Blogbox | Hapësira Publike

Vdekja e kampusit universitar

Nga - 23.01.2023

Betoni vodhi pamjen e vjetër të kampusit të Universitetit të Prishtinës.

“Mirëpo në sheshin e madh nuk kishte trupa. Në sheshin e madh shkonin e vinin vetura. Mijëra vetura. Njerëzit fshiheshin brenda barkut të veturave dhe mua më përshkoi një drithmë. U ndieva pakthyeshmërisht i humbur. Rrugëve nuk shiheshin fytyra njerëzore. Fytyrat njerëzore ishin përpirë nga makinat. Në vend të syve njerëzorë parakalonin shpërfillës sytë e makinave me tufat e projektorëve që çanin errësirën si sy egërsirash”.

“Lëkura e Qenit”, Fatos Kongoli

Më në fund, Fakulteti Filologjik po përmendet nëpër medie. E gjithë kjo, falë parkingut nëntokësor, që u hap në Prishtinë, më 11 nëntor 2022. Më saktë, parkingu nëntokësor te Fakulteti Filogjik. Parkingu është kryefjala. Fakulteti kurrë nuk është. Sidomos jo fakulteti i dijeve humane. Nuk kam veturë, as leje të vozitjes. Vetëm nja dy diploma të këtij fakulteti.

Pasi jam studente e Filologjikut, edhe e kuptoj pse bën bujë diçka e tjetra jo. Fjala “filologji” do të thotë “dashuri për dijen” e fjala “parking”, mbase “dashuri për veturat”. A duhet pyetur pse sot njëra ka vlerë e tjetra jo? Këtë të parëndësishmen, pra fakultetin, e përmendin vetëm nëse qëllon të ndodhet afër një parkingu. Ose, parkingu afër një fakulteti se këtyre të fundit u ka dalë boja, apo jo?

Si një studente e këtyre degëve të parëndësishme, gjuhës e letërsisë, sot vajtoj vdekjen e një kampusi universitar. 

E këtë e bëj përmes kujtimeve. Vendi më i dashur në tërë Prishtinën ka qenë ky kampus, tashmë i betonizuar. Atëherë ka qenë koha e ligjëratave të arta, e pas tyre, në ndonjë ditë të bukur pranvere shijonim parkun në oborr të fakultetit. Uleshim e diskutonim për libra, apo për përralla, siç do i quanin të tjerët. 

Kampusi universitar i komercializuar. Një ëndërr moderne! Edhe makthet janë ëndrra.

Ndonjëherë ulesha aty edhe vetëm dhe zhytesha në ndonjë libër. Më pëlqente vendndodhja. Ishte aq afër qendrës, por pemët sikur e mbanin njëfarë largësie me atë jetën dinamike tutje. E rrethuar me studentë që ushqejnë dashuri të pastër për dijen, apo në vetminë e bekuar të librave, parku i kampusit më dukej si një kullë e fildishtë. Ishte kulla ime e fildishtë ku kaloja pauzat në mes të ligjëratave, buzë pemës ngjyrë rozë dhe parajsës së gjelbër. Më ngjante një ëndërr, të studioj letërsinë pranë një vendi të tillë. 

Kjo është kaluara e lavdishme e kampusit universitar, para se ta vrisnin mizorisht. Prej fillimit qava fatin e tij, anipse premtonin që parajsa e humbur do të kthehej. A kthehet dot diçka e vdekur? Parku do të kthehej aq sa më kthehen ato vitet kur jo vetëm studioja, por jetoja artin në sallat gjysmë të errëta të Filologjikut. Jo vetëm që nuk u kthye, por përveç parkingut, aty u hapën edhe biznese. Kampusi universitar i komercializuar. Një ëndërr moderne! Edhe makthet janë ëndrra.

Kulla ime e fildishtë tash ngjan me një qendër tregtare. Është një tjetër pamje e shëmtuar e ditëve të sotme, ku mjediset akademike nuk kanë vend. Nuk sjellin mjaftueshëm…kapital. Është jetë e shpejtë, kush ka kohë të ngadalësojë këtë ritëm nëpër parqe e të thellohet në mendime? Më mirë të shijojmë një ëmbëlsirë apo një hamburger te lokalet aty e në fluksin e njerëzve, të harrojmë mendimet tona. Sot jeta është më e përshtatshme për një makinë se një qenie njerëzore. 

Oh, i harrova veturat fare. Parkingun e famshëm. Problemin madhor, çmimet e larta. “Princi i vogël” i autorit francez Antoine de Saint-Exupéry ankohet që të rriturit arrijnë të mendojnë vetëm në numra. 

Një orë, një euro. Dy orë, dy euro. Abonim javor, 90 euro. Abonim mujor 250 euro. Abonim vjetor, 2500 euro. E pranojnë problemin vetëm nese u paraqitet me numra. Ndërsa shqetësimi im nuk ekziston sepse nuk e paraqes dot me numra. Çfarë numri do të ishte kur mjedisi akademik nuk bën assesi të kthehet në një zonë biznesi? Po numri që do ishte i barabartë me vjedhjen e kampusit nga studentët e dorëzimi i tij te pronarët e bizneseve? Nuk e mas dot. E të tjerëve u interesojnë vetëm përkthimi i këtyre në të holla, nuk kuptojnë gjuhë tjetër.

Mirë e kanë. Jeta është shumë e shtrenjtë sot. Vërtetë. Edhe parkingu. Dija ndërkohë po kërkon lëmoshë, brenda e jashtë fakultetit. Dijen po e lëmë anash, të vjetëruar e gati të harruar brenda fakultetit. Të kthehemi te pjesa mbi parkingun nëntokësor. Nuk më duket e vendit që aty ka biznese që nuk lidhen me akademinë. Kam disa ide më të mira. Ato po i lëmë aty, të hyjmë me mendje të zbrazura e të mbushim barkun. 

Kush po lodhet për arsimin?

Por diçka mungon. Disa biznese online të kalojnë në fizike, si për shembull shitja e diplomave apo punimeve shkencore. E përshtatshme apo jo? Për të dyja palët, studentët dhe profesorët. Dalin nga fakulteti, dy hapa dhe shkojnë porosisin një temë diplome. Bachelor, master apo doktoratë. Në kohën që presin shkojnë e shijojnë një kafe. A thua këto shkojnë aq shtrenjtë sa parkingu? 

Ideja tjetër është ndërtimi i një hoteli të madh, me reklama aq të mëdha afër sa të mos vërehet fakulteti fare. Ose-ose, pse të mos bëhet objekti i fakultetit hotel për shembull? Ose banesa shumëkatëshe. Kush po lodhet për arsimin? 

Pushtetarët i gëzohen “evropianizimit” të kryeqytetit, shumë qytetarë mund të jenë të lumtur. Siç thotë Kamy, “duhet ta imagjinojmë Sizifin të lumtur” e “ta pranojmë absurditetin e jetëve tona”. Sizifi është figura mitologjike, i dënuar ta dërgojë një gur në një kodër të pjerrët, deri në përjetësi. 

“Parkingu nëntokësor, një vlerë e shtuar e qytetit të Prishtinës”, u deklarua nga të pranishmit në hapje –– nga ata që po përjetonin këtë lumturi hyjnore (shtëpinë e re për veturat e tyre). E theksojnë kaq shumë fjalën vlerë, me një buzëqeshje të ndritur në fytyrë, saqë gati na bëjnë ta besojmë njëmend. Parkingu –– vlerë. Në rrugën nga jemi drejtuar, zor të krijojmë ndonjë vlerë tjetër.

Me një jetë të tillë, si mund të jetë ndokush i lumtur? E nëse në varrimin e kampusit shoh buzëqeshje, çdo lloj lumturie tjetër mund të imagjinohet.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

  • 14 Apr 2023 - 16:43 | rreze balsha:

    e oj vajze qenke total gabim aty kur e vizitoj me mire gjera miderne lokale biznesore atehere kan ejzistu do objekte vjetra ku jetonin jete migjeniane jam tmerru kurse tash krejt biznise e fakylteti krejt i vjeter te bie mbi koke e tna mbys vec do drur dekorus kurse tash sa mire duket

  • 25 Jan 2023 - 18:33 | Dardan:

    PARKINGU faktikisht ka shume vite qe eshte faktori kryesore qe sfidon hapesirat kulturore, e tash edhe hapesirat edukative universitare. Edhe pse parkun qe ka qene para fakulltetit filologjik e kam shiju edhe ka qene nji hapesire super per me lexu, menditu, me pi noj cpl ose nikshiq, e plot knaqesi te tjera - po mendoj nuk eshte zhduke teresisht por eshte transformu. Gjithesesi komenti im eshte per nje rast te vecante, edhe pse kjo praktike ka ndodhe shume e shume here ne krejt Kosoven. Ateher rasti ne fjale eshte hapesira kulturore 'DUDI' e cila ka funksionu per pothuajse 3 vite (2011-2013), me oborr te madh me gjelbrim, me nji dud(peme) te madhe ne mes te oborrit, e qe ka qene nje nder hapesirat ma te dashtuna prej komunitetit artistik apo individeve kreativ. Dudi eshte mbylle prej te vetmes arsyje qe te kthehet ne parking. Edhe pse hapesire private, gje qe pronari ka te drejte te beje cka te doje, fakti qe ajo hapesire eshte mbylle per tu bere parking i veturave tregon nje realitet qe tashme veq na ka kaplu ne perditshmeri - tu prit n'kolona ka 2 ore per me shku prej Qafes te Grandi....#hmm. Ok, shpresoj qe kesh i kjarte edhe u kuptu cka deshta me shprehe si koment. xx

  • 24 Jan 2023 - 18:03 | Shqipe:

    Fatkeqesisht, Lyra ka shume te drejte dhe fatmiresisht, nuk eshte e vetmja qe mendon se ai parking duket si nje bishe ne mes te fakultetit, por qe te gjithe bashke nuk mundem te ndryshojme apetitet e disa vendimmarresve komunale, dhe jo vetem! Shto edhe faktin se njera hyrje/dalje eshte jo-funksionale, tregon se asgje nuk planifikohet me kohe. “Prish hajat, nderto çardak” thote nje fjale e vjeter! Ai gjelbrim ne mes te qytetit, me ata drunje te vjeter, nuk kthehet me disa shkopinje te mbjellur, per “ta bere te duket bukur” ne hapje, e qe se shpejti do te kene fatin e paraardhesve te tyre (shpresoj te jem gabim, por nga pervoja shihet se nuk mirembahen). Ngjashem me drunjte e blirit ne qender te qytetit, qe u hoqen se “ishin te vjeter”, e te cilet te kenaqshin me ere kur kaloje andej! Por, fatkeqesia me e madhe eshte se mendja na punon me shume per te keq se sa per te mire! Frikohem, se ai mendimi yt per te ndertuar objekte banimi ne vend te fakultetit, do t’i hyje dikujt ne vesh, e mund edhe te behet realitet. Ndersa, “parkingu te fakulteti filologjik” edhe me tej do te mbetet si ngrehine, e cila nuk do t’a kryeje funksionin per te cilin u sakrifikua parku i fakultetit filologjik.

  • 23 Jan 2023 - 20:59 | Shkendije:

    Me ktheve edhe njeher ne ato ditet e bukura te rinis dhe te studimev ku ende jane te gjalla ne kujtimet e mija ato objekte te dijes si dhe ambientet e gjelberimi qe I rrethonte.Pak ka mbet nga ajo kohe perveq deshires dhe ngazllimit kur ke ne dore nje liber te ri.Lyra ti vazhdo keshtu me te gjitha enderrat e tuja qe bejne boten me te bukur.

KOMENTO