Në ethe, në një bodrum të një shtëpie, strehohej me familjen e saj Ganimete Pireva-Musliu, atëherë 28-vjeçare. Ata e kishin kaluar luftën në lagjen e Spitalit në Prishtinë që atëbotë dukej larg nga ajo që është sot.
Ganja, sikur e thërrasin të afërmit, ishte shtatzënë përgjatë vitit 1999.
“Dy netë përpara se me nisë bombardimet, pra më 22 mars, nisën këmbësoria me gjujtë e me kallë. U çu krejt lagja e dolën jashtë, e unë nejta me pritë burrin”, thotë ajo. Burri i punonte si përkthyes me “Mjekët Botërorë”. “Kur i ka ra NATO në pjesën ku sot është Pallati i Drejtësisë, o zot çfarë gëzimi”, kujton Ganja.
Mëngjesin e 1 majit, Ganja e kishte çelur me dhimbje. Ishte gati të lindte. Shoqata “Nëna Terezë” në Lagjen e Spitalit ishte bastisur një natë më herët nga forcat policore serbe dhe asnjë gjë s’kishte mbetur që t’i gjindej dy mamive për lindje, të cilat i kishte siguruar më herët.
“Kam lindë në bodrum. E di që ka qenë fllad, po mamiat i kanë pasë veç një palë dorëza edhe [aparat] me ma matë tensionin, kurgjo tjetër. Kurgjo s’kishin mujtë me rujtë prej policisë. Unë e di që herë më bike të fiktë, herë u kthjellsha, edhe shyqyr zotit më lindi Alba”, kujton Ganimetja.
Prej 22 marsit deri më 12 qershor, ata kishin qëndruar në atë bodrum, ku të paktën lajmet mund t’i dëgjonin në disa gjuhë, anglisht, serbisht e frangjisht, pasi bashkëshorti i fliste të gjitha. Ditët i kalonin me frikë.
“I patëm mshelë dritaret me batanije, na nuk e dishim çka ka jashtë. O zot m’u tek me besu dikush osht jashtë, e shumë kishim frikë. Sidomos natën e nënshkrimit të Marrëveshjes në Kumanovë. Tërë natën me kunatën që kishte fëmijë të vogël, i kemi qitë fëmijët në një djep edhe i kemi përkund që mos me qajtë e me bo zhurmë se u frigojshim nga hakmarrja e [forcave] serbë atë natë”, rrëfen ajo.
Teksa trupat britanike më 12 qershor 1999 po shpërndaheshin lagjeve të Prishtinës, Ganja rrinte brenda bodrumit. Ndërkohë, dëgjoi zërin e një gruaje përballë saj, që kishte mbetur e ngujuar gjithashtu në Prishtinë, e cila kishte dalë në ballkon dhe kishte parë NATO. “Ka dalë ajo kojshikja e po thirrë, po thotë hajde se NATO. Unë ja bojsha ‘a je sigurt se po na qet para policie serbe’, ajo bojke be që ka ardhë NATO”, tregon e qeshet Ganja.
“E kam marrë burrin, çikën e kam lanë brenda në shtëpi me të tjerët. Paramendo e harrova gajlen e çikës prej gëzimit të madh. Me burrin kemi shku atje ku sot është shkolla ‘Pavarësia’ edhe kemi pa trupa të NATO. O zot çfarë gëzimi… jemi përqafë e jemi gëzu sa s’di”, kujton sot, Ganja tash 52-vjeçare.