Pikëpamje | Dialogu

Projekt-marrëveshja e kryeministrit me Serbinë reflekton qëllime të mira por mund të ketë pasoja të rrezikshme

Nga - 17.12.2018

Një alternativë për ndarjen dhe shkëmbimet territoriale, por prapëseprapë e rrezikshme për sovranitetin e Kosovës.

Përderisa Kosova po e feston transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, një tjetër ngjarje shumë e rëndësishme e ka errësuar festën. Më 13 dhjetor, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ua prezantoi shteteve të Quint-it – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë – një Projekt-marrëveshje Gjithpërfshirëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Ndonëse kryeministri vazhdimisht ka thënë se nuk do të angazhohet në dialog me Serbinë, ai nuk e befasoi vetëm audiencën kosovare, por edhe akterët ndërkombëtarë duke e paraqitur papritmas një projekt marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Aspekti pozitiv është se tani është të paktën një propozim alternativ në tryezë që përpiqet ta krijojë një strukturë për negociatat e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nuk përfshin korigjime të kufirit apo shkëmbim territoresh, por e mbron integritetin territorial të Kosovës. Pozitive është gjithashtu që kryeministri e ka përgatitur një dokument që mund të shërbejë si bazë për negociata transparente në të ardhmen, në dallim prej bisedimeve ‘të fshehta’ që janë mbajtur ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.

Dokumenti 30-faqësh e ka për qëllim arritjen e njohjes eksplicite të Kosovës nga Serbia si një ‘shtet sovran dhe i konstituuar ligjërisht’ dhe largimin e pengesave të krijuara nga Serbia për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ndërsa Kosova do ta njihte rolin e Serbisë për të ‘avokuar për të drejtat e komunitetit serb që jeton në Kosovë’.

Komunitetit serb në Kosovë do t’i garantohej mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të komunitetit, duke i reflektuar ato që veç se garantohen nga Kushtetuta e Kosovës dhe Propozimi Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (‘Pakoja e Ahtisaarit’). Këtu përfshihen kuota për përfaqësuesit serbë në organe shtetërore si Kuvendi e Qeveria, gjykatat dhe administratat komunale.

Përderisa ky projekt propozim ka elemente pozitive dhe shkon në drejtimin e duhur, ka mangësi që mund të jenë ligjërisht dhe politikisht të rrezikshme për Kosovën.

Gjithashtu, [Projekt-marrëveshja] vazhdon ta ruaj shumicën e dyfishtë të votës për komunitetin serb që përfaqësohet në Kuvend për t’i mbrojtur interesat jetike kur Kuvendi miraton legjislacione, si dhe e mbështet Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që do të themelohej në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Marrëveshjen e Parë të Parimeve për Qeverisje të Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga viti 2013 dhe gjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2015 në lidhje me këtë çështje.

Projekt-marrëveshja përmban edhe dispozita të shtuara për tregti dhe për heqjen e pengesave të tregtisë, për zgjidhjen e problemeve të trashëgimisë dhe borxheve, për pensione dhe fonde të kursimeve, për ndihmë të ndërsjellë ligjore dhe bashkëpunim juridik për hetimin e ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe të shkeljeve tjera penale, për personat e humbur, dëmshpërblimet e luftës, transport, energji elektrike, telekomunikim, dogana dhe menaxhim të integruar të kufijve. Ofron gjithashtu masa për ndërtim të besimit, si bashkëpunimin në fushën akademike, themelimin e programeve të përbashkëta universitare, kurse të gjuhës në shqip dhe serbisht në institucione publike arsimore në Kosovë, themelimin e Asociacionit Biznesor Kosovë-Serbi dhe të programeve ndërkomunale të bashkëpunimit.

Marrëveshjet e arritura më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e dialogut teknik dhe pako e Marrëveshjes së Brukselit do të ‘ndërkombëtarizoheshin’ me projekt-marrëveshjen e re, e kjo e fundit do të kishte prioritet në raste të konfliktit. Përjashtim është Marrëveshja për Përfaqësim dhe Bashkëpunim Rajonal (Marrëveshja e ‘fusnotës’), e cila do të shfuqizohej.

Projekt-marrëveshja fokusohet në themelimin e një Komisioni të Përbashkët të Monitorimit të përbërë prej përfaqësuesve të ‘garantuesve’ të marrëveshjes, domethënë SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së. Garantuesit do ta monitoronin e raportonin për zbatimin e marrëveshjes dhe do të kishin prani në Kosovë dhe Serbi. Përparimi në procesin e integrimit në BE do të ishte i kushtëzuar me raporte të suksesshme nga garantuesit.

Me të hyrë marrëveshja në fuqi, garantuesit do t’i lehtësonin njohjet e reja për Kosovën dhe do ta nisnin procedurën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për pranimin e Kosovës si anëtare. Palët do të përkushtoheshin gjithashtu për të mos e bllokuar anëtarësimin e njëra-tjetrës në organizata ndërkombëtare. Serbia gjithashtu do të pajtohej për ta pranuar anëtarësimin e Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit dhe Unionin Universal Postar, si dhe për listimin e saj në Divizionin Statistikor të OKB-së.

Gjithashtu, projekt-propozimi përfshin zgjidhjen e konflikteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, me ratifikim nga dy shtetet, si dhe inkorporim të marrëveshjes në sistemet ligjore të të dy shteteve përkatëse.

Në thelb, projekt-propozimi është një përpjekje për të marrë njohje eksplicite nga Serbia duke e ‘ndërkombëtarizuar’ Planin e Ahtisaari-t dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë deri më sot. Në shkëmbim për njohje, Serbisë do t’i jepej roli i ‘mbrojtëses’ së interesave serbe në Kosovë, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare të ‘garantuesve’ të huaj, e cila i ngjan organit të dikurshëm Komitetit Drejtues Ndërkombëtar që u themelua me Planin e Ahtisaari-t pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Por përderisa ky projekt-propozim ka elemente pozitive dhe shkon në drejtimin e duhur, ka mangësi që mund të jenë ligjërisht dhe politikisht të rrezikshme për Kosovën.

Çfarë është menduar për llogaridhënien demokratike?

Së pari, ka një mangësi në këtë proces. Nuk ishte e çuditshme vetëm që kryeministri papritmas e nxorri projekt-marrëvershjen kur vazhdimisht kishte refuzuar të angazhohet në dialog. Pjesa që me të vërtetë është e çuditshme është se kryeministri nuk e prezantoi këtë draft fillimisht para popullit të Kosovës, por e bëri para Quint-it. Si kryeministër, ai është llogaridhënës ndaj popullit të Kosovës dhe është dashur ta prezantojë e diskutojë draftin me popullin e tij para se ta ndante me të huajt, pa marrë parasysh çfarë rëndësie politike kanë ata.

Drafti gjithpërfshirës dhe shumë i hollësishëm gjithashtu tregon se me gjasë kanë punuar për një kohë të gjatë në të. Kjo implikon se (i) kryeministri nuk ishte i sinqertë në vendimin e tij për ta refuzuar dialogun; dhe se (ii) drafti u përgatit nga të huajt, duke i përjashtuar ekspertët dhe përgaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile të Kosovës, si dhe publikun kosovar.

Është për të të ardhur keq që duhet t’i pyesim të huajt për një draft të marrëveshjes që është kaq jetike për të ardhmën e vendit dhe popullit tonë sepse qeveria nuk është e aftë ta bëjë [atë] vetë. Kjo krijon përshtypjen se drafti u përgatit nga të huajt (ekziston vetëm një version i shkruar në gjuhë të rrjedhshme angleze, pra është e dukshme që nuk është shkruar nga kosovarët) për t’u dorëzuar nëpërmjet kryeministrit përsëri tek të huajt, gjë që krijon perceptimin se është kryesisht për të huajt dhe jo për kosovarët.

A po mbrohet me të vërtetë integriteti territorial i Kosovës?

Si çështje e substancës, janë disa aspekte që kërkojnë konsiderim serioz. Drafti ka për qëllim ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës duke iu referuar respektimit të kufijve të Kosovës që kanë ekzistuar para pavarësisë. Megjithatë, kjo referencë bëhet vetëm në hyrje të draftit dhe nuk ekziston asnjë dispozitë në draft që i përcakton kufijtë e Kosovës para pavarësisë.

Si krahasim, Pakoja e Ahtisaari-t qartë e përcakton se ‘territori i Kosovës do të përcaktohet nga kufijtë e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, siç ishin këta kufij më 31 dhjetor 1998, përveç amendamentit të marrëveshjes për demarkacion të kufirit ndërmjet Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001’.

Pse nuk u përfshi kjo dispozitë në draft? Shumë prej dispozitave që janë në draft janë marrë nga Pakoja e Ahtisaarit, veçanërisht ato që lidhen me masat mbrojtëse për komunitetin serb të Kosovës, por pse jo dipozita për kufij? A është qëllimi të ruhet paqartësia e dalluar e përcaktimit të kufijve dhe të zbatohen përmirësime të kufijve në prapaskenë?

A është ‘Marrëveshja Gjithëpërfshirëse’ tepër gjithëpërfshirëse?

Drafti është thjeshtë tepër i gjatë, me tepër shumë gjuhë të panevojshme dhe tepër shumë çështje për t’u zgjidhur njëkohësisht. Drafti përpiqet të trajtojë çështje prej atyre të nivelit të lartë politik për shtetësinë e Kosovës e deri te hollësitë teknike për kurrikulat e përbashkëta dhe kurset gjuhësore.

Lidhja e çështjeve në negociata ka për qëllim t’i nxitë shtetet të gjejnë zgjidhje në të cilat fitojnë të dy palët, për shkak se koncesionet nga njëra palë për një çështje mund të nxisin koncesione nga tjetra palë për të tjera çështje. Gjithashtu reflekton besimin shpeshherë naiv se një zgjidhje efektive e konfliktit kërkon një zgjidhje gjithpërfshirëse për të gjitha problemet në një dokument dhe në një kohë.

Në rastin e tanishëm, kjo qasje mund t’i ketë dy pasoja të pafavorshme për Kosovën: (i) Kosova mund të detyrohet të bëjë koncesione të mëdha për njohjen e Serbisë në fusha që mund të duken si më pak relevante politikisht, si transporti dhe energjia elektrike, dhe (ii) negociimi i njëkohshëm për të gjitha këto çështje do t’i shndërrojë negociatat në një ndërmarrje tepër komplekse që mundëson lirinë për zgjatje të negociatave si metodë e liderëve politikë për të mbetur në pushtet, në vend se ta zgjidhin konfliktin.

Si krahasim, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kroacisë dhe Jugosllavisë i ka vetëm 4 faqe dhe 14 nene. I adreson çështjet më të rëndësishme politike dhe i shtyn çështjet tjera që kërkojnë më shumë hollësi teknike për t’u zgjidhur prej marrëveshjeve dytësore. Kjo qasje jo vetëm që do ta reduktonte kompleksitetin, por edhe do të ishte në të mirën e interesave të Kosovës.

Një marrëveshje politike e nivelit të lartë që i zgjidhë çështjet që lidhen me njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare do ta obligonte Serbinë për zbatim. Kosova do t’i negocionte të gjitha marrëveshjet në të ardhmen, për shembull për energji elektrike apo transport, nga një pozitë shumë më e fuqishme, për shkak se Serbia veçse do ta kishte njohur Kosovën si shtet dhe Kosova do të duhej të bënte më pak koncesione.

Obligime asimetrike

Drafti është shumë asimetrik për shkak se pjesa më e madhe e obligimeve janë për Kosovën dhe vetëm disa janë për Serbinë. Sa më shumë dispozita që ka një marrëveshje e tillë asimetrike, aq më e madhe mundësia që Serbia të pretendojë për shkelje të dispozitave të caktuara.

Kjo kombinohet me faktin se plot prej këtyre dispozitave kanë mungesë të saktësisë dhe qartësisë, që lejon për interpretime të ndryshme. Kjo do ta lejonte Serbinë t’i përdorë dispozitat për zgjidhje të konflikteve para Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, duke ekspozuar Kosovën si shkelëse të marrëveshjes dhe duke e përdorur këtë si përparësi politike për ta penguar integrimin e Kosovës në BE.

Tepër shumë masa mbrojtëse

Dhënia e garancioneve ligjore për komunitetin serb në formë të shumicës së dyfishtë për legjislacione të interesit jetik kishte kuptim në Pakon e Ahtisaari-t, por ka pak kuptim në këtë draft. Drafti e fuqizon Serbinë si mbrojtëse të interesave serbe duke i dhënë të drejtë për të marrë veprime ligjore kundër Kosovës para Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, si dhe i ndërkombëtarizon të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, e themelon Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe i fuqizon shtetet e huaja për ta monitoruar zbatimin e marrëveshjes.

Këto masa mbrojtëse gjithpërfshirëse nuk ekzistonin në Pakon e Ahtisaari-t. Pse atëherë duhet Kosova t’i jap komunitetit serb masa të shtuara të mbrojtjes në nivel kushtetues që mund të përdoren për ta bllokuar legjislacionin e qeverisë qendrore? Përderisa komuniteti serb mund ta përdorë këtë mekanizëm për ta bllokuar një ligj në përputhje me Kushtetutën, Serbia mund ta përdorë të njëjtën çështje si pretekst për ta paditur Kosovën ndërkombëtarisht para Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit.

Kosova kthehet nën mbikëqyrje ndërkombëtare

Do të ishte naive të besonim se Serbia do t’i pranonte SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe BE-në si të vetmit garantues të marrëveshjes dhe si anëtarë të Komisionit të Përbashkët Monitorues. Në momentin kur një propozim i tillë do të vihet në tryezë, Serbia do të ngulë këmbë që Rusia, e mbase edhe Kina, të përfshihen si garantues.

Në fakt, Pakoja e Ahtisaari-t veçse e kishte përfshirë Rusinë (‘KDN do të përbëhet nga anëtarët në vijim: Franca,  Gjermania, Italia, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian, NATO’), por ajo refuzoi të bëhej pjesë e Komitetit Drejtues Ndërkombëtar për shkak se Pakoja e Ahtisaari-t nuk u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së siç u parapa fillimisht. Përfshirja e Rusisë si garantuese mund ta shkaktojë një situatë ku nuk ka fare garantues efektivë apo në rastin më të keq ku Rusia ka një zë të fortë për vlerësimin e përmbushjes së obligimeve të kësaj marrëveshje nga ana e Kosovës.

Pse do ta propozonte Kosova një mekanizëm të tillë kur është e paraparë që do ta forconte Rusinë, një kundërshtare të fortë të pavarësisë së Kosovës?

Përveç kësaj, nuk ka kufizime kohore për mandatin e garantuesve. Në Pakon e Ahtisaari-t, ideja ishte të jetë një Komitet Drejtues Ndërkombëtar për një periudhë të përkohshme, deri sa t’i zbatonte Kosova dispozitat e Pakos së Ahtisaarit. Në draftin aktual, garantuesit do ta mbikëqyrnin pafundësisht Kosovën. Kjo përbën një kufizim të madh të sovranitetit të Kosovës, më keq se në Planin Ahtisaari, për shkak se do ta mbante Kosovën, e cila ka më së shumti obligime nën këtë marrëveshje, nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një periudhë të paparashikuar kohore.

Sovranitet me pëlqim të Serbisë?

Siç e ceka më lart, projekt-marrëveshja e përcakton në mënyrë eksplicite që Serbia duhet të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikimit dhe Unionin Universal Postar, si dhe me listimin e Kosovës në Divizionin Statistikor të OKB-së. Gjithashtu, përmbanë dispozita si ‘palët pajtohen që zgjedhjet në komunat veriore organizohen nga autoritetet zgjedhore të Republikës së Kosovës në përputhje me ligjet dhe rregullat zgjedhore të Kosovës’.

Nëse dispozita themelore e marrëveshjes është që Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, pse Kosova do të propozonte dispozita që krijojnë perceptimin që Serbia pajtohet për anëtarësimin e Kosovës në Unionin Universal Postar. Si shtet sovran, Kosova mund t’i bashkohet cilësdo organizatë ndërkombëtare, kështu që pse të përmenden instanca të posaçme në të cilat ‘palët pajtohen’? Dhe, si shtet sovran, zgjedhjet përgjatë gjithë Kosovës sigurisht se do të mbaheshin nga autoritetet e Kosovës dhe sipas ligjit të Kosovës.

Sovranitet para gjykatave?

Pse Kosova e propozon Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit dhe jo Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) si forum për zgjidhje të konflikteve? Themelimi i jurisdiksionit të GjND-së do ta asocionte Kosovën me një institucion të OKB-së, që do ta legjitimonte dhe mbështeste qëndrimin ndërkombëtar të saj shumë më mirë se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit.

Duhet të rikonsiderohet edhe shtrirja e jurisdiksionit të gjykatës. Marrëveshja është aq e gjerë sa që pothuajse çdo aspekt i ushtrimit të sovranitetit të Kosovës mund të çohet në gjykatë.

Po Rezoluta 1244?

Mangësia themelore e draftit është dështimi i tij për ta adresuar Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nevoja për ta shfuqizuar atë si pjesë të marrëveshjes. Drafti thotë se ‘me të hyrë në fuqi kjo marrëveshje, palët dhe garantuesit pajtohen ta nisin procedurën për miratim të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që e njeh këtë marrëveshje dhe e pranon Kosovën si anëtare të plotë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara’.

Dispozita nuk merr parasysh faktin se Rusia dhe Kina janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të cilët mund të vëjnë veto mbi një rezolutë të tillë edhe nëse përfshihen si garantues. Kjo është për shkak se kjo marrëveshje me shumë gjasë do të jetë e lidhur ligjërisht vetëm për Kosovën dhe Serbinë, dhe jo garantuesit. Por edhe nëse bëhet e lidhur për garantuesit, nuk do të ofronte mbrojtje kundër vetos së Rusisë dhe Kinës për shkak se Kosova nuk do të mund të bënte asgjë në mënyrë ligjore.

Qasje më e mirë do të ishte të kushtëzohej hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje me miratimin e saj nga Këshilli i Sigurimit dhe shfuqizimi i Rezolutës 1244. Për shkak se kjo marrëveshje është një kërkesë për Serbinë për integrim të mëtejmë në BE, do të ishte në interesin e Serbisë për t’i shtyrë Rusinë dhe Kinën, aleatët e tyre, për ta mbështetur marrëveshjen. Nëse Rusia dhe Kina nuk e bëjnë këtë, ato do ta dëmtojnë Serbinë. Pse duhet miqtë e Kosovës t’i bëjnë presion Rusisë dhe Kinës, kur ky mekanizëm i thjeshtë do të krijonte stimuj për Serbinë?

Ky mekanizëm gjithashtu do ta parandalonte situatën e rrezikshme ku Kosova nënshkruan një marrëveshje ndërkombëtare të lidhur ligjërisht me Serbinë por nuk shfuqizohet Rezoluta 1244. Nuk duhet të harrojmë se nën Kartën e OKB, shtetet anëtare e kanë për detyrë t’i prioritizojnë obligimet e OKB-së, përfshirë këtu rezolutat e Këshillit të Sigurimit, para marrëveshjeve tjera ndërkombëtare.

Një kundër-rrëfenjë e rrezikshme

Duke i marrë parasysh këto shqetësime, pse e bëri kryeministri një lëvizje të tillë, të befasishme dhe pa konsultim paraprak me publikun? Është e qartë që kryeministri po mundohet ta konstruktojë një alternativë për rrëfenjën e rrezikshme të presidentit për përmirësime të kufijve dhe shkëmbim territoresh. Kjo duhet të vlerësohet.

Por kryeministri po e bën këtë me një draft që nuk është i menduar mirë dhe mund të ketë pasoja negative serioze për Kosovën. Duke i bërë të gjitha këto koncesione ndaj Serbisë në draftin fillestar, kryeministri veçse e obligon Kosovën dhe i jep Serbisë mundësi të ekstraktojë edhe më shumë koncesione.

A është me të vërtetë për më të mirën e Kosovës apo është thjesht një draft për ta kundërshtuar presidentin? Më e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës është që negociatat me Serbinë të shndërrohen në luftë ndërmjet kryeministrit dhe presidentit për atë se rrëfenja e kujt triumfon dhe kush fiton më shumë pikë politike. Çmimin do ta paguante Kosova.

Fotografia kryesore: K2.0