Në thelb | Ekonomia

Të papunë gjatë pandemisë

Nga - 15.06.2020

Papunësia në rritje e sipër dhe agjencia që merret me të.

Në njërën nga rrugicat afër Bulevardit Bill Klinton në Prishtinë është ndërtesa e një agjencie jo fort të njohur, por me rëndësi që gjatë pandemisë është bërë një ndër institucionet më të kërkuara.

Muhamet Klinaku e thotë me shaka se agjencia publike ku ai punon nuk ka pasur kaq shumë publicitet më parë dhe se asgjë nuk kishte bërë punë më të mirë për ta shndërruar atë në lajm siç ka bërë koronavirusi gjatë javëve të fundit. 

Drejtori i degës së Tregut të Punës në Agjencinë e Punësimit të Kosovës rrëfen se çfarë nënkupton me këtë. Ai thotë që promovimi është i rëndësishëm për agjencinë sepse ekziston nevoja e zgjerimit të shtrirjes së institucionit. Pak njerëz e dinë çka ofron agjencia dhe si është e menduar t’u shërbejë atyre. 

“Nuk do të kishim pasur kaq shumë promovim edhe duke dhënë shumë para”, thotë Klinaku.

Efekti dërrmues që pandemia ka pasur në tregun e punës është çfarë i ka sjellë Agjencisë së Punësimit promovimin e duhur.

Për dy muaj e gjysmë, numri i njerëzve të regjistruar si të papunë është rritur në 170,000. Deri më 13 mars, Agjencia kishte 90,000 njerëz të regjistruar si punëkërkues, numër i cili ka qenë i qëndrueshëm prej fillimit të funksionimit të pavarur të agjencisë në vitin 2017, sipas Klinakut. Shifrat e Agjencisë së Punësimit shkojnë deri në fund të muajit maj.

Gjatë katër muajve të parë të vitit 2020, mbi 37,000 të papunë u regjistruan për beneficione.

Turma njerëzish, zakonisht duke i shkelur masat për distancim social, u mblodhën para zyrës rajonale të Agjencisë për t’u regjistruar formalisht si të papunë në mënyrë që të marrin mbështetje financiare nga pakoja emergjente fiskale e qeverisë.

Pakoja emergjente fiskale, e aprovuar nga qeveria e kaluar më 30 mars, përmbante 15 masa të hartuara për t’i ndihmuar me 179.6 milionë euro punëtorët individualë, bizneset dhe organizatat publike të përballen me vështirësitë e shkaktuara nga pandemia.

Masa 3, me një buxhet prej 61 milionë eurosh, përcaktonte mbështetje financiare për kompanitë duke subvencionuar pagat mujore me një shumë prej 170 eurosh për dy muaj. Ajo po ashtu subvenciononte 50% të qirasë për ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Masat 7 dhe 8 të planit kishin për qëllim ndihmën për punëtorët e furrave, të shitoreve dhe të barnatoreve me një subvencion prej 100 eurosh për person për dy muaj. Një pagesë prej 130 eurosh për një periudhë prej tre muajsh për qytetarët që kanë humbur vendin e punës ishte përfshirë gjithashtu.

Sipas raportit të fundit “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në tregun e punës” nga Instituti GAP, numri i punëkërkuesve është rritur 40 herë në prill për të arritur shifrën 31,550.

Madje edhe në një vend që normalisht ka shkallë të lartë të papunsisë, pandemia ka shkaktuar krizë.

Gjatë katër muajve të parë të vitit 2020, mbi 37,000 të papunë u regjistruan për beneficione. Ky numër mund të rritet më tej në muajt e radhës nëse qeveria e re nuk ndërton plan të ri ekonomik së shpejti.

Gati gjysma prej tyre (16,820) janë gra.

“Marrë parasysh shkallën shumë të lartë të joaktivitetit ekonomik të grave dhe barrierave të tjera në punësim, shkalla e papunësisë në mesin e grave mund të rritet edhe më shumë”, thotë raporti.

Shumica e të papunave që janë regjistruar në Agjencinë e Punësimit gjatë kësaj periudhe thuhet se mund të punojnë në profesione elementare, përfshirë bujqësinë, gastronominë, transportin dhe zejet.

“Punëkërkueset kryesisht zgjedhnin profesione elementare (10,757) dhe në lidhje me shërbime dhe shitje (1,889), ndërsa më së paku kishte punëkërkuese për forca të armatosura (7) dhe operatore në fabrika (39)”, tregon raporti.

Shumica dërrmuese ose 60% e punëkërkuesve janë të pashkolluar, ndërsa 29% kanë kryer shkollën fillore dhe të mesme profesionale. Rreth 7% janë me gjimnaz, ndërsa 4% me arsim të lartë.

Shumica e punëkërkuesve me arsim të lartë, domethënë ata me diploma baçelor ose master, janë gra; ndërkaq shumica e punëkërkuesve të pashkolluar janë burra, sipas raportit të Institutit GAP.

Të dhënat e GAP-it shkojnë deri në fund të muajit prill.

Por kjo është situatë e pazakontë për Agjencinë. Madje edhe në një vend që normalisht ka shkallë të lartë të papunsisë, pandemia ka shkaktuar krizë. Agjencia e Punësimit kishte telashe për vendosjen e punëkërkuesve në kohë normale, se si do të përballet me nevojën e shtuar mbetet të shihet.

Çfarë bën Agjencia

Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) u themelua në janar të vitit 2014 dhe përgjegjësitë kryesore të saj janë zbatimi i politikave të tregut të punës të përpiluara nga Ministria e Punës ose institucionet e tjera relevante; ndërlidhja e të papunëve me bizneset; trajnimet profesionale dhe monitorimi e ofrimi i mbështetjes në mënyra të tjera për punëkërkuesit dhe profesionistët e tjerë që janë të gatshëm të angazhohen në tregun e punës.

Zakonisht, rreth 30,000 njerëz i shtohen fuqisë punëtore çdo vit, thotë Klinaku. Më se 13,000 të papunë regjistrohen në APRK dhe zhbalancimi mes këtyre numrave është ku qëndron problemi. Do të duhen shumë vite reformash dhe zhvillimi ekonomik për ta zbutur situatën, diçka për të cilën Kosova ëshë e mangët.

Agjencia është ndërmjetëse mes të papunëve dhe bizneseve që kërkojnë fuqi punëtore me kualifikime të caktuara, kryesisht për punë që kërkojnë trajnim profesional në gastronomi dhe në biznese të ndërtimtarisë. Agjencia po ashtu ofron trajnim profesional për 35 profesione të ndryshme —  ndër të tjera për saldim dhe për gatim — në shtatë qendra të ndryshme trajnimi gjithandej vendit.

Sistemi i arsimit nuk i përgatit njerëzit për kërkesat e tregut të punës.

Sidoqoftë, disa probleme të caktuara kanë penguar funksionimin e efektshëm të Agjencisë, përtej mungesës së reformave dhe të zhvillimit ekonomik pa të cilat institucioni nuk mund të funksionojë si duhet.

Financimi i pamjaftueshëm nga qeveria ka kufizuar mundësinë e Agjencisë për të pasur më shumë ndikim te të papunët, meqë merr vetëm 6 milionë euro në vit.

Përveç shpenzimeve për operim, Klinaku thotë se shuma është e mjaftueshme vetëm për t’i mbështetur 3,500 persona brenda kornizës së masave aktive që Agjencia ka të drejtë t’i përdor për të siguruar që punëkërkuesit ta kenë mbështetjen e nevojshme.

“Në korrelacion me PBB-në [prodhimi i brendshëm bruto], kontributet e ndara për Agjencinë janë vetëm 0.38% të buxhetit shtetëror”, thotë Klinaku.

Problem tjetër me të cilin përballet Agjencia është mospërputhja e trajnimit dhe shkollimit që kanë punëkërkuesit dhe kërkesat e bizneseve për pozita të hapura.

Lista e punëkërkuesve që janë të regjistruar në Agjenci mbizotërohet prej njerëzve që kanë edukim themelor pa trajnim të specializuar, gjë që e bën të vështirë përputhjen e tyre me një vend pune. Sistemi i arsimit nuk i përgatit njerëzit për kërkesat e tregut të punës.

Klinaku thotë se 40 deri në 50% të njerëzve që kanë përfunduar trajnimet profesionale që ofron Agjencia kanë përfituar nga to duke gjetur punë ose duke pasur oferta të tjera për të siguruar të ardhura të rregullta. Mbi 5,500 njerëz certifikohen për profesione të ndryshme çdo vit.

Si mund të ketë përmirësim

Mevlyde Hyseni ka punuar për OJQ-në gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung si menaxhere e programit në Prishtinë për nëntë vjet dhe ka punuar me programe të ndryshme të të rinjve, profesionale dhe të punësimit.

Ajo thotë se Agjencia e Punësimit dhe institucionet e tjera relevante lidhur me vendet e punës duhet të mësojnë nga praktikat gjermane, ku ekziston një sistem i dyfishtë i shkollimit — trajnimi profesional zgjat gjithmonë mbi dy vjet e gjysmë dhe shkon deri në pesë vjet në raste të caktuara.

Në Kosovë, trajnimi profesional me certifikim ofrohet për jo më shumë se gjashtë muaj.

“Shtyllat kryesore të suksesit ekonomik janë shkollimi akademik dhe ai profesional që i japin ekonomisë profesionistë akademikë dhe joakademikë”, thotë Hyseni.

Trajnimi i dyfishtë profesional në Gjermani është sistem ku kombinohen mësimet teorike në shkollë dhe praktika në kompani.

Gjysma e rinisë në Gjermani që kryejnë shkollimin tërësisht vazhojnë me edukim profesional në një prej 300 programeve të trajnimit që ofrohen në kornizën e sistemit të dyfishtë profesional.

“Ata që zgjedhin këtë shteg kanë një të ardhme të sigurt profesionale dhe financiare sepse marrin kualifikime të mira dhe tregu evropian ka nevojë për këta profesionistë”, thotë Hyseni.

Trajnimi i dyfishtë profesional në Gjermani është sistem ku kombinohen mësimet teorike në shkollë dhe praktika në kompani. Sistemi është atraktiv për rininë sepse paguhen me kontratë prej kompanisë ndërsa kryejnë mësimin teorik në shkollë.

Hyseni po ashtu pranon se gjendja e sistemit të edukimit është problemi kryesor prapa mungesës së efiçiencës të Agjencisë së Punësimit dhe të institucioneve të tjera relevante.

“Gjendja e sistemit të edukimit joakademik profesional është më e keqe sepse shkollat profesionale shpesh kanë mungesë të mësimeve praktike”, thotë ajo.

“Papunësia e rinisë është rreth 60% ndërsa ekzistojnë mijëra vende pune që u nevojiten punëtorë të kualifikuar”, vazhdon Hyseni.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Beogradit Mihail Arandarenko shpjegon se disa nga problemet e institucioneve përgjegjëse për zhvillimin e tregut të punës në Serbia, përfshirë Agjencinë e Punësimit, janë të ngjashme me ato të Kosovës.

“E di se në rajonin tonë ka shumë dyshime për dobinë e shërbimeve të punësimit, të cilat vijnë pjesërisht nga qasja e tyre shpeshherë burokratike ndaj funksionit të tyre kyç — për t’iu shërbyer nevojave të klientëve të tyre”, thotë ai.

Serbia ka ndërmarrë shumë reforma brenda Shërbimit Kombëtar të Punësimit gjatë 20 viteve të kaluara, në përpjekje për ta përmirësuar efiçiencën duke përfshirë orientimin e klientëve në procesin e ndërlidhjes së punëkërkuesve dhe punëdhënësve dhe për ta përmirësuar shtrirjen dhe efektshmërinë e programeve aktive të tregut të punës (PATP).

Megjithatë mbeten shumë probleme.

“PATP-të nuk janë të financuara sa duhet — ato janë vetëm rreth 0.1% e PBB-së. Disa prej tyre po ashtu nuk caktohen si duhet — duke i ndihmuar ata që i dalin mbanë në tregun e punës pa to, dhe duke mos i ndihmuar ata që kanë nevojë për to më së shumti”, thotë Arandarenko.

Agjencia e Punësimit do të përballet me një detyrë tepër të madhe me pak opsione, në një tunel pandemik që s’i shihet fundi.

Grupi më i cenueshëm që do të kishte nevojë për institucionet e punësimit janë njerëzit me aftësi të kufizuara, punëtorët e pakualifikuar, gratë, të rinjtë të sapodalë nga shkolla, pjesëtarët e minoriteteve etnike, e kështu me radhë.

Në përgjithësi, Arandarenko mendon se agjencitë e punësimit duhet të jenë pjesë e rëndësishme e infrastrukturës institucionale kudo, sidomos në një vend evropian të shekullit të 21-të.

“Këshilltarët e Agjencisë së Punësimit duhet të trajnohen në mënyrë që të jenë sikur mjekë të përgjithshëm për ‘shëndetin e tregut të punës’ të fuqisë punëtore”, thotë ai.

Qeveria e re e Kosovës nuk ka miratuar masa të reja ekonomike për t’i ndihmuar bizneset të rimëkëmben në vazhdën e hapjes së ekonomisë së Kosovës. Agjencia e Punësimit do të përballet me një detyrë tepër të madhe me pak opsione, në një tunel pandemik që s’i shihet fundi. Ndërkohë, numri i të papunëve vazhdon të rritet.K

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Shënim nga redaktorja: Shkrimi është ndryshuar për ta qartësuar dallimin mes të dhënave të Institutit GAP dhe ato të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.

 

 

 

 

Ky artikull është publikuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes
pikëpamjet e Bashkimit Evropian.