Para largimit famëkeq nga qeveria në prill 2017, qeveria konservatore e krahut të djathtë e Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedone – Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar Maqedon (VMRO-DPMNE) dhe ish-kryeministri Nikola Gruevski i ngritën 34 monumente dhe të paktën 80 skulptura si pjesë e projektit të cilin e quajtën “Shkupi 2014”.
Tani, një vit e gjysmë pas hyrjes në pushtet të partisë së re social demokrate, Unioni Social Demokrat i Maqedonisë (SDSM), plot po pyesin veten se çfarë do të ndodhë me këtë projekt të transformimit të qytetit, kosto totale e së cilit ishte 684 milion euro, dhe të cilin disa ekspertë e kanë quajtur “urbicid”.
Nga fillimi i projektit, 42.5 milion euro nga buxhetet shtetërore dhe komunale u shpenzuan vetëm në ndërtimin dhe vendosjen e monumenteve dhe skulpturave që kanë vlera të diskutueshme artistike; e disa prej tyre karakterizohen edhe nga baza e dyshimtë e ngjarjeve historike.
Monumenti që i përkushtohet perandorit bizantin Justinian I, prapa së cilit është monumenti i autorit të librit të parë të shtypur të gramatikës maqedone, Georgi Pulevski nga shekulli 19, ndërsa familja e Aleksandrit të Madh mund të shihet në prapavi. Foto: Bojan Blaževski.
Skulptura 8.3 milion euro që i përkushtohet sunduesit antik Aleksandrit të Madh është një shembull i skulpturave gjigante të figurave historike që dominojnë në Shkupin e sotëm. Tjerat paraqesin mbretër të ndryshëm të Maqedonisë antike. Ka edhe skulptura të Prometeut dhe këngëtarit të ndjerë maqedon Toše Proeski, si dhe shelgje të mbjellura pranë lumit Vardar.
Kjo përzierje e të kaluarës me të tashmën bazohet në idetë nacionaliste të qeverisë së Nikola Gruevskit. Në propagandën e tyre, Shkupi u përshkrua si “fushë e betonit” dhe si model për “hirtësinë e realizmit socialist”. Në një pamflet që u shpërnda në Shkup në atë kohë përshkruhet pamja e re e kryeqytetit që i kontribuon atyre të cilët “i përdorën sytë e tyre të hapur për t’i parë qytetet evropiane dhe ëndërruan për kryeqytetin, për krenarinë dhe jo një periferi inferiore”.
Fletëpalosjet e tjera të ngjashme u shpërndanë nëpërmjet mediave maqedone gjatë promovimit të projektit “Shkupi 2014” në shkurt 2010, dhe kjo lloj propagande vazhdoi në vitet e ardhshme.
Një nga pamfletat promovuese të projektit “Shkupi 2014”, që u shpërndanë gjatë shkurtit 2010.
Tani, megalomania e ndërtimit i ka tejkaluar kufijtë e këtij shteti dhe ka bërë që Shkupi të etiketohet si kryeqyteti evropian i kiçit, diçka që qeveria aktuale po mundohet ta ndryshojë.
Rishikimi dhe ripunimi i monumenteve qendrore
Para se të hynte në pushtet në 2017, qeveria e Zoran Zaev kishte premtuar ta ndalte zbatimin e mëtejmë të projektit “Shkupi 2014”, dhe t’i rishikonte të gjitha aspektet e tij. Në fushatën parazgjedhore gjatë vitit 2016, Zaev premtoi “rishikimin tërësor të projektit ‘Shkupi 2014’”.
“Kur të spastrohet projekti nga abuzimet dhe krimi, ne do të marrim masa për ringjalljen e zonës qendrore të qytetit, në të cilën u ndërtua ky projekt i ashtuquajtur”, premtuan Zaev dhe partia e tij SDSM në programin e tyre.
Në bazë të rezultateve të këtij rishikimi, ata premtuan se do të vendosnin se çfarë do të bënin me monumentet e mbetura nga koha e Gruevskit. Gruevski së fundmi u arratis nga vendi për t’iu shmangur dënimit me dy vjet burg për korrupsion dhe ka kërkuar azil në Hungari. Për më tepër, partia e Zaev premtoi se në bazë të rezultateve të rishikimit, një vendim do të merrej për atë se cilët ish-zyrtarë do të ndiqeshin penalisht për abuzim të pushtetit, korrupsion dhe shpërdorim të parave që kishin lidhje me projektin.
Në qytet veçse është hequr njëri nga monumentet e ngritura. Rreth 18 muaj pas ndryshimit të qeverisë, u hoq monumenti që paraqet figurën e diskutueshme Andon Lazov Janev (1866-1953). Janev ishte pjesë e Organizatës Revolucionare të Maqedonisë-Adrianopojës, që operoi në pjesën veriore të Greqisë. Ndonëse ai u identifikua si bullgar etnik, nacionalistët kombëtar e konsiderojmë atë si maqedon etnik. Disa e konsiderojnë si vrasës; të tjerë, si luftëtar i lirisë. Monumenti që i përkushtohet kësaj figure të diskutueshme nga IMRO-ja (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedone) historike po qëndronte para pallatit të drejtësisë në Shkup, dhe kritikët e panë si një simbol të ndërhyrjes së qeverisë së atëhershme në punën e sistemit të drejtësisë.
Më 22 shkurt, 2018, monumenti ishte larguar dhe qeveria e re pretendoi se ishte ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme, si dhe i theksoi disa veprime të jashtëligjshme para vendosjes së tij, përfshirë këtu faktin se procedurat ligjore për vendosjen e monumenteve historike nuk ishin përmbushur, apo se monumentet ishin ngritur në vende që nuk ishin planifikuar paraprakisht për këso lloj ndërtime.
Heqja e tij shërbeu si një simbol tjetër i niveleve të ngritura të polarizimit ndërmjet partive politike, si dhe në mesin e publikut. Poashtu e reflektoi kaosin urbanistik që e la prapa projekti “Shkupi 2014”.
Njëkohësisht, heqja e këti monumenti tregoi se nëse mendohet mirë secili hap, vazhdimi i këtij procesi mund të shkaktojë kundërvënie të mëtejme ndërmjet ekspertëve, qytetarëve dhe partive politike që veçse janë shumë kundër njëra tjetrës.
Fati i pasigurt i projektit “Shkupi 2014”
Në fund, vendimi final për fatin e monumenteve dhe skulpturave në qendër të Shkupit përsëri do të vendoset nga politikanët. Partia e Zaev kishte premtuar edhe para se të hynte në pushtet që do të mbanin konsultime me ekspertë dhe të njejtën gjë e bëri edhe pasi e morri qeverinë.
Prej kur hynë në pushtet, premtimet e tyre janë zgjeruar për ta përfshirë legalizimin apo heqjen e monumenteve dhe skulpturave. Ata kanë thënë se kjo do të zbatohet në përputhje me ligjin, gjegjësisht Ligjin për Monumente dhe Përmendore dhe Ligji për Veprime Mbi Ndërtesa të Ndërtuara në mënyrë të Jashtëligjshme.
Shkatërrimi i monumentit të parë u bë në bazë të rekomandimit të një Grupit Punues, që zyrtarisht quhet “Grupi punues për përgatitjen e Analizës për Zbatimin dhe Pasojat nga projekti i ashtuquajtur Shkupi 2014”. Ky ekip me gjashtë anëtarë u formua në korrik 2017 nga ministri i kulturës Robert Aladozovski, menjëherë pasi qeveria e Zaev hyri në pushtet. Grupi përbëhet nga profesorë universitarë të urbanizmit dhe historisë së artit, kritikë të artit, shkencëtarë politikë dhe presidenti i Shoqatës së Arkitektëve të Maqedonisë (AAM). Ata e kanë për detyrë ta përpilojnë një vlerësim të projektit “Shkupi 2014”, si dhe të ofrojnë zgjidhje dhe masa për veprime të mëtejme në lidhje me këtë trashëgimi.
Grupi Punues veç se i kishte përgatitur 12 studime dhe se kishte ardhur në përfundimin bazik se vendosja e monumenteve dhe skulpturave ishte bërë në mënyrë të jashtëligjshme që nga fillimi.
Grupi Punues filloi të punonte paralelisht me ndalesën zyrtare të shpenzimit të fondeve për këtë projekt, në bazë të vendimit që morri qeveria në gusht 2017, duke i ndaluar kështu 13 milion euro nga buxheti shtetëror. Qëllimi ishte të çohet një mesazh i qartë se qeveria e re me plot siguri do ta ndalte zbatimin e këtij projekti megaloman dhe do t’i hetonte të gjitha aspektet e ndërtimit të tij.
Në një përgjigje për K2.0 që e dërguan me email, Ministria e Kulturës thotë se Grupi Punues veç se i kishte përgatitur 12 studime dhe se kishte ardhur në përfundimin bazik se vendosja e monumenteve dhe skulpturave ishte bërë në mënyrë të jashtëligjshme që nga fillimi.
“Pa përjashtime, ishte një shkelje serioze e të gjitha ligjeve të zbatueshme që e rregullojnë ngritjen e monumenteve, e buxhetit dhe ligjit për prokurim, si dhe e ligjit për ndërtim dhe planifikim hapësinor dhe urbanistik”, shkruan ata në përgjigjen për K2.0.
Ministria gjithashtu pretendon se dëmi ishte shkaktuar për shkak të ngritjes së jashtëligjshme të monumenteve, duke filluar nga keqpërdorimi i fondeve, keqpërdorimi i pozitës zyrtare, ngritja e jashtëligjshme e kulturave duke i trajtuar ato si pajisje urbanistike dhe deri te shkelja më serioze, që në këtë rast është ulja e kompetencave të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë. Akuzat e tilla bartin implikime serioze financiare për buxhetet shtetërore dhe komunale.
Vendime të vështira dhe paqe e brishtë
Sipas Ministrisë së Kulturës, të gjitha monumentet po i nënshtrohen vlerësimit individual. Kur të përfundohen vlerësimet formale, Grupi Punues ka propozuar të fillohet heqja e disa monumenteve në përputhje me vlerësimet e tyre si pjesë e përpjekjeve për ta kthyer qendrën e Shkupit në gjendjen origjinale. Ende nuk është dhënë një kornizë kohore për këto veprime.
Në tetor 2018, Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e hapi një hetim rreth ndërtimit të urës “Oko” dhe dhjetëra skulptura të vendosura në sipërfaqe të tij, nën dyshimin se ishte kryer një krim i shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit publik. Kjo urë gjindet pranë urës së vjetër dhe të njohur, Urës së Gurit, e kështu e kufizon pamjen e saj nga bregu i lumit. Ura u ndërtua për t’i lidhur ndërtesat si pjesë e projektit “Shkupi 2014” në dy anët e lumit Vardar.
Njëkohësisht, në fillim të vitit 2016, Prokuroria Speciale Publike e hapi një hetim paraprak në lidhje me mënyrën e ndërtimit të monumenteve dhe skulpturave të “Shkupi 2014”, në mënyrë që të provohet se a janë kryer krime gjatë procesit. Zyra e tyre vazhdon të thotë se janë ende duke mbledhur dokumente dhe refuzon të jep përgjigje tjera për mediat.
Qeveria maqedone aktualisht nuk ka shprehur vullnet për të komentuar rreth asaj se çfarë do të ndodhë me projektin “Shkupi 2014” dhe trashëgiminë e tij. K2.0 dërgoi tri herë pyetje me email tek zëdhënësi Mile Bošnjakovski, por nuk morri përgjigje.
Ministria e Kulturës shkroi për K2.0 se “Grupi Punues do ta vazhdojë punën e tij”, ndërsa raportet finale do t’i dorëzohen Ministrit, i cili më pas do t’i dërgojë në qeveri. Nuk është dhënë ndonjë kornizë kohore pët këtë proces.
Për më tepër, disa nga mesazhet që erdhën nga qeveria janë paksa të diskutueshëm. Zëdhënësi Bošnjakovski tha në mes të qershorit të vitit 2018 se monumentet nuk do të largoheshin, por se do të shtoheshin përshkrime dhe shpjegime për secilën. Për shembull, monumentit “Ushtari në Kalë” do t’i shtohej një përshkrim që tregon se Aleksandri i Madh ishte një simbol i periudhës antike helenike dhe se është bërë simbol i miqësisë ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.
Mbase mungesës së informatave specifike që janë në dispozicion për këto përpjekje po i kontribuon periudha e ndjeshme në të cilën e gjen veten Maqedonia, kur kemi parasysh Marrëveshjen Finale për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë rreth emrit të shtetit të kësaj të parës. Në qershor 2018, Marrëveshja e Prespës u nënshkrua nga KM Zaev dhe homologu i tij grek Alexis Tspiras. Marrëveshja parashihte përfundimin e konfliktit 27 vjeçar për emrin, duke e ndryshuar emrin zyrtar të Maqedonisë nga Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, në Republika e Maqedonisë Veriore. Më 11 janar, Parlamenti Maqedon votoi për ta miratuar veprimin e ndryshimit të emrit të shtetit dhe tani mbetet të votojë parlamenti grek, i cili pritet të merr vendim deri në fund të muajit.
Për më tepër, siguria e brishtë që vazhdimisht është rrezikuar nëpërmjet protestave të shumta të partisë opozitare VMRO-DPMNE dhe protestave të partive të reja e organizatave radikale të krahut të djathtë, mund të shkaktojë trazira nëse qeveria vendosë të fillojë t’i heqë monumentet dhe skulpturat në të ardhmen e afërt.
Por nëse konflikti i kahmotshëm rreth emrit zgjidhet me sukses, Maqedonia do të kishte hapësirë për ta kthyer fokusin parësor tek çështja “Shkupi 2014” në gjysmën e parë të vitit 2019.
Gjithsesi duhet të merret parasysh legjislacioni që është në fuqi dhe shërben për ta mbrojtur arkitekturën historike. Neni 8 i Marrëveshjes së Prespës thotë se Maqedonia duhet të gjejë zgjidhje për çështjen e simboleve që janë pjesë e trashëgimisë historike dhe kulturore greke, përfshirë këtu monumentet që i përkushtohen Aleksandrit të Madh, Filipit të Dytë dhe heronjve tjerë antikë që tani paraqiten në qendër të Shkupit.
Në paragrafin 2 të këtij neni thuhet: “Brenda gjashtë muajve nga dita kur hyn në fuqi kjo marrëveshja, pala e dytë do ta rivlerësojë statusin e monumenteve, objekteve publike dhe infrastrukturës në territorin e saj dhe nëse ato i referohen në çfarëdo mënyre historisë dhe civilizimeve helenike, që përbëjnë një pjesë të trashëgimisë historike dhe kulturore të palës së parë, pala e dytë do të merr masa adekuate përmirësuese për ta adresuar këtë çështje në mënyrë efektive dhe për ta garantuar respektimin e trashëgimisë së tillë”.
Lojë me institucione
Studimet ekzistuese nga Grupi Punues shprehin në mënyrë eksplicite se procedurat për ngritjen e monumenteve janë kryer në mënyrë të jashtëligjshme që nga fillimi. Shkeljet më të mëdha u bënë në procesin e vendimmarrjes, gjatë së cilit qeveria e Nikola Gruevskit kishte arritur ta përjashtojë Parlamentin shtetëror, edhe pse Ligji për Përmendore (2004) i jep këtij organi autoritet të qartë për të marrë vendime për vendosjen dhe pamjen e monumenteve dhe simboleve.
Neni 4 i këtij ligji thotë: “Përmendoret, në kuptimin e këtij ligji, janë buste, skulptura, pllakëza, rubinete, fontana dhe objekte e ndërtime tjera artistike dhe arkitekturale”. Sipas kësaj pike, mund të konkludojmë se, mes tjerash, monumenti që i përkushtohet Aleksandrit të Madh, 24.5 metra i gjatë dhe i ngritur në sheshin qendror të kryeqytetit, nuk mund të jetë asgjë tjetër pos “një përmendore madhështore”. Megjithatë, Parlamenti nuk e diskutoi vendosjen e tij.
Vendosja kaotike dhe e jashtëligjshme e monumenteve dhe skulpturave për “Shkupi 2014” e solli bllokimin dhe uzurpimin e hapësirës publike në qendër të Shkupit. Foto: Bojan Blaževski.
Qeveria e kaluar djathtiste e VMRO-DPMNE e përdori Komunën Qendrore të Shkupit, të cilën e kontrollonte kjo parti, për ta ndërtuar këtë dhe monumente tjera; duke ia dhënë komunës të drejtën për të marrë vendime për monumente, ata e gjetën një paqartësi në legjislacion dhe arritën të vazhdojnë me ngritjen e monumentit. Gjegjësisht, komuna ka kompetencë për të marrë vendime për shënimin e ngjarjeve të rëndësisë lokale, prandaj e prezantuan vendosjen e monumenteve dhe skulpturave në këtë mënyrë.
Vendimin në lidhje me monumentin që i përkushtohet Aleksandrit të Madh e morrën më 30 nëntor, 2006. Vendimi përmend “një fontanë me një përmendore”. Është e qartë nga analiza e dokumenteve të atëhershme se monumenti i Aleksandrit të Madh nuk u inkorporua në program për shënimin e ngjarjeve dhe figurave të rëndësishme historike, por u bë post festum, më 5 shkurt, 2009, më shumë se dy vjet pasi u morr vendimi për vendosjen e tij.
Po ta kishin ndjekur procedurën ligjore, në bazë të Ligjit për Përmendore dhe Pamje të Kujtimit, në fazën e parë Parlamenti do ta kishte miratuar një program pesë vjeçar në vitin 2006 për shënimin e ngjarjeve të rëndësishme dhe figurave të mirënjohura, e pastaj do të kishte votuar për vendosjen e secilit monument dhe në fazën e ardhshme, Parlamenti do ta kishte themeluar Komisionin për Ngritjen e Përmendoreve.
Shpërfillja e vazhdueshme e ligjit nga ana e organeve shtetërore dhe vetëqeverisja lokale ishin të dallueshme gjatë vendosjes së të gjitha monumenteve dhe skulpturave si pjesë e projektit “Shkupi 2014”.
Më shumë komisione dhe marrje në pyetje
Arkitektët dhe urbanistët maqedonë janë të pakënaqur me qëndrimin që e kanë marrë autoritetet ndaj hapësirave publike në Shkup. Arkitekti Bekir Ademi thotë se monumentet dhe skulpturat që janë pjesë e projektit “Shkupi 2014” u dizajnuan me shpejtësi, jashtë sferës së kritereve urbanistike, arkitektonike dhe etike. Duke e përshkruar këtë proces për K2.0, Ademi thotë se monumentet “janë të shpërndara, si të kishin rënë nga qielli, të dekoruara ‘mirë’, nuk janë në proporcion me njëra tjetrën, janë të ngritura pa kontroll dhe nuk i përshtaten kohës aktuale”.
E ardhmja e pasigurt e projektit “Shkupi 2014” varet si shpata e Damocles mbi qeverinë social demokrate të Zoran Zaev.
Ai e kritikon projektin dhe beson se arkitektët dhe urbanistët nga Maqedonia janë pjesërisht përgjegjës për gjithçka që ka ndodhur në qendër të qytetit të Shkupit, sepse ata kanë dështuar të reagojnë me kohë.
E ardhmja e pasigurt e projektit “Shkupi 2014” varet si shpata e Damoklesit mbi qeverinë social demokrate të Zoran Zaev. Në këtë moment, ata po bashkëpunojnë me Komunën Qendrore dhe autoritetet e qytetit të Shkupit për t’i rishikuar më tej të gjitha aspektet e projektit “Shkupi 2014”, e pjesë e këtyre përpjekjeve është një komision komunal i përbërë kryesisht prej urbanistëve të cilët kanë për detyrë t’i vlerësojnë të gjitha planet urbanistike në qendër të qytetit. Konkluzionet e hetimeve që i arritën dy komisionet do të përkthehen në masa me të cilat do të merret qeveria, por nuk janë vendosur afate të qarta kohore.
Komisioni komunal gjithashtu ka për detyrë ta kryejë një rishikim të 31 planeve të përgjithshme urbanistike, përshirë këtu planin për qendrën e qytetit dhe atë që ishte pjesë e projektit “Shkupi 2014”.
Ndonëse Grupi Punues që po merret vetëm me projektin “Shkupi 2014” brenda Ministrisë së Kulturës konkludoi se monumentet dhe skulpturat nga ky projekt janë të jashtëligjshme dhe duhet të hiqen, komisioni komunal ende nuk e ka shqyrtuar “Unazën e Vogël”, planin urbanistik për qendrën e qytetit, kjo sipas Divna Penčić, profesoreshë e urbanizmit në Fakultetin e Arkitekturës së Universitetit në Shkup, e cila foli me K2.0.
Penčić, e cila është anëtare e Komisionit për Urbanizëm dhe Ekipit Vlerësues për të gjitha planet urbanistike në Komunën Qendrore, theksoi se Grupi Punues për Përgatitjen e Analizës për Realizimin dhe Pasojat e projektit të ashtuquajtur Shkupi 2014, që u formua si pjesë e Ministrisë së Kulturës, e kreu një vlerësim të projektit dhe përgatiti dokumente që janë dorëzuar tek Zoran Zaev.
“Marrëveshja ishte të fillohet me rishikimin e DUP ‘Unaza e Vogël”, pas publikimit të qëndrimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, pas rekomandimeve të komisionit”, shpjegon Penčić.
Aktualisht është në fuqi një moratorium mbi qendrën e qytetit, që u miratua nga Komuna Qendrore më 27 dhjetor, 2017. Moratoriumi ndalon ndërtime të reja dhe ngritjen e monumenteve dhe duhet të mbetet në fuqi deri sa të rishikohet plani urbanistik, bashkë me 30 plane tjera urbanistike.
Pavarësisht faktit se është investitori kryesor për projektin ndërtimor “Shkupi 2014”, Komuna Qendrore luajti rol vendimtar gjatë periudhës së sundimit të VMRO-DPMNE.
Siç deklaroi urbanistja Leonora Grčeva në punimin e saj ‘Shkupi 2014: degradimi i DUP ‘Unaza e Vogël’ në nëntë hapa’, komuna e ka ndryshuar planin urbanistik nëntë herë nga viti 2007 deri në 2012, duke shtuar lokacione të reja për ngritjen e monumenteve dhe skulpturave të reja.
Siç thuhet në disa rishikime të planeve urbanistike, Komuna duhet ta kryejë një rishikim të planit të saj urbanistik dhe në bazë të kësaj, të sugjerojë masa të reja, përfshirë këtu heqjen e monumenteve dhe skulpturave nga projekti “Shkupi 2014”.
Ekspertët e huaj dhe vendor, si dhe qytetarët, kanë propozuar alternativa për projektin “Shkupi 2014” që nga ditët e para të zbatimit të tij. Tani janë disa alternativa specifike që po merren parasysh. E para është të lihen monumentet aty ku janë dhe të legalizohen. Alternativa e dytë është të miratohet një zgjidhje e veçantë për çdo monument, prej të cilëve disa paraqesin karakterë nga kultura dhe civilizimi helenik dhe të vendosen mes zonave të këmbësorëve.
Dy alternativat e fundit përfshijnë zhvendosjen e monumenteve dhe skulpturave në parqe apo muze të dizajnuara për temën specifike, që më vonë do të konceptoheshin si përmbajtje për shënimin e anticizimit dhe ndryshimin e identitetit shtetëror nga e kaluara.
Alternativa më radikale është të hiqen krejtësisht monumentet dhe skulpturat e “Shkupi 2014”, të shkatërrohen bazamentet e tyre dhe të shkrihen skulpturat e formësuara, për të cilat u shpenzuan dhjetëra miliona euro.
Për më tepër, disa kryetarë të komunave të Maqedonisë deri më tani kanë kërkuar që monumentet që i nderojnë karakterët e rëndësishëm për komunitetet e tyre lokale të transportohen në komuna përkatëse. Për shembull, kryetari i komunës së Ohrit kërkoi zhvendosjen e monumentit që i përkushtohet Car Samuilit, perandorit të epokës së mesjetës i cili sundoi në një zonë të madhe të Ballkanit nga viti 976 deri në 1014, dhe e krijoi shtetin e Sllavëve të Jugut. Deri sot, nacionalistët kanë polemizuar për atë se a e krijoi Samuili Carizmin Maqedon, Carizmin e Bullgarisë Perëndimore apo Carizmin Bullgar.
Mbase Maqedonia mund të kërkojë zgjidhje në disa shembuj tjerë të ngjashëm, si shembulli i metropolit bullgar të Sofjes, ku tash e shtatë vite është themeluar Muzeu i Artit Socialist. Në vend se të shkatërrohet arti i skulptorëve nga epoka komuniste, në vitin 2011 autoritetet morrën vendim për t’i shfaqur ato në një objekt të renovuar të Ministrisë së Kulturës, ku qëndron sot monumenti që i përkushtohet Vladimir Ilič Lenjin, si dhe një tjetër që e paraqet liderin e parë komunist të Bullgarisë, Georgi Dimitrov dhe themeluesin e policisë sekrete sovjetike, Feliks Dzeržinski.
Në fund, alternativa më radikale është të hiqen krejtësisht monumentet dhe skulpturat e “Shkupi 2014”, të shkatërrohen bazamentet e tyre dhe të shkrihen skulpturat e formësuara, për të cilat u shpenzuan dhjetëra miliona euro.
Pengesa kryesore për heqjen nuk janë vetëm partia opozitare VMRO-DPMNE dhe mbështetësit e saj të krahut të djathtë, por edhe artistët e gjallë të cilët i dizajnuan monumentet në qendër të qytetit të Shkupit. Njëri prej tyre është Kiril Mukaetov – dizajneri i veprës së papërfunduar skulpturore të Nënës Terezë me motra, që është e lartë 20 metra, si dhe e një terrase dhe fontane në sheshin “Maqedonia”. Ai gjithashtu e punoi një monument të titulluar “mbrojtësit maqedonë” dhe disa skulptura të vendosura në Urën e Artit në Shkup.
Në një bisedë të shkurtër telefonike me K2.0, Mukaetov tha se ai nuk është ekspert për urbanizëm, e as për dokumente. “Unë jam artist”, tha Mukaetov, duke shtuar se nuk mund t’i luftojë vendimet që i merr Ministria e Kulturës, por theksoi se çdo skulpturë e ndjenë si fëmijë të vetin dhe se do t’i dhimbte po ta heqnin.
Ndonëse fillimisht e pranoi një ftesë për të folur më gjerësisht me K2.0 për këtë çështje, ai nuk deshi të thoshte më shumë se kaq.
Arkitekti Bekir Ademi thotë se duhet të kryhet një analizë përmbajtësore dhe të mbahet një debat me artistë dhe ekspertë të mirënjohur të Maqedonisë, të cilët do t’i vlerësonin të gjitha monumentet dhe skulpturat në bazë individuale. Ai beson se duhet të miratohen ligje speciale për projektin “Shkupi 2014”, në bazë të një analize të thellë të ekspertëve.
“Arti nuk mund të trajtohet gjithmonë nga ligji”, theksoi ai. “Secili vendim i nxituar mund të jetë dëmtues, siç ishte projekti ‘Shkupi 2014’”.K
Foto kryesore: Bojan Blaževski