Gjerë e gjatë | Politika

Vota prej larg

Nga - 01.07.2025

Anëtarët/et e diasporës votuan për një përfshirje që shkon përtej thjesht zgjedhjeve.

Pak pas orës nëntë të mëngjesit, më 9 shkurt, në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Serafina Ferizaj iu bashkua radhës gjithnjë e më të gjatë përpara konsullatës së Kosovës në Mynih, Gjermani. Ajo mund ta kishte dërguar votën me postë — më lehtë, më shpejt — por te konsullata nuk kishte shkuar për rehati. “Doja ta përjetoja në mënyrën klasike”, thotë ajo. 

Ferizaj donte të votonte ashtu si po votonin njerëzit në Kosovë atë ditë, duke pritur në radhë jashtë ndonjë shkolle të kthyer në qendër votimi.

Megjithatë, një gjë ishte ndryshe. Në Kosovë, ose gjetkë, radhët jashtë qendrave të votimit zakonisht janë të qeta, ndoshta edhe të paduruara. Por në Mynih, përpara konsullatës, atmosfera ishte e gjallë. Breza të ndryshëm emigrantësh ishin mbledhur: ish-Gastarbeiter apo punëtorë mysafirë të moshuar, ish-refugjatë politikë, emigrantë ekonomikë të mëvonshëm dhe nipërit e mbesat e tyre, si Ferizaj. Të gjithë i lidhte një nostalgji e përbashkët për një vend që kishte formësuar identitetin e tyre, edhe pse jetonin jashtë kufijve të tij.

Në moshën 31-vjeçare, Ferizaj po votonte për herë të parë në zgjedhjet e Kosovës. Deri para vitit 2024, Gjermania nuk lejonte dyshtetësinë, prandaj Ferizajt i ishte dashur të hiqte dorë nga shtetësia kosovare, për ta marrë atë gjermane.  Kjo ditë, mendoi ajo, ishte hera e parë që ndihej plotësisht në harmoni me të gjitha versionet e vetes — e rritur në Gjermani, e rrënjosur në Kosovë, duke mos i përkitur plotësisht as njërës, as tjetrës, por disi të dyjave njëherësh.

Historia e familjes së saj është e ndërthurur ngushtë me historinë e diasporës shqiptare të Kosovës në Gjermani. Të dy gjyshërit, edhe nga ana e babës, edhe nga ana e nënës, kishin shkuar në Gjermani në të ‘70-at e hershme si Gastarbeiters, pjesë e valës së punëtorëve që ndihmuan në rindërtimin e Gjermanisë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Ata lanë fshatrat e tyre malorë afër Deçanit dhe me trenin “Acropolis” në Fushë Kosovë kaluan përmes Jugosllavisë, përmes Lubjanës, derisa mbërritën në peronin 11 në stacionin e trenit të qytetit të Mynihut

Në vitin 1972, edhe gjyshja, nga ana e nënës, së Ferizajt shkoi në Gjermani. Në Kosovë tashmë kishte mbetur nëna e Ferizajt, atëherë gjashtë-vjeçare, e cila bashkë me gjyshen e vet — stërgjyshen e Ferizajt — u kujdes për tre vëllezërit më të vegjël.

Në vitin 1981, kur prindërit e Ferizajt ishin ende adoleshentë, në Kosovë shpërthyen protestat studentore, ku kërkohej që Kosova të kishte status të barabartë kushtetues me republikat tjera të Jugosllavisë. Deri në fund të viteve ’80, të dy prindërit e saj ishin bërë aktivistë politikë, duke marrë pjesë në demonstrata, në një kohë kur edhe angazhimi më i vogël politik dhe të qenit shqiptar/e në Kosovë nënkuptonte ndjekje të vazhdueshme, rrahje, madje edhe kërcënim jete. Në fillim të viteve ’90, ata u detyruan të largoheshin për në Gjermani.

Ferizaj u lind dhe u rrit në Gjermani, larg trazirave të Kosovës, por gjithnjë e lidhur me këtë vend që jetonte në dialektet e prindërve të saj, në ushqimet që gatuanin dhe në shpresën e tyre.

“U rritëm në Gjermani, por në shtëpi gjithmonë vinte erë pite dhe çaj”, thotë ajo. “Përpiqesh me e mbajtë atë pjesë të gjallë”.

Serafina me nënën e saj në Gjermani. Fotografia nga arkivi i Serafina Ferizaj.

Vendlindja ishte gjithmonë aty, në sfond. Ditët kalonin nëpër shkolla gjermane, ndërsa mbrëmjet mbusheshin me biseda për një luftë që po afrohej.

“Fjala e parë e vëllait tim ishte ‘KÇK’”, thotë ajo duke qeshur, duke iu referuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila në vitin 1997 kishte dalë për herë të parë publikisht, duke shënuar fillimin e rezistencës së armatosur kundër regjimit serb.

Për vite me radhë, Ferizaj përpiqej të përshtatej, të bëhej plotësisht gjermane, por kurrë nuk ia doli. Shoqet dhe shokët e klasës nuk e shihnin të tillë. Më vonë, kur takoi studentë të tjerë kosovarë në Gjermani, kuptoi sa pak dinte në të vërtetë për Kosovën. Dhe prapë, ndihej e huaj; për gjermanët ishte shqiptare, për kosovarët, e “gjermanizuar”.

Kështu, ajo nisi të gërmonte në arsyet pse prindërit ishin larguar. Gradualisht, bisedat e mbrëmjeve, televizori gjithmonë i ndezur, lajmet që shoqëronin heshtjen dhe fjala e parë e vëllait — gjithçka filloi të merrte kuptim.

"Kur kjo është historia jote, një pjesë e jotja gjithmonë do t’i përkasë atij vendi", thotë Ferizaj.

“Prindërit e mi nuk donin të largoheshin nga Kosova”, thotë ajo. “Ata u detyruan të largoheshin. Kur kjo është historia jote, një pjesë e jotja gjithmonë do t’i përkasë atij vendi”.

Prindërve të saj dikur u ishin mohuar të drejtat politike në Kosovë, ndaj kur Ferizaj votoi atë mëngjes në Mynih, e ndieu sikur po çonte në fund diçka që ata kishin lënë pezull. Kjo ia kujtoi edhe herën e parë kur kishte votuar në Gjermani, në vitin 2013, në zgjedhjet e atjeshme. Edhe ajo e kishte peshën e vet, por kjo ishte diçka tjetër. Dekada pasi gjyshërit e saj kishin mbërritur në Mynih si të huaj, ajo tani qëndronte para konsullatës së të njëjtit qytet, duke votuar për një vend që githmonë kishte qenë prapaskena e jetës së saj.

“Në atë moment ndarja mes Kosovës dhe diasporës dukej sikur u zhduk”, thotë ajo. “Edhe pse njerëzit votonin për parti të ndryshme, ndiheshim si një. Jo ‘ne këtu’ dhe ‘ata atje’”.

Jo thjesht votë

E drejta e Ferizajt për të votuar nga diaspora është e garantuar nga korniza ligjore e Kosovës, që e njeh votimin jashtë vendit si një mënyrë për të përfshirë diasporën në jetën në Kosovë. Çdo shtetas/e, me dokumente të vlefshme të Kosovës, ka të drejtë të votojë, pavarësisht se ku jeton.

Në zgjedhjet e këtij viti, diaspora mori pjesë në numër rekord. Nga afro 105,000 votues të regjistruar jashtë vendit, rreth 80,000 arritën të votojnë, me postë ose në ambasada dhe konsullata. Votimi me postë vazhdoi të ishte më i përdorur, me mbi 68,000 fletëvotime, derisa mbi 15,000 persona votuan fizikisht, duke shënuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitet e kaluara.

Megjithatë, për një vend me një nga diasporat më të mëdha në Evropë, pjesëmarrja në zgjedhje mbetet e ulët. Vetëm rreth 10% e atyre që jetojnë jashtë Kosovës e shfrytëzuan të drejtën e votës. Edhe pse mungojnë të dhëna të sakta — pjesërisht për shkak të migrimit të vazhdueshëm — vlerësimet tregojnë se rreth 700,000-900,000 kosovarë jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër. Nëse përfshihen edhe brezi i dytë, numri i përgjithshëm i diasporës llogaritet të jetë deri në një milion.

Hendeku midis pjesëmarrjes në zgjedhje dhe numrit të lartë të shtetasve që jetojnë jashtë vendit shpjegohet nga një sërë pengesash që janë krijuar ndër vite. Për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, votimi nga diaspora ka qenë një proces i ndërlikuar, i rënduar nga burokracia dhe i shoqëruar me komunikim të mangët. Shumë qytetarë që jetojnë jashtë vendit nuk kanë dokumente të përditësuara të Kosovës, ndërsa afatet e shkurtra — veçanërisht gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme — nuk u kanë lënë kohë për regjistrim apo ripërtërirje të tyre. Po ashtu, komunikimi publik rreth procedurave ka qenë shpesh i paqartë, duke bërë që shumë qytetarë në diasporë të mos jenë të sigurt se si mund të marrin pjesë në zgjedhje.

Megjithatë, rritja e pjesëmarrjes në zgjedhje është domethënëse. Në vitin 2010, diaspora dërgoi më pak se 1,500 fletëvotime. Në vitin 2017, kjo shifër u rrit në 15,000, nga të cilat rreth 9,000 u miratuan. Në zgjedhjet e vitit 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pranoi 74,000 zarfe me postë dhe miratoi mbi 53,000 prej tyre. Ndërsa këtë vit, ky rekord u tejkalua, duke shënuar nivelin më të lartë të pjesëmarrjes së diasporës në historinë e zgjedhjeve të Kosovës prej shpalljes së pavarësisë.

Shumica e votave nga diaspora shkuan për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), një prirje që vazhdon tash e gati një dekadë. Rreth 80% e votuesve në ambasada i dhanë mbështetje LVV, të ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me rreth 7% secila. Ndërsa nga votat e dërguara me postë, LVV mori 51%, LDK 30% dhe PDK rreth 9%.

Rezultatet zgjedhore ndezën shpejt tensione politike. LVV dhe LDK akuzuan njëra-tjetrën për manipulim të votës së diasporës. LVV, fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, kërkoi anulimin e të gjitha votave të ardhura me postë, duke pretenduar se disa kandidatë të LDK-së kishin marrë numër të pazakontë votash nga jashtë, ndonëse nuk gëzonin mbështetje të madhe brenda vendit.

Këto polemika të reja sollën në sipërfaqe një debat të kahershëm: rolin e diasporës në jetën e Kosovës — një debat që zakonisht ndizet çdo verë, kur dhjetëra mijëra mërgimtarë kthehen në vendlindje, dhe arrin kulmin në prag të zgjedhjeve.

Paneli për Ankesa Zgjedhore i Kosovës (PZAP) i rrëzoi këto pretendime, një vendim, të cilin më vonë e vërtetoi edhe Gjykata Supreme. Në kundërpërgjigje, LDK doli me akuzat e saj për parregullsi në procesin e votimit në përfaqësi diplomatike.

Këto polemika të reja sollën në sipërfaqe një debat të kahershëm: rolin e diasporës në jetën e Kosovës — një debat që zakonisht ndizet çdo verë, kur dhjetëra mijëra mërgimtarë kthehen në vendlindje, dhe arrin kulmin në prag të zgjedhjeve.

Diskutimet shpesh nisin me ndikimin ekonomik të diasporës, nga mbështetja për bizneset familjare e deri te kontributi i ndjeshëm në rritjen e Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) dhe kalojnë, herë pas here, në përplasje kulturore që shpesh përfundojnë në stereotipe me ngjyrime orientaliste.

Në kohë zgjedhjesh, biseda shpesh ndryshon ton dhe zhvendoset drejt çështjeve si identiteti, integrimi dhe roli i diasporës në jetën politike të Kosovë. Në Kosovë nuk ka platformë politike që kundërshton të drejtën e votimit nga jashtë; përkundrazi, të gjitha partitë e njohin diasporën si një faktor të rëndësishëm politik. Megjithatë, në rrjetet sociale dhe në bisedat e përditshme, vazhdon të qarkullojë një dyshim i vazhdueshëm mbi legjitimitetin e pjesëmarrjes së atyre që jetojnë larg vendit në vendimmarrjen për të ardhmen e vendit.

Diaspora nuk shihet më si një trup i largët apo i shkëputur nga realiteti i vendit të origjinës, por si një pjesë përbërëse e jetës politike dhe ekonomike të tij

Bisedat me pjesëtarë/e të diasporës, para dhe pas zgjedhjeve, shpërfaqën një pajtueshmëri të thjeshtë, por shpesh të anashkaluar, që bie në hijen e debateve të zhurmshme, rreth votimit nga jashtë. Për diasporën, akti i hedhjes së votës nuk përjetohet as si diçka e diskutueshme, as si privilegj i veçantë, por si një formë e natyrshme e pjesëmarrjes demokratike në një botë gjithnjë më të ndërlidhur.

Sot, shumica e vendeve në botë e njohin dhe e praktikojnë votimin nga jashtë. Diaspora nuk shihet më si një trup i largët apo i shkëputur nga realiteti i vendit të origjinës, por gjithnjë e më shumë si një pjesë përbërëse e jetës politike dhe ekonomike të tij. Rreth 150 nga 216 shtete në botë lejojnë një formë pjesëmarrjeje zgjedhore për qytetarët e tyre që jetojnë jashtë.

Në të vërtetë, praktika e votimit nga diaspora nuk është aspak e re. Shembuj historikë e gjurmojnë këtë praktikë që nga koha e Romës së lashtë, kur zyrtarët kolonialë dërgonin votat e tyre në qendër të perandorisë. Edhe gjatë Luftës Civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ushtarët e Unionit votonin nga fushëbeteja.

Me kalimin e kohës, teksa migrimi global u rrit dhe institucionet demokratike u zgjeruan, prania politike e qytetarëve jashtë kufijve të shteteve të tyre u bë gjithnjë e më e dukshme dhe më me peshë. Ajo që fillimisht ishte një përjashtim pragmatik për diplomatët dhe ushtarët, sot në shumë vende është shndërruar në një praktikë të rregullt demokratike.

Ky zhvillim, megjithatë, nuk ndodhi në një vakuum. Për pjesën më të madhe të shekullit XX, shumë shtete i shihnin emigrantët e tyre thjesht si punëtorë të varfër, të cilët kishin lënë vendin në kërkim të mundësive më të mira, pa ndonjë pretendim apo të drejtë të dukshme për të mbetur të përfshirë në jetën politike të vendlindjes.

Përjashtim bënin vetëm ata që shërbenin në funksione zyrtare jashtë vendit. Interesimi shtetëror për të ruajtur lidhje politike me pjesën tjetër të diasporës ishte pothuajse i papërfillshëm. 

Dhe ndërsa komunitetet jashtë vendit rriteshin dhe forcoheshin, konceptet tradicionale të shtetësisë dhe përkatësisë politike nisën të ndryshonin bashkë me to.

Vetëm pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kjo qasje filloi të ndryshonte. Shpërnguljet masive që e pasuan luftën, së bashku me programet e organizuara të migrimit të punës — si ajo e Gastarbeiter në Gjermani midis viteve ‘50 dhe ‘70 — që përkonin me proceset e dekolonizimit dhe tranzicionet demokratike në Evropën Lindore dhe vende tjera, krijuan një lloj të ri të diasporës: njerëz që, ndërsa vendosnin rrënjë në shoqëritë pritëse, ruanin njëkohësisht lidhje të forta emocionale dhe kulturore me vendin e origjinës. Shumica prej tyre besonin se qëndrimi jashtë do të ishte i përkohshëm. Por vit pas viti, ajo që fillimisht ishte përjetuar si një ndarje e përkohshme, u kthye ngadalë në një formë të re përkatësie.

Dhe ndërsa komunitetet jashtë vendit rriteshin dhe forcoheshin, konceptet tradicionale të shtetësisë dhe përkatësisë politike nisën të ndryshonin bashkë me to, duke i shtyrë shumë shtete t’i rimendojnë marrëdhëniet me diasporat e tyre. Në të njëjtën kohë, diskursi ndërkombëtar rreth të drejtave të njeriut, si dhe përparimet teknologjike — nga zhvillimi i sistemeve të reja postare deri te mjetet digjitale dhe verifikimi elektronik i identitetit — e bënë gjithnjë e më të mundur dhe më të sigurt pjesëmarrjen politike nga largësia.

Ndër zërat që prej kohësh kanë mbrojtur përfshirjen politike të diasporës së Kosovës janë Osman Osmani dhe Hilmi Gashi, aktivistë të diasporës në Zvicër. Për ta, votimi nga jashtë nuk është vetëm një e drejtë demokratike, por një shprehje kuptimplotë e lidhjes, identitetit dhe  përkatësisë transnacionale.

“Kjo aftësi për t’u përkitur dy shoqërive njëkohësisht, për të marrë pjesë plotësisht në të dyja, duhet mbështetur, jo vënë në dyshim”, thotë Gashi. “Kjo lloj përfshirjeje, që studiuesit e përshkruajnë si transnacionalitet, koncept që shpjegon marrëdhëniet e qëndrueshme që individët dhe komunitetet i ruajnë përtej kufijve të shteteve, është thjesht normale”. 

“Është pothuajse qesharak i gjithë debati që përpiqet të mohojë të drejtën për të qenë i lidhur politikisht me dy shoqëri të ndryshme”, shton Osmani. “Diaspora nuk duhet parë thjesht si burim financiar, por si një elektorat intelektual dhe politik me rol legjitim në formësimin e së ardhmes së vendlindjes”.

Një disaporë thellësisht e angazhuar  

Që të dy, Osmani dhe Gashi përfaqësojnë dy breza të diasporës së angazhuar politikisht. Ata e shohin veten të integruar thellësisht në shoqërinë zvicerane, ndërsa ruajnë një lidhje të ngushtë me jetën politike të Kosovës. Votojnë në zgjedhjet zvicerane, lobojnë për politika gjithëpërfshirëse atje dhe, njëkohësisht, dërgojnë votën e tyre për në Kosovë kur mbahen zgjedhjet.

Historitë e tyre personale janë të lidhura me kapituj të ndryshëm, por të afërt, të së kaluarës politike të Kosovës. Osmani, sot në pension, u largua nga Kosova në vitin 1981, kur, si aktivist politik i lëvizjes që gjerësisht njihet si Lëvizja Ilegale apo vetëm Ilegalja, iu rrezikua jeta pas protestave studentore të po atij viti. Kjo lëvizje përbëhej nga grupe dhe organizata që operonin fshehurazi që pas Luftës së Dytë Botërore, në periudha të ndryshme. Megjithëse ndryshonin në programet dhe format e veprimit, të gjitha kishin një synim të përbashkët: kundërshtimin e diskriminimit dhe shtypjes jugosllave — veçanërisht asaj serbe — ndaj shqiptarëve. 

Ndonëse një pjesë e intelektualëve shqiptarë dhe anëtarëve të Lidhjes Komuniste të Kosovës luajtën rol të rëndësishëm në artikulimin e kërkesave për ngritje të statusit të Kosovës — që kulmuan me miratimin e Kushtetutës së vitit 1974 dhe njohjen e autonomisë së zgjeruar — për shumë shqiptarë që iu bashkuan Ilegales, kjo autonomi nuk ishte as e plotë dhe as nuk siguronte barazi me republikat e tjera të Jugosllavisë. Fraksione të lëvizjes Ilegale, që nga fazat më të hershme të saj, kërkonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ndërkaq Osmani, student i juridikut dhe gjenerata e tij, si pjesë e lëvizjes së re të rezistencës politike e sociale, kërkonin krijimin e një republike shqiptare brenda Jugosllavisë, e cila do t’i bashkonte të gjithë shqiptarët brenda federatës. Për ta, e drejta e shqiptarëve të Jugosllavisë për vetëvendosje duhet të shkonte krahë për krahë me betejën për barazi sociale.

Osman Osmani me mikun e tij të kahmotshëm dhe veprimtarin politik, Faton Topalli, diku në fund të vitit 1983, në korridoret e një stacioni treni në Zvicër.

Përndjekja e vazhdueshme ndaj aktivistëve të grupeve të Ilegales çoi në mërgimin e shumë disidentëve politikë. Osmani fillimisht u arratis në Turqi, pastaj në Gjermani dhe në fund u vendos në Zvicër. Pas shumë vitesh si punëtor social që u ofron mbështetje migrantëve, në vitin 2000, ai iu bashkua Partisë Socialdemokrate zvicerane. Ai përfaqësoi dy herë partinë në Kuvendin Kantonal të Schaffhausen, dhe më pas inicioi dhe përfaqësoi Mërgimtarët Socialdemokratë, strukturë e brendshme e Partisë Socialdemokrate, në nivel qendror të partisë. 

Gashi, në anën tjetër, u largua nga Kosova në fillim të viteve ’90, një periudhë kur shtypja ndaj shqiptarëve sa shkonte e përshkallëzohej. Shqiptarët po përjashtoheshin sistematikisht nga institucionet publike dhe jeta politike, ndërsa hapësira për veprim shoqëror dhe qytetar ngushtohej çdo ditë.

Ai mbërriti në Zvicër dhe shumë shpejt u angazhua në organizimin politik. Anëtar i Partisë së Gjelbër, sot ai shërben si kryetar i Parlamentit Komunal në Muri-Gümligen dhe është aktiv në UNIA, sindikata më e madhe e sektorit privat në Zvicër, pjesë e së cilës ka qenë edhe Osmani.

Osmani dhe Gashi e kanë lënë Kosovën kur ishin 24 dhe 27 vjeç, pasi kishin jetuar tashmë një pjesë të rëndësishme të jetës aty, ashtu si shumë të tjerë në diasporë. Për ta, rrugëtimi si migrantë, përvojat personale me Kosovë dhe përkushtimi i vazhdueshëm ndaj vendit bëjnë që, si shumë të tjerë, të mbajnë një lidhje të veçantë identitare dhe politike me vendlindjen. 

Kjo vazhdimësi identitare dhe politike për diasporën që vazhdon të mbajë lidhje me Kosovën, bëhet edhe më e dukshme kur shihet në dritën e rrugëtimit historik të migrimit nga Kosova.

Sipas Liza Gashit, kjo lidhje ruhet edhe sepse diaspora e Kosovës është ende e re. Gashi, ish-drejtore e GERMIN, organizatë kryesore që avokon për çështjet e diasporës në Kosovë, shërbeu si zëvendësministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme gjatë qeverisë së fundit dhe, në zgjedhjet e fundit, u zgjodh deputete nga radhët e LVV. 

“Diaspora e Kosovës është ende ‘e re’ në kuptimin historik. Ajo është formuar nga njerëz që janë ende në jetë dhe që ruajnë ende të gjallë kujtimin e asaj çfarë do të thotë të lësh shtëpinë pas, njerëz si Osmani dhe Hilmiu. Shumica prej tyre nuk kanë dashur të largohen”, thotë Gashi. “Për shumë në diasporë, ndjenja e përkatësisë ndaj Kosovës pasqyrohet qartë në mënyrën se si identifikohen. Ata e ndiejnë veten më parë shqiptarë se sa gjermanë, zviceranë, austriakë, apo amerikanë”.

Kjo vazhdimësi identitare dhe politike për diasporën që vazhdon të mbajë lidhje me Kosovën, bëhet edhe më e dukshme kur shihet në dritën e rrugëtimit historik të migrimit nga Kosova. Vala e parë e madhe e migrimit filloi në fund të viteve 1960 dhe vazhdoi gjatë gjithë viteve ’70 — e përbërë kryesisht nga migrantë ekonomikë, si gjyshërit e Ferizajt, që u larguan nga zonat më të varfra dhe më të margjinalizuara të Kosovës dhe Jugosllavisë për të kërkuar punë në Perëndim.

Në vitet ‘80, ndërsa migrimi për punë drejt Evropës Perëndimore vazhdonte, një shtresë e re nisi të formohej brenda diasporës: ajo e mërgimtarëve politikë. Përbëhej prej njerëzve si  Osmani, të detyruar të largoheshin nën kërcënimin e përndjekjes nga autoritetet jugosllave. Shumë prej tyre kishin qenë të përfshirë në aktivizëm, lëvizje studentore apo grupe të Ilegales, dhe kërkuan strehim në Evropën Perëndimore për t’i shpëtuar arrestimit apo dhunës politike. Ishin punëtorët e hershëm, Gastarbeiter, që u ofruan strehë dhe solidaritet.

“[Ata] na mbështetën, na këshilluan, madje rrezikuan edhe familjet e tyre për të na ndihmuar. Dhe e bënin këtë me bindje dhe me qëllim të qartë. Ndonjëherë më duket sikur ishin më politikë se ne që ishim vetë aktivistë politikë”, thotë Osmani.

Figura si Osmani, dhe disa vjet më pas, edhe Hilmi Gashi, u bënë shtylla të mobilizimit politik të diasporës shqiptare. Disa prej tyre punuan për ta informuar dhe vetëdijësuar opinionin publik zviceran lidhur me situatën në Kosovë, ndërsa të tjerë u kthyen kah vetë komuniteti shqiptar, duke organizuar bashkëatdhetarët për veprim kolektiv.

Shumica e këtij aktivizmi ndodhte në kushte të vështira dhe nën mbikëqyrje të rreptë. Shërbimi sekret jugosllav (UDB) mbante rrjete aktive në gjithë Evropën Perëndimore, duke përgjuar nga afër disidentët shqiptarë. Aktivistët jetonin nën kërcënim të vazhdueshëm; në disa raste, përfundonin jo vetëm të përgjuar, por edhe të vrarë.

Në fillim të viteve ‘90, kur Gashi mbërriti në Zvicër, natyra e rezistencës po ndryshonte.Përjashtimi masiv i shqiptarëve nga puna në fillim të viteve të ‘90-a në Kosovë nxiti një valë të re dhe më të gjerë emigrimi. Në atë kontekst, Gashi thotë se edhe të mësuarit e gjuhës së vendit pritës u bë vetvetiu një akt politik, një mjet për ta bërë kauzën të dëgjuar. Që nga viti 1996, kur Radio Bern – një radio lokale në Zvicër – filloi transmetimet në gjuhën shqipe, Gashi ka qenë përgjegjës për këto programe. Ai realizonte një emision të rregullt javor në shqip, ndërsa në gjuhën gjermane trajtonte gjendjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi deri në përfundimin e luftës.

“Ishte një betejë e madhe t’i bindnim njerëzit këtu se ajo që po ndodhte me shqiptarët në Jugosllavi nuk ishte trazirë e rastësishme”, thotë Gashi. “Ishte shtypje e dhunshme dhe sistematike nga i gjithë aparati shtetëror, dhe ne po luftonim për të drejtat tona”.

Hilmi Gashi në vitin 1996, gjatë kohës kur ishte përgjegjës për programin në gjuhën shqipe në radion lokale Radio Bern në Zvicër. Fotografia nga arkivi i Hilmi Gashit.

Gjatë viteve ’90, qytetet më të mëdha evropiane — kudo që kishte komunitete shqiptare — u kthyen në qendra proteste. Ato u bënë skenat ku kërkohej njohja ndërkombëtare e së drejtës së Kosovës për vetëvendosje dhe ku dënohej dhuna ushtarake dhe policore serbe.

Ndërkohë, diaspora organizonte edhe mbledhje fondesh, siguronte ndihma mjekësore, lobonte pranë institucioneve duke ndihmuar që çështja e Kosovës të fitonte jehonë ndërkombëtare. Kur shpërtheu lufta, shumë prej tyre iu bashkuan UÇK-së. 

“Shqiptarët jashtë vendit, ata që qëndronin para konsullatave e ambasadave duke protestuar, ishin ambasadorët e Kosovës”, thotë Liza Gashi. “Shtëpitë e tyre shërbenin si ambasada të improvizuara, në një kohë kur nuk kishim as shtet. Të gjitha këto ndërkohë që përpiqeshin të ndërtonin një jetë në një shoqëri të huaj, e cila jo rrallëherë nuk ka qenë mikpritëse”.

Në fakt, kur Liza Gashi flet për vende jo mikpritëse, ajo i referohet sidomos Zvicrës, një nga shtetet që përjetoi njërën prej valëve më të mëdha të migrimit shqiptar në vitet ’90. Mu atje ku shqiptarët që kërkonin azil, duke ikur nga Kosova në prag ose gjatë luftës, u përballën me mosbesim të thellë dhe qëndrime të ashpra nga një pjesë e shoqërisë dhe politikës zvicerane.

“Shpeshherë, mënyra se si ke ikur nga vendi yt ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si lidhemi me të, po edhe me vendin ku kemi migruar”, thotë Albesa Aliu, psikologe që jeton në Montreal të Kanadasë, ku ka marrë nënshtetësinë para pak muajsh.

Kjo klimë çoi në shfaqjen e slloganeve ksenofobe dhe fushatave politike që stigmatizonin komunitetin shqiptar. Një nga rastet më të njohura të ksenofobisë së institucionalizuar ishte fushata e vitit 1998 nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) në Cyrih, e cila publikoi një poster elektoral të stampuar me fjalët “Kosovo-Albaner” (“Shqiptarë të Kosovës”) dhe një “Nein” (“Jo”) të madhe, si kundërshtim ndaj financimit të një projekti integrimi të dedikuar për komunitetin shqiptar.

Ajo periudhë protestash, ekzili dhe angazhimi aktiv politik formësoi një identitet të veçantë për diasporën shqiptare, veçanërisht në Zvicër dhe Gjermani. Kjo përvojë historike dhe kolektive nuk u ndal me gjeneratën e parë, por la gjurmë të thella edhe te brezi që erdhi më pas.

“Shpeshherë, mënyra se si ke ikur nga vendi yt ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si lidhemi me të, po edhe me vendin ku kemi migruar”, thotë Albesa Aliu, psikologe që jeton në Montreal të Kanadasë, ku ka marrë nënshtetësinë para pak muajsh. 

Në Kanada është vendosur që nga viti 2018 dhe aktualisht vazhdon studimet e doktoraturës për sociologji. Ajo është pjesë e një vale të re të diasporës që ka migruar për t’u shkolluar jashtë vendit dhe beson se njerëz si ajo e kanë pasur më të lehtë të lundrojnë mes ndjesive të ndryshueshme të identitetit në mjedise kulturore.

“Ne jemi rritur në Kosovë dhe nuk kemi nevojë ta afirmojmë identietin”, thotë ajo. “Jam fëmijë i viteve ’90, fëmijë i luftës, dhe jam plotësisht e vetëdijshme për këtë. Nuk bëj pjesë në kategorinë e diasporës ekskluzive. E kam më të lehtë të negocioj se çfarë të lë nga identiteti i Kosovës, që nuk më shërben. Në një vend multikulturor si Kanadaja bëhesh transnacional pa dëshirë”.

Gjatë jetesës jashtë vendit, Aliu ka vërejtur se varësisht kontekstit në të cilin njerëzit kanë migruar, ndryshon edhe raporti i tyre me identitetin dhe Kosovën. 

“Disa fëmijë të brezit të dytë të diasporës e përjetojnë Kosovën përmes një imazhi të romantizuar, ndonjëherë folklorik, dhe pak si të paprekshëm, sikur po jetojnë nostalgjinë e prindërve të tyre”, thotë ajo.

Duke u mbështetur në këtë trashëgimi, Aliu dhe të tjerët, e shohin krejt të natyrshëm faktin që sot shumë anëtarë të diasporës jo vetëm që kërkojnë që të ruajnë lidhjet me Kosovën, por edhe që të votojnë dhe të japin kontribut konkret në formësimin e së ardhmes së saj.

Përveç Ferizajt, edhe Djellza Pulatani, 22-vjeçare e lindur në SHBA, mishëron brezin e ri të diasporës që Aliu dhe Gashi e përshkruajnë me bindje si një brez që nuk e sheh Kosovën thjesht si një rrëfenjë familjare për prejardhjen, por si një pjesë aktive dhe të pandarë të vetvetes.

E lindur në Nju Jork, nga prindër që u larguan si refugjatë nga Kosova në vitin 1999, Pulatani u rrit duke dëgjuar histori për jetën e vështirë, luftën dhe UÇK-në, në radhët e së cilës kishte shërbyer edhe babai i saj. 

"Kur mendoj të ardhmen time, nuk mund ta imagjinoj veten të angazhuar në ndonjë projekt ku Kosova të mos jetë në qendër”, thotë Pulatani.

Sot, si studente e marrëdhënieve ndërkombëtare në Paris, ajo është bashkëthemeluese e F’oda Collective, një grup i grave të reja të diasporës që avokon për dialog feminist dhe të drejtat e grave, si në SHBA ashtu edhe në Kosovë. Pavarësisht distancës gjeografike, vendlindja e prindërve ishte e rrënjosur thellë në përditshmërinë e saj, e mbajtur gjallë nga tregimet e të atit dhe vizitat që përsëriten çdo vit.

“Me shku çdo vit në Kosovë ka qenë e obligueshme”, thotë Pulatani. “Edhe pasioni im për politikën dhe historinë vjen drejtpërdrejt krejt çfarë kam dëgju për Kosovën. Kur mendoj të ardhmen time, nuk mund ta imagjinoj veten të angazhuar në ndonjë projekt ku Kosova të mos jetë në qendër”.

Ajo thotë se njeh shumë të rinj të tjerë që ndihen njësoj, të lidhur me Kosovën dhe kurreshtarë për t’u përfshirë disi, përfshirë edhe pjesëmarrjen në zgjedhje nga jashtë, edhe nëse nuk kanë votuar deri më tani.

Shan Karemani, anëtar i diasporës i lindur në SHBA, ndan një ndjesi të ngjashme përkatësie, duke e parë lidhjen me vendlindjen jo vetëm si kulturore apo emocionale, por edhe politike. Nga një këndvështrim post-kolonial, ai sfidon idenë se diaspora është një shkëputje; për të, ajo është një gjendje që zhvillohet “brenda strukturave të modernitetit evropian dhe kolonializmit”, që kanë ndikuar në zhvendosjet masive dhe formësimin e komuniteteve diasporike. 

I lindur në Michigan, SHBA, nga prindër shqiptarë kosovarë, gjatë fëmijërisë, Karemani e vizitonte Kosovën rrallë, vetëm një herë në tre apo katër vjet. Por në moshën 20-vjeçare, vendosi që ta vizitonte Kosovën çdo vit.

“Të jetoja në SHBA më bënte të ndihesha disi më pak shqiptar kosovar”, thotë Karemani. “Me kalimin e kohës, kam kuptuar që të qenit i lidhur me Kosovën nuk varet vetëm nga ku jetoj, por nga përpjekja që e bëj për t’u lidhur me kulturën, historinë dhe njerëzit e saj”.

Kështu, gjatë viteve të fundit ai është angazhuar qëllimisht me Kosovën, herë duke xhiruar një dokumentar, herë si mësues i anglishtes për fëmijë në Kamenicë, e herë duke bashkëpunuar me institucione qeveritare.

“Diaspora kosovare me të cilën u rrita në SHBA është kryesisht e shkëputur nga Kosova”, thotë ai. “Shumë prej tyre nuk janë të njohur me udhëheqësit politikë të vendit, dhe shumica nuk e flasin gjuhën apo nuk ndiejnë një dëshirë të fortë për ta vizituar. Megjithatë, besoj se të rinjtë e diasporës në Evropë janë shumë më të angazhuar dhe të lidhur me zhvillimet në Kosovë.”

Midis mbështetjes dhe zhgënjimeve

Ashtu si Karemani, edhe shumë anëtarë të diasporës e lidhin përfshirjen politike dhe gatishmërinë për të votuar me afërsinë gjeografike me Kosovën, duke theksuar se numri i madh i votuesve nga Zvicra dhe Gjermania lidhet me praninë e madhe të diasporës atje dhe linjat e shpeshta ajrore që e bëjnë udhëtimin të lehtë dhe të shpeshtë.

Por Pulatani, nga përvoja e saj në SHBA, vëren se edhe atje ka të rinj e të reja që, ashtu si ajo, janë të interesuar/a dhe gjithnjë e më kureshtarë/e për t’u angazhuar në forma të ndryshme — qoftë edhe vetëm përmes dhënies së votës.

Në zgjedhjet më të fundit, Pulatani votoi për LVV, ndërsa Karemani, ende në pritje të marrjes së shtetësisë kosovare, nuk mundi të votojë. Sikur të kishte pasur të drejtë vote, do të kishte mbështetur të njëjtën parti, ashtu si shumica e diasporës ka bërë në disa cikle zgjedhore ndër vite.

“Familja ime dhe unë gjithmonë kemi mbështetur Albin Kurtin për qëndrimin e tij antikolonial dhe për përpjekjet për të çrrënjosur korrupsionin”, thotë Karemani. “Por u zhgënjeva thellësisht nga pozicionimi i tij ndaj Izraelit dhe dështimi për të mbrojtur kauzën palestineze. Më dhemb ta shoh një lider që e admiroj të braktisë një parim kaq themelor të drejtësisë”.

Shumë shqiptarë të diasporës u identifikuan politikisht me LVV që në hapat e saj të parë, duke parë në të një vazhdimësi të aspiratave për vetëvendosje dhe drejtësi sociale që kishin mbetur pezull pas luftës.

Zhgënjimi i Karemanit ka të bëjë kryesisht me heshtjen e qeverisë së udhëhequr nga Kurti ndaj gjenocidit në Gaza. Anipse në janar të këtij viti, qeveria ndau gjysmë milioni euro ndihmë humanitare për palestinezët, ajo nuk ka dënuar publikisht dhunën dhe represionin e ushtruar nga autoritetet izraelite, si dhe nuk ka shprehur një qëndrim të qartë politik në mbështetje të kauzës palestineze.

Shumë shqiptarë të diasporës, përfshirë familjen e Karemanit, u identifikuan politikisht me LVV që në hapat e saj të parë, duke parë në të një vazhdimësi të aspiratave për vetëvendosje dhe drejtësi sociale që kishin mbetur pezull pas luftës. LVV u formua në vitin 2005 si një lëvizje politike, e lindur nga rezistenca ndaj administrimit ndërkombëtar në Kosovë –– duke kundërshtuar haptazi politika si ato të privatizimit dhe procese të tjera –– që, sipas saj, pengonin vetëvendosjen e popullit të Kosovës dhe përbënin ndërhyrje koloniale nga ana e ndërkombëtarëve.

Kjo kauzë gjeti jehonë edhe te Njazi Pllana. Ai ishte vetëm shtatë vjeç kur babai i tij humbi punën në minierë, në Trepçë, një ngjarje që i parapriu largimit të familjes nga Vushtrria në vitin 1992. Pesë ditë udhëtimi me autobus drejt Suedisë, e më pas në Gjermani, mbeten të gjalla në kujtesën e tij. Ndonëse në fillim ishte skeptik ndaj taktikave të LVV, gjatë studimeve për shkenca sociale, pikëpamjet e tij ndryshuan. Madje, që nga viti 2016, ai është pjesë e strukturave të LVV në Gjermani.

“Kur e kuptova kuptimin e vetëvendosjes, një vlerë thelbësore në demokracitë evropiane, por edhe në vendin ku jetoj, ndieva një afrim të natyrshëm me Vetëvendosjen”, thotë Pllana.

Përveç rezonancës ideologjike që koncepti i vetëvendosjes kishte për përpjekjet e hershme të mobilizimit të diasporës para luftës, qeverisjet e partive të mëparshme në pushtet si LDK, PDK dhe AAK u identifikuan gjithnjë e më shumë me nivele të larta korrupsioni dhe mungesë llogaridhënieje. Ishte pikërisht platforma e fortë kundër korrupsionit që ndihmoi Kurtin dhe LVV-në të fitonin mbi 50% të votave në zgjedhjet e vitit 2021 në Kosovë.

Nga perspektiva e sotme, katër vjet pas ardhjes në pushtet me mandat të plotë, qeveria Kurti po ashtu po përballet me kritika për menaxhimin e çështjeve të korrupsionit, veçanërisht për mungesën e reagimit dhe distancimit institucional në rastet kur zyrtarë të saj janë nën hetim për afera korruptive.

Megjithatë, në zgjedhjet e vitit 2021, për shumë në diasporë, premtimi për luftë kundër korrupsionit i dha hov një shprese se Kosova një ditë mund të pasqyrojë transparencën dhe sundimin e ligjit që ata e njohin si praktikë në vendet ku jetojnë. Rreth 80% e votuesve nga diaspora — nga afro 57,000 vota gjithsej — i dhanë mbështetjen e tyre LVV-së.

Përveç zotimit për të luftuar korrupsionin, LVV, sa ishte në opozitë, premtoi edhe ndërtimin e një shteti social, përmes reformave rrënjësore në sistemin e mirëqenies. Këto premtime ndikuan gjithashtu në rritjen e mbështetjes së diasporës për partinë, veçanërisht gjatë zgjedhjeve në vitet e fundit.

Megjithëse pas ardhjes në pushtet reforma e paralajmëruar në sistemin tatimor nuk u realizua, ashtu si edhe një pjesë e madhe e politikave të tjera sociale të premtuara, disa skema të reja u iniciuan — ndonëse mbetën larg pritshmërive dhe praktikave të vendeve ku jeton diaspora. Megjithatë, qeveria ka ndërmarrë disa politika që rezonojnë me përvojat dhe pritshmëritë e saj. Për shumë qytetarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, këto ndërhyrje — ndonëse jo rrënjësore — janë përjetuar si një hap i parë i domosdoshëm dhe kanë kontribuuar në forcimin e mbështetjes së diasporës në zgjedhjet e fundit të këtij viti.

Përkrahja kryesore për LVV në zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit lidhet kryesisht me përpjekjen e qeverisë Kurti për të luftuar strukturat paralele serbe në veri të vendit

Një ilustrim i kësaj janë shtesat mujore për fëmijë deri në moshën 16-vjeçare, një politikë që qeveria e prezantoi në vitin 2021. Gjatë mandatit të saj, qeveria e LVV-së ka nisur po ashtu një program shtesash disa-mujore për nënat lehona.  Shtesat për gratë lehona — ndonëse ofrojnë një lehtësim të menjëhershëm për gratë nga mjedise ekonomikisht të pafavorshme — janë shoqëruar edhe me kritika, sipas të cilave, në mungesë të reformave të thella ligjore dhe strukturore, politika të tilla rrezikojnë të thellojnë rolet tradicionale gjinore, duke e lidhur vlerën e grave në shoqëri kryesisht me amësinë. 

Edhe pse politikat sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në vazhdimësinë e mbështetjes nga diaspora, përkrahja kryesore për LVV në zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit lidhet kryesisht me përpjekjen e qeverisë Kurti për të luftuar strukturat paralele serbe në veri të vendit. Kjo përpjekje, të cilën qeveria e ka paraqitur si pjesë të përpjekjeve për shtrirje të sovranitetit shtetëror, ka mobilizuar shumë votues të diasporës, por edhe brenda vendit, në mbështetje të LVV-së.

Sidoqoftë, qasja e Kurtit në veri dhe mbyllja e strukturave paralele kanë ngjallur kritika të shumta. Në veçanti është vënë në pah mungesa e një dialogu të brendshëm me serbët e Kosovës, një aspekt që nuk ka shkuar në hap me shpërbërjen e këtyre strukturave dhe që, sipas kritikëve, ka thelluar më tej mosbesimin mes komunitetit lokal dhe institucioneve të Kosovës. Ndërkohë, përdorimi i shtuar i forcës nga Policia e Kosovës është një shqetësim i ngritur si nga përfaqësuesit serbë, ashtu edhe nga aktivistët për të drejtat e njeriut.

Për diasporën kosovare, e cila është formuar si rrjedhojë e shtypjes së regjimit jugosllav dhe më pas atij të Slobodan Milošević, mbështetja e saj ndaj partive që angazhohen për të çrrënjosur ndikimin e trashëguar të Serbisë në Kosovë përfaqëson një vazhdimësi të natyrshme të përvojës historike që e ka formësuar atë. 

Kjo qasje — që nga diaspora shihet si një mënyrë për të larguar përfundimisht ndikimin e shtetit serb nga Kosova — ka tërhequr mbështetjen e figurave si Gashi, Pllana, Pulatani dhe Karemani, si dhe të shumë votuesve të tjerë në diasporë. Njëri prej tyre është edhe Suad Sadulahu.

Sadulahu, i cili jeton në Suedi, voton për Lëvizjen Vetëvendosje që nga viti 2017. Ai i sheh shtesat për fëmijë dhe për nënat lehona si një hap në drejtimin e duhur, të përafërt me sistemin e mirëqenies sociale që ai beson se Kosova duhet ta marrë si model nga vendet skandinave, edhe pse është i vetëdijshëm se mbështetja në Kosovë mbetet e pakrahasueshme me atë të Suedisë. 

“Është një fillim”, tha ai. “Dhe është më shumë se çdo qeveri tjetër ka bërë më parë”.

Derisa për një pjesë të madhe të diasporës vazhdon të mbijetojë një ndjenjë besimi dhe shprese te premtimet e qeverisë, për të tjerë entuziazmi fillestar është zbehur.

Por përtej shtesave për fëmijë dhe gratë lehona, ishte premtimi për luftimin e korrupsionit që e shtyu përfundimisht të votojë Vetëvendosjen në vitin 2021. Këtë vit, mbështetjen ia dha për shkak të ndërhyrjeve të qeverisë në veri.

“Fjala ‘korrupsion’, që na kishte shtyrë të votojmë herën e kaluar, është zëvendësuar me ‘sovranitet”, thotë Sadulahu. “Kam votuar për sovranitet sepse unë dua të shoh një qeveri që nuk mbytet në negociata të pafundme, por përqendrohet në vende pune, shkolla dhe spitale. Atëherë vota e diasporës do të zhvendosej nga një akt emocional në një vlerësim praktik: ‘Na premtuat këto gjëra. A i realizuat?’”

Derisa për një pjesë të madhe të diasporës vazhdon të mbijetojë një ndjenjë besimi dhe shprese te premtimet e qeverisë, për të tjerë entuziazmi fillestar është zbehur. Osmani, i cili dikur kishte votuar për LVV dhe madje kishte qenë në listën e saj zgjedhore në vitin 2017 — kur ende e shihte atë si vazhdimësi të angazhimit të tij të majtë për drejtësi sociale — këtë herë ia ka tërhequr mbështetjen.

“Që nga ardhja në pushtet, partia është larguar nga parimet themelore të së majtës, pasi pos tjerash ka dështuar të miratojë reformën në sigurimet shëndetësore dhe ato shoqërore në përgjithësi, të zbatojë një sistem të drejtë taksash dhe të përfshijë sindikatat dhe grupet tjera të interesit në procesin e hartimit të politikave publike”, thotë Osmani. “Pavarësisht se cilën forcë politike mbështet diaspora, pjesëmarrja në zgjedhje nuk mjafton, e sidomos nëse ajo nuk përkthehet në politika progresive”. 

Anëtarë të diasporës kosovare në Zvicër, duke protestuar në pranverën e vitit 1998 në Cyrih kundër luftës që sapo kishte shpërthyer në Kosovë. Fotografia nga arkivi i Osman Osmanit.

Sipas tij, angazhimi politik i diasporës duhet të reflektohet në forma të ndryshme, përmes përfaqësuesve të saj në Kuvend apo në institucione që adresojnë nevojat e diasporës, qoftë përmes një rishikimi të mënyrës se si mobilizohen potenciali dhe resurset e saj dhe veçanërisht nëpërmjet marrëveshjeve shtetërore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt mbi këtë komunitet.

Sipas Osmanit, mbështetja për LVV-në në radhët e bashkëmërgimtarëve është ndërtuar edhe mbi zhgënjimin nga partitë e vjetra dhe boshllëqet që ato lanë pas vetes. Pas luftës, LDK-ja — dikur me një rrjet të gjerë politik në diasporë — dhe më pas PDK-ja, e cila gjithashtu krijoi degë jashtë vendit, nuk arritën të ruanin këto struktura apo të kultivonin marrëdhënie të qëndrueshme me komunitetet jashtë Kosovës. Sidomos pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, diaspora u la në periferi të vëmendjes dhe veprimit politik. Për shumë anëtarë të diasporës, asnjëra nga këto parti nuk bëri përpjekje serioze për t’i përfshirë ata në jetën politike të vendit apo për të lehtësuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Për herë të parë, votimi në përfaqësi diplomatike u mundësua vetëm gjatë qeverisjes së fundit të LVV.

“Pas luftës mesazhi për diasporën ishte: ‘Tani nuk keni më pse të shqetësoheni për Kosovën’, thotë Osmani. “Por ata [diaspora] nuk u ndalën së kujdesuri, duke përcjellë vendlindjen përmes transmetimeve të televizioneve, e vazhduar ta ndihmojë me remitanca”.

Ndërkohë, LVV, dhe në veçanti Kurti, e trajtoi diasporën si një bazë të rëndësishme politike. Kurti dhe figura tjera të LVV realizuan udhëtime të shpeshta nëpër vende të ndryshme të Evropës, për të takuar komunitetet shqiptare të Kosovës atje. Kjo, në një kohë kur partitë e tjera dukeshin gjithnjë e më elitare dhe të përqendruara në vetvete.

Edhe pse disa në diasporë e shohin retorikën e ngarkuar me patos të Kurtit ndaj tyre si të qëllimshme — madje edhe si një formë instrumentalizimi — shumë të tjerë e konsiderojnë atë si të pranueshme.

Përveç udhëtimeve të shpeshta jashtë vendit, Kurti e ka integruar fuqishëm diasporën në retorikën e tij politike, duke e paraqitur atë si pjesë thelbësore të identitetit kombëtar. Një shembull i kësaj është një fjalim i mbajtur në nëntor të vitit të kaluar gjatë një takimi me diasporën në Frankfurt: “Kur i ke punëtorët dhe patriotët më të devotshëm në diasporë, mendjet më të ndritura jashtë — pra edhe zemrën, edhe trurin, edhe muskujt — atëherë kush është brenda e kush është jashtë?”

Edhe pse disa në diasporë e shohin retorikën e ngarkuar me patos të Kurtit ndaj tyre si të qëllimshme — madje edhe si një formë instrumentalizimi — shumë të tjerë e konsiderojnë atë si të pranueshme, sidomos në mungesë të një angazhimi domethënës nga partitë e tjera politike. 

Vëmendja e vazhdueshme e LVV-së, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore, është perceptuar si një formë njohjeje të vonuar për kontributin e diasporës që, për shumëkënd, kishte munguar prej vitesh.

“Kam përshtypje se Vetëvendosje e mobilizon diasporën. Ata janë të pranishëm, kanë strategji të qartë dhe lidhen drejtpërdrejt me njerëzit”, thotë  Aliu, e cila jeton në Kanada. “Më duket se Vetëvendosja i qaset diasporës duke përdorur me mjeshtëri nostalgjinë dhe mallin për vendin. Figura e Kurtit sikurse arrin ta artikulojë ndjenjën e tyre dhe ta shndërrojë në veprim. Prandaj partitë e tjera ndoshta nuk janë alternativë”.

Roli i diasporës në politikbërje në Kosovë pritet të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Kjo është bërë e dukshme vitet e fundit, sidomos pas fitores dërrmuese të LVV-së në zgjedhjet e vitit 2021. Si reagim, partitë e mëdha kanë filluar të tregojnë më shumë interes për diasporën. Për shembull, LDK ka krijuar një ekip të posaçëm për mërgatën, me synimin për të ringjallur strukturat e saj jashtë vendit dhe për të rikthyer një pjesë të elektoratit që është orientuar kah LVV.

Përtej dinamikave të brendshme politike, edhe zhvillime të jashtme pritet të ndikojnë në rritjen e peshës elektorale të diasporës. Nga qershori i vitit të kaluar, Gjermania lejon për herë të parë shtetësinë e dyfishtë, një ndryshim që pritet t’u hapë rrugë mijëra shqiptarëve që jetojnë atje për të marrë edhe shtetësinë e Kosovës. Kjo mund të rrisë ndjeshëm numrin e votuesve nga diaspora në zgjedhjet e ardhshme, duke e kthyer atë në një qendër edhe më të rëndësishme të vëmendjes së partive politike. 

Në këtë konteskt të rritjes së rolit politik të diasporës, Karemani thotë se mënyra se si kuptohet vota ka rëndësi; sipas tij, vota ka kuptim vetëm kur çon përpara ndryshime progresive, jo kur reduktohet në një ritual pjesëmarrjeje.

“Fakti që shumë vetë në diasporë mbeten të angazhuar politikisht dhe marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë është i rëndësishëm, por duhet të shkojmë përtej fetishizimit liberal të votës, sikur pjesëmarrja në vetvete të jetë e mirë. Miliona amerikanë votuan për Donald Trump — a duhet duartrokitur vetëm pse ushtruan të drejtën e tyre?”

Ndërsa diaspora po bëhet gjithnjë e më e pranishme në diskursin politik dhe ndikimi i saj në zgjedhje dhe orientimin politik të vendit po rritet — qoftë si subjekt i thirrjeve të sinqerta apo i instrumentalizimit politik — për shumë mërgimtarë/e, vota mbetet, para së gjithash, një akt mirënjohjeje dhe kujtese kolektive.

“Kosova ka luftu shumë për demokracinë dhe është një mrekulli që kemi mundësi të votojmë. Është e pabesueshme që unë, si gjeneratë e ‘95-ës, kam pasur mundësi ta dërgoj me postë votën në ambasadën më të afërt”, thotë Aliu. “Ta injorosh këtë fakt politik është njësoj si të mos mësosh mësimin. Duhet t’ia kujtojmë vetes se kjo është diçka që e kemi bërë të mundur, dhe duhet ta ruajmë si praktikë, si një mënyrë për të qenë falendërues ndaj historisë që ka qenë në anën tonë”.

 

Imazhi i ballinës: K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.