Në thelb | Diaspora

Diaspora e Kosovës ëndërron për ndryshime politike

Nga - 21.06.2017

Kosovarët jashtë vendit bëjnë thirrje për demokraci sociale funksionale.

“Osmani e do këtë Kosovë pak si shumë”, thotë miku i ngushtë i njeriut i cili është emblemë e aktivizmit të diasporës kosovare. Dikur aktivist i së ashtuquajturës ‘ilegale’ gjatë periudhës së lëvizjes studentore të viteve të ‘80, dhe sot anëtar i socialdemokratëve zvicranë. Aktivizmi politik i Osman Osmanit shtrihet përgjatë një periudhe 40-vjeçare.

Ai ishte aktivist i shquar i njërit prej grupeve që nga pushteti i atëhershëm identifikoheshin si lëvizje nacionaliste-majtiste shqiptare të Kosovës, aktivitetet e të cilit çuan në protestat masive në pranverë të vitit 1981. Asokohe disa kërkonin që Kosovës t’i jepej barazi kushtetuese sikurse gjashtë republikave tjera që ishin pjesë e Jugosllavisë, e të tjerët kërkonin bashkim me Shqipërinë. Osmani ndërkaq, student i juridikut në moshën 24-vjeçare në atë kohë kërkonte opsionin e tretë: krijimin e një republike shqiptare brenda Jugosllavisë e cila do t’i bashkonte të gjithë shqiptarët brenda Federatës. Për të, e drejta për vetëvendosje të të gjithë shqiptarëve brenda Jugosllavisë duhet të shkonte krahë për krahë me betejën për barazi sociale.

Ndërsa shërbimi i fshehtë famëkeq jugosllav i njohur si UDB -ja nisi fushatën e përndjekjes kundër aktivistëve, Osmani e la Kosovën përgjithmonë në vitin 1981. Ai gjeti strehim në Turqi, dhe më 1982 në Gjermani dhe së fundmi në Zvicër ku gjeti mbështetjen e gjeneratës së mërgimtarëve shqiptarë të Kosovës, e të cilët ishin larguar për shkak të mundësive ekonomike, apo për shkak të përndjekjeve gjatë viteve ’70.

Osman Osmani ishte figurë kyçe e LDK-së në diasporë gjatë viteve të ‘90, por ai beson se njerëzit brenda kësaj partie janë dorëzuar në luftën për drejtësi sociale pas luftës. Foto: Screenshot (foto e ekranit) e K2.0 nga një intervistë me të përmes Skype.

Në fillim lëvizi nga familja në familje derisa në fund u vendos në kantonin Schaffhausen, në kufi me Gjermaninë ku jeton edhe sot e kësaj dite. Shumë shpejtë e mësoi gjuhën dhe gjeti punë si kamarier në një restorant, pastaj punoi në një fabrikë dhe më vonë për 5 vite si asistent në Hekurudhat e Bashkuara Zvicerane. Kur vala e re mërgimtarësh nisi të vinte në vitin 1991, deisa kosovarët po largoheshin për shkak të regjimit shtypës të Sllobodan Millosheviqit, Osmani u mundua të ndihmonte në çfarëdo mënyre, duke e ndihmuar financiarisht familjen dhe miqtë në vendlindje, si dhe duke punuar në terren për t’u ndihmuar të sapoardhurve me autoritetet zvicrane dhe me qendra të azilit.

“Kjo punë më ka dhënë kurajo, sepse  i kam thënë vetes sa rri i mërzitur për atë se çfarë po ndodhë në Kosovë, na këtu duhet ta ruajmë shëndetin që të mundim t’i ndihmojmë familjarët në Kosovë”, thotë Osman.

Ajo që në fillim nisi si ndihmë në përkthim bëri që Osmani t’i përfundonte studimet në fushën e shkencave sociale, duke u bërë më vonë edhe punëtor social i çështjeve të migrimit. Kjo periudhë e punës si aktivist për të drejtat e emigrantëve e trazoi edhe më shumë pasionin e tij për drejtësi sociale, një varg vlerash të cilat mezi pret t’i shohë në vendlindjen e tij.

Në fillim të viteve 2000 ai iu bashkua partisë Socialdemokrate Zvicrane, duke e përfaqësuar dy herë partinë në Kuvendin e Schaffhausen-it, dhe sot ai është përfaqësues i Mërgimtarëve Socialdemokratë të kësaj partie në nivel qendror. “Ka qenë për me thy akullin dhe me hy në politikë, me qenë prezent në politikë edhe si shqiptar”, thotë.Osmani, duke theksuar se ai donte që angazhimi i tij t’u përçonte porosi të tjerëve për t’u integruar. “Edhe me ju ba me dije edhe njerzëve tonë që edhe na duhet mu angazhu këtu, jo vetëm përmes shoqatave dhe jetës kulturore, por edhe në politikë”.

"Ne i hasim edhe në Zvicër forcat që janë të armiqësuara politikisht, por konsensusi për të mirën e vendit është gjithmonë, nuk vihet kurrë në pikëpytje".

Osman Osmani

Përkundër integrimit të tij në shtëpinë e re, si shumë të tjerë nga diaspora edhe Osmani kurrë nuk u ndalë së përcjelluri zhvillimet në Kosovë dhe çdoherë mbeti i angazhuar në çfarëdo mënyre të mundshme. Kur vendi nisi procesin e shtetndërtimit pas luftës së vitit 1999, vitet që pasuan u përcollën me zhgënjim të madh si për Osmanin ashtu edhe për kosovarët e tjerë të cilët po i përcjellnin zhvillimet nga larg.

LDK-ja, partia politike e cila drejtoi rezistencën paqësore gjatë viteve 1990, sipas Osmanit dështoi ta shihte nevojën për aktivizëm të mbështetur në vetëvendosje. Derisa ai vetë e kishte drejtuar degën e parë të partisë në Schaffhausen gjatë viteve ’90, ai tani konsideron se protagonistët e LDK-së pas lufte nisën të luftonin më shumë për përfitimet personale sesa për të mirën e përbashkët të popullit. Partia tjetër, PDK-ja, e cila doli nga UÇK-ja dhe ish të burgosurit politikë në të majtë të spektrit politik, nuk arriti t’i qëndrojë besnike identitetit të saj politik dhe u shndërrua në parti të krahut të djathtë.

Për një aktivist politik të krahut të majtë si Osmani klasa udhëheqëse kosovare hoqi dorë nga beteja për barazi sociale, duke bërë shumë kompromise me bashkësinë ndërkombëtare.

“Lufta për pushtet në mes këtyre partive, që më shumë ka ndihmu zhvillimin e politikave ndërkombëtare se sa të brendshme tregon që ka mbetë destruktive dhe bëhen bashkë për zor, vetëm me nda kulaçin dhe jo me punu bashkë për të mirën e vendit. Ne i hasim edhe në Zvicër forcat që janë të armiqësuara politikisht, por konsensusi për të mirën e vendit është gjithmonë, nuk vihet kurrë në pikëpytje”, thotë Osmani.

“UNMIK, EULEX, BE, Amerika, ata ndjekin qëllime të caktuara që është legjitime, por prioritet e kanë stabilitetin dhe njëfarë paqe, dhe jo demokracinë dhe zhvillimin”.

"Angazhimin tim politik në Zvicër se kam pa kurrë ndamas, nuk do të kishte kuptim nëse unë nuk i shoh ato vlera të arritura edhe në vendin tim amë".

Osman Osmani

Në vitin 2005 u shfaq Vetëvendosja si lëvizje politike, e cila fillimisht e ndërtoi ideologjinë thelbësore duke u bazuar në rezistencë karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe politikave të saj në Kosovë, si dhe kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike. Edhe në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, Vetëvendosja me këmbëngulje e kundërshtonte planin e Ahtisaarit, i cili i hapi rrugë pavarësisë së Kosovës, meqë ajo atë e konsideronte si dokument i cili e cënonte sovranitetin dhe çonte në ndarje etnike.

Por Osmani e pa këtë entitet të ri politik edhe si vazhdim të betejës së qytetarëve për vetëvendosje dhe për barazi sociale. Në vitin 2014 ai u bë pjesë e listës së kësaj lëvizjeje si kandidat për deputet, megjithëse nuk fitoi mjaft vota për të qenë pjesë e Kuvendit.

“Angazhimin tim politik në Zvicër se kam pa kurrë ndamas, nuk do të kishte kuptim nëse unë nuk i shoh ato vlera të arritura edhe në vendin tim amë”, thotë Osmani. “Vetëvendosje ka qenë konsistente në kundërshtimin e problemeve dhe akteve të padrejta, si politikat e privatizimit që janë treguar të dështuara dhe nuk kanë çu në ndonjë zhvillim ekonomik. Problemet që ata i kanë theksu kanë dalë të sakta, si politikat e etnizimit prej UNMIK e më poshtë. Është tregu që nuk çon kah bashkimi i njerzëve,  por më shumë krijon ndarje dhe pabarazi të shtresave”.

Në zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti, së bashku me votuesit tjerë nga diaspora, ai me votën e tij edhe njëherë i dha mbështetje Vetëvendosjes.

Gjenerata e re

Më 1986, tre vjet pasi Osmani fitoi azilin politik në Zvicër, dhe tre vjet para se Millosheviqi ta hiqte autonominë e Kosovës që çoi në dekadë të shtypjes, në Kosovë ishin lindur Alban Baftiu dhe Meriton Mihovci. Të dytë ishin shpërngulur në Zvicër gjatë fëmijërisë dhe ata janë në mesin e rreth 800,000 kosovarëve që jetojnë në diasporë, derisa rreth 150,000 prej tyre besohet se jetojnë në Zvicër. Albani shkoi atje me familjen e tij në fillim të viteve ’90, derisa Meritoni iku gjatë luftës së vitit ’99.

Meriton Mihovci beson se vlerat e Vetëvendosjes i përshtaten natyrshëm atij, meqë si fëmij ka shkuar për të jetuar në Zvicërr. Ai thotë se gjithmonë e ka pëlqyer parimin e Vetëvendosjes. Foto: Screenshot (foto e ekranit) e K2.0 nga një intervistë me të përmes Skype.

Këta dy të rinj i përkasin një gjenerate tjetër të diasporës — ata ishin shumë të ri kur u larguan nga Kosova, dhe prandaj kanë krijuar forma tjera të lidhjes me vendin e tyre të origjinës. Me t’i mbushur 18 vjet, pankarta e Vetëvendosjes “Jo Negociata, Vetëvendosje”, kishte mjaftuar që të dy këta të rinj të bëheshin aktivistë të kësaj lëvizjeje, të cilët thonë se arsimi dhe përvoja e tyre në Zvicër ua mësoi rëndësinë e qytetarisë aktive, rëndësinë e të drejtave universale dhe të së drejtës për vetëvendosje.

“Kërkesat dhe parullat në Kosovë për Vetëvendosje, për diçka që në shtetin ku jetoja unë ishte e vetëkuptushme dhe e shenjtë, kanë pasur automatikisht përkrahjen time”, thotë Meritoni. Albani, në anën tjetër, shton se filozofia e lëvizjes politike të Vetëvendosjes ishte pjese e rritjes së tij: “Në të njetën kohë kemi emigruar në një shtet që gëzon vetëvendosjën e plotë që nga formimi i tij. Andaj qoftë mbrenda ose jashtë shtëpisë, ideja e Vetëvendosjës ka qenë gjithmonë pjesë e vizionit tonë qytetar”.

Kur mendon për Kosovën, Albanit i shkon mendja të disa vlera të cilat prindërit e tij ia kanë përcjellur: identiteti, përkushtimi, liria, optimizmi dhe shpresa. Në anën tjetër, Meritonit i shkon mendja te parregullsitë dhe padrejtësitë ndaj qytetarëve, degradimi i të gjitha profesioneve të rëndësishme dhe humbja e vlerave shoqërore. Për ta, mungesa e zhvillimit dhe e mirëqenies ekonomike për qytetarët e Kosovës i ka shuar shpresat e diasporës që të kthehen në vendlinjen e tyre dhe i ka zhgënjyer ata të cilët janë kthyer pas lufte.

Gjatë zgjedhjeve të sivjetme, ata ishin në mesin e numrit rekord të atyre që u regjistruan për të votuar nga diaspora; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u dha dritën e gjelbër 15,118 aplikacioneve (ndërsa i refuzoi 5,236) të votuesve nga diaspora në 57 shtete, derisa numri më i madh i aplikacioneve erdhi nga Zvicra (4,618 të miratuara dhe 814 të refuzuara). Këto shifra mund të jenë të vogla nëse krahasohen me qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në diasporë, por megjithatë ato paraqesin një rritje të konsiderueshme nëse krahasohen me 2,000 vota të diasporës në vitin 2014. Atë vit, rreth gjysma e votave të diasporës shkuan për Vetëvendosjen, duke përfshirë votën e Albanit dhe të Meritonit.

Alban Baftiu është një prej 4,618 kosovarëve në Zvicër që janë regjistruar me sukses për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti. Foto: Screenshot (foto e ekranit) e K2.0 nga një intervistë me të përmes Skype.

Kësaj radhe, ata bënë një hap tutje. Sikurse aktivistët tjerë dhe mbështetësit e Vetëvendosjes nga Zvicra, edhe Albani edhe Meritoni udhëtuan për në Kosovë disa ditë para zgjedhjeve për t’i ndihmuar fushatës së partisë në terren. Për ta, shumë kosovarë që jetojnë në diasporë jetojnë në shtetet ku shtetndërtimi u bazua në sisteme të forta politike, sociale, arsimore dhe shëndetësore, një karakteristikë e cila, sipas tyre, pështatet shumë mirë me programin të cilin e ofron Vetëvendosje.

Përkundër diskursit të saj nacionalist, i cili konkretisht kërkonte bashkimin me Shqipërinë, kësaj radhe partia u përqendrua në portretizimin e vetës me një profil socialdemokrat. Për shumë votues nga diaspora, fokusi i Vetëvendosjes në luftën kundër korrupsionit dhe në ndërimin e një shteti social me ndryshime rrënjësore të sistemit të mirëqenies sociale është pikërisht ajo e cila mund ta sjellë Kosovën më afër vendeve të zhvilluara në të cilat jetojnë ata.

Megjithëse KQZ-ja ende nuk i ka shpallur rezultatet përfundimare të votave të diasporës, ekziston një besim i shumë i përhapur se një pjesë e madhe e këtyre votave përsëri i kanë shkuar Vetëvendosjes, duke i kontribouar gjithashtu dyfishimit të votave  krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Mundësi për ndryshim

Dafina Gashi* zgjodhi Vetëvendosjen dhe e dërgoi votën përmes postës nga Gjermania, ku ajo është një prej 100,000 kosovarëve sa llogaritet që jetojnë në këtë shtet. Sipas saj, për njerëzit që jetojnë në diasporë është më lehtë të votojnë për Vetëvendosjen meqë ata nuk janë të prekur nga nepotizmi i cili është aq i përhapur në sistemin qeverisës të Kosovës, ku shumë qytetarë mbështeten në lidhjet me partinë në pushtet për të gjetur një vend pune.

“Puna dhe gjithçka që kemi arritur për veten tonë [në diasporë], e kemi bërë duke u mbështetur vetëm në veten tonë”, thotë Dafina. “Kjo na bën t’i shohim zgjedhjet si mundësi për të arritur një të mirë të përbashkët për Kosovën, pa u bazuar në interesa personale”.

Kur Vetëvendosja i bëri publike ‘Prioritetet e Republikës’ në maj të vitit 2017, si pjesë e programit të tyre zgjedhor, Dafina u pajtua me politikat e tyre sociale, siç është tatimi progresiv dhe beneficionet për fëmijët. Vetëvendosja premtoi të paguante nga 10 euro në muaj për çdo fëmijë deri në moshën 15-vjeçare, që, sipas saj, është politikë e ngjashme me atë e cila ka pasur sukses në Gjermani.

“Vetëvendosja ka premtime të thjeshta, konkrete”, thotë Dafina. “E njëjta gjë ishte edhe me zgjedhjet lokale — deri më tani Vetëvendosja ka pasur vetëm një rast ta dëshmonte veten. Dhe e ka bërë këtë, në Prishtinë”.

"Se a do ta mbështes Vetëvendosjen, do të varet kryesisht nga performimi i saj në qeverisje dhe prej përmbushjes së premtimeve"

Suad Sadulahu

Ngjashëm me Dafinën, Suad Sadulahu i cili jeton në Suedi beson se kryeqyteti i Kosovës është dëmtuar shumë gjatë udhëheqjes së LDK-së dhe “të PDK-së tërthorazi”; ai konsideron se kjo rënie është ndalur që kur Shpend Ahmeti e mori timonin e drejtimit të kryeqytetit.

Suadi kishte votuar për Lidhjen Demokratike të Dardanise (LDD) në vitin 2007, parti e cila ishte ndarë nga LDK-ja; pastaj për FER-in në vitin 2010, që u përpoq të grumbollnte elektorat në mbarë vendin, por që nuk arriti ta kalonte pragun e 5-përqindëshit. Pasi disa anëtarë të FER-it iu bashkuan Vetëvendosjes, ai i dha mbështetjen kësaj partie ne vitin 2014, dhe nuk e ndërroi mendjen as në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Unë nuk jam aktivist apo anëtar i Vetëvendosjes, dhe e njëjta gjë vlen edhe për partitë tjera”, thotë Suadi. “Të jemi të qartë, unë e kam mbështetur Vetëvendosjen në këto zgjedhje siç kam bërë edhe në zgjedhjet e kaluara. Se a do ta vazhdoj mbështetjen për Vetëvendosjen varet nga puna e tyre në qeveri si dhe nga aftësia e tyre për t’i përmbushur premtimet”.

Megjithëse thotë se nuk pajtohet me rreth 20 përqind të platformës dhe veprimeve të Vetëvendosjes, për të është tejet e rëndësishme që qytetarët të votojnë për ndryshim.

“Një gjë që njerëzit në diasporë kanë mësuar duke u nisur nga shtetet në të cilat jetojnë, është se duhet t’i japin mundësinë secilit që ta tregojë veten, qoftë në vendin e punës qoftë në politikë. Të mos jenë votues kokëfortë të partive politke të cilat nuk kanë arritur ta zhvillojnë vendin pas kaq vitesh”.

Të japësh diçka nga vetja

Ëndrra e Blerta Hotit që të kthehet në Kosovë për t’i kontribuuar zhvillimit ekonomik dhe social është e lidhur me ëndrrën e saj për një barazi globale ekonomike, sociale dhe politike. Kur ajo u vendos në Bruksel nga Suedia në vitin 2015 për të punuar si këshilltare e pesë deputetëve europianë nga radhët e Partisë Demokratike Suedeze ajo me vete mori një fotografi të Polacit, katundit të saj në Skenderaj.

E varur në murin e apartamentit të saj në Bruksel, fotografia e shtëpisë së saj në qendër të qiellit të Skënderajt ia sjellë kujtimet e një jete të mbushur me dashuri dhe hare të cilën ia desh ta braktiste në vitin 1992, kur i kishte gjashtë vjet. Sa herë që e viziton Polacin, asaj i vinë ndërmend mundësitë të cilat ia ka dhënë Suedia dhe nevoja të cilën ajo e ndien për t’i dhënë diçka shoqërisë.

“U detyrova t’i shfrytëzoj kushtet të cilat i kam në shoqërinë suedeze. Besoj se ky fakt i ka nxitur vendimet të cilat i kamë marrë në jetë, sa i përket studimeve, punës dhe angazhimit politik”, thotë Blerta. “Për shkak se kjo ka të bëjë me të drejtën e organizimit përmes proceseve sociale të cilat nuk duhet të merren si të nënkuptueshme dhe të cilat duhet të shfrytëzohen”.

"Unë besoj se gjeneratat tjera janë më të interesuara të kontribuojnë më shumë në aspektin social e ekonomik, dhe jo vetëm në bazë të identitetit".

Blerta Hoti

Blerta e sheh vetën si pjesë të një grupi në rritje të gjeneratës së re të diasporës kosovare të cilat janë më përparimtarë se mërgimtarët më të vjetër dhe më të interesuar që të kontribuojnë në zhvillimet politike të vendit.

“Gjeneratat e para ikën nga dhuna, nga shtypja etnike dhe identitare dhe janë të drejtuara nga frika e asimilimit — ata e shohin identitetin shqiptar në mënyrë më emocionale”, thotë Blerta. “Ndërsa unë besoj se gjeneratat tjera janë më të interesuara të kontribuojnë më shumë në aspektin social e ekonomik, dhe jo vetëm në bazë të identitetit. Gjeneratat e reja nuk dëshirojnë vetëm të shkojnë në Kosovë me ndonjë veturë të madhe e për t’u krenuar dhe për t’u martuar me shqiptarë e për të pasur dasma në Kosovë, por është një grup në rritje i cili dëshiron të kontribuojë në zhvillim më afatgjatë, qoftë për shoqërinë civile qoftë për sektorin privat”.

Blerta Hoti mendon se e ka një përgjegjësi për t’i kthyer të mira shoqërisë, për shkak të mundësive që i’u dhanë asaj në Suedi. Foto: Screenshot (foto e ekranit) e K2.0 nga një intervistë në Skype.

Edhe pse ajo nuk ia doli të regjistrohej për zgjedhjet e sivjetme, Blerta beson se ata të diasporës të cilët ishin në gjendje të votonin në masë të madhe e donë një Kosovë pa korrupsion dhe pa favorizime të investimeve në sekotrin publik si dhe një sistem funksional të mirëqenies sociale. Por ajo gjithashtu beson se gjithashtu ka prej atyre në diasporë të cilët e mbështesin Vetëvendosjen në baza etnike, meqë partia tradicionalisht i ka udhëhequr fushatat në flamurin shqiptar. “Një pjesë e diasporës mund ta kenë krijuar këtë [lidhje] sepse ata besojnë se qeveritë e kanë shitur Kosovën”, thotë ajo.

Blerta beson se Kosova do të përfitonte shumë nga kthimi i shumë pjesëtarëve të diasporës, të cilët janë të mësuar me sundim të qëndrueshëm të ligjit. Një shtet pa korrupsion dhe me zhvillim të qëndrueshëm do ta favorizonte secilin, thotë ajo: edhe qytetarët kosovarë edhe ata të diasporës mbështetja financiare e të cilëve u ndihmon grupeve t’i dalin në krye ekonomisë së vështirë të Kosovës.

Marrëdhënie e ndërlikuar

Njerëzit si Osmani, Albani, Meritoni, Blerta, Dafina e Suadi janë vetëm disa prej mijëra familjeve kosovare që jetojnë në diasporë dhe që së bashku dërgojnë qindra milionë euro në Kosovë për çdo vit. Instituti për ekonomi Riinvest Institute llogarit se rreth 700 million euro remitenca janë dërguar vetëm në vitin 2016; shifra aktuale duhet të jetë shumë më e lartë për shkak të mbizotërimit të parave të gatshme të cilat nuk kalojnë përmes transfereve bankare. Sipas disa llogaritjeve, një në tre kosovarë jeton nga remitencat e diasporës.

Sipas Osmanit, ekziston një përshtypje se një pjesë e madhe e solidaritetit të treguar të komunitetit të diasporës përgjatë viteve ka qenë e kotë dhe varshmëria e shumë kosovarëve prej remitencave ka ndikuar në aftësinë e tyre për të punuar.

“Njerëzit u zhgënjyen, duke ditur se paratë të cilat i dhanë për fondin e trepërqindëshit u keqpërdorën”, thotë Osmani, duke iu referuar tatimit vullnetar gjatë viteve ’90 i cili u krijua për t’i mbështetur institucionet shtetërore paralele.

“Dhe më vonë ata u përqëndruan vetëm në dërgimin e parave për familjet e tyre, dhe për njerëzit të cilëve vërtet u besonin. Si mund të pritet që dikush të jetë inovativ dhe përparimtar nëse gjithçka i jepet e gatshme? [Por njëkohësisht] rrogat janë të vogla, institucionet nuk të mbrojnë, nuk të trajtojnë mirë”.

Potenciali i remitencave të diasporës është një fushë për të cilën Vetëvendosja ka qenë shumë e zëshme përgjatë këtyre viteve, dhe sidomos gjatë fushatës parazgjedhore; në programin e saj të zhvillimit ekonomik, kjo parti parasheh mobilizimin e fuqisë financiare të diasporës përmes të ashtuquajturit Fondi Sovran i cili, sipas partisë, do të sigurojë që kosovarët në diasporë të përfitojnë nga investimet e tyre.

Një çështje tjetër e cila tërhoqi vëmendjen e shumë pjesëtarëve të diasporës gjatë fushatës zgjedhore ishte zotimi i Vetëvendosjes për ta adresuar problemin e Kartonit të Gjelbër, meqë aktualisht pronarët e veturave janë të detyruar të paguajnë sigurim shtesë kur hynë në Kosovë sepse, përkundër premtimeve shumëvjeçare të qeverisë, Kosova nuk është nënshkruese e çertifikatës europiane të sigurimit.

Suad Sadulahu beson se është koha për ndryshim në Kosovë. Ai mendon se qeveritë një pas një i kanë zhgënjyer qytetarët. Foto: Screenshot (foto e ekranit) e K2.0 nga një intervistë me të përmes Skype.

“Një shtet i cili krenohet me punën e diasporës sa i përket luftës së fundit dhe shtetndërtimit, e i cili në anën tjetër nuk është në gjendje ta nënshkruajë Kartonin e Gjelbër në Bruksel për veturat e huaja nuk do koment”, thotë Suadi. “Një shtet i cili krenohet me remitencat e diasporës por nuk u mundëson të votojnë nëpër ambasada dhe konsullata, por vetëm përmes një votimi të ndërlikuar përmes postës, nuk do koment. Njerëzit e diasporës kanë vuajtur mjaftueshëm. Është koha të tregohet më shumë respekt për ta, dhe jo vetëm për hir të remitencave”.

Marrëdhënia ndërmjet pjesëtarëve të diasporës dhe atyre të cilët mbetën në Kosovë kurrë nuk ka qenë e drejtpërdrejtë. Derisa shumë prej atyre të cilët jetojnë jashtë vendit kanë përjetuar diskriminim në vendin e tyre të origjinës, sidomos gjatë viteve të fundit, bashkëvendësit e tyre kosovarë nganjëherë i shikojnë edhe me nënçmim.

Blerta, e cila nganjëherë ka përjetuar margjinalizim si emigrante në Suedi dhe kjo përvojë i ka ndihmuar kjo përvojë për t’u dhënë formë shpresave të saj për një entitet politik qeverisës i cili nuk është përjashtues ndaj minoriteteve, thotë se gjatë disa vizitave në Kosovë ka ndodhur të ndiejë paragjykime karshi saj.

“Ndoshta jam idealiste. Unë besoj se çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë është një parti socialdemokrate e cila i jep prioritet barazisë ekonomike, sociale dhe gjinore dhe e cila nuk bazohet në etnocentrizëm”.

Blerta Hoti

“Ekziston ky imazh, një formë e frustrimit ndaj shqiptarëve të diasporës, se ne kishim fatin ta gëzonim lirinë sociale dhe ekonomike, të cilët ne nuk dinim ta shfrytëzonim si duhet”, thotë Blerta. “Se diaspora ka kulturë të mbrapshtë dhe se është e motivuar prej ruajtjes së atyre konfirmimeve identitare të cilat janë të podobishme dhe se ata nuk kanë mjaft solidaritet me rininë kosovare e cila mbetet e izoluar”.

Por ajo thotë se pjesëtarët e diasporës shpesh i keqkuptojnë shqiptarët në Kosovë, e që pasqyrohet në besime se njerëzit në Kosovë nuk janë demokratikë por janë të korruptuar: “Ka shumë grupe përparimtare në Kosovë të cilat adresojnë padrejtësitë, korrupsionin, qeverisjen e keqe. Shpirti përparimtarë ekziston dhe ai vjen nga populli. Ç’është e vërteta, më vjen keq që nuk jam atje për të qenë pjesë e lëvizjes feministe e cila del në rrugë për të kërkuar barazi gjinore si dhe gjithashtu bën thirrje për të drejta të punëtorëve dhe për zhdukjen e korrupsionit”.

Si dikush që beson fuqishëm në demokraci sociale, ajo shpreson se qeveria kosovare do të përkushtohet për t’i dhënë fund pabarëzisë dhe se do të përqendrohet në grupe të paprivliegjuara.

“Kjo është ëndrra ime”, thotë ajo. “Ndoshta jam idealiste. Unë besoj se çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë është një parti socialdemokrate e cila i jep prioritet barazisë ekonomike, sociale dhe gjinore dhe e cila nuk bazohet në etnocentrizëm”.

Se a do t’ia dalë Vetëvendosja të bëhet ajo forcë mbetet të shihet e të testohet. Por tash për tash, shumë pjesëtarë të diasporës i kanë investuar shpresat e tyre në këtë parti për ndryshime politike dhe sociale.

* Gashi është pseudonim meqë e intervistuara ka kërkuar të mos përdoret mbiemri i saj i vërtetë.

Foto kryesore nga Blerta Hoti.