Blogbox | LGBTQ+

Vendet e Ballkanit me parada alternative të krenarisë

Nga - 27.05.2020

Mobilizimi i aktivistëve LGBTQ+ përballë sfidave që ka sjellë pandemia.

Qysh prej qershorit të vitit 1970, në San Françisko të Shteteve të Bashkuara të Amerikës çdo vit është mbajtur Parada e Krenarisë, ku mijëra njerëz nga e gjithë bota janë mbledhur për të festuar të drejtat e komunitetit LGBTQ+. 

Historikisht, komuniteti LGBTQ+ ka qenë dhe vazhdon të mbetet një prej grupeve më të shtypura, të diskriminuara dhe të rrezikuara. Andaj, përmes Paradave të Krenarisë festohet ekzistenca dhe rezistenca e personave LGBTQ+ në betejën e vazhdueshme kundër homofobisë, bifobisë dhe transfobisë. 

Po ashtu, kjo festë është edhe formë proteste, përmes së cilës synohet ngritja e vetëdijes së popullatës së përgjithshme rreth të drejtave LGBTQ+, avokimi për krijimin e politikave më gjithëpërfshirëse, dukshmëria e personave LGBTQ+, si dhe luftimi i diskriminimit, shtypjes dhe krimeve ndaj këtij komuniteti të larmishëm. 

Shumë shtete anembanë botës i janë bashkuar kësaj feste ndër vite, duke i shtuar edhe më shumë diversitet, dashuri, rezistencë, forcë dhe guxim. Por në fakt, rruga nuk ka qenë asnjëherë e shtruar me lule — festa e komunitetit LGBTQ+ është produkt i betejave të vazhdueshme ligjore, shoqërore dhe politike. 

Shtetet kanë histori të ndryshme me këtë luftë, por e përbashkëta e shumicës prej tyre është se aktivistët vazhdimisht kanë organizuar qëndresë përballë shtypjes sistematike nga institucionet shtetërore dhe diskriminimit e dhunës nga grupe të ndryshme shoqërore. Ndonëse përdorimi i fjalës “luftë” mund të duket ekzagjerim, historia na tregon ndryshe. Shumë njerëz kanë humbur jetën, punën, familjen, respektin e shumëçka tjetër pikërisht për shkak të, dhe përgjatë kësaj beteje. Megjithatë, urrejtja ndaj komunitetit LGBTQ+ vazhdon të jetë e pranishme.

Tash e dy dekada, edhe Ballkani është bërë pjesë e këtij manifestimi të rezistencës dhe diversitetit. Fillet ishin në Beograd, ku në vitin 2001 aktivistët që organizuan të parën Paradë të Krenarisë u sulmuan nga grupe ekstremiste, dhe autoritetet shtetërore të sigurisë nuk reaguan në mënyrë adekuate. Vite më vonë u anulua një paradë tjetër për shkak të kërcënimeve nga grupe të organizuara homofobe. 

Këtë vit, tradita e organizimit të Paradave po rrezikohet nga pandemia COVID-19.

Por, si rezultat i rezistencës dhe aktivizmit të pathyeshëm, me kohë rrugët e Beogradit u pushtuan nga persona LGBTQ+ dhe përkrahës të tjerë për të kremtuar ekzistencën e këtij komuniteti dhe për të lobuar për respektimin e të drejtave të tyre.

Aspak të lehtë nuk e kanë pasur as aktivistët e shteteve të tjera të Ballkanit, të cilët pas shumë  përpjekjeve arritën të shkruanin historinë duke organizuar Paradat e tyre. Kështu, Tirana më 2012, Podgorica më 2013 e Prishtina më 2017 iu bashkuan kësaj feste. Vitin që lamë pas, më 2019, edhe Shkupi e Sarajeva festuan dashurinë përmes Paradave.

Rrethanat pandemike zbehin traditën

Një vend të hidhur në këtë histori inspiruese të lëvizjes LGBTQ+ në Ballkan e në botë, me shumë gjasë do ta ketë viti 2020. Këtë vit, tradita e organizimit të Paradave — përveç nga grupet e organizuara të homofobëve — po rrezikohet nga pandemia COVID-19. Mungesa e një vaksine për këtë virus po e vështirëson edhe luftën ndaj “virusit” të homofobisë, anipse për këtë të fundit është gjetur vaksina: Paradat e Krenarisë. Ajo është vaksinë trajtuese, por fatkeqësisht jo shëruese.

Rrethanat pandemike i kanë pamundësuar tubimet publike gjatë muajve të fundit, andaj është pothuajse e pamundur të organizohen manifestime të tilla në sheshe dhe hapësira të tjera publike. Por, aktivistët po gjejnë mënyra për ta vazhduar traditën, qoftë përmes rrjeteve sociale, debateve televizive apo edhe fushatave të ndryshme onllajn.

Mirë që po e bëjnë këtë, sepse Lëvizja LGBTQ+ dhe lufta kundër homofobisë, bifobisë dhe transfobisë mund të zbehet nëse anulohen Paradat, ngaqë pa to të drejtat LGBTQ+ rrallëherë gjejnë vend në sferën publike. Domethenë, kryesisht vetëm gjatë Paradës së Krenarisë komuniteti LGBTQ+ bëhet temë diskutimi dhe merr vëmendjen e nevojshme institucionale e shoqërore.

Anulimi i Paradave të Krenarisë jo vetëm që e zbeh lëvizjen LGBTQ+, por ndikon negativisht edhe te personat brenda komunitetit.

Për më tepër, sfidat e personave LGBTQ+ dhe nevojat e tyre adresohen pikërisht përmes Paradave të Krenarisë, të cilat ndikojnë pozitivisht edhe duke iu dhënë atyre përkrahje, shpresë, madje edhe një ndjenjë të sigurisë.

Mbështetja është veçanërisht e nevojshme gjatë dhe pas kësaj kohe të izolimit për shkak të COVID-19, e cila bart pasoja të dëmshme për popullatën në përgjithësi, e sidomos për personat LGBTQ+ dhe grupet e tjera të margjinalizuara. Shumë persona LGBTQ+ mund të jenë të izoluar në hapësira ku nuk janë të sigurt, të respektuar dhe të trajtuar me dinjitet. Po ashtu, gjatë pandemisë ka pasur edhe raste të përjashtimit të personave LGBTQ+ nga ndihmat shtetërore.

Përveç luftës me virusin, gjatë kësaj kohe personat LGBTQ+ mund të përballen edhe me stres e ankth si pasojë e izolimit në ambiente ku nuk u mundësohet të jenë vetvetja. Pra, anulimi i Paradave të Krenarisë jo vetëm që e zbeh lëvizjen LGBTQ+, por ndikon negativisht edhe te personat brenda komunitetit.

Aktivistët e Ballkanit nuk zmbrapsen

Për shkak të pandemisë, dy nga Paradat më të mëdha botërore — në Nju-Jork dhe në Mançester — janë anuluar këtë vit. Për fat të mirë, Ballkani duket që po i reziston më mirë pandemisë në këtë aspekt. 

Faktikisht, kryeqyteti shqiptar është një prej shteteve të para në botë (nëse jo shteti i parë) që ka vendosur ta organizojë Paradën e Krenarisë onllajn, nën sloganin Tirana PrideON 2020. Përkundër sfidave teknike dhe mungesës së përvojës të organizimeve në një format të tillë, aktivistët kanë vendosur t’i qëndrojnë besnikë rezistencës se komunitetit LGTBQ+.

Një sërë aktivitetesh janë planifikuar të ndodhin onllajn, duke përfshirë diskutime, tregime të historive personale të personave LGBTQ+, ekspozita, argëtim, intervista, lexime, këngë e poezi.

Aktivistja Xheni Karaj, njëherit edhe një prej organizatorëve, thotë se përmes këtij organizimi synohet jo vetëm ndërgjegjësimi i opinionit publik dhe dukshmëria e komunitetit LGBTQ+, por edhe argëtimi i njerëzve gjatë izolimit.

Përveç aktiviteteve virtuale, aktivistët LGBTIQ+ në Shqipëri iu kanë qëndruar pranë personave LGBTQ+ gjatë pandemisë përmes furnizimit me ushqim e gjëra të tjera të nevojshme dhe duke ofruar seanca psikologjike falas onllajn.

Për mirëqenien e komunitetit LGBTQ+ janë përkujdesur edhe aktivistët e Maqedonisë së Veriut, duke organizuar aktivitete të ndryshme onllajn, diskutime me psikologë, shpërndarje të lajmeve dhe historive të personave LGBTQ+, etj.

Parada e dytë e Krenarisë në Maqedoninë e Veriut ishte planifikuar të mbahej në qershor të këtij viti, por pandemia e pamundësoi këtë organizim. Sipas aktivistit dhe anëtarit të Komitetit Organizativ të Paradës së Shkupit, Stefan Petrovski, ajo mund të organizohet në tetor ose nëntor të këtij viti nëse situata pandemike do të qetësohet. Nëse do të jetë i mundshëm manifestimi në hapësira publike, atëherë Komiteti Organizativ do të koordinohet me Ministrinë e Shëndetësisë për sigurinë e pjesëmarrësve.

Por, edhe nësë tubimi publik do të jetë i pamundur, aktivistët LGBTQ+ do të përpiqen t’i adaptojnë onllajn aktivitetet e planifikuara. Petrovski bën thirrje për distancë fizike, por jo edhe për distancë sociale, duke i këshilluar personat LGBTQ+ të flasin me njerëzit që i kanë afër, dhe në rast nevoje të kërkojnë ndihmë psikologjike.

“Ne festojmë jetët tona dhe bukurinë e diversitetit, por edhe luftojmë për liri dhe barazi."

Marko Mihailoviq, aktivist nga Serbia

Ndërkaq në Sarajevë — ku vitin e kaluar mijëra njerëz u mblodhën në Marshin e Parë të Krenarisë të Bosnjës dhe Hercegovinës — mund ta shohim prapë kremtimin e dashurisë dhe të komunitetit LGBTQ+ nëse situata do të bëhet më mirë deri në fund të vitit. Anëtarja e Komitetit Organizativ, Lejla Huremoviq, thotë se Parada do të organizohet patjetër, qoftë në hapësira publike, qoftë onllajn.

Ajo po ashtu thotë se është shumë e rëndësishme të rritet dukshmëria e personave LGBTQ+, sidomos në Ballkan. Sipas saj, shtetet ballkanike janë ende në një fazë fillestare të Lëvizjes LGBTQ+, duke theksuar se ka shumë pjesëtarë të këtij komuniteti që nuk janë të hapur rreth seksualitetit të tyre apo identitetit gjinor, si dhe nuk janë të pranuar nga familja dhe shoqëria. 

E në Beograd, Java e Krenarisë do të organizohet në shtator, qoftë në sheshe apo onllajn. Sipas Marko Mihailoviq, i cili është anëtar i Komitetit Organizativ, janë dy arsye kryesore pse organizohet Parada e Krenarisë: për të festuar dhe për të demonstruar. 

“Ne festojmë jetët tona dhe bukurinë e diversitetit, por edhe luftojmë për liri dhe barazi”, thotë ai. “Ne e luftojmë shtypjen dhe diskriminimin sistematik dhe mungesën e përfshirjes së personave LGBTQ+ si dhe lobojmë për krijimin e ligjeve dhe politikave më dinjitoze”.

Edhe aktivisti nga Mali i Zi, Ilija Vujosheviq, i cili është anëtar i Komitetit Organizativ të Paradës në atë shtet, thotë se këtë vit ajo do të mbahet për të tetën* herë me radhë, në rrugët e Podgoricës ose në hapësirën virtuale. 

Ashtu sikurse të gjithë aktivistët e përmendur më sipër, ai u bën thirrje personave LGBTQ+ të kërkojnë ndihmë tek organizatat jo-qeveritare dhe tek institucionet shtetërore përgjegjëse në rast se ndihen të stresuar, të vetmuar, apo në rrezik për shkak të izolimit. 

Edhe organizatat LGBTQ+ në Kosovë kanë qëndruar pranë komunitetit, kryesisht përmes aktiviteteve virtuale.

Blert Morina, pjesëtar i Paradës së Prishtinës dhe drejtor i organizatës LGBTQ+ Qendra për Barazi dhe Liri — CEL, është mjaft i sigurt se Parada e Krenarisë do të mbahet në Kosovë. Ai thotë se duhet të organizohet një manifestim i tillë, në një mënyrë apo tjetrën, sepse nuk duhet të kthehemi pas në kohën kur komuniteti LGBTQ+ ka qenë nën hije. Prandaj Prishtina duhet të ketë Javë të Krenarisë edhe këtë vit, të mbushur me shumë aktivitete. 

Për organizimin e Javës së Krenarisë në Prishtinë janë edhe aktivistët e platformës Dylberizm, të cilët kanë qenë mjaft aktivë — sidomos gjatë pandemisë — duke u munduar të informojnë dhe argëtojnë përcjellësit e tyre në rrjete sociale. Dylberizm është një prej platformave të para dhe të pakta që punojnë në informimin e popullatës së përgjithshme për çështjet LGBTQ+ në mënyrë vullnetare.

Pra, Kosova dhe shtetet fqinje do të organizojnë Paradat e Krenarisë këtë vit, duke mos lejuar që COVID-19 ta ndalë hovin e aktivizmit dhe gjallërinë e komunitetit LGBTQ+. Nëse dielli i verës do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes, vjeshta dhe dimri do të na gjejnë në festa plot ngjyra. 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

*Shënim i redaktores: Versioni origjinal i artikullit thoshte se Parada e Krenarisë në Mal të Zi këtë vit do të mbahet për herë të 13-të me radhë. Pas publikimit është korrigjuar për të thënë se do të mbahet për herë të tetë.