S`fundmi | Ambienti

Po nxehet Ballkani Perëndimor

Nga - 24.09.2018

Të dhënat e reja tregojnë se po ngriten temperaturat në qytetet e Ballkanit.

Në dhjetor 2015, me nënshkrimin e marrëveshjes të Parisit, 195 shtete u përkushtuan për ta “kufizuar rritjen e temperaturës deri në 1.5 gradë Celsius në krahasim me nivelet para-industriale”.

Megjithatë, plot qytete në Evropë veç se e kanë arritur këtë prag, siç tregojnë të dhënat e mbledhura, të analizuara dhe të publikuara nga Rrjeti Evropian i të Dhënave Gazetareske (European Data Journalism Network – EdjNet).

EdjNet i analizoi të dhënat e Qendrës Evropiane për Parashikime afat-mesme të Motit (European Centre for Medium-term Weather Forecasts – ECMWF) që kalkulon të dhënat meteorologjike duke kombinuar informata që i marrin nga burime të ndryshme (stacione meteorologjike, balona meteorologjikë, voza dhe vëzhgime satelitore).

Kjo teknologji inovative e bën të mundur studimin e modeleve meteorologjike për periudha mbi një shekullore, sepse i harmonizon informatat e marra nga mijëra burime të të dhënave dhe mundëson krahasimet në kohë dhe hapësirë. Të dhënat i marrin parasysh informatat nga viti 1900 deri në 2017 dhe i mbulojnë më shumë se 500 qytete evropiane, përfshirë këtu 78 qendrat urbane në gadishullin e Ballkanit.

Një tregues i ndryshimit klimatik është numri i ditëve të nxehta të regjistruara çdo vit. Kriteret nga të cilat ditët konsiderohen ‘të nxehta’ dallojnë varësisht nga qyteti dhe temperatura mesatare e regjistruar. Për shembull, ditët konsiderohen ‘të nxehta’ nëse në një periudhë 24-orëshe, temperatura mesatare është mbi 25 gradë Celsius në Prishtinë, 28 gradë Celsius në Tiranë dhe 26 gradë Celsius në Shkup. Duke e marrë parasysh këtë, numri i ditëve të nxehta të regjistruara çdo vit është dyfishuar përgjatë gadishullit të Ballkanit.

Janë edhe disa raste më ekstreme në rajon. Në Split, ku temperaturat duhet ta arrijnë mesataren mbi 27 gradë gjatë një periudhe 24-orëshe për t’u kualifikuar si ditë e nxehtë, numri i ditëve të nxehta në vit ka shkuar nga një mesatare prej 0.35 në vit në shekullin 20, në 13.5 në shekullin 21.

Në Tiranë, numri i ditëve të nxehta në vit është rritur nga një mesatare prej rreth 1.5 në shekullin 20, në më shumë se 8 në vit prej vitit 2000. Ndërsa në Prishtinë, numri mesatar i ditëve të nxehta është katërfishuar – nga 0.86 në vit në shekullin 20 në më shumë se 3.5 në shekullin 21.

Temperaturat më të larta çojnë deri te nivelet e shtuara të natalitetit, ku të moshuarit dhe foshnjet rrezikohen më së shumti. Për shembull, periudha e vapës në Evropë gjatë muajit korrik dhe gusht 2003, u morri jetën më shumë se 52,000 njerëzve sipas organit të ekspertëve Earth Policy Institute.

Hulumtimet kanë treguar gjithashtu, se kur ngritet temperatura mesatare ditore mbi 22 gradë Celsius, aftësitë kognitive të nxënësve reduktohen, veçanërisht aftësitë matematikore.

Në Kosovë, numri mesatar i ditëve të ‘nxehta’ të shkollës në vit, është rritur për rreth katër fish në Prishtinë dhe Prizren ndërmjet shekujve. Nga një mesatare prej rreth një dite shkollore në vit në shekullin 20 në të dy qytetet, tani të dyja kanë një mesatare prej rreth katër ditë.

Faktorët e rrezikut në rajon

“Klima po ndryshon përgjatë kontinentit, por rajoni i Ballkanit Perëndimor është veçanërisht i cënueshëm”, thekson Radovan Nikčević, një ekspert nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC), në një intervistë me partnerin e K2.0, Osservatorio Balcani Caucaso (OBCT).

RCC së fundmi ka publikuar një studim që parashikon rritje të temperaturës në Ballkanin Perëndimor prej 1.7 gradë Celsius deri në 4 gradë Celsius deri në fund të shekullit.

Sipas Nikčvić, ndër faktorët që e bëjnë këtë fenomen veçanërisht shqetësues në këtë rajon, janë vonesat në zbatimin e rregullave evropiane për lehtësim të ndryshimit klimatik dhe adaptimit ndaj tij.

“Mbetet një ndarje e fortë: politika shumë të ndryshme, strukturat ligjore dhe metodat e monitorimit në rajon e bëjnë luftën kundër ndryshimit klimatik më të vështirë”, shpjegon ai. “Për më tepër, zhvillimi ekonomik është prioritet i padiskutueshëm për rajonin: Prandaj lufta kundër ndryshimit klimatik shpeshherë lihet anash, shtyhet për kohë më të mira. Në fund të fundit, përvoja dhe kapitali i aftë njerëzor për këto çështje po mungon në institucionet relevante”.

Studimi i RCC gjeti një ndikim potencial në prodhime bujqësore, shëndetin e qytetarëve, degradimin e zonave pyjore dhe në shtimin e vërshimeve.

Me përjashtim të Kosovës, shtetet e rajonit të gjitha e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Parisit, që i obligon shtetet t’i reduktojnë emetimet duke miratuar plane të lehtësimit, që veprojnë mbi shkaqet e ndryshimit. Përveç zbatimit të kufizimeve që burojnë nga Marrëveshja e Parisit, disa komuna marrin pjesë edhe në nisma bazë si Marrëveshja e Kryetarëve të Komunave të BE për Klimë dhe Energji Elektrike. Pjesë e qyteteve që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje janë Nishi, Tirana, Podgorica, Shkupi dhe më shumë se 15 qytete të Bosnjes dhe Hercegovinës.

Për më tepër, urgjent është edhe miratimi i planeve të adaptimit që kanë për synim menaxhimin e efekteve veç se të dukshme të ndryshimit klimatik. Për ta shpjeguar progresin e bërë sa i përket miratimit të Planeve Lokale Klimatike (LCP), konsorciumi EdjNet po mbledh informata për politikat e adaptimit që janë miratuar apo po miratohen nga autoritetet lokale evropiane.K

*Shënim redaktorial: Ky artikull është korrigjuar për të ndryshuar një numër të pasaktësive faktike për shkak të gabimeve në të dhënat e marra për 38 qytete, duke përfshirë Shkupin dhe Prizrenin. Për më shumë informacion kliko këtu.

Ky raport u prodhua nga Rrjeti Evropian i të Dhënave Gazetareske (European Data Journalism Network). Raportim shtesë nga Fitim Salihu dhe Jack Robinson.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.