Në thelb | Gjinia

Politizimi i lindjes së fëmijëve

Nga - 31.10.2018

Si u bë dhe si mbeti lindshmëria një vegël politike në Kosovë dhe Serbi.

Në 43 vitet ndërmjet censuzit të popullsisë të vitit 1948 dhe atij të vitit 1991, numri i shqiptarëve në Kosovë u rrit për 220 përqind, gjersa numri i serbëve u shtua vetëm për gati 13 përqind. Ishin disa faktorë që ndikuan në këtë ndryshim demografik, pëfshirë këtu migrimin, por me një fenomen u fiksuan më shumë: nivelin e lartë të lindshmërisë në mesin e shqiptarëve në Kosovë.

Mimoza Dushi është profesoreshë në Universitetin e Gjakovës e specializuar në çështje që lidhen me demografinë. Sipas saj, në 1950, kur nisi dokumentimi më i saktë i lindshmërisë, mesatarisht një grua në Kosovë, prej të cilave shumicë ishin shqiptaret, i lindte 7.58 fëmijë. Kjo njihet si ‘lindshmëria tradicionale’.

Dushi argumenton se arsyeja përse shqiptarët lindën shumë fëmijë ishte krejtësisht ekonomike. “Në këtë periudhë kohore, pothuajse e tërë popullsia ka qenë agrare dhe jetonin në familje të mëdha, të cilat funksiononin si familje individuale që jetonin dhe shpenzonin bashkarisht”, thotë ajo. “Ata kryesisht merreshin me bujqësi dhe blegtori – punë që nuk kërkonin punëtorë të kualifikuar, por numër të madh punëtorësh dhe për ta maksimizuar fuqinë punëtore, ata lindnin fëmijë vazhdimisht”.

Edhe Shkëlzen Maliqi, studiues i zhvillimeve politike dhe sociologjike, beson se lindshmëria në Kosovë ka ndryshuar bashkë me ndryshimin e strukturës etnike të punësimit. “Me shtimin e numrit të shqiptarëve të punësuar – veçanërisht grave shqiptare – si rrjedhojë e industrializimit dhe urbanizimit, lindshmëria u reduktua në mesin e shqiptarëve”, shpjegon ai. “Në të kaluarën, 70 përqind e popullsisë së Kosovës ishte rurale dhe, si rrjedhojë e kësaj, lindshmëria ishte më e lartë. Jo për shkak të ndonjë konspiracioni të shqiptarëve, por për shkak të arsyeve ekonomike dhe sociale”.

Megjithatë, qarqet akademike dhe politike serbe në vitet e ‘80-a, që kishin një qasje dukshëm nacionaliste, kishin shpjegime të tjera, duke shpikur pafundësisht teori të planeve të fshehta të shqiptarëve për ta përvetësuar Kosovën nëpërmjet lindshmërisë së lartë. Në librin e saj “Between Serb and Albanian: A History of Kosovo”, Mirana Vickers i përshkruan serbët duke thënë se “ata gati u bënë histerikë” për lindshmërinë e shqiptarëve në vitet e ‘80-a. Sipas Vickers-it, në Serbi dolën akuza se “shteti, me përfitime të mirëqenies dhe para të derdhura në Kosovë, i ka inkurajuar shqiptarët të shumohen e të bëhen popullsi shumicë”.

Në vitin 1990, Parlamenti Serb – që kishte jurisdiksion mbi Kosovën pasi Kosovës iu shfuqizua autonomia brenda Jugosllavisë një vit më parë – filloi të vepronte. Sipas librit “Civil Resistance in Kosovo” nga Howard Clark, Neni 91 i Programit të Parlamentit Serb për Paqe, Liri, Barazi, Demokraci dhe Mirëqenie premtoi ‘aktivitete të domosdoshme’ për ta reduktuar lindshmërinë në Kosovë.

Shkëlzen Maliqi i ka përcjellur zhvillimet sociologjike në shekullin 20, dhe beson se fiksimet me demografinë dhe lindshmërinë kanë rrënjë të thella në nacionalizmin serb. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Maliqi thotë se fiksimet nacionaliste serbe me demografikën e popullsisë datojnë edhe më moti. Ai thekson mendimet e Vaso Čubrilović-it, i cili në 1937 e mbajti një fjalim në Klubin Kulturor Serb ku i shpjegoi metodat që mund t’i përdorte qeveria jugosllave për t’i detyruar shqiptarët të largohen nga Kosova. Në këtë fjalim, Čubrilović-i iu referua specifikisht “pjellorisë së grave shqiptare”.

Më vonë, në një memorandum të titulluar “Problemi i minoritetit në Jugosllavinë e re” që iu prezantoi autoriteteve komuniste më 1944, Čubrilović-i e këshilloi qeverinë e Titos t’i dëbonte të gjithë gjermanët, hungarezët, italianët, rumunët dhe shqiptarët e Jugosllavisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Maliqi i thekson politikat e asimilimit që e kishin objektiv arritjen e ndryshimeve demografike, përfshirë këtu masat e rrepta që i morri Zëvendës-Presidenti jugosllav, Aleksandar Ranković, kundër disidentëve.

Megjithatë, përderisa politikat që e adresojnë demografinë më parë anonin kah dëbimet dhe emigrimi i inkurajuar, Dushi dhe Maliqi e vënë theksin në vitet ‘60 si koha kur u vendos një fokus specifik mbi lindshmërinë.

Dushi beson se kjo pjesërisht rrodhi nga nocioni më i padëmshëm i planifikimit familjar, që u prezantua në Jugosllavi në vitet ‘60. “Planifikimi i familjes është kur një çift bashkëshortor lind një numër të dëshirueshëm të fëmijëve, ashtu që gruaja të mos privohet as nga amësia as nga puna që ajo e bën”, shpjegon profesoresha. “Por, në frymën e planifikimit të familjes, politika ka synuar ta kërkojë zvogëlimin e shkallës së natalitetit”.

Ndërsa Maliqi e përmend një fjalim që u mbajt para Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë në maj 1968 nga një prej anëtarëve të tij, Dobrica Ćosić-i, i cili e ngriti shqetësimin për rritjen enorme demografike të popullsisë shqiptare në Republikën e Serbisë, duke këmbëngulur që Federata jugosllave të vepronte, përndryshe rrezikohej humbja e Kosovës – kjo ishte një farë e nocionit që do të zhvillohej në vitet ‘80.

Deri në atë kohë, idea e mbushjes së Kosovës me shqiptarë për shkak të lindshmërisë së lartë nuk përmendej vetëm nga nacionalistët serbë. Mediat ndërkombëtare, përfshirë këtu New York Times dhe Washington Post, thonin se lindshmëria e lartë në mesin e shqiptarëve të Kosovës ishte shkak për rritjen e tensioneve në këtë krahinë në vitet pas vdekjes së Presidentit të Jugosllavisë, Josip Broz Titos. Washington Post madje raportonte se shqiptarët u bënë shumicë në vitet ‘50 për shkak të lindshmërisë së lartë, ndërsa në regjistrimin e popullsisë në 1948 doli se edhe dy vjet para fillimit të dekadës, në Kosovë ishin rreth 172,000 serbë dhe 500,000 shqiptarë.

Deri në vitet ‘90, kjo retorikë ishte bërë pjesë e sistemit shtetëror të arsimit. Në librin e saj “Kosovo: The Politics of Identity and Space”, Denisa Kostovicova shkruan për ndarjen e sistemit të arsimit në Kosovë në dy degë të ndara në bazë të etnisë, ku e dokumenton se kurrikula serbe e gjeografisë përfshinte studimin e masave të miratuara nga Parlamenti Serb për ta kontrolluar lindshmërinë e shqiptarëve në Kosovë.

Kostovicova gjithashtu thotë se “serbët e kishin paraqitur lindshmërinë e lartë të shqiptarëve në Kosovë si diçka që drejtpërdrejt i shërben pushtimit demografik të Kosovës nga shqiptarët”, dhe se këto njohuri ishin përdorë për ta shënjestruar Klinikën Gjinekologjike dhe të Lindjes në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, duke e shndërruar edhe lindjen e fëmijës në një çështje politike.

Antropologia Nita Luci thotë se tjetërsimi i shqiptarëve në Kosovë në vitet ‘90 nëpërmjet biologjisë së tyre është diçka tipike për grupet e persekutuara nëpër botë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Antropologia Nita Luci thotë se tjetërsimi i shqiptarëve në Kosovë në vitet ‘90 nëpërmjet biologjisë së tyre është diçka tipike për grupet e persekutuara nëpër botë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.Antropologia Nita Luci thotë se fiksimi me lindshmërinë e shqiptarëve të Kosovës në fund të shekullit 20 erdhi në një moment të caktuar politik dhe se ishte në funksion të propagandës politike të asaj kohe, që u promovua nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve (SANU) dhe Kisha Ortodokse Serbe.

“Një pjesë e madhe e kësaj propagande e morri një drejtim disi racist duke e hiperbolizuar idenë se shqiptarët me qëllim po lindin shumë fëmijë, e kjo sigurisht të kujton të tilla qasje ndaj minoriteteve në ShBA, Australi, Kanada, etj., dhe fushatat e shumta për sterilizimin e grave nëpër bote, si mjet politik”, thotë Luci.

Ajo shton se është karakteristikë e nacionalizmit që tjetri të sulmohet fillimisht në biologjinë e tij. “Rastin e Kosovës mund ta dallojmë sepse lidhej me një paranojë që u instalua nga lart, për shkak se, në fakt, lindshmëria e grave urbane në Kosovë nuk dallonte nga lindshmëria e grave urbane në Serbi [në vitet e ‘90-a]”.

Sociologia beson se është e pamundshme të ndahet aspekti nacional nga kritika feministe në këtë rast. “Është e pamundshme ta relativizosh rolin gjinor që zakonisht i jepet grave prej ideologjive nacionaliste: nënat e kombit, riprodhueset biologjike dhe kulturore të kombit”, argumenton ajo. “Aty mund të gjenden arsyet për sulmet ndaj grave, në rastin e Kosovës, me etiketa si ‘makina të fëmijëve’ apo ‘maca’”.

Luci gjithashtu thekson se në këtë nocion mund të gjenden edhe arsyet për përdorimin e dhunës seksuale si armë në shumë luftëra, përfshirë këtu ato në Kosovë dhe Bosnje, sepse duke luftuar gratë mendohej që po luftohej “djepi” i kombit.

Një çështje bashkëkohore

Fiksimi me lindshmëri dhe demografikë nuk vdiq në luftërat e viteve ‘90 dhe ka vazhduar ta njollosë politikën në Ballkan – veçanërisht politikën serbe. Prej vitit 1992, Serbia çdo vit ka pasur më shumë vdekje se sa lindje. Në periudhën 1999-2015, Serbia i kishte 1,748,487 vdekje dhe vetëm 1,205,225 lindje, që do të thotë kishte deficit kumulativ prej 539,262.

Për ta adresuar këtë trend, Serbia e ka emëruar një ministre pa portofolio me përgjegjësi për politikat populative. Sipas kësaj ministre të re, Slavica Dukić Dejanović, Serbia çdo vit po humb 35,000 banorë dhe në fund të vitit të kaluar ajo lajmëroi se Qeveria serbe do t’i ndajë 600 million dinarë serbe për politika populative.

Kjo temë ka shkaktuar shumë debat në Serbi. Vetë kryeministrja Ana Brnabić tha se shteti duhet të ofrojë më shumë ndihmë sociale se slogane boshe për nxitjen e rritjes së poullsisë.

Këtë verë, u raportua se qeveria serbe do t’i jap më shumë fonde prindërve që i kanë tre ose më shumë fëmijë, duke na rikujtuar politikën e viteve ‘90 kur autoritetet lokale i shpërblenin me medalje nënat serbe të Kosovës që kishin katër ose më shumë fëmijë, siç raportonte gazeta “Politika” në qershor të vitit 1993. Dy vite më vonë, më 1995, edhe Kisha Ortodokse Serbe i ndante medalje nënave serbe të Kosovës që kishin më së shumti fëmijë.

Kisha Ortodokse Serbe vazhdon edhe sot t’i promovojë politikat që e shtojnë popullsinë. Në një takim me Presidentin Vučić, patriku Irinej alarmoi për lindshmërinë e ulët në mesin e nënave serbe, ndërsa peshkopi Amfilohije i akuzoi publikisht gratë serbe si vrasëse masive të fëmijëve të palindur, duke pohuar se “ato kanë vrarë më shumë fëmijë në mitrat e tyre për një vit sesa që kanë vrarë së bashku Mussolin-i, Hitler-i, Tito-ja dhe shqiptarët e Kosovës”.

Nita Luci mendon se në fakt, të njëjta kritika mund të bëhen edhe për shtetin serb dhe qasjen e kishës ndaj grave serbe sot, sikurse ndaj grave shqiptare në vitet ‘90. “Si dikur që kishte presion mbi gratë shqiptare përse po lindnin fëmijë, sot presioni është mbi gratë serbe përse ato nuk po lindin sa duhet fëmijë”, thotë ajo. “Sërish kemi esencializim të rolit të grave në shoqëri sipas perspektivës nacionale”.

Luci gjithashtu argumenton se në rastin e fundit në Serbi, doli se nacionalizmi shpeshherë i përjashton dhe i etiketon si armiq edhe elementet e brendshme, jo vetëm të huajt. “Elemente që, sipas nacionalizmit, nuk po i shërbejnë mjaftueshëm sublimimit të kombit dhe interesave të tij. Jo vetëm gratë, por edhe komunitetet e tjera – LGBT, majtistët radikalë, grupet kundër luftës etj. – shpeshherë shihen si tradhtarë kur nuk i përshtaten ideologjisë dominante nacionaliste”.

Përderisa disa statistika tregojnë se lindshmëria në Kosovë po reduktohet, demografja Mimoza Dushi nuk e sheh këtë si arsye për t’u alarmuar. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Edhe Kosova po përballet me reduktimin e nivelit të lindshmërisë. Përderisa në vitin 1989 u lindën 56,000 foshnje në Kosovë, më 2014 u lindën vetëm 27,000 syresh. Një raport nga Agjencia e Statistikave të Kosovës parashikoi se nga mesatarja e vitit 2011 prej rreth 2.4 fëmijë për grua (që është në moshë të lindshmërisë), do të ndodhë një reduktim linear deri në një mesatare prej 1.5 fëmijë për grua në vitin 2031.

Por, për demografen Mimoza Dushi, situata nuk është alarmuese. “Në Kosovë e kemi një shkallë shtimi në nivel të zëvendësimit”, shpjegon ajo. “Shkalla është 2 ose 2.1. Kjo s’ka të bëjë me ndikimin e politikës, por ka të bëjë me faktin që jemi popullata më e re në Evropë. Për shembull, 39% e popullsisë janë nën moshën 18 vjeç. Gjithë këta fëmijë janë potencial që në të ardhmen të jenë prindër. Ne jemi shoqëri tradicionale dhe akoma sot nuk ndodhë që fëmijët tonë të heqin dorë prej martesës ose krijimit të familjes”.

Pavarësisht pohimeve të Dushit, me sa duket ka shqëtësime në lidhje me natalitetin në radhët e Qeverisë së Kosovës. Gjatë diskutimit me zyrtarë të qeverisë për të ardhmen e politikave të pushimit të lehonisë dhe atij prindëror, aktivistët nga shoqëria civile kanë zbuluar për K2.0 se shpeshherë bisedohej për temën e ruajtjes së lindshmërisë në Kosovë.

Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë shtrihen dy territore të kontestuara nga dy palët – veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës. Për më tepër, shkëmbimi eventual i këtyre dy territoreve ka qenë leitmotiv i kësaj vere politikisht të nxehtë, madje disa media në Kosovë nxorrën edhe hartat për t’i vënë pikat mbi. Një shkas i mundshëm në rast shkëmbimi u përmend edhe migrimi dhe ulja e numrit të popullsisë shqiptare në Luginë dhe asaj serbe në Veri. Demografia prapë!

Sipas një studimi të kryer në vitin 2008 nga demografi dhe ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, popullsia në Luginën e Preshevës është duke u reduktuar, veçanërisht pas konfliktit 2000-2001, po sikur edhe në komunat veriore në Kosovë të banuara nga serbët, në të cilat nataliteti është më i ulët se mortaliteti.

vizitën e tij të fundit në Kosovë, Presidenti Aleksandar Vučić tha se serbët mund të fitojnë, ndër të tjera, nëpërmjet fëmijëve, ndërsa në një video të publikuar ai paralajmëron se “nëse nuk marrim masa, ne do të zhdukemi si popull”.

Shkëlzen Maliqi i sheh këto deklarata më shumë si “të lidhura me opinionin e brendshëm në Serbi dhe si një nxitje për rritjen e popullsisë në Serbi”. Mimoza Dushi pajtohet, duke thënë: “Këto deklarata janë thjesht politikë populative, ashtu që ta bindë popullin e vet për të lindur më shumë – ai e përdor këtë panikë”. Kësodore, gjersa politika e përdorte viteve ’80 bumin demografik shqiptar si false flag drejt synimeve të saj, sot duket sikur do ta përdorë nadirin demografik si false flag për agjendën e saj aktuale.

Foto kryesore: Creative commons