Në mes të klimës së nxehtë politike të javës së kaluar, media më e njohur satirike online, Kuku news, publikoi një GIF të bazuar në Borëbardhën e animuar të Disney, nëpërmjet të cilës parodizoi shkëlqyeshëm zhvillimet aktuale në vend. Në skenën origjinale, Borëbardha mundohet me vështirësi t’i ikë pyllit të mallkuar dhe në çdo kthesë përballet me fantazma të frikshme. Në GIF-in e Kuku news, në çdo kthesë Borëbardha përballet me fytyrat e figurave udhëheqëse politike të Kosovës: prej Mustafës, Thaçit e Jahjagës, te Kurti, Ymeri, Haxhaj, Kadaj-Bujupi ose Limaj.
Për shumë njerëz, kjo solli një moment argëtimi të lehtë, deri sa tensionet në mes të anëtarëve të qeverisë dhe partive të opozitës intensifikoheshin në prag të votimit presidencial. Por gjithashtu kapi edhe një ndjenjë tjetër, pasi që Borëbardha, ose në këtë rast disa qytetarë, nuk po iknin domosdo vetëm nga frika. Ishte edhe një gjendje e hutisë, lodhjes së tepërt dhe frustrimit, që është mbledhur në drejtim të këtij koalicioni të imponuar, gjatë gjashtë muajve të fundit: ngërç politik, seanca pasuese të Kuvendit të ndërprera nga gazi lotsjellës i opozitës, veprime të diskutueshme të policisë, gjuhë seksiste dhe mizogjine nga kryeministri, mjedis medial për kryqëzimin, linçimin publik dhe dëmtimin e kujtdo, me çdo kusht, për t’iu nënshtruar ‘financuesve politik’ dhe agjendave, ose për ‘kënaqësinë’ e klikimeve.
E gjitha kulmoi të premtën, kur Hashim Thaçi, ish-kryeministër dhe së shpejti ish-lider i PDK-së, u votua nga 71 deputetë si personi i ardhshëm që duhet ta ‘merr pishtarin’ dhe ta përfaqësojë ‘unitetin e popullit’ për pesë vitet e ardhshme. Deri sa Ymeri i Vetëvendosjes aludoi gjatë fundjavës se emërimi i Thaçit mund të sfidohet në Gjykatë Kushtetuese, në bazë të vendimit të vitit 2011 për Behgjet Pacollin, polemika që e hijëzoi zgjedhjen e Thaçit po e tejkalon ligjshmërinë e mundshme të saj. Çështja në fjalë është se pozita e presidentit, pozitë që duhet të sjell konsensus dhe të ofrojë unitet në kohëra të ndarjes politike, që në start ka nxitur zemërim, madje tërbim dhe pakënaqësi, që vetëm sa i ka zgjeruar ndarjet ekzistuese.
Në një anë, shumë e shohin votimin e Thaçit si hap tjetër drejt fuqizimit të oligarkisë ekzistuese. Një sistem që jo vetëm se ka mbijetuar duke kapur gati çdo sferë politike, ekonomike, kulturore dhe sociale, por edhe një i mbushur me politikanë që e ushqejnë retorikën e tyre të rreme, dhe kështu i ‘infektojnë’ të gjithë ata që bëhen pjesë e lojës së tyre. Në rastin e parë, deklaratat si ato nga Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, që ua uroi zgjedhjen e Thaçit qytetarëve në Facebook duke thënë se është “fitorja jonë e përbashkët, fitore për demokracinë, dhe përkushtim i fuqishëm ndaj së ardhmës Euro-Atlantike të Republikës së Kosovës”, e konfirmojnë përsëri faktin se ata nuk shqetësohen me atë se çfarë lloj demokracie po ndërtohet. Në fakt, ajo e tyre është demokraci që është ‘e vetëlegjitimuar’ vetëm në bazë të numrave dhe tiranisë së mazhorancës; brenda kampit të PDK-së, deklaratat e tilla kryesisht burojnë prej qëndrimit të zakonshëm: “Ne vazhdojmë të jemi partia më e votuar” – Thaçi vazhdimisht është përmendur nga kolegët e partisë dhe mbështetësit e tij si “lideri më i votuar” përgjatë kandidaturës presidenciale të tij.
Por zgjedhja e Thaçit u shënua nga një seancë e vështirë gjashtë-orëshe, që u ndërpre nga gazi lotsjellës i opozitës, dhe erdhi pas një proteste tre-ditore të opozitës, me kamp protestues para ndërtesës së qeverisë. Ai shesh u pastrua nga policia, (me justifikimin se donin t’i shmangeshin përleshjeve në mes të ‘mbështetësve dhe kundërshtarëve’), pikërisht në momentin kur deputetët e PDK-së shpërthyen me duartrokitje brenda kuvendit, kur e kuptuan se emërimi i Thaçit ishte siguruar me leximin e fletvotimit të 60-të me emër të tij; pasi që kërkohej mazhorancë e thjeshtë me 61 vota në rundin e tretë dhe përfundimtar të votimit, ata e ditën se kishin fitore, dhe se idea e zgjedhjeve të hershme ishte shmangur – për tani. Ironikisht, grumbullimet e mbështetësve të PDK-së po bëheshin në po atë shesh, ku kampi i opozitës ishte organizuar më herët, deri sa fishekzjarret po e festonin votimin e Thaçit, duke mbushur qiellin; me gjasë ishin fishekzjarret e mbetura nga festa e tetë vjetorit të pavarësisë, që ishte e para që nuk u festua me qiell të shndritshëm.
Në një darkë private para disa muajve, në një bisedë me një zyrtar të ri të PDK-së, i dashuri im i tha se sipas disa bizneseve, PDK-ja ka refuzuar të paguaj për shërbimet që kishte kontraktuar. Zyrtari i PDK reagoi duke thënë se çdo familje në Kosovë ka një anëtar në PDK, dhe se ‘borxhi’ do të paguhej në një mënyrë apo tjetër. Pasi i dashuri im, që nuk është i Kosovës, në mënyrë naïve reagoi duke thënë “përnime mendon kështu?”, zyrtari i PDK u përgjigj “Pyete të dashurën tënde”, duke implikuar se të gjithë kosovarët e dinë se si shkojnë gjërat.
Kjo lehtë mund të shihet nga dikush si përgjegjësi e atij individi të PDK-së, ose si ‘idiotësi’ e tij, që aludon se gjëra të tilla ndodhin. Por ndoshta më mirë është t’i themi vlerësim i sinqertë, që thjeshtë u nxjerr pa dashje, gjatë një momenti të nxehtë të një diskutimi privat. Për më tepër, është vështirë të shpërfillet, kur analizojmë tetë vitet e fundit të qeverisjes së PDK, me Thaçin në krye prej pavarësisë, që kanë përforcuar praktikën se prosperiteti i mundshëm politik ose ekonomik i Kosovës mbështetet në një “sistem të shpërblimeve” – qofshin në bazë direkte financiare, apo nëpërmjet përfitimeve indirekte të mbështetësve të partisë.
Me këso lloj mendësie, PDK e ka themeluar vetën si forcë politike në vend. Mendësi të cilës, gjeneratat e reja, të cilat aspirojnë mirëqenie profesionale, ekonomike dhe sociale, po i atribuohen. Është dilemë e ‘ose je me ne, ose kundër nesh’. Dhe po e zgjodhe këtë të fundit, atëherë “sistemi i shpërblimeve” shndërrohet në “sistem të ndëshkimit”. Tepër shpejtë bëhet “normë” për ata që bëhen pjesë e saj, pasi që gjatë rrugës, mbesin vetëm si një rrotë tjetër e rëndomtë në makinën e përjetshme të korrupsionit, e as që e njohin vetën si të tillë.
Në anën tjetër, votimi i Thaçit thekson edhe një çështje tjetër, atë të imazhit të Kosovës, dhe mundësisë së përfaqësimit të vendit nga Thaçi si president. Çështja e imazhit dhemb veçanërisht, kur marrim parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për t’u njohur më shumë në forume ndërkombëtare, si dhe fiksimit të saj me atë se si e shohin tjerët.
Në botimin tonë të parë të revistës, të quajtur “Imazhi”, që doli menjëherë pas raportit të Dick Marty, i cili lidhi politikanë udhëheqës të Kosovës (përfshirë Thaçin) me trafikim të organeve, krim të organizuar dhe rrjete kriminale, argumentova se çfarëdo qoftë rezultati i vërtetësisë së raporteve të tilla, “dëmi nuk është aq i madh në lidhje me mënyrën se si bota e sheh Kosovën, sa është me mënyrën se si kosovarët mobilizohen ose reagojnë ndaj një imazhi të dëmtuar”. Në atë kohë, në 2010, reagimi kryesor publik ishte i organizuar rreth shqetësimeve se imazhi i Kosovës ishte dëmtuar. Gjashtë vite më vonë, raporti është materializuar në premisën mbi të cilën Gjykata Specialiste do të themelohet, dhe publiku tani e përdorë si shkop me të cilin e rreh Thaçin.
Kjo përfaqëson ndryshim në diskursin publik, dhe një që nuk duhet të merret lehtësisht. Ajo që në 2010 u mohua shpejtë si shpërfillje skandaloze kundër emrit të Kosovës, tani shihet si pengesë shumë e mundshme për përparimin e vendit në forumet ndërkombëtare politike. Në këtë aspekt, historia mund ta trajtojë presidenten aktuale Atifete Jahjaga më me mirësi se pritjen që e ka pranuar shpesh gjatë mandatit të saj. Pavarësisht faktit se ajo është quajtur shumë shpesh “presidentja e zarfit”, dhe kështu i është vënë në dyshim legjitimiteti, ose fakti se shpesh është perceptuar të ketë dështuar në të qenit zë i fuqishëm që mund të krijojë ura lidhëse në mes të ndarjeve politike, ndërkombëtarisht Jahjaga ka kontribuar për imazhin e Kosovës si shtet modern. Presidenca e Jahjages mund të mos ketë nxitur grumbullime në shesh, e as shkrepje armësh, si ato që erdhën pas emërimit të Thaçit, por sa i përket imazhit, ajo ka qenë diçka që kosovarët e shpresojnë, edhe pse nuk e kanë dalluar këtë te ajo deri më tani.
Sa i përket votimit që u mbajt të premtën, as roli i LDK-së nuk duhet të shpërfillet, dhe shumë kritik kanë shfaqur përçmim ndaj veprimeve të tyre. Pesë deputetë të LDK-së munguan nga seanca e së premtës në shenjë proteste, duke komunikuar publikisht kundërshtimin ndaj mbështetjes së Thaçit si president, që në fakt ishte marrëveshje që buronte prej procesit të koalicionit të tyre. Por anëtarë tjerë të LDK-së dolën me deklarata se si mënyra e votimit të Thaçit si president ishte në fakt votëbesim për qeverinë Mustafa.
Kjo mund të ketë qenë deklaratë e ngutur, pasi që në fundjavë u sulmuan anonimisht pesë seli të LDK-së. Ata e hodhën fajin në mënyrë indirekte te opozita – që tani e ka fituar epitetin e ‘sulmuesve të dhunshëm’ – por tjerë kanë aluduar se sulmet mund të kenë qenë veprime të mbështetësve të zhgënjyer të vet partisë. Për LDK-në nuk ka shumë rëndësi kur, ose nëse, identifikohen kryesit e këtij krimi. Për momentin, e ardhmja për ta nuk duket shumë e mirë, pasi janë në mesin e akterëve kryesor që po kritikohen ashpër nga publiku. Dhe mbi këtë, kur dimë historinë e ‘fjalimeve publike’ të kryeministrit deri më tani, dhe qëndrimin e tij jo të rehatshëm pranë Thaçit, ai nuk duket se është më lider i LDK-së, por duket më shumë si një fuqi e harxhuar politike, që vetëm po mundohet të kapet për diçka. Përfundimisht, mundësitë e LDK-së për mbijetesë vetëm janë duke rënë.
I vetmi qëndrim nga i cili si duket kanë përfituar partitë qeverisëse është varësia e opozitës në gaz lotsjellës dhe mobilizimi rreth etnisë. Megjithatë, fakti se opozita ka përdorur ndonjëherë metoda të dhunshme nuk duhet t’ia jap qeverisë të drejtën për të justifikuar ose neglizhuar dështimet e veta.
Dhe vimë te opozita, ‘martesa e zorit’, me fytyra të lodhura e të konsumuara në konferencën për shtyp të së premtës mbrëma, por prap se prap zë gjithmonë e më i zhurmshëm brenda politikës, në një stil që nuk është parë në politikën kosovare që 16 vite. Ymeri dhe Kurti të Vetëvendosjes, Haradinaj i AAK-së, dhe Limaj nga Nisma, po mundohen ta rrëzojnë “makinën e korrupsionit” duke kërkuar mobilizim të mbështetjes për një “protestë për shtet sovran”.
Por gjatë gjashtë muajve të fundit plot bojkotim e ndërprerje të seance pas seance të Kuvendit me gaz lotsjellës, mesazhi kryesor i tyre është bazuar në diskurs të rrezikshëm popullist dhe nacionalist. Mospranimi i ‘Zajednices’ (Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe) dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, vetëm se e ka bllokuar përparimin e Republikës nga një pozitë etnike, në pozitë të një shteti të bazuar në shtetësi të barabartë. Ndonëse shumë i janë bashkuar protestës nga frustrimi me strukturat qeverisëse, shumë prej tyre gjithashtu i kanë refuzuar thirrjet për protestë, për shkak të insistimit qëndror të Vetëvendosjes për Kosovën si vend i bazuar vetëm në ‘gjak’ dhe ‘tokë’; është qëndrim që e pamë me 28 nëntor, dhe që e pamë përsëri në protestën e thirrur për tetë-vjetorin e pavarësisë, me 17 shkurt. Opozita si duket ka dështuar ta njeh faktin se një pjesë e madhe e pakënaqësive të qytetarëve kanë të bëjnë më shumë me sfidat e përditshme të papunësisë gjymtuese, varfërisë, dhe sistemeve të arsimit dhe shëndetit, që thënë për së buti janë larg standardit të dëshiruar.
Kampi tre-ditor i tyre para ndërtesës së qeverisë, që u organizua si reagim përfundimtar për t’i mbledhur qytetarët kundër emërimit të Thaçit si president, është pa dyshim një prej formave më të reja të demonstrimit publik, prej 1990-ave; dekadë kur i tërë sistemi i ekzistencës, qeverisjes dhe kohezionit të shqiptarëve të Kosovës, u organizua nëpërmjet shoqërisë paralele. Deri më 1 tetor, 1997, rezistenca paqësore u ndryshua nga një që ishte pasive, në një që u bë aktive, gjatë një proteste të studentëve të mobilizuar, që përfundimisht e shtroi rrugën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Por ndonëse kjo mënyrë e protestimit me kamp brenda një shoqërie ‘demokratike’ ishte diçka e re për Kosovën, dështimi përfundimtar i saj është te fakti se opozita vazhdon të injorojë individualitetin e qytetarëve të Kosovës. Solidaritet pati, kur ndahej ushqimi, kur bëheshin diskutime politike vonë gjatë natës, dhe kur bënin muzikë rreth zjarrit. Por nëse me të vërtetë aspirojnë të jenë opozitë e sinqertë, atëherë duhet të jenë gjithëpërfshirës; edhe pse të gjithë qytetarët u ftuan për të marrë pjesë, shumë nuk u ndjenë rehat ta asociojnë vetën me diskursin e zjarrtë nacionalist të opozitës. Në këtë front, në shumë mënyra, opozita, dhe veçanërisht Vetëvendosja, kanë më shumë të përbashkëta me qeverinë se që do të kishin dëshirë të pranonin – ose je me ta, ose kundër tyre.
Në përrallë, Borëbardha shpëtohet nga princi magjepsës i saj me vetëm një puthje. Por kalorësi i Kosovës me parzmore të shndritshme – komuniteti ndërkombëtar – duket më i interesuar në gdhendjen e pyllit të mallkuar, se sa që është për ta ndihmuar vajzën e pikëlluar. Borëbardha mund ta ketë fundjavën për të pushuar, por nuk po vërehet ndjenja e një ‘jete të lumtur, të përbashkët, përgjithmonë’. Kjo nuk është domosdo gjë e keqe – demokracia nuk është përrallë; është proces i vazhdueshëm i negocimit, kompromisit dhe përmirësimit. Nëse do Borëbardha të ardhme më të mirë, herët a vonë do t’i duhet ta shpëtojë vetën prej pyllit të mallkuar.