Në thelb | Politics

“Terroristët” shqiptarë në burgjet e Milošević

Nga - 06.06.2023

Politikanët serbë po flasin për akuza të vjetra për terrorizëm kundër Kurtit. Pse tani?

Kanali dikur i pavarur televiziv serb e sot zëdhënës i shquar që kontrollohet nga qeveria, “B92”, së fundmi transmetoi një video televizive me titull “E vërteta për përpjekjen për Kosovën”. Ndër tjera, përmbajtja vë në pah se ndërmjet viteve 2000 dhe 2012, zyrtarë të qeverisë serbe, të udhëhequr nga Vojislav Koštunica, i ofruan amnisti kryeministrit aktual të Kosovës Albin Kurti dhe 1,800 “kriminelëve shqiptarë” të tjerë.

Asaj çfarë episodi i referohej është fakti se para më shumë se 20 vitesh, pasi Serbia miratoi ligjet për amnisti, një numër i madh i të burgosurve u liruan, përfshirë këtu edhe shqiptarë nga Kosova, të cilët kryesisht ishin të burgosur politikë.

Mesazhi kyç supozohej të ishte se politikat e presidentit serb Aleksandar Vučić janë e kundërta e ish-qeverisë dhe opozitës aktuale, grupe, të cilat “B92” i portretizon si individë që nuk luftojnë për interesat e Serbisë prej kur Kosova shpalli pavarësinë, si dhe nuk kanë interes ta bëjnë këtë edhe sot. Me forcimin e ushtrisë, ndërtimin e autostradave dhe vendosmërinë e deklaruar për të mos e njohur kurrë Kosovën si shtet të pavarur, presidenti Vučić portretizohet si mbrojtës i interesave të Serbisë dhe serbëve.

Mesazhi i “B92” përputhet me një mesazh që është prezantuar shumë kohëve të fundit nga zyrtarët e qeverisë, përfshirë presidentin Vučić, kryeministren Ana Brnabić dhe ministrin e jashtëm Ivica Dačić.

“Me urdhër të kujt i liruat nga burgu terroristët shqiptarë? Kush ju detyroi ta bëni këtë? Me urdhër të kujt organizuat një pritje në tapetin e kuq për Javier Solana […] për të shkatërruar bashkimin shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi?” tha Vučić më 2 shkurt, duke iu drejtuar opozitës në Kuvendin e Serbisë. “Dhe pastaj ju sollët Pavarësinë e Kosovës”.

Që nga ky fjalim në Kuvend, narrativa për “terroristët” shqiptarë nuk është ndalur. Një deklaratë përfaqësuese është dhënë nga kryeministrja Ana Brnabić më 15 prill në një intervistë për të përditshmen “Blic”:

“Në një mënyrë apo tjetrën, të gjithë opozitarët e tanishëm kanë qenë pjesë e qeverisë deri në vitin 2012. Prandaj, të gjithë janë përfshirë në mënyrë aktive dhe të drejtpërdrejtë në përpjekjet në rritje për të hequr dorë nga Kosova dhe Metohija. Gjithçka filloi në vitin 2001, kur liruan çdo terrorist dhe kriminel shqiptar nga burgu sipas dëshirës së tyre dhe 2004, kur qëndruan duarkryq dhe panë në heshtje një pogrom të serbëve në Kosovë”.

Nebojša Bakarec, një deputet nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, u shpreh pothuajse ngjashëm në Kuvend në fund të majit.

Pasi deklaroi se Miloš Jovanović, kryetar i partisë opozitare, Partia e Re Demokratike e Serbisë, iku në Francë kur Serbia u “sulmua nga NATO kriminale për shkak të Kosovës dhe Metohija”, po ashtu përsëriti rreshtin tashmë të shpeshtë, se në vitin 2001 ish-autoritetet qeverisëse të Serbisë “liruan Kurtin dhe 1,800 terroristë”. Në një frymë të ngjashme, rrugët e Beogradit janë mbuluar prej muajsh me pankarta, që i referohen datës së lirimit të Kurtit në vitin 2003, duke e tallur “Frenchy Miloš” dhe duke u përpjekur t’i ndërlidhin partitë opozitare me Kurtin.

K2.0 analizon nga erdhi kjo narrativë fillimisht dhe pse po rihapet tani. Kush ishin këta “terroristë” për të cilët po flasin zyrtarët e qeverisë serbe dhe si përfunduan ata në burgjet serbe?

Arrestimet dhe kushtet në burgje

Të transferuar në Serbi pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës në vitin 1999, shumica e këtyre 1,874 të burgosurve shqiptarë u akuzuan për bashkëveprimin në kryerje të akteve armiqësore dhe terrorizmit. Mes tyre kishte edhe të mitur, ndërsa njëri nga të burgosurit më të moshuar, ka lindur në vitin 1925.

Prokuroritë jugosllave në Kosovë filluan të ngrenë akuza kundër këtyre personave në vitet 1996 dhe 1997. Për herë të parë të mbajtura në Kosovë, gjykimet përkatëse vazhduan në Serbi pas vitit 1999. Rreth kushteve të arrestimeve dhe trajtimit të shqiptarëve të Kosovës në burg është raportuar nga OJQ- nga Serbia, organizata ndërkombëtare dhe medie të pavarura vendore dhe ndërkombëtare. Fahri Musliu ishte njëri prej gazetarëve që i ka mbuluar këto çështje.

“Autoritetet serbe zyrtarisht i trajtuan si terroristë të kapur, edhe pse këta njerëz ishin të të gjitha moshave dhe gjinive, si dhe u kapën nga policia në rrugë, nëpër shtëpi, në dyqane dhe në punë, pa armë dhe pa uniforma”, shkruan Musliu në librin e tij, “Proceset e montuara kundër shqiptarëve në Kosovë (1999 – 2001)”.

“Fati i tyre ishte i tmerrshëm,” shkruan Musliu. “Ata nuk kishin as kontakt me familjet e tyre dhe as qasje në asistencë ligjore në Serbi përtej mbështetjes nga Fondi për të Drejtën Humanitare”.

Një raport i vitit 2000 i publikuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) trajtonte kushtet me të cilat përballeshin të burgosurit shqiptarë në burgjet serbe, duke theksuar se shumë prej tyre po përballeshin me “rrezik vdekjeprurës”.

“Raportet nga të burgosurit e liruar së fundmi dhe nga anëtarët e familjeve dëshmojnë qartazi se kushtet e të burgosurve në objektet serbe janë të tmerrshme, shëndeti i tyre është rënduar, ata në mënyrë rutinore përjetojnë keqtrajtim dhe torturë dhe gjyqet e tyre janë false”, konstaton raporti i ICG.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në Beograd analizoi 10,000 faqe të dokumentevegjyqësore lidhur me gjyqet kundër të burgosurve shqiptarë. Në një raport të vitit 2017 bazuar në analizë, FDH shkruan se gjyqtarët serbë, që dhanë dënime, shpesh shpërfillënfjalët e të pandehurve se ata po torturoheshin dhe se ishin detyruar të rrëfeheshin se kanë kryer krimet.

Pretendimet për torturë janë vërtetuar nga dëshmi të shumta. Rasti i Ekrem Jusufit është tregues për përvojat e shumë të tjerëve. Në një gjykatë në Niš, ai i tha gjykatësit se nuk i kujtohej nëse policia e ekzaminoi për test parafine, i cili nxjerr në pah mbetjet e grimcave të barautit tek të dyshuarit, pasi që e kishte humbur vetëdijen për shkak se policia e kishte rrahur brutalisht.

Sipas rrëfimeve, disa nga të burgosurit kanë vdekur si pasojë e rrahjes në burgjet jugosllave në Kosovë. Të tjerët janë mbajtur të uritur, pa mundësi për t’u pastruar dhe në qeli të vogla të mbipopulluara me të burgosur.

Rasti i Albin Kurtit

Në fund të vitit 2022, ministri i Jashtëm serb Ivica Dačić u shfaq në kanalin televiziv pro-qeveritar “Pink” ku deklaroi se Albin Kurti, i cili ishte në mesin e të burgosurve shqiptarë të transferuar në Serbi në vitin 1999, ishte “arrestuar për veprimtari separatiste dhe terroriste, si dhe për nxitjen e aktivitetit të tillë, ndonëse pretendon se ka qenë i burgosur politik”.

Deklarata e Dačić ishte në përputhje me vendimin e Gjykatës së Qarkut të Niš i 13 marsit 2000, kur Kurti, si 26-vjeçar, u dënua me 15 vjet burg për terrorizëm. Sipas një numri avokatësh, ky vendim ishte i pabazë.

Sipas gjykatësve të asaj kohe, Kurti ndihmoi në organizimin e protestave pro-pavarësisë në vitin 1997, para se t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitin 1998, ku punoi si ndihmës i Adem Demaçit, udhëheqës i krahut politik të UÇK.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në atë kohë, avokati Husni Bitiqi tha se vendimi i Gjykatës së Qarkut të Niš ishte plotësisht i pabazuar, si dhe argumenti i tij kryesor ishte se organizimi i një proteste pa aprovim është kundërvajtje dhe jo krim dhe dënohet vetëm me 60 ditë burgim.

Veç kësaj, veprimet e Kurtit, siç përshkruhen në aktgjykim, ngjajnë pak me aktivitetin terrorist. Aty shkruan se Kurti “organizoi trajnime për ndihmë të parë dhe dhurim të gjakut për pjesëtarët e UÇK dhe ndihmoi në organizimin e konferencave” për UÇK.

Shkalla e objektivitetit dhe e njëanshmërisë në vlerësimin e gjyqtarëve për fajësinë e të akuzuarve vërehet në gjuhën që ata kanë përdorur në vendime. Ndonëse dokumentet e gjykatës priren të mbizotërohen nga gjuha burokratike që ndërlidhet me faktet, në vendimin e Kurtit dhe në vendimet gjyqësore kundër të burgosurve të tjerë shqiptarë, UÇK-së shpesh i referohen si “bandë”.

Duke qenë se Kurti në mënyrë të përsëritur gjatë gjykimit të tij deklaroi se nuk deshi avokat pasi  nuk e njihte legjitimitetin e gjykatës, atij iu caktua një avokat nga gjykata, i cili u ankua për aktgjykimin shumë vonë, me apo pa qëllim. Me rrëzimin e ankesës, Kurti qëndroi në burg derisa u fal më shumë se dymbëdhjetë muaj më vonë.

Biljana Kovačević Vučo — atëherë kryetare e Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut YUCOM — gjithashtu tërhoqi vëmendjen te ajo se sa e pabazë ishte që Kurti të shpallej fajtor për terrorizëm. Në letrën e saj drejtuar ministrit jugosllav të drejtësisë Momčilo Grubač, Kovačević Vučo i bëri thirrje ta falte Kurtin për arsyen shumë të thjeshtë se akuzat e parashtruara në aktakuzën ndaj tij ishin plotësisht të pavërtetuara.

Kurti u amnistua nga Vojislav Koštunica në dhjetor të vitit 2001 pas avokimit nga OJQ, komuniteti ndërkombëtar dhe një numër i partive politike serbe.

Grupi i Gjakovës

Në prill të vitit 2000, përpara Gjykatës së Qarkut në Niš, dolën 145 shqiptarë nga Gjakova. Ata akuzoheshin për pjesëmarrje në “sulme terroriste” kundër policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave si pjesëtarë të UÇK dhe se punonin për t’u shkëputur nga Serbia. Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë lënduar një polic, kanë plagosur rëndë katër persona të tjerë dhe tre persona kanë mbetur  të vrarë nga sulmet.

Nuk ishte mbajtur asnjë gjyq i vetëm në Jugosllavi gjatë 50 viteve të fundit me kaq shumë të pandehur dhe nga shumë, ky u perceptua si një spektakël politik.

Kjo dukej se vërtetohej nga vendimi i paprecedent. Gjykata, e kryesuar nga Goran Petronijević, i cili më pas u bë avokat i njohur me vendbanim në Beograd, i dënoi të akuzuarit me gjithsej 1,632 vjet burg.

Mbrojtja — duke pohuar se prokuroria nuk dha asnjë provë të vlefshme që mbështeste pretendimet e tyre — u ankua për vendimin. Çështja shkoi në Gjykatën Supreme të Serbisë, ku edhe zëvendësprokurori i përgjithshëm sugjeroi që aktgjykimi të anulohej.

Gjykata Supreme rrëzoi vendimin e gjykatës më të ulët, duke theksuar mangësi të dukshme në procedurë. Një problem ishte se prokuroria nuk ofroi asnjë justifikim mbi pretendimin se 145 personat në gjyq ishin anëtarë të UÇK. Për më tepër, asnjë nga dëshmitarët nuk i ka ndërlidhur drejtpërdrejt asnjërin nga të akuzuarit me të shtënat që kanë ndodhur gjatë luftimeve në Gjakovë.

Siç duket, Gjykata Supreme e Serbisë bëri gjënë e duhur në këtë rast, por kjo s’duket se ka qenë praktikë e zakonshme. FDH thekson se kjo gjykatë la në fuqi dënime po aq të dyshimta, në rastet kur ekzistonin shumë kontradikta të ngjashme apo mungesë provash.

Teste parafine dhe dëshmitarë jo të besueshëm

Një numër i madh aktakuzash kundër të burgosurve shqiptarë bazoheshin në teste parafine, pavarësisht nga fakti që edhe ekspertët pohojnë se këto teste nuk mund të vlerësojnë besueshëm në janë përdorur a jo armët e zjarrit. Po ashtu, pasi u vërtetua se ishte i pasaktë, testi u refuzua gjerësisht si provë legjitime në mes të shekullit XX.

Aktakuzat kundër të burgosurve shqiptarë shpesh bazoheshin në rrëfimet ë ofruara tek zyrtarët policor ose te zyrtarët ekzaminues. Gjatë gjykimeve, të akuzuarit prireshin t’i tërhiqnin me vendosmëri rrëfimet e tyre. Gjykatat u kushtuan pak vëmendje deklaratave të tyre se ishin rrahur apo torturuar, si dhe kështu ishin detyruar t’i pranonin krimet.

Gjyqtarët gjithashtu shpesh gjykimet e tyre i bazonin në deklaratat që bënin dëshmitarët me besueshmëri të dyshimtë.

Një shembull i qartë i kësaj është rasti i Sokol Kabashaj, që u zhvillua në gjykatën e Požarevac. Kabashaj u shpall i pafajshëm për shkak të një alibie të fortë: një vulë në pasaportën e tij tregonte se ai ishte jashtë Jugosllavisë, në kohën kur ndodhi sulmi për të cilin akuzohej. E ndërsa Shukrija Gashi u dënua për terrorizëm në të njëjtin rast dhe u dënua me tetë vjet burg. Vendimi ndaj Gashit bazohej në të njëjtën dëshmi të mangët të dëshmitarit, i cili pretendonte se i kishte parë Kabashajn dhe Gashin së bashku në vendin e krimit.

Gjyqtarët, që dhanë dënime të pabaza, të cilat më vonë u përmbysën ose u hodhën poshtë bindshëm nga analizat përkatëse, vazhduan ta praktikojnë ligjin në institucionet gjyqësore anembanë Serbisë, duke përfshirë Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme të Kasacionit në Beograd.

Ringjallja e narrativës së “terroristëve shqiptarë” të amnistuar gabimisht përkon me marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe negociatave që kanë ngecur mes Vučić dhe Kurtit. Fuqitë qeveritare në Serbi po i kthehen me kënaqësi kësaj narrative, në përpjekje për ta diskredituar palën tjetër dhe, duke përdorur mediet pro-qeveritare, për t’i etiketuar shqiptarët e Kosovës si të prirur për terrorizëm.

Përsëritja e pretendimit se çdo shqiptar i burgosur nga Serbia është terrorist, është përpjekje për t’i fshirë faktet e vërtetuara 20 vjet më parë, si dhe shenjë e mbështetjes për gjyqet dhe gjyqtarët e padrejtë, që krijuan në radhë të parë këtë pretendim të pabazë gjatë epokës së Milošević.

Edhe pse politikanët serbë po u rikthehen këtyre gjyqeve me akuzat e tyre se shqiptarët janë infiltruar në terrorizëm, ata nuk duket se presin që dikush t’i hetojë me të vërtetë kushtet dhe faktet e këtyre gjyqeve. Sepse përgjigja në pyetjen se kush ishin të burgosurit shqiptarë të ndjekur penalisht nga Serbia dhe në çfarë kushtesh u mbajtën gjykimet ndaj tyre, është e ndryshme nga ajo çfarë sugjerojnë Vučić dhe Brnabić.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.