Në pesë vitet e fundit, tema e ‘Asociacionit’ apo ‘Bashkësisë’ së Komunave me Shumicë Serbe ka qenë një prej çështjeve më të diskutueshme politike në Kosovë. Marrëveshja për të u arrit në vitin 2013 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si pjesë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për ‘normalizimin’ e marrëdhënieve ndërmjet dy fqinjve. Por ajo ka shkaktuar debat shumë kundëthënës, madje edhe protesta e arrestime.
Pasi situata rreth kësaj çështjeje ishte qetësuar relativisht për një kohë, në javët e fundit Asociacioni është kthyer në majë të agjendës politike dhe mediale. Më 23 mars, pas një takimi me presidentët përkatës të Kosovës dhe Serbisë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federika Mogerini, tha se kemi “nevojë urgjente” ta nisim themelimin e Asociacionit.
Tri ditë më vonë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, dhe lajmëruan themelimin e “një Grupi Punues të gjerë dhe institucional”, i cili do të kontribuojë për themelimin e statutit që përcakton Asociacionin – hap kyç ky drejt formimit të tij.
Deri sa të përfundohet statuti, natyra e saktë e Asociacionit nuk do të dihet.
Në të njejtën ditë, kreu i delegacionit të Serbisë në dialog, Marko Gjuriq, u arrestua dhe u mbajt në Kosovë. Ngjarjet rreth këtij incidenti bënë që partia e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, të hiqte dorë nga koalicioni qeverisës dhe ta caktojë një ultimatum në lidhje me Asociacionin. Ata e njoftuan Qeverinë e Kosovës dhe ‘shtetet Perendimore’ se nëse nuk formohet Asociacioni deri më 20 prill, serbët e Kosovës atë do ta formonin vetë, në mënyrë të njëanshme.
Një javë më vonë, më 4 prill, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, lajmëroi se ai e kishte ‘riaktivizuar ekipin e menaxhimit’ i cili do ta shkruante statutin e Asociacionit. E të nesërmën (5 prill) u publikua deklarata e Shërbimit Europian për Veprime të Jashtme (EEAS), në të cilën u tha se statuti ishte duke u shkruar dhe se do të përfundohej brenda 4 muajve.
Deri sa të përfundohet statuti, natyra e saktë e Asociacionit nuk do të dihet. Por meqë kjo çështje me gjasë do të jetë temë e shpeshtë në politikën kosovare, K2.0 e ka analizuar atë në mënyrë të thuktë, duke pasqyruar atë që dimë aktualisht, dhe arsyet përse kjo çështje është bërë kaq e ndërlikuar dhe e diskutueshme.
Çfarë dimë sigurtë për Asociacionin në këtë pikë?
Synimi është që ai të përfshijë fillimisht 10 komuna të Kosovës me popullsi shumicë serbe. Komunat pjesëmarrëse brenda Asociacionit parashihet të “bashkëpunojnë dhe të marrin pjesë në ushtrimin e pushtetit të tyre në mënyrë kolektive”, në përputhje me Kartën Europiane për Vetëqeverisje Lokale dhe legjislacionin ekzistues të Kosovës.
Përtej kësaj, niveli i pajtimit duket i ulët dhe hollësitë janë të paqarta.
A nuk është përcaktuar gjithçka në Marrëveshjen e Brukselit?
Jo. Sa i përket nivelit të pushtetit të Asociacionit, gjuha e përdorur në Marrëveshjen e Brukselit (2013) është përshkruar nga shumë opinionistë si “paqartësi konstruktive” – ideja që të dyja palët të kenë mundësi t’ua shesin politikisht marrëveshjen qytetarëve të tyre përkatës, pa e dëmtuar reputacionin e liderëve, për të lëvizur më pas në fazën e ardhshme të integrimit europian. (Pas përfundimit të marrëveshjes, Komisioni Europian i rekomandoi formalisht shteteve anëtare të BE-së të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE si dhe negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën).
Në thelb, ndonëse gjashtë pikat e para nga 15 pikat e Marrëveshjes së Brukselit kanë të bëjnë me Asociacionin, gjuha e përdorur në lidhje me pushtetin e Asociacionit lejon që marrëveshja të interpretohet në mënyra të ndryshme.
Çfarë hollësish të tjera janë publikuar që atëherë?
Pati shumë vonesa, dhe kjo bëri që deri në fillim të vitit 2015 të mbesin pa u zbatuar disa pjesë të Marrëveshjes së Brukselit, duke përfshirë këtu çfarëdo lloj progresi në lidhje me Asociacionin. Për shkak se Serbia u frustrua me këto vonesa të negociatave për anëtarësim në BE, dhe se themelimi i Asociacionit është parakusht, u vendos të mbahen përsëri bisedime në Bruksel. Fokusi i këtyre bisedimeve ishte në marrëveshjen në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Kosovës, në heqjen e pengesave të Serbisë në lidhje me zbatimin e një marrëveshjeje për energji elektrike, në heqjen e barrikadës nga ura mbi Lumin Ibër në Mitrovicë, dhe sigurisht, në Asociacion.
Pas vetëm dy raundeve të negociatave, në gusht 2015 u arrit një marrëveshje mbi ‘Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore’ për themelimin e Asociacionit, një dokument i paparashikuar në Marrëveshjen origjinale të Brukselit.
Ky dokument kishte pesë faqe në të cilat kishte hollësi në lidhje me gjashtë fusha të formimit të Asociacionit. Ai ishte një udhërrëfyes për strukturën ligjore dhe organizative, dhe kapacitetet e objektivat e Asociacionit, si dhe marrëdhëniet e tij me autoritetet qendrore, dhe çështjet e buxhetit dhe të mbështetjes.
E tash, siç duket, po arrijmë diçka…
Jo edhe aq. Delegacionet përkatëse të Serbisë dhe të Kosovës në Bruksel e quajtën të suksesshme marrëveshjen mbi Parimet e Përgjithshme, por me sa duket kishin interpretime të ndryshme për përmbajtjen e saj.
Kur u kthye nga Brukseli, Kryeministri i atëhershëm (dhe Presidenti i tanishëm) i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha për Radio Televizionin e Serbisë se Asociacioni do të ketë “pushtet shumë të gjerë” dhe “do të vendosë për katër çështjet e Marrëveshjes së Brukselit: shëndetësi, arsim, planifikim urban dhe rural, dhe zhvillim ekonomik”.
Qeveria kosovare e kundërshtoi me shpejtësi këtë interpretim të tekstit. Në një përmbledhje të pakos së Marrëveshjes së Brukselit e cila u publikua nga Qeveria e Kosovs deklarohej kategorikisht: “Asociacioni nuk do të ketë fuqi ekzekutive dhe nuk do të jetë shtresë e tretë e qeverisjes në Republikën e Kosovës”.
Në bisedë me Klan Kosovën, ministri i jashtëm i Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi, deklaroi: “Pala serbe nguli këmbë që Asociacioni të ketë fuqi ekzekutive, por në fund u arrit një marrëveshje e cila e koncepton Asociacionin më shumë si organizatë joqeveritare. Delegacioni serb ishte shumë i pakënaqur, por në fund e nënshkroi marrëveshjen”.
10 komunat të cilat do ta përbëjnë Asociacionin janë: Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani, Shtërpca, Kllokoti, Graçanica, Novobërda, Ranillugu dhe Parteshi.
E serbët në Kosovë? Çka mendojnë ata për Asociacionin dhe pushtetin e tij?
Pavarësisht faktit se janë njëri prej grupeve më të ndikuara nga Asociacioni, zërat e serbëve të Kosovës janë dëgjuar rrallë kur ata janë shprehur në lidhje me Asociacionin, sepse diskutimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë mbajtur në nivel të lartë politik.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 dhe hapave të parë drejt zbatimit të saj, u mbajtën protesta në veri të Kosovës. Kryetari i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, tha gjatë një fjalimi në protestë se “synimi kryesor i tubimit është të tregojmë se Kosova nuk ishte për t’u shitur e për t’u falur”. Ai vazhdoi duke i përshkruar përfaqësuesit e Serbisë në Bruksel, Kryeministrin e atëhershëm, Ivica Daçiqin, dhe zëvendësin e tij në atë kohë, Aleksandar Vuçiqin, si “tradhëtarë”, për shkak të marrëveshjeve jopopullore që po i bënin ata në emër të serbëve të Kosovës.
Fokus-grupet e mbajtura me serbët e Kosovës nga Grupi i Ballkanit për Hulumtim të Politikave në vitin 2016 lanë të kuptohet se serbët në Kosovë kryesisht kanë pak informata për Asociacionin dhe kanë koncept të paqartë për kërkesat e tyre në lidhje me Asociacionin. “Serbët kryesisht theksojnë se Asociacioni duhet të ketë fuqi ekzekutive, por mungon një kuptim i qartë për këtë nocion”, shkruan në raport. “Pjesa më e madhe e tyre kanë vështirësi ta artikulojnë përmbajtjen e ‘fuqisë ekzekutive’ dhe ndikimin praktik të saj”.
Hulumtimet gjithashtu theksojnë se në mesin e komunitetit serb të Kosovës ka shumë skepticizëm në lidhje me këtë çështje, për shkak se ata nuk besojnë se në fund Asociacioni do të ketë fuqi të mëdha.
Çka thuhet në Parimet e Përgjithshme në lidhje me pushtetin e Asociacionit?
Në pjesën “Objektivat” të Parimeve të Përgjithshme, ku diskutohen kompetencat dhe funksionet e Asociacionit, janë caktuar disa synime mjaft të drejtpërdrejta, të ngjashme me ato të Asociacionit të Komunave të Kosovës: ajo është organizatë jofitimprurëse që ka ekzistuar në Kosovë prej vitit 2001 dhe e cila ka për synim “krijimin e qeverive lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike”
Këtu përfshihet “fuqizimi i demokracisë lokale”, “zhvillimi, koordinimi dhe lehtësimi i aktiviteteve të zhvillimit dhe hulumtimit” dhe “vlerësimi i zbatimit të shërbimeve publike”.
Megjithatë, gjërat ndërlikohen më tej me praninë e katër pikave të cilat e kanë bazë Marrëveshjen e Brukselit 2013 dhe të cilat i cekin fushat në të cilat Asociacioni do të “ushtrojë mbikëqyrje të plotë”, veçanërisht në fushat e zhvillimit lokal ekonomik, arsimit, shëndetësisë lokale primare dhe sekondare, dhe shërbimeve të kujdesit shoqëror, dhe koordinimit të planifikimit urban dhe rural.
Çka do të thotë ‘do të ushtrojë mbikëqyrje të plotë’?
Pikërisht – kjo frazë me gjasë është kyçe.
Kundërshtarët e Asociacionit në Kosovë tashmë ishin shprehur se ‘të kesh mbikëqyrje të plotë’ (gjuha e përdorur në Marrëveshjen e Brukselit 2013) në fusha të tilla do të thotë të krijosh një shtet brenda shtetit, duke e etiketuar këtë proces si ‘boshnjakëzim’ të Kosovës. Ky term u përshkrua në raportin e Grupit të Ballkanit për Hulumtim të Politikave si referencë për “strukturat e ndarjes së pushtetit në Bosnjë dhe Hercegovinë ndërmjet Federatës dhe Republika Srpska, të cilat njihen për faktin se e kanë bërë të vështirë – nëse jo të pamundur – zhvillimin e punëve shtetërore në këtë vend”.
Ndryshimi i foljes ‘të ketë’ me ‘të ushtrojë’ para frazës ‘mbikëqyrje të plotë’, i cili u bë në vitin 2015, vetëm sa e shtoi frikën në lidhje me këtë çështje specifike.
Kuptimi i kësaj fraze do ta identifikojë marrëdhënien ndërmjet Asociacionit dhe komunave pjesëmarrëse në të, sepse kjo marrëdhënie ende ka mbetur e papërcaktuar në të gjitha marrëveshjet në lidhje me Asociacionin, pavarësisht rëndësisë jetike të saj.
Një pjesë e interpretimeve të ndryshme me sa duket buron nga përkthimet e ndryshme nga teksti i gjuhës angleze (versioni i cili u nënshkrua nga të dyja palët), por nuk mund të themi me siguri se sa kjo marrëveshje është keqinterpretuar qëllimisht nga politikanët.
Në një raport për Parimet Udhëzuese, OJQ-ja kosovare Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI) në Kosovë theksoi se përveç ndryshimit të foljes, problematik ishte fillimisht edhe vet nocioni ‘mbikëqyrje të plotë’ në Marrëveshjen e Brukselit. Ata gjithashtu cekën se kjo pjesë ishte përkthyer në mënyra të ndryshme në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe – përkthimi serb (‘pun nadzor’) anon më shumë nga mbikëqyrja e plotë.
Raporti gjitashtu thekson se kuptimi i kësaj fraze do ta identifikojë marrëdhënien ndërmjet Asociacionit dhe komunave pjesëmarrëse në të, sepse kjo marrëdhënie ende ka mbetur e papërcaktuar në të gjitha marrëveshjet në lidhje me Asociacionin, pavarësisht rëndësisë së saj jetike.
A janë dhënë udhëzime në lidhje me kuptimin e kësaj shprehjeje?
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka dhënë interpretimin e saj…
Gjykata Kushtetuese…? Prit…
Asociacioni është kundërshtuar në Kosovë prej kur u arrit Marrëveshja e Brukselit në vitin 2013. Kur u ratifikua Marrëveshja në Kuvendin e Kosovës, në seancë protestoi partia opozitare Vetëvendosje. Gjithashtu, 300 protestues e rrethuan ndërtesën dhe u kryen rreth 30 arrestime, pasi që aktivistët dhe deputetët e partisë u përpoqën ta parandalojnë ratifikimin.
Lëvizja Vetëvendosje i ngriti disa çështje si shqetësuese, duke përfshirë këtu pretendimin se krijimi i një Asociacioni me ‘mbikëqyrje të plotë’ të fushave kyçe të qeverisjes do ta krijonte një rajon autonom serb brenda Kosovës i cili do ta sakatonte sovranitetin e shtetit të ri dhe do të kontribuonte edhe më tej në ndarjen etnike. Ata gjithashtu e kundërshtuan një pikë të marrëveshjes në të cilën thuhej se katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës do ta kishin nga një serb të Kosovës si komandant rajonal policor, dhe se ata do të zgjedheshin nga një listë e kandidatëve të nominuar nga Asociacioni.
Ata argumentonin se Marrëveshja ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dokument i cili ka dispozita specifike për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera pakicë. LVV-ja kërkoi që Marrëveshja të rishikohej nga Gjykata Kushtetuese.
E pastaj u përfshi Gjykata Kushtetuese?
Jo. Gjykata e refuzoi kërkesën e LVV-së. Megjithatë, në vitin 2015, pasi u publikuan Parimet Udhëzuese shpërthyen protesta edhe më të mëdha. Vetëvendosjes iu bashkuan partitë opozitare të asaj kohe, AAK-ja dhe Nisma.
E përballur me një krizë politike, Presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga, i dërgoi Parimet Udhëzuese për rishikim në Gjykatën Kushtetuese, për ta vlerësuar përputhshmërinë e tyre “me frymën e Kushtetutës”, kërkesë kjo e cila u pranua.
Mirë, por çka thotë gjykata për kuptimin e shprehjes ‘të ushtrojë mbikëqyrje të plotë’?
Në vendimin e gjykatës ky nocion përshkruhet si “i paqartë”. Gjykata rekomandon që formulimi i përdorur në statut të jetë në përputhje me formulimin në Marrëveshjen e Brukselit – “të ketë mbikëqyrje të plotë”, frazë të cilën gjykata e përcakton si “të jetë i informuar për…”. Ky interpretim aludon se Asociacioni nuk do të ketë fuqi ekzekutive.
A ishte kjo e vetmja çështje për të cilën gjykata mendonte se ka nevojë për qartësim?
Jo. Gjykata gjeti se secili kapitull i Parimeve Udhëzuese nuk përputhej krejtësisht me standardet kushtetuese, veçanërisht sa i përket buxhetit, marrëdhënieve me autoritetet qendrore në Kosovë dhe strukturës organizative.
Shumë çështje i paska ngritur si problematike! Të fillojmë nga buxheti. Çka thuhet në Parimet Udhëzuese në lidhje me financimin e Asociacionit?
Në Parimet Udhëzuese thuhet se Asociacioni do ta ketë buxhetin e tij, i cili do të jetë subjekt i parimeve të llogaridhënies dhe transparencës të shtetit të Kosovës, dhe subjekt i auditimeve nga autoritetet relevante kosovare, duke përfshirë këtu Auditorin e Përgjithshëm.
Parashihet që ky buxhet të mbushet prej katër burimeve: kontributet nga anëtarët e Asociacionit; të hyrat nga shërbimet e ofruara; transferet nga autoritetet qendrore; kontributet dhe mbështetja financiare nga organizatat dhe asociacionet e tjera vendore, ndërkombëtare dhe të Republikës së Serbisë.
Dhe çka kundërshtoi Gjykata Kushtetuese në këtë aspekt?
Gjykata Kushtetuese e kundërshtoi pikën e tretë, e cila lidhet me transferet nga autoritetet qendrore, duke deklaruar se sipas Kushtetutës së Kosovës, vetëm komunat kanë të drejtë të financohen nga burimet e tilla.
Gjithashtu kishte mosmarrëveshje në lidhje me çështjen e financimit të asociacionit nga ana e Serbisë – por kjo çështje nuk u ngrit në mënyrë specifike nga Gjykata Kushtetuese. Ndonëse disa e shohin si burim tjetër të të hyrave për shtetin kosovar, burim i cili do t’i ndihmojë qytetarët, disa të tjerë thonë se kjo do të shkaktonte rritje e nivelin e ndikimit serb në çështjet e Kosovës.
E çka tha Gjykata në lidhje me marrëdhëniet e Asociacionit me autoritetet qendrore?
Janë gjashtë pika në Parimet Udhëzuese të cilat e përmbledhin marrëdhënien e Asociacionit me autoritetet qendrore në Kosovë. Në lidhje me detyrat specifike, thuhet se Asociacioni do t’i promovojë interesat e komunitetit të serbëve të Kosovës në marrëdhëniet e tij me autoritetet qendrore të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e theksoi këtë pjesë si problematike, duke deklaruar se Asociacioni nuk mund të ketë autoritet të plotë dhe ekskluziv mbi këtë çështje, sepse kjo do t’i kufizonte serbët të cilët jetojnë në komuna të cilat nuk janë pjesë e Asociacionit.
Në Parimet Udhëzuese gjithashtu sugjerohet që Asociacioni të ketë të drejtë të propozojë amendamente të legjislacionit dhe rregulla të tjera që janë relevante me objektivat e tij. Gjykata Kushtetuese deklaroi se kjo e drejtë nuk mund të jepet, sepse “e drejta për nisma legjislative është e drejtë ekskluzive e Presidentit të Republikës së Kosovës, e Qeverisë, e deputetëve të Kuvendit apo e grupeve të përbëra prej më së paku dhjetë mijë qytetarë”.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e pranoi një pikë të Parimeve të Përgjithshme e cila lidhet me marrëdhëniet e Asociacionit me autoritetet qendrore: të drejtën për të emëruar përfaqësues në ‘Këshillin Konsultativ për Komunitete’.
Ky organ, për të cilin dimë shumë pak, u themelua në vitin 2008 si pjesë e Zyrës së Presidentit për të ofruar forum për shkëmbime të rregullta ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve. Ai ka të drejtë të sugjerojë nisma për legjislacion brenda shtrirjes së mandatit të tij. Sipas raportit të publikuar nga OSBE-ja në dhjetor 2017, ‘ndikimi i përgjithshëm i Këshillit mbi të drejtat dhe mirëqenien e komuniteteve mbetet i kufizuar”.
E çfarë tha për strukturat e brendshme të Asociacionit?
Në lidhje me strukturën organizative, në Parimet Udhëzuese shpjegohet më hollësisht ideja që buron nga Marrëveshja e Brukselit se struktura e Asociacionit do të jetë e bazuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Në këto parime thuhet se, ngjashëm si Asociacioni i Komunave të Kosovës, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do ta ketë një Kuvend të përbërë prej përfaqësuesve të emëruar nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse. Gjithashtu do ta ketë një President dhe një Zëvendëspresident (i zgjedhur nga Kuvendi i Asociacionit), një Këshill dhe një Bord.
E çfarë problemi ka Gjykata Kushtetuese me këtë strukturë?
Nuk ka, por OJQ-të në Kosovë dhe Gjykata Kushtetuese (në vlerësimin e saj të publikuar në vitin 2015) kanë theksuar se parimi multietnik që e mbështet Kushtetutën e Kosovës me sa duket po shpërfillet në Parimet Udhëzuese, pasi që me sa duket nuk ka mekanizëm që garanton përfaqësimin e popujve që nuk janë serbë dhe jetojnë në këto komuna, brenda Asociacionit. Në të gjitha komunat pjesëmarrëse ka banorë të cilët nuk janë serbë, ndërsa Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë, i cili u mbajt në vitin 2011 dhe u bojkotua nga shumë serbë të Kosovës, thotë se tri prej atyre komunave kanë shumicë shqiptare.
Gjykata Kushtetuese gjithashtu nuk pajtohet me pikën e Parimeve Udhëzuese e cila u jep punëtorëve të Asociacionit status të njëjtë ligjor të punësimit siç e kanë punëtorët e shërbimit civil, duke deklaruar se stafi administrativ “nuk duhet të konsiderohet si pjesë e Shërbimit Civil”.
Zëdhënësja e Shërbimit Evorpian për Veprime të Jashtme, Maja Kocijancic, gjithashtu tha se Asociacioni do të formohej në përputhje me ligjin e Kosovës.
Meqë i kishte të gjitha këto kundërshtime, a do të thotë kjo se Gjykata ishte kundër themelimit të Asociacionit?
Jo. Në fakt ishte e kundërta. Në vendimin e Gjykatës u tha se Asociacioni duhet të themelohet ashtu siç është përcaktuar në Marrëveshjen e Brukselit 2013, për shkak se ishte ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.
Por Parimet Udhëzuese nuk po tingëllojnë më edhe aq udhëzuese… pra si do të shkruhet statuti – sipas marrëveshjeve, apo sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese?
Aktualisht kjo është pika kryesore e cila po diskutohet në lidhje me Asociacionin.
Liderët e Kosovës po ngulin këmbë që Asociacioni të themelohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo me sa duket po mbështetet nga BE-ja.
Në shtator, pasi u formua Qeveria e fundit e Kosovës, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë tha për European Western Balkans se Asociacioni “do të themelohet brenda strukturës ekzistuese ligjore dhe të qeverisjes në Kosovë, dhe do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili shërben si udhërrëfyes dhe mundëson që Statuti i Asociacionit/Komunitetit të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, atëherë kur të shkruhet”.
Më herët gjatë këtij muaji, në bisedë me agjencinë e lajmeve nga Serbia, Tanjug, zëdhënësja e Shërbimit Euorpian për Veprime të Jashtme, Maja Kocijançiq, gjithashtu tha se Asociacioni do të formohej në përputhje me legjislacionin e Kosovës.
Kjo deklaratë i ka zhgënjyer përfaqësuesit në Beograd. Marko Gjuriqi vënte në dyshim të drejtën e Gjykatës për të anuluar dispozita dhe parime të Marrëveshjes së Brukselit në mënyrë të njëanshme. Vuçiqi në anën tjetër e etiketoi këtë deklaratë si “një befasi”, dhe tha se BE-ja nuk kishte më ‘status neutral’ nëse e konsideron Kushtetutën e Kosovës si dokumentin me peshën më të madhe sa i përket kësaj çështjeje.
Mirë, pra. Atëherë, kur të jetë shkruar statuti (me apo pa rekomandime) çka ndodh më pas?
Statuti do të prezantohet për t’u miratuar në dialogun e nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Nëse aprovohet, ai do të miratohet nga një dekret i Qeverisë së Kosovës, i cili, sipas Parimeve të Përgjithshme, më pas do të rishikohet nga Gjykata Kushtetuese.
E pastaj do të prezantohet në Kuvendin e Kosovës?
Jo. Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Brukselit, roli i Kuvendit konsiderohet si i kryer sa i përket themelimit të Asociacionit. Ky vendim është kritikuar nga OJQ-të kosovare dhe opozita politike. Kur të aprovohet dekreti, ai do të miratohet nga një asamble përbërëse e përfaqësuesve nga komunat pjesëmarrëse.
Sipas Marrëveshjes së Brukselit (2013), Asociacioni mund të shpërbëhet vetëm me një vendim të komunave të cilat e përbëjnë atë.
Po tingëllon si një proces i cili mund të marrë mjaft kohë…
Më herët gjatë këtij muaji, Shërbimi Europian për Veprime të Jashtme e caktoi afatin përfundimtar për shkrimin e Statutit pas katër muajve. Kjo do të thotë se mund të presim deri në gusht për zbatimin e hapave të ardhshëm, e secili hap mund të vonohet.
Në përgjithësi, kjo temë me sa duket do ta dominojë diskursin politik dhe medial në të ardhmen e parashikueshme.K
Redaktuar nga Jack Butcher.
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.