Për të tetin vit, në Prishtinë, më 8 qershor 2024, u organizua Parada e Krenarisë, paraprirë nga një javë e mbushur me aktivitete të larmishme artistike dhe kulturore, me aktivizëm e argëtim jokonvencional. Parada nxori në marshim publik qindra vetë, pjesëtarë/e të komuniteteve LGBTIQ+, aleatë/e dhe përfaqësues/e politikë/e. Në hap të mirëkoordinuar, në sheshin “Zahir Pajaziti”, këta të fundit nuk ngurruan të parakalonin në krye të turmës shumëngjyrëshe, duke mbajtur banderolën kryesore të paradës, ku shkruhej “Kemi qenë dhe do t’jemi”.
Ndërkohë, Qerkica, ikona e komunitetit transgjinor i printe marshit me vallëzim lozonjar përpara rreshtit të tyre duke i zënë gafil edhe me shikime të hutuara papritur. Këso çastesh do të bashkëshoqëronin hapin marshues deri në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, destinacionin përfundimtar ku u mbyll marshi, ikën politikanët dhe nisi festa.
Deri këtu duket një panoramë e gëzuar e kremtimit të ekzistencës dhe diversitetit njerëzor, në solidaritet, mirënjohje dhe bashkëjetesë të plotë. Por nëse e depërtojmë vëzhgimin pak më thellë e përtej vezullimit fotografik, pas këtyre pamjeve ndodhen historitë e vërteta të mbijetesës në kushte aspak të favorshme.
Me avancimin në hapa, politikanët/et nuk merrnin me vete vetëm peshën dhe ngjyrat e paradës, por shpatullave të tyre u mvisheshin edhe ato të flamurit palestinez dhe thirrjet për liri e ndalim të gjenocidit të qeverisë izraelite ndaj popullit të Palestinës.
Në thellësi të turmës fshihet edhe diskriminimi strukturor, qëndrestarë/et e vërtetë/a të komuniteteve të skajuara, që boshllëqet sistemike duhet t’i mbushin vetë pavarësisht kostove që sjell mbingarkesa e punëve, konsumimi mendor apo mungesa e njohjes institucionale. Sakaq, në këto tetë vite manifestimesh publike përmes paradave, sfida nuk ka qenë vetëm përballja e frymës kolektive të diskriminimit, por edhe metamorfoza edukuese nga poshtë-lart.
Derisa në 2024 dolën në rrugë politikanët/et, ka pasur përpjekje të vazhdueshme aktiviste me vite të tëra për ta bërë mbështetjen publike dhe politike. Deri pak vite më parë ende ka qenë në fokus hezitimi për të ndezur në ndërtesën qeveritare ngjyrat e flamurit LGBTIQ+ në solidaritet me përpjekjet komunitare. Andaj, përthyerjen konkrete të shkëlqimit të rreshtit të parë, lypset ta bëjmë aty ku bie hija e shtresëzohen problemet, në zemër të turmës e historive njerëzore që i kemi përditë mes nesh.
Matanë dritës
Nuk ishte vonuar në takim, ndonëse më tregoi se për të arritur në kohë i ishte dashur të nxitonte pasi kishte mbaruar babysitting për dikë të familjes. U ulëm në shtëpizën që ka hapur dyert që prej dy vjetësh për Prishtinën, në fluskën e sigurt për komunitetin queer — në Bubble. Me të, edhe e bisedat e ngarkuara, marrin një lehtësi gati të papeshë për tjetrin. Përshkuam së bashku një trajektore organike bisedën për vitin 2023, gjuhën dhe krimet e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+, pjesë të të cilave ngjarje e kishte gjetur veten edhe vetë, Lendi.
Si transburrë, Lendi Mustafa ka përjetuar dhunë episodike. Më tregoi për nëntorin e vitit 2023, kur, pas urrejtjes në rrjete sociale, iu kanosën dhe tentuan ta shtypnin me makinë në mes të ditës në Prishtinë. Mirëpo, kjo ngjarje, të cilën ai e raportoi në polici, nuk është e vetmja në mesin e raportimeve të bëra prej tij.
“Jo vetëm për vete, por edhe për pjesëtarë të tjerë të komunitetit shpesh kemi shku me dosje dhe fakte të mbledhura prej nesh, sepse disa herë pasi kemi denoncuar, nuk janë përcjellë rastet nga prokuroria për mungesë provash”, thotë ai.
Ngjashëm, edhe nga Centre for Equality and Liberty (CEL), organizatë që punon në fushën e të drejtave të komuniteteve LGBTIQ+, raportojnë se përgjatë vitit 2023 ka pasur dhjetëra raste të sjella në vëmendje të tyre për gjuhë urrejtjeje, shkelje të privatësisë, dhunë dhe diskriminim. Gjithashtu, pjesëtarë/e të komuniteteve atë vit kanë kërkuar asistencë nga CEL në ndjekje ligjore të shkeljeve të ngelura pezull në institucionet e sigurisë e drejtësisë, si dhe për rastet kur individëve LGBTIQ+ u është refuzuar ndryshimi i emrit dhe shenjuesit të gjinisë nga Agjencia për Regjistrim Civil.
Këto ngecje të sistemit të drejtësisë, që komunitetet LGBTIQ+ përjetojnë, ngjallin pasiguri dhe demotivojnë në tërësi frymën e raportimit të rasteve të dhunës, teksa theksojnë diskriminimin strukturor duke trashur vijat e bashkëfajësisë nga institucionet e drejtësisë. Sakaq, CEL është duke përgatitur një raport studimor, që do të nxjerrë në dritë specifikat e boshllëkut sistemik në trajtimin e rasteve të paraqitura nga individët LGBTIQ+.
Kështu, mes ngjarjeve traumatike, kërcënuese për jetën dhe mirëqenien mendore, qytetarëve/eve si Lendi u duhet të bëjnë edhe punë hetimore për të validuar përvojat, dhunën dhe krimet kundrejt tyre. Vetëm kështu, siç duket, raportimet e viktimave mund të fitojnë “rëndësi” aq sa për t’u ndjekur më tej institucionalisht.
“Në fillim m’u duk qesharake, duke dashur të besoj se kishte qenë një qen. Një qen më kishte pshurrur pragun e banesës. Apo jo? Derisa u kujtova se duhet të kesh çip për të hyrë në ndërtesn ku banojmë ne”, vijon Lendi tregimin e odiseve të përndjekjeve të urrejtjes.
Këtë herë ia dallova hidhësinë në buzëqeshjen që u përpoq të më jepte si për të treguar se e kishte tejkaluar përmasën e përjetimit pas këtyre poshtërimeve të përsëritura. Teksa valëviste dorën në ajër, gati për të përzënë tutje hijen e reve që kaplonte historikun e ngjarjeve që në kuptimin e plotë të fjalës, i kishin zënë pragun, jo vetëm kur doli hapur për identitetin e tij gjinor — ai shpjegon se shpalosja e këtyre akteve ka qenë e disafishtë dhe aspak sporadike. Që në ditët e para të vendosjes në banesën aktuale fqinjët, që ai i përshkruan si “një grup djelmoshash”, janë kujdesur të mos e lënë rehat as në shtëpinë e tij. I kanë bërë thirrje urrejtjeje nga ballkoni, i kanë lënë shenja në derë e së fundmi edhe kanë urinuar në prag të saj.
Si të mos ishte mjaftueshëm për Lendin dhe miqtë e tij queer, ata/o i ka bashkëshoqëruar manifestimi i urrejtjes edhe me themelimin e “Bubble Pub”, ku veçanërisht një banor i ndërtesës, vijon Lendi, është përpjekur disa herë t’u treguar pushtetin me veprime sabotuese të aktiviteteve të barit, ndaljen e ujit apo mbledhjen e “të fortëve të tjerë të lagjes” për ta frikësuar atë.
“Fatmirësisht, në fillesat e “Bubble” kur kemi pasë nevojë, disa herë njësia e policisë së Prishtinës ka ardhur brenda minutave dhe kjo ka qenë ndihmuese për t’i lodhë, se s’kanë çare pa na lanë rahat”, thotë ai. “Ne këtu kemi qenë e do vazhdojmë t’jemi. Por as që e kemi ndërmend të heshtim a durojmë. E kemi vërtetu që jemi më të fortë, se çkaje s’i kemi mbijetu. Parameno, me pasë ma shumë mbështetje e seriozitet nga instucionet që na detyrohen garantim e siguri për jetën”. Rrëfimtarinë e lidh natyrshëm me pyetjet për shtypjen strukturore, rolin e shtetit në panoramën e të drejtave të njeriut dhe imagjinimin e një vendi ku ai dhe të skajuarit e tjerë do të ndiheshin të mbrojtur.
Të drejtat e njeriut minus më të skajuarit
Derisa për njerëzit si Lendi, mbrojtja e mirëfilltë shtetërore ngelet ende vetëm dëshirë, kryetarja e komisionit legjislativ, përgjegjës për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, Duda Balje, ankohet dhe infantilizohet për të drejtën e saj për mendimin ndryshe teksa deklarohet kundër lejimit të martesave midis personave të të njëjtit seks përmes Kodit Civil. Ironikisht, ajo vetëdelegjitimon rolin e saj, duke i shërbyer shkeljes së të drejtave të njeriut.
Kritikave të mprehta të Blert Morinës, aktivistit, transburrë dhe drejtor i CEL, në një nga përballjet publike televizive, Balje u përgjigjet me nënçmim se komisioni që ajo përfaqëson është duke kryer punë shumë të madhe me gjëra të tjera. Teksa Balje kontradikton kryekëput të drejtat qytetare për trajtim dinjitoz dhe qasje të barabartë në jetën civile e ligjore si të tillë, ndërkohë, bashkë me rastet e mësipërme, të paktën tri raste (të ditura) nga pjesëtarë/e të komuniteteve LGBTIQ+ përgjatë vitit 2023, kanë kërkuar ndihmë përmes CEL në procesin e azilkërkimit dhe largimit nga vendi.
Çfarë tregon kjo për klimën e diversitetit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Kosovë?
Prej më shumë se dy vitesh qëkur Kodi Civil u dërgua në Parlamentin e Kosovës e s’u votua, duket se ende nuk ka ndonjë përparim në leximin e tij në parlament. Kjo zvarritje bashkëshoqërohet nga tonet dhe gjuha denigruese nga deputetë/et e mazhorancës dhe opozitës, mbushur me ngarkesa të ashpra kundrejt komuniteteve LGBTIQ+. Rojtarët e moralit shoqëror, në këtë rast të veshur me pushtet vendimmarrës dhe eksluzivisht heteronormativ, kundërshtojnë nenin 1138, që hap rrugë ligjore për lidhjen e bashkësisë civile midi personave të të njëjtit seks.
Polarizimi i diskutimit publik nga Parlamenti i Kosovës, nuk ndodh në vakuum, porse vonesa me projektligjin dëften për frymën konservatore që mbizotëron në instancën më të lartë të përfaqësimit popullor.
Filtrimi se kush gëzon apo pëson prej të drejtave apo mungesës së tyre për hir të “mendimit ndryshe” në një sistem demokratik nga shumica parlamentare, është kundërthënës. Sidomos sepse premton mirëmbajtjen e strukturave të vjetëruara patriarkale mbi organizimin e jetës politike a shoqërore, përmes policimit të ekzistencës dhe kufizimit të të drejtave themelore në kurriz të më të margjinalizuarve. Pra, status quo-ja ka nevojë për riprodhimin e këtyre artificave heteronormative në mënyrë që të mos lëkundë privilegjet e shumicës tradicionalisht të pushtetshme.
Historia vazhdon: Badihavgji, politikanë dhe homofobë
Në këto tetë vjet projeksionesh dritëhijesh — pak gjëra kanë ndryshuar përmbajtësisht.
Dritës së sjellë si qëndresë publike, artikulim dhe organizim solid komunitar, ende i mbivendosen hijet gravitacionale politike për ruajtjen e rendit arkaik. Prania dhe ecja në paradë e politikane/ëve e kthyer në “atraksion” për qytetarët dhe fotografitë e çastit, nuk do ta kursente zhvendosjen e vëmendjes dhe diskutimet polarizuese në botën virtuale, nga ushtria homofobe me ngjyra militanteske.
Diskursi, gjuha dhe praktikat e diskriminimit informojnë situatën me krimet e urrejtjes aty ku nismat legjislative, shteti dhe mediet, kontribuojnë duke e farkëtuar mjedisin me mungesën e mbështetjes publike dhe strukturore. Këto kushte e furnizojnë praninë e gjuhës, e cila kanalizon polemikat, ngarkesën dhe pastaj sulmet e drejtpërdrejta ndaj individëve e komuniteteve LGBTIQ+.
Ndonëse prezenca fizike e politikbërësve/eve është e rëndësishme për të dëshmuar mbështetjen në syrin publik, situata aktuale me të drejtat e njeriut në Kosovë shpalos edhe pjesëmarrjen e kastës, që ndonëse në pushtet, nuk ia del të mbledhë shumësinë e vullneteve të atyre që do të duhet të përbëjnë pjesën më emancipuar politike të vendit sa për të siguruar ndryshim përmbajtësor.
Pjesë e së njëjtës medalje është edhe pushteti i katërt: mediet tradicionale dhe ato sociale, që për hir të servirjes së spektaklit të lirë për masën duke përftuar reagime të shpejta, shkaktojnë në fakt dëme afatgjata. Nuk mjaftojnë lajmet e fotografitë nga parada, teksa pjesa tjetër e vitit përshkohet me diskurs të ngushtë e paragjykues, me keqpërdorimin e subjekteve të gjojasatirës (bullizmit), gjojaironisë (nxitjes së urrejtjes), gjojamendimit ndryshe (dhunës).
Vërshimi homofob i lumit të komenteve virtuale përgjatë javës së krenarisë, polarizimit mediatik dhe dështimit të mbështetjes institucionale, është bërë i udhës të materializohet dhunshëm edhe në aksione publike, siç ndodhi një vit më parë me “Anibar” në Pejë dhe “Dokufest” në Prizren, dy festivale u bënë pre e sulmeve të organizuara homofobe në qytetet e tyre.
Teksa këtë vit, vetëm një ditë para paradës, pagëzimi simbolik me emrin “Rruga ‘Sheshi i Krenarisë’” bashkë me ngjyrosjen me nuancat e ylberit të vijave të rrugës që kryqëzohet me fillimin e sheshit “Zahir Pajaziti” dhe segmentin që zgjatohet që aty — u shkatërrua. Shkarravinat me gjuhë urrejtjeje për të mos lënë asnjë gjurmë estetike të mesazhit për zotërim të hapësirës publike edhe nga qytetarët e komuniteteve LGBTIQ+ mund të vijnë si manifestim i gjithë plejadës homofobe të ushqyer në instancat publike.
Megjithatë mobilizimi i shpejtë i komunitetit queer duke derdhur sërish mbi rrugë dashurinë e tyre, solli dhe korrigjimin e hapësirës së vandalizuar, duke triumfuar mbi urrejtjen, për të shkelur sërish krenarë/e dhe kolektivisht mbi atë punë dashurie.
Aty ku ka rezistencë ndaj përparimit, i duhet bërë vend dyshimit dhe ndryshimit përmbajtësor, deri sa homofobia të mos informojë më performancën shtetërore dhe praktikat e instaluara të dhunës të zhduken. Deri sa të mësojmë më shumë prej solidaritetit ndëridentitar, praktikave të bashkëpunimit mes vete dhe kremtimit të diversitetit si vlerë dhe jo anomali. Atëherë mund të flasim për shoqëri më të shëndoshë dhe përmirësim të kushteve për ta gëzuar jetën në barazi, liri e lulëzim sipas potencialit, mundësive dhe meritave.
Ashtu siç pas shiut të marshit të krenarisë, doli ylberi dhe gëzuam së bashku për çfarë pasoi, njësoj mund të imagjinojmë edhe të ardhmen, ku ka vend për shkëlqimin e secilës nuancë në konstelacionin e plotë të ngjyrave në botë — për gjithkënd dhe bashkërisht.
Imazhi i ballinës: Armend Nimani / Prishtina Pride.
Ky artikull është prodhuar në bazë të monitorimit të medies, i kryer nga Rrjeti i Raportimit të Diversitetit, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.