij sistemi nuk mund të krahasohen me shtypjen e individit dhe egërsinë e regjimit komunist.  

Komunizmi dhe liberalizmi shihen si dy sisteme me qasje krejt të kundërta ndaj lirisë: i pari si sistem që e shtyp individin duke ia mohuar lirinë e të menduarit dhe të të shprehurit, kurse i dyti si sistem që i jep individit mundësi për të qenë i lirë, ndonëse bart natyrshëm pasiguritë e një sistemi të lirë. Çështje të tilla komplekse trajtohen në mënyrë sipërfaqësore, duke i ndarë sistemet në ‘jo të lirë’ ose ‘të lirë’, pa diskutuar rolin e individëve në formësimin e këtyre sistemeve.

Kësisoj, shqyrtimi i rolit të individit në formësimin e vlerave shoqërore në këto dy sisteme cilësohet si një ushtrim i kotë: Për ç’liri individuale mund të flitet gjatë komunizmit, kur individi ishte krejtësisht i pafuqishëm nën trysninë e shtetit dhe të ideologjisë marksiste-leniniste? E si mund të flitet për përgjegjësi individuale në formësimin e vlerave shoqërore në liberalizëm, i cili ka në qendër të tij përmbushjen e interesit të ngushtë individual në vend të nënshtrimit të tij ndaj normave shoqërore? 

Megjithatë, këto pretendime mbështeten në supozime kontradiktore mbi lirinë e individit. Në komunizëm individi supozohet pa kurrfarë aftësie dhe lirie veprimi për të kontrolluar jetën e tij. Ai është në mëshirën e fatit të rrethanave ku ndodhet edhe pse faktorët që kanë krijuar këto rrethana janë disi të paqarta. Nga ana tjetër, në liberalizëm, individi supozohet me aftësi dhe liri veprimi për të përcaktuar fatin e tij edhe pse në këtë rast nuk thuhet qartazi se si është formuar ky sistem që i ka mundësuar të tillë liri veprimi. Pra, pyetja themelore që shtrohet për të zgjidhur këtë kontradiktë është: Cili është roli i individit në përcaktimin e sistemeve shoqërore e politike dhe të lirisë përbrenda tyre? 

Nëse pranojmë që sistemet shoqërore krijohen pavarësisht vullnetit të individit, atëherë duhet të pranojmë që pavarësisht sistemit – komunist apo liberal – individi nuk është i lirë pasi nuk ka mundësi të ndikojë në shoqëri. Rrjedhimisht, ata që kanë kryer krime gjatë komunizmit mund të shfajësohen duke pretenduar se kanë ndjekur urdhërat eprore, siç bënë zyrtarët nazistë për krimet e tyre. “Të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” është një tjetër tezë që u përdor qysh në fillim të viteve ’90 në Shqipëri për ta zhveshur individin nga përgjegjësia e mbajtjes në këmbë të sistemit shtypës.

Nga ana tjetër, nëse pranojmë se individët kanë një rol thelbësor në krijimin e sistemeve shoqërore dhe përcaktimin e shkallës së lirisë brenda tyre, atëherë duhet të pranojmë se ata duhet të mbajnë përgjegjësi për sistemet që krijojnë dhe ushqejnë qoftë duke marrë pjesë në mënyrë aktive, qoftë duke mos u rezistuar kur janë të padrejta dhe cënojnë lirinë e të menduarit dhe të vepruarit. 

Zgjedhjet e individit nuk mund të shkëputen prej pasojave të tyre.

Ndryshe, do të ishte e pamundur të konceptohej një individ i lirë, por që nuk mban përgjegjësi për veprimet që kryen apo nuk kryen. Në këto rrethana do të flisnim për një individ që nuk ka aftësi për të bërë gjykime morale, pra të përcaktojë se ç’është e mirë apo e keqe, e dëshirueshme apo e padëshirueshme në bazë të një sistemi vlerash morale personale ose shoqërore. Për aq kohë sa pranojmë se individët kanë aftësi për gjykime morale, duhet të pranojmë që individi është i lirë të zgjedhë. Dhe zgjedhjet e individit nuk mund të shkëputen prej pasojave të tyre.

Mungesa e një debati thelbësor mbi lirinë shpreh në fakt mungesën e një këndvështrimi të qartë mbi rolin dhe aftësinë e individit për të formësuar sisteme shoqërore e politike. Shoqëria shqiptare e ka më të lehtë ta justifikojë mbajtjen gjallë të regjimit komunist duke pretenduar se frika që ngjallte regjimi dhe shtypja e lirisë individuale e bënin përballjen me të të pamundur, në vend që të pranojë se pavarësisht këtyre faktorëve janë individët dhe shoqëria që përcaktojnë atë që është e pranueshme dhe e papranueshme.  

Duke qenë se këtë përgjegjësi nuk ia kemi pranuar vetes, relativizojmë përgjegjësinë për rrënimin e shtetit dhe shkatërrimin e marrëdhënieve shoqërore në fillim të viteve ’90 duke i konsideruar ato si jo aq të rënda sa shtypja e lirisë individuale nga regjimi komunist. 

Aftësia e individit për të zgjedhur duhet të vendoset në qendër të diskutimit për kuptimin e lirisë. Dhe liria duhet të diskutohet përtej kornizave ideologjike të komunizmit dhe liberalizmit. Kjo do të na ndihmonte të tejkalojmë dhimbjen e së shkuarës dhe të ndërtojmë një të tashme më të lirë. Duke ndrydhur diskutimin mbi zgjedhjet dhe përgjegjësitë që ato bartin, po ndrydhim lirinë.