Gjere e gjate | Histori

Vëllimi “Luftërat Ballkanike” dështon në dokumentimin e krimeve ndaj shqiptarëve

Nga - 01.10.2020

“Projekti i Historisë së Përbashkët”: Kritikë pesëpjesëshe për (keq)përfaqësimin e shqiptarëve në librat alternativë të historisë.

I inicuar më 1999, publikimi “Joint History Project” (Projekti i Historisë së Përbashkët) kishte për synim të u ofronte mësimdhënësve të historisë në Ballkan materiale që do të sfidonin mësimdhënien etnocentrike të së kaluarës. Publikuar nga OJQ-ja “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe” (CDRSEE) me seli në Selanik, projekti synonte të nxiste mendimin kritik e debatin, si pjesë të procesit të pajtimit afatgjatë në Ballkan.

Projekti rezultoi me hartimin e gjashtë vëllimeve, duke nisur me historinë mesjetare të Ballkanit për të ardhë në ditët e sotme. 

Kjo seri shkrimesh ofron kritikë të vëllimeve individuale të projektit, duke shqyrtuar se si janë paraqitur ngjarjet e rëndësishme historike të shqiptarëve dhe cilat nga ngjarjet e rëndësishme nuk janë paraqitur fare. Po ashtu, seria e shkrimeve diskuton si është dashur të paraqiteshin, duke marrë për bazë autorë ndërkombëtarë si Noel Malcolm, Oliver Schmitt, Peter Bartl, e të tjerë që trajtojnë zhvillimet dhe ngjarjet në Kosovë në periudha të ndryshme historike.

Një shqyrtim i tillë është posaqërisht i rëndësishëm marrë parasysh se gjatë hartimit të projektit, CDRSEE mbajti marrëdhënie të afërta pune me të gjitha ministritë e arsimit në rajon dhe gëzoi mbështetjen nga gjithsej 25 donatorë ndërkombëtarë, duke përfshirë BE-në. Po ashtu, projekti angazhoi historianë nga i gjithë rajoni, përfshirë Kosova. 

Kritikë Vëllimit “Luftërat Ballkanike”

Ky vëllim, i ndarë në pesë kapituj, trajton luftërat ballkanike të viteve 1912-13, në të cilat vendet ballkanike – Mali i Zi, e më pas Sërbia, Bullgaria e Greqia – nisën luftën kundër Perandorisë Osmane. Ideja prapa këtij vëllimi është që ta ndryshojë mënyrën tradicionale të paraqitjes së këtyre luftërave si ngjarje kryesisht politike, dhe që të prezentohen aspekte të ndryshme të tyre Pra jo vetëm beteja, fitore e humbje, por edhe vuajtje e marrëdhënie mes njerëzish të zakonshëm mbase këto luftëra kanë njohur veprime mizore e krime, por edhe akte humanizmi e solidariteti. 

Që në hyrje të vëllimit, botuesit sqarojnë se publikimi i materialeve të vendeve të rajonit ndihmon për të kuptuar këndvështrime të ndryshme lidhur me proceset historike dhe rrymat brenda shoqërive, që përkufizohen si ‘homogjene’.

Kapitulli i parë “Ekonomia dhe shoqëria”, i ndarë në tre nënkapituj, hedh një vështrim të përgjithshëm në shoqëritë e rajonit para luftërave ballkanike, duke vënë në dukje ndryshimet me shoqëritë e vendeve të ndryshme europiane të kohës. Nënkapitulli “Popullsia”, që trajton ndryshimet demografike e shoqërore dhe pasojat e lindura prej tyre, si dhe nënkapitulli “Kultura”, që shtjellon ndryshimet kulturore e teknologjike me ndikim të ndjeshëm në jetën e njerëzve, nuk përmbajnë asgjë për shqiptarët. Ndërkaq, nënkapitulli “Ekonomia”, që paraqet zhvillimin ekonomik, duke e dokumentuar në aspekte të ndryshme (buxhetet e shteteve, marrëdhëniet tregtare, bujqësia, industria dhe ndërtimi i hekurudhave), të vetmen gjë për shqiptarët i ka dy fotografi mbi mjetet e transportit në Shqipërinë e shekullit 20.

Kapitulli i dytë “Politikat”, po ashtu i ndarë në tre nënkapituj, ofron burime për të kuptuar shumanshmërinë e faktorëve politikë dhe ideologjikë që i çuan popujt e Ballkanit në luftë kundër njëri-tjetrit. I gjithë nënkapitulli i parë “Ideologjitë paraprijëse”, sa u përket shqiptarëve sjell vetëm një karikaturë të vitit 1913, e botuar kjo në gazetën “Dielli” me mbititullin “Çporruni prej meje egërsira gjakpirëse”. Në të, Shqipëria portretizohet si grua e armatosur që mbron Shkodrën nga Mali i Zi (majmuni), Janinën nga Greqia (tigri) dhe këmbët i ka të lidhura nga Sërbia (gjarpri). 

Ndërsa nënkapitulli i tretë dhe i fundit “Pritja dhe shpallja e luftës” veçon dy fragmente nga dy gazeta që botoheshin në shqip jashtë vendit, njëra në Boston e tjetra në Sofje, e që shprehin qëndrime të ndryshme ndaj Luftës së Parë Ballkanike. Thelbi i artikullit në gazetën “Dielli” të Bostonit është se “interesi i Shqipërisë është bashkimi i plotë me Turqinë, kundër vendeve të Ballkanit”, ndërkaq ai i artikullit në gazetën “Liri e Shqipërisë” të Sofjes është se “kombi shqiptar nuk duhet të bashkohet me Turqinë, por të ngrejë zërin dhe t’i kërkojë të drejtat e tij te Fuqitë e Mëdha”. Paraqitja e këtyre dy artikujve është shumë e vlefshme, sepse ndihmon për t’i kuptuar këndvështrimet e ndryshme brenda shoqërisë shqiptare të kohës.

Kapitulli i tretë “Shoqëritë gjatë luftës” synon të paraqesë në mënyrë të baraspeshuar jetën e ushtarëve e të civilëve të kombësive të ndryshme në front e në prapavijë, duke sjellë këndvështrime të kundërta me njëri-tjetrin, për t’i çmitizuar rrëfimet kombëtare heroike. Sidoqoftë, nënkapitulli i parë “Frontet e Luftës” paraqet vetëm këndvështrimin sërb, duke përshkruar fitoren e ushtrisë sërbe ndaj asaj turke në Kumanovë, sipas një inserti nga libri i vitit 1913 “Balkanski rat u slici i reči” (Lufta Ballkanike në fotografi e fjalë), në të cilin kjo fitore prezentohet si “provë e aftësisë së oficerëve serbë dhe e guximit të pashoq të ushtarëve serbë, mendimi kryesor i të cilëve ishte Hakmarrje për Kosovën!”. 

Në një fragment nga memoaret e politikanit turk, Riza Nur, shqiptarët fajësohen për humbjen e forcave osmane ngaqë, sipas tij, u mashtruan nga sërbët, u paguan nga grekët, dezertuan e u dorëzuan.

Në këtë përshkrim, Beteja në Kumanovë krahasohet vazhdimisht me Betejën e Kosovës të vitit 1389: “ushtarët tanë, përgjatë gjithë frontit, filluan të sulmojnë me bajoneta, me vendosmërinë që t’i jepnin fund betejës me luftime trup me trup, si një herë e një kohë për Kosovën […] në këtë çast, afërsisht njëqind mijë serbë kishin vetëm një qëllim – fitore ose vdekje, njëlloj si vdekja e martirëve të Kosovës”. Askund nuk prezentohen krimet e forcave sërbe e malazeze ndaj civilëve shqiptarë, madje përmes një pasazhi po nga libri “Balkanski rat u slici i reči”, botuesit e krijojnë përshtypjen te lexuesi se forcat sërbe e malazeze edhe kishin qenë korrekte në raport me civilët. Ia vlen ta sjellim të plotë këtë pasazh:

“Në një qoshe, një ushtar i thjeshtë sërb u ul mbi një gur, mori dy djem turq në prehër, duke e ulur secilin në njërin gju dhe i përqafoi me të dy krahët. Në njërën dorë mbante bukën e ushtarit dhe në tjetrën, bajonetën; me bajonetë ndau një copë bukë dhe ia dha njërit prej djemve turq, të dytën ia dha djalit tjetër; për vete mori të tretën. Po i vështroja nga një cep i rrugës dhe më erdhi keq që nuk kisha një aparat, t’ia bëja një fotografi kësaj skene madhështore të dashurisë së ushtarit sërb për fëmijët e armikut të mundur dhe të dhembshurisë së tij për fatkeqësinë e tyre”.

Faqja që pason nxjerr një fotografi në gjithë gjysmën e sipërme me fëmijë turq që nderojnë ushtarët sërbë më 1912. Këtu jepet edhe një fragment i asaj kohe nga memoaret e kirurgut, politikanit dhe shkrimtarit turk, Riza Nur, në të cilin shqiptarët fajësohen për humbjen e forcave osmane: “batalionet shqiptare, të mashtruara nga sërbët, e lëshuan frontin; ushtarët shqiptarë dezertuan nga Janina; shqiptarët vranë komandantin osman që e mbronte Shkodrën; shqiptarët të paguar nga grekët e dorëzuan Selanikun pa luftime dhe pa kushte”. Ky fragment përfundon me fjalinë: “ky varg ngjarjesh tregon se ishin shqiptarët ata që shkaktuan këto katastrofa”. Nënkapitulli vijues, i titulluar “Jeta në front”, i cili nuk përmban asgjë për shqiptarët, jep një fragment takimi mes ushtarëve turq e malazezë në Shkodër, pasi qyteti ishte dorëzuar, në të cilin ushtarët malazezë u japin bukë të bardhë ushtarëve turq, e këta e pranojnë me mirënjohje.

Nënkapitulli i tretë “Lufta paralele” qysh në fillim sjell një pasazh nga Raporti i Komisionit Karnegi për Paqe Ndërkombëtare, i botuar më 1914, që komenton humbjet ‘paralele’ nga djegia e fshatrave dhe nga eksodi i njerëzve, por nuk jep asgjë për shqiptarët. Më pas figuron vetëm një rrëfim nga Edith Durham, i shkruar pas mbarimit të Luftërave Ballkanike, për shkatërrimet e shkaktuara nga lufta në fshatrat afër Shkodrës dhe një fotografi me njerëz të uritur që kanë pushtuar oborrin e Konsullatës Italiane në Shkodër. Nënkapitulli i fundit “Në prapavijat e frontit të luftës” jep një përshkrim të një gazetari italian për situatën në Shkodër gjatë rrethimit të qytetit nga forcat malazeze.

Kapitulli i katërt “Fushat e betejës dhe spektatorët”, i përbërë nga dy nënkapituj, ofron burime historike që pasqyrojnë qëndrimin e popujve të Ballkanit ndaj Luftërave Ballkanike. Në nënkapitullin e parë “Provincat ballkanike të Perandorisë Osmane”, ku si provinca paraqiten Shqipëria dhe Maqedonia, për shqiptarët ka mjaft materiale që, jo si në kapitujt e tjerë, janë përzgjedhur me kujdes e janë prezentuar me korrektësi. Nënkapitulli i dytë “Territoret ballkanike të Austro-Hungarisë” kuptohet se nuk ka asgjë për shqiptarët, pasi territoret shqiptare nuk kishin qenë nën sundimin e Austro-Hungarisë.

Viktimat shqiptare të padokumentuara

Kapitulli i pestë dhe i fundit “Pas Luftës”, trajton pasojat politike, ekonomike, shoqërore e ideologjike në tre nënkapituj. Kapitulli nuk ka për qëllim të dokumentojë hollësisht të gjitha pasojat e mundshme afatshkurtra e afatgjata të Luftërave Ballkanike, por vetëm të përmbledhë burimet që ndihmojnë për të kuptuar natyrën e ndërlikuar të pasojave të pasluftës dhe rrjedhojat e tyre afatgjata.

Nënkapitulli i parë “Pasojat politike” nuk ka asgjë për Shqipërinë a për shqiptarët. Këtu figuron një insert nga fjalimi i shkrimtarit dhe deputetit sërb, Jovan Skerlić, i mbajtur në tetor 1913, në të cilin ai shtron pyetjen: “[A] mori Sërbia gjithçka që mund të merrte, a është gjendja e saj më e mirë dhe më e sigurt se më parë?” dhe përgjigjet “pas sulmit të fundit shqiptar, pas ultimatumit të ashpër nga Austria që ne të largohemi nga Shqipëria, mund të kemi dyshime rreth rezultateve përfundimtare”. Këtu jepet edhe një fotografi me flamujt e Fuqive të Mëdha mbi Kalanë e Shkodrës në maj 1913. Ky nënkapitull sjell edhe një insert nga proklamata e Mbretit Petar të Sërbisë, të mbajtur në gusht 1913, ku premton të drejta të barabarta për të gjithë njerëzit që jetojnë në territoret e aneksuara nga Serbia, pavarësisht se mund të kenë origjinë të ndryshme etnike, por asgjë nuk sjell nga ato që ndodhën pas këtyre premtimeve.

Nënkapitulli i dytë “Pasojat ekonomike shoqërore” nuk jep asgjë për pasojat ekonomike e shoqërore për shqiptarët dhe Shqipërinë. Këtu prezentohet një tabelë, ku figurojnë të dhënat për të vrarët dhe viktimat e të gjitha vendeve gjatë Luftës Ballkanike, por pa asnjë të dhënë për shqiptarët. 

Tabela e publikuar në këtë kapitull nuk përfshin të dhëna për viktimat shqiptare, apo çfarëdo informacioni tjetër.

Njësoj edhe të nënkapitulli i tretë “Pasojat ideologjike” nuk ka asgjë për shqiptarët a për Shqipërinë. Këtu figuron një fragment nga “Raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Hetimin e Shkaqeve dhe Sjelljeve në Luftat Ballkanike” i hartuar më 1914 nga Donacioni Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, por as në të nuk ka asgjë për shqiptarët që emigruan, për fshatrat që u dogjën, për njerëzit që mbetën në rajonet që u bënë pjesë e shtetit tjetër, e që kaluan nëpër periudha të vështira.

Sa u takon krimeve të forcave sërbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftërave ballkanike më 1912-1913, në këtë vëllim do të mund të futeshin fragmente nga libri i socialdemokratit austriak Leo Freundlich “Golgota e Shqipërisë – aktakuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar”, nga raporti i Donacioni Carnegie për Paqe Ndërkombëtare i 1914-ës, por edhe nga artikujt e korrespodentit Leon Trocki “Prapa perdeve të Luftërave Ballkanike”.

Këtu do të ishin të dobishëm posaçërisht artikujt e socialdemokratit sërb Dimitrije Tucović, njëri ndër të cilët thotë: “...ne bëmë tentativë vrasjeje me paramendim mbi një komb të tërë”.

Në këtë libër do të mund të figuronin edhe fragmente nga artikujt e socialdemokratëve sërbë: Kosta Novaković, Dušan Popović, Dragiša Lapčević e Triša Kaclerović, të botuara këto në gazetën socialiste të Beogradit “Radnićke Novine”, në njërin prej të cilëve, fjala vjen, thuhet: “Redaksia e gazetës ‘Radnićke Novine’ posedon të dhëna për krime të tmerrshme të forcave sërbe ndaj shqiptarëve, por janë aq të tmerrshme sa parapëlqen të mos i publikojë fare”. 

Këtu do të ishin të dobishëm posaçërisht artikujt e socialdemokratit sërb Dimitrije Tucović, njëri ndër të cilët thotë: “…ne bëmë tentativë vrasjeje me paramendim mbi një komb të tërë”. Ndoshta, duke sjellë inserte prej social demokratëve sërbë, ky vëllim do ta përmbushte misionin e shpallur në hyrje për të paraqitë këndvështrime të ndryshme brenda shoqërive të përceptuara si ‘homogjene’.

Përmbledhje e përjashtimeve

Vëllimi nuk sjell asgjë për sa i takon ekonomisë e shoqërisë shqiptare, e as për kulturën e popullsinë. Njëlloj, dy nga nënkapitujt e kapitullit që trajton çështjet politike – “Idelogjitë paraprijëse” dhe “Çështja lindore” – nuk përmbajnë asgjë për shqiptarët. Ndërsa nënkapitulli i tretë e i fundit “Pritja dhe shpallja e luftës” jep dy fragmente të vlefshme nga dy gazeta shqiptare jashtë vendit, të cilat ndihmojnë për të kuptuar këndvështrimet e ndryshme brenda shoqërisë shqiptare të kohës së luftrave ballkanike.

Kapitulli “Shoqëritë gjatë luftës” që trajton ushtritë dhe civilët e kombësive të ndryshme në front e në prapavijë gjatë luftërave ballkanike, jep vetëm këndvështrimin sërb: përshkruan fitoren e ushtrisë sërbe ndaj ushtrisë turke në Kumanovë, duke e krahasuar vazhdimisht me Betejën e Kosovës të vitit 1389. Kapitulli nuk i prezenton fare krimet e forcave sërbe e malazeze ndaj civilëve shqiptarë, e madje, përmes disa shembujve, krijon përshtypjen se forcat sërbe e malazeze ishin korrekte me civilët. Nga ana tjetër, për humbjen e forcave osmane gjatë luftërave ballkanike dhe për katastrofat që u shkaktuan, fajësohen shqiptarët, ngaqë “u mashtruan nga sërbët, u paguan nga grekët, dezertuan e u dorëzuan”.

Kapitulli “Fushat e betejës dhe spektatorët” që ofron burime për provincat ballkanike të Perandorisë Osmane, për shqiptarët ka mjaft materiale që, jo si në kapitujt e tjerë, janë përzgjedhur me kujdes e janë prezentuar me korrektësi. Mirëpo, sa u takon krimeve të luftës, figurojnë vetëm dy fragmente, që të dyja për Shkodrën: një nga Edith Durham për shkatërrimet nga lufta dhe për vuajtjet e vendasve, e tjetri nga një gazetar italian për situatën gjatë rrethimit të Shkodrës. Ndonëse jep një pasazh nga Raporti i Komisionit Karnegi për Paqe Ndërkombëtare, që komenton humbjet ‘paralele’ nga djegia e fshatrave dhe eksodi i njerëzve, nuk ka asgjë për shqiptarët.

Kapitulli i fundit, i titulluar “Pas luftës”, e që trajton pasojat politike, ekonomike, shoqërore e ideologjike, nuk ka absolutisht asgjë për Shqipërinë a për shqiptarët. Madje, këtu jepet një insert nga një fjalim i Mbretit Petar të Sërbisë, mbajtur në gusht 1913, kur premton të drejta të barabarta për të gjithë njerëzit që jetojnë në territoret e aneksuara nga Serbia, pavarësisht prej origjinës etnike, por nuk thuhet fare se çka ndodh vërtet pas këtyre premtimeve.

Në këtë vëllim figurojnë të dhënat për të vrarët dhe viktimat e të gjitha vendeve gjatë luftërave ballkanike, përveçse për shqiptarët. Sa u takon krimeve të forcave sërbe e malazeze ndaj civilëve shqiptarë më 1912-1913, të dhënat do të mund të merreshin nga libri i socialdemokratit austriak Leo Freundlich “Golgota e Shqipërisë”. Po ashtu, do të mund të merreshin fragmente nga libri i gazetarit rus Leon Trocki “Prapa perdeve të Luftërave Ballkanike”, e sidomos nga artikujt e socialdemokratëve sërbë, që do të ofronin një këndvështrim ndryshe të një grupi politik të Sërbisë lidhur me vrasjet e popullsisë shqiptare.

Seria e artikujve nga autori janë shkruar në kuadër të projektit “Analizë teksteve mësimore alternative të CDRSEE-së” të organizatës ADMOVERE, me mbështetje financiare nga Departamenti Federal Zviceran i Punëve të Jashtme, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë, dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

Imazhi i ballinës: Marrë nga libri “Mësimdhënia e historisë moderne të Europës Juglindore”.