Në thelb | Drejtësi

Vendimi që dështoi t’i zbulojë sulmuesit e Kuvendit

Nga - 23.03.2018

Vendimi i Gjykatës Themelore për rastin e terrorizmit anulohet në mungesë të provave.

Dy persona mbi një motoçikletë u panë teksa u larguan me shpejtësi në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016, kur ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u godit me raketahedhës.

Por as pas më shumë se 18 muaj pas kësaj ngjarjeje, sistemi i drejtësisë nuk arriti të tregojë se kush ishin ata që u tha se sulmuan ndërtesën e Parlamentit.

Kjo pavarësisht faktit se pesë persona ishin arrestuar vetëm pak ditë pas incidentit.  Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Astrit Dehari – në atë kohë të gjithë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje – ishin të arrestuarit.

Katër nga ta, Arifin, Halitin, Krasniqin dhe Batushën, në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Themelore e Prishtinës (apo ‘gjykata e shkallës së parë’) i shpalli fajtorë për akt terrorist. Ndërsa Astrit Dehari gjeti vdekjen në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016, ku po mbahej në paraburgim,  pa aktakuzë ndaj tij.

Fillimisht Frashër Krasniqi u dënua me tetë vjet burg, Atdhe Arifi me gjashtë, Egzon Haliti me pesë dhe Adea Batusha me dy vjet burg. Në vendimin e Gjykatës Themelore u argumentua se sulmi kishte për qëllim të ushtrojë presion ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të mos e ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Por edhe vendimi fajësues ndaj aktivistëve vetëm dy muaj pasi u shpall nga Gjykata Themelore,  apo më saktësisht më 26 shkurt 2018, u hodh poshtë nga një panel i gjykatësve të Gjykatës së Apelit që vendosën ta kthenin rastin në rigjykim. Kjo meqë erdhën në përfundim se vendimi i Gjykatës Themelore dështoi të ofronte dëshmi bindëse për të arsyetuar fajësinë e të pandehurve.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se Gjykata Themelore nuk prezantoi “justifikim të plotë dhe të qartë” për vendimin e fajësisë, i cili sipas panelit nuk ishte përpiluar “në përputhje me dëshmitë”.

“Gjykata e shkallës së parë e përshkruan tërë procesverbalin në vendim por nuk ofron analizë të dëshmive, apo diçka që do të shërbente për t’i mbështetur akuzat e parashtruara kundër katër aktivistëve”, shkruan në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Por cilat janë provat me të cilat Gjykata Themelore, përmes gjyqtarit Beqir Kalludra,  dënoi aktivistët për terrorizëm dhe që u hodhën poshtë më pas nga Apeli.

Kontradiktat dhe provat rrethanore

Vendimi i Gjykatës Themelore ishte i fokusuar në veçanti në pronësinë e motoçikletës e cila supozohet se është përdorur për sulmin, në një shkresë elektronike e cila supozohet se është dërguar nga një telefon Samsung dhe në të cilën merrej përgjegjësi për sulmin, si dhe thirrjet telefonike ndërmjet të pandehurve.

Një motoçikletë me ngjyrë të kuqe YAMAHA 125 cc ishte shtylla e padisë së prokurorit Abdurrahim Islami kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Prokurori pretendonte – dhe ky pretendim mbështetej nga vendimi i Gjykatës Themelore – se motoçikleta u ble nga të pandehurit Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, si dhe nga i ndjeri Astrit Dehari, dhe u përdor për ta kryer sulmin në natën e 4 gushtit të vitit 2016. Më vonë motoçikleta u gjet e djegur në lagjen Taukbahçe po të njëjten mbrëmje.

Në seancën e paraburgimit në fillim të procesit gjyqësor, Atdhe Arifi pranoi se ai ishte pronari i motoçikletës. Megjithatë, ai më pas e ushtroi të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje dhe  kështu Gjykata Themelore asnjëherë nuk e qartësoi atë se a e kishte përdorur, huazuar apo shitur motoçikletën pasi ishte bërë pronar i saj, apo, me fjalë të tjera, nuk e bëri të qartë lidhjen mes pronësisë dhe përdorimit të motoçikletës për sulmin në fjalë ndaj Kuvendit.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se argumentet e gjykatësit Kalludra, të cilat i lidhën të pandehurit me motoçikletën, ishin kontradiktore, dhe nuk ofruan dëshmi bindëse për t’i lidhur të pandehurit me përdorimin e saj gjatë sulmit.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, paneli i gjykatësve deklaroi se Gjykata Themelore u tregua e njëanshme gjatë përdorimit të dëshmive të dhëna nga dëshmitarët.

Ky vendim gjithashtu vë në dyshim pohimin e Gjykatës Themelore për atë se si dhe nga kush ishte marrë motoçikleta. Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, Arifi, Haliti dhe i ndjeri Dehari, e kishin blerë motoçikletën afër ETC-së në Fushë Kosovë, nga një person i quajtur Heset Ramadani, më 17 korrik 2016, për 500 euro.

Vendimi i Gjykatës Themelore i referohet dëshmisë së Ramadanit të dhënë më 6 gusht 2016, i cili deklaroi se motoçikleta e djegur të cilën ia tregoi Policia e kishte të njëjtën pjesë metalike në pjesën e pasme dhe ishte e njëjta ngjyrë si ajo që e kishte shitur ai më 17 korrik, 2016. Ai gjithashtu pohoi se motoçikletës po i mungonte një bulon në të njëjtin vend si asaj që e kishte shitur si dhe dhe se një copëz e shkëputur e metalit në anën e djathtë të pjesës së pasme të motoçikletes. Këtë Gjykata Themelore e përshkroi si karakteristikë identike.

Megjithatë, pavarësisht sigurisë së tij në lidhje me motoçikletën, në seancën gjyqësore të mbajtur më 22 gusht 2017, Ramadani nuk arriti ta identifikojë me sisguri të plotë Atdhe Arifin dhe Egzon Halitin. Gjykata e Apelit erdhi në përfundim se dëshmia e Ramadanit “nuk duhej të merrej si dëshmi rënduese nga Gjykata Themelore, por duhej të merrej si dëshmi lehtësuese në favor të të pandehurve, meqë u ndryshua gjatë procedurës dhe nuk ishte bindëse”.

Një tjetër dëshmitar që nuk i identifikoi të pandehurit ishte Egzon Metolli, i cili ishte dëshmitar i sulmit. Ai pretendoi se i kishte parë dy sulmuesit duke ikur me motoçikletë. Ai tha se njëri kishte në kokë një helmetë, e tjetri ishte pa flokë.

Më 27 shtator në Gjykatën Themelore të Prishtinës Metolli tha gjatë gjykimit: “Ju keni marrë njerëz të cilët nuk i kam parë duke e vozitur atë motoçikletë. Ju kam thënë edhe më herët. Ata ishin më të mëdhenj dhe asnjëri prej këtyre nuk duket si ata. Unë i kam parë. Pas krismës, dy njerëz menjëherë kanë kaluar aty me motoçikletë”.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit paneli i gjykatësve deklaroi se Gjykata Themelore u tregua e njëanshme gjatë përdorimit të dëshmive të dhëna nga dëshmitarët dhe se ajo e injoroi parimin ligjor in dubio pro reo, që do të thotë se të gjitha dëshmitë apo deklaratat jobindëse shkojnë në favor të të pandehurve.

‘Rugovasit’ dhe thirrjet telefonike

Argumenti i dytë mbi të cilin bazohej verdikti fillestar ndaj aktivistëve lidhej me një shkresë elektronike e cila u dërgua nga një llogari me emrin ‘rugovasit12@gmail.com’ më 5 gusht 2016, një ditë pas sulmit në Kuvend. Kjo shkresë u dërgua te të gjitha mediat. Në të merrej përgjegjësi për sulmin dhe kërcënohej për veprime të mëtejme në rast të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit.

Në vendimin e Gjykatës Themelore u tha se, sipas Google, llogaria e postës elektronike u hap më 29 korrik 2016 dhe u përdor vetëm një herë më 5 gusht. Gjykata Themelore pretendonte se shkresa elektronike u dërgua nga një telefon Samsung i cili u ble nga Adea Batusha për 15 euro nga një shitës në rrugë afër Hotel Swiss Diamond rreth mesditës së 5 gushtit të vitit 2016.

Më tej thuhet se Batusha shkoi me taksi në apartamentin e Frashër Krasniqit në lagjen Mati I në Prishtinë, dhe më pas të dy shkuan te Fakulteti Teknik prej ku e dërguan së bashku shkresën elektronike.

Për t’i mbështetur këto pretendime, në vendimin e Gjykatës Themelore u përshkruan edhe deklaratat e dëshmitarëve Naser Mustafa dhe Remzi Zogjani.

Në deklaratën e tij për prokurori Mustafa tha se ai ia kishte shitur telefonin një vajze 25-26-vjeçare, dhe e përshkroi atë si vajzë me flokë deri te krahët, me fytyrë të bardhë dhe të shëndoshë, me vetulla të zeza, me fustan ngjyrë krem, me syze të diellit, e cila fliste shqip rrjedhshëm dhe me theks të Prishtinës.

Për më tepër, Prokuroria i dha theks deklarates së Mustafës në të cilën ai tha se vajza e cila e bleu telefonin kishte pyetur nëse telefonit i punon interneti dhe nëse ajo mund të dërgonte shkresa elektronike me atë telefon dhe se Mustafa kishte demonstruar si mund ta bënte ajo këtë.

Përveç që vënë dyshim mbi disa prej argumenteve kyçe të vendimit fillestar, paneli i gjykatësve të Gjykatës së Apelit gjithashtu erdhi në përfundim se janë shpërfillur disa pjesë tjera kyçe të dëshmive.

Deklarata e Zogjanit u përdor si dëshmi që Batusha kishte udhëtuar deri në apartamentin e Krasniqit menjëherë pasi e kishte blerë telefonin. Në deklaratën e tij, Zogjani, vozitës i taksit, e përshkroi vajzën të cilën e kishte vozitur si 20-25-vjeçare, e veshur me fustan, me syze dielli, me flokë deri te krahët, dhe me një qese në dorë. Ai gjithashtu tha se ajo kishte kërkuar ta çonte deri te rruga “Tringë Smajli”.

Megjithatë, kur e panë Batushën në dhomën e gjykimit, Mustafa dhe Zogjani nuk mund të dëshmonin me siguri se vajza në fjalë ishte Adea Batusha.

Si për Heset Ramadanin, në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se dëshmitë e Mustafës dhe Zogjanit “nuk është dashur të merren nga Gjykata Themelore si dëshmi rënduese, por është dashur të merren si dëshmi lehtësuese në favor të të pandehurve, meqë ato ndryshuan gjatë procedurës dhe nuk ishin bindëse”.

Vendimi i Gjykatës Themelore gjithashtu përdori dëshmitë e inçizimeve të kamerave të sigurisë, në të cilat Gjykata pretendoi se shihet Batusha duke e blerë telefonin dhe duke shkuar deri te apartamenti i Krasniqit. Megjithatë, FBI (të ftuar nga prokurori shtetëror për të ofruar ekspertizën e tyre në hetim) deklaruan se është e pamundur të identifikohet ndonjë person në pamjet të cilat ishin dërguar për ekzaminim.

Paneli i Gjykatës së Apelit thekson se vendimi i Gjykatës themelore “nuk i vlerësoi dëshmitë në lidhje me identifikimin, dhe vendimi është i shkruar në kundërshtim me raportin e FBI-së”.

Vendimi i Gjykatës Themelore iu referua komunikimit ndërmjet Krasniqit dhe Batushës në lidhje me shqetësimet dhe pagjumësinë, duke pretenduar se këto biseda tregojnë gjendjen e tyre pas sulmit.

Gjykata e Apelit nuk pajtohet. Ajo vlerësoi se bisedat në telefon, të cilat Gjykata Themelore e Prishtinës i konsideroi si bazë për dëshmi kundër Frashër Krasniqit dhe Adea Batushës, nuk kishin përmbajtje inkriminuese.

Situatë e pasqaruar

Përveç që vë dyshim mbi disa prej argumenteve kyçe të vendimit fillestar, paneli i gjykatësve të Gjykatës së Apelit gjithashtu erdhi në përfundim se janë shpërfillur disa pjesë të tjera kyçe të dëshmive.

Në vendimin e saj thuhet: “Gjykata edhe gjendjen faktike nuk e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, nga provat e administruara gjykata i ka dhënë rëndësi vendimtare blerjës së një motorri, të një telefoni dhe në fund të një emaili për marrjen e përgjegjësisë nga ana e të akzuarve për sulmin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës dhe nuk i merr për bazë provat shfajësuese të paraqitura nga Gjykata”.

Paneli veçanërisht thekson ekzaminimin e dytë të FBI-së në lidhje me identifikimin. FBI deklaroi se nuk kishte gjetur ADN-në që i përkiste të pandehurve në mortajën e përdorur gjatë sulmit. Ata më tej deklaruan se ADN-ja e gjetur në të nuk është e species së njeriut.

Në ankesën e dorëzuar te Gjykata e Apelit nga avokati i Frashër Krasniqit, Tomë Gashi, u tha se të pandehurit do të kërkojnë dëmshpërblim për dëmtim emocional dhe të reputacionit. Sipas Gashit, Gjykata nuk e përmendi asnjë dëshmi të artikulueshme apo justifikim për vendimin për t’i shpallur aktivistët fajtorë. “Vështirë është edhe të kuptohet, duke marrë parasysh përzierjen e termave dhe justifikimeve”, thuhet në ankesën zyrtare të Gashit.

Para se të ipen përgjigje në lidhje me dëmshpërblimet, rasti fillimisht do të shkojë në rigjykim. Për këtë, paneli i Gjykatës së Apelit ka këshilla të rëndësishme.

Me sa duket kjo pikëpamje mbështetet edhe nga vendimi i Gjykatës së Apelit, e cila e vlerësoj vendimin si të “paqartë dhe të pakuptueshëm”.

“Gjykata nuk ofron justifikime të qarta të cilat lidhen me fakte bindëse”, thuhet në vendim. “Gjithashtu ka kontradikta ndërmjet përmbajtjes së justifikimeve, shkrimeve, procesverbaleve dhe raporteve, si dhje deklarimit të të dhënave gjatë procedurës”.

Para se të jepen përgjigje në lidhje me dëmshpërblimet, rasti fillimisht do të shkojë në rigjykim. Për këtë, paneli i Gjykatës së Apelit ka këshilla të rëndësishme: “Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet t’u shmanget të gjitha shkeljeve të përmendura në këtë vendim, në një mënyrë që i mundëson gjykatës t’i eliminojë të gjitha kontradiktat në lidhje me arsyet dhe faktet bindëse”.

Në vendim thuhet më tej se “gjykata duhet ta marrë parasysh veçanërisht ekspertizën e identifikimit… dhe t’i aplikojë të gjitha dëshmitë që lidhen me të pandehurit, si dhe lidhjet ndërmjet tyre, para se të vijë në përfundime të bazuara në ligj”.

Dhe derisa kjo të mos ndodhë, i vetmi fakt i cili mund të merret parasysh aktualisht është ai se sistemi i drejtësisë në Kosovë deri më tani ka dështuar t’i identifikojë sulmuesit e Tempullit të ashtuquajtur të Demokracisë së Kosovës.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Redaktuar nga Jack Robinson.