Pikëpamje | BiH

Cila është rëndësia e vendimit ndaj Karadžić-it?

Nga - 19.03.2019

Përmbledhje e rastit kundër presidentit të Republika Srpska gjatë kohës së luftës.

Në 2016, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) dha aktgjykimin e shkallës së parë kundër Radovan Karadžić-it, liderit të Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH) gjatë kohës së luftës.

Ai u shpall i fajshëm për 10 akuza, përfshirë këtu gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë, pesë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Ai u dënua me 40 vjet burg.

Në akuzën për gjenocid në “komunat” që i referohet Rajonit Autonom të Krajinës, rajonit të Sarajevës dhe anës lindore të BiH në 1992, ai u shpall i pafajshëm.

Paditë kundër Karadžić-it

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) e paditi Radovan Karadžić-in për herë të parë në korrik 1995, por ai u arrestua tek në korrik 2008, pasi kaloi vite duke u fshehur, i maskuar si shërues shpirtëror. Gjykimi nisi në 2009 dhe përfundoi në 2014.

Karadžić u ballafaqua me dy akuza për gjenocid (Akuzat 1 dhe 2), pesë akuza për krime ndaj njerëzimit — persekutime (Akuza 3), asgjësim (Akuza 4), vrasje (Akuza 5), internim (Akuza 7), veprime jonjerëzore (transferim i dhunshëm) (Akuza 8) — dhe katër akuza për shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës — vrasje (Akuza 6), terror (Akuza 9), sulme të jashtëligjshme ndaj civilëve (Akuza 10), marrje peng (Akuza 11).

Prokuroria dhe pala e mbrojtjes kanë apeluar vendimin; prokuroria po kërkon dënim për akuzën e parë për gjenocid, ndërsa pala e mbrojtjes po bën thirrje që Karadžić-i të lirohet nga të gjitha akuzat.

Ndonëse ka bazë të fortë për kërkesën e prokurorisë, dhoma e apeleve me gjasë nuk do ta plotësojë kërkesën. Do të ishte e pazakontë po ta vendosnin një precedent të ri gjykatësit në rastin e tyre të fundit, dhe gjykatësit që janë më aventurierë në interpretimin e tyre të ligjit nuk e kanë rastin në dorë.

Pala e mbrojtjes i ka dhënë disa argumente për lirim nga akuzat, prej të cilave njëra mund të jetë e besueshme: argumenti që drejtësia e gjykimit është dëmtuar nga ndarja e ngadalshme e dëshmive. Pjesa tjetër e argumenteve të palës së mbrojtjes janë pa merita.

Rezultati më i mundshëm është që dhoma e apeleve do ta konfirmojë vendimin e dhomës së gjykimit. Një tjetër çështje është dënimi, për të cilin prokuroria argumenton se është tepër i butë. Gjykatësit mund ta ndryshojnë apo jo dënimin, por kjo është çështje rëndësia e së cilës është kryesisht simbolike.

Mund ta lexoni vendimin për Karadžić këtu. Është 2,615 faqe i gjatë, kështu që rehatohuni e gjeni pak kohë. Nëse nuk keni kohë, në vijim janë disa pyetje dhe përgjigje që i kam publikuar menjëherë pas vendimit të parë në 2016.

Me të vërtetë nuk kishte gjenocid para vitit 1995?

Fakti më i diskutuar për rastin Karadžić është që ai është dënuar. Fakti i dytë më i diskutuar është që ai u lirua nga akuza e parë për gjenocid, për vrasjet sistematike në 1991 dhe 1992 në “komunat”.

Disa komentatorë po e interpretojnë këtë lirim nga akuzat si mohim të fakteve. Kjo është e pavërtetë. Gjykatësit i pranuan faktet dhe i përshkruan ato në qindra faqe me hollësi të tmerrshme. Ata erdhën në përfundimin se faktet nuk përbëjnë gjenocid, por disa krime kundër njerëzimit.

Si e bënë këtë? Të nisim me krimet kundër njerëzimit.

Karadžić u shpall i fajshëm për gjashtë krime kundër njerëzimit në “komunat”: persekutim, asgjësim, vrasje, internim, transferim me dhunë dhe “veprime të tjera jonjerëzore”, përfshirë këtu përdhunimin dhe dhunën seksuale. Këto krime rrjedhën nga “veprimet e qëllimshme” (paragrafi 2,449) të forcave të cilat ai i kontrolloi, dhe përfaqësuan “një model të qartë të fushatës së përhapur të frikës, dhunës, vrasjes dhe dëbimit, që u zhvillua kundër muslimanëve të Bosnjes dhe kroatëve të Bosnjes” (paragrafi 2,623).

Tingëllon shumë si gjenocid, apo jo? Por gjykatësit i dhanë dy arsye pse thanë jo.

Krimet kishin efekte të mëdha dhe të qëndrueshme deri në masën ku “shkalla dhe shtrirja e dëbimit dhe lëvizjes së civilëve nga Komunat, përfshirë këtu Komunat e Akuzës 1, rezultuan në zhvendosjen e një numrit të madh të muslimanëve të Bosnjes dhe kroatëve të Bosnjes, dhe në ndryshime drastike të përbërjes etnike të qytezave, ku nuk mbetën pothuajse fare muslimanë të Bosnjes” (paragrafi 2,624).

Ato nuk ishin të rastësishme: “Duke marrë parasysh modelin e qartë sistematik dhe të organizuar të krimeve që u kryen në secilën prej Komunave nga anëtarët e Forcave Serbe, brenda një periudhe të shkurtër kohore, Dhoma gjeti se këto krime nuk u kryen në mënyrë të rëndomtë, por u kryen në mënyrë të koordinuar” (paragrafi 3,445).

Si rrjedhojë e kësaj, “Dhoma gjeti përtej dyshimit të arsyeshëm se ndërmjet tetorit 1991 dhe 30 nëntorit 1995 ekzistoi një plan i përbashkët për t’i larguar përherë muslimanët e Bosnjes dhe kroatët e Bosnjes nga territori i kërkuar nga serbët e Bosnjes nëpërmjet këtyre krimeve” (paragrafi 3,447).

Tingëllon shumë si gjenocid, apo jo? Por gjykatësit i dhanë dy arsye për që thanë jo.

E para ishte se, ndonëse disa elemente të krimeve për gjenocid janë demonstruar, përfshirë këtu vrasja dhe shkaktimi i dëmtimeve të rënda trupore, një tjetër nuk u demonstrua. Pavarësisht dëshmive të shumta afirmuese që treguan nivele të abuzimit, keqtrajtimit, shkaktimit të urisë ekstreme, shpërfilljes dhe krijimit të qëllimshëm të rrezikut të lartë, gjykatësit vendosën që kushtet në objektet e paraburgimit nuk arritën nivelin që do t’i mundësonte atyre të vijnë në përfundimin se ato ishin “të kalkuluara për të shkaktuar shkatërrimin fizik” të grupit (paragrafi 2,587).

Arsyeja e dytë është me gjasë më e rëndësishmja. Kjo përfshinë çështjen se a kishte Karadžić “qëllim specifik” për të kryer gjenocid. Qëllimi është elementi që e bën gjenocidin shumë të vështirë për t’u dëshmuar.

Për shembull, në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë për të cilin veçse ekzistojnë të dhëna gjyqësore dhe për të cilin Karadžić u dënua në Akuzën 2 gjykatësit e vërtetuan qëllimin e tij duke ndjekur rrjedhshmërinë e ngjarjeve dhe aktiviteteve të tij me shumë kujdes, dhe duke vendosur se ai filloi ta ndante “qëllimin specifik” vetëm kur filluan vrasjet, në bazë të një bisedës me një komandant operacional, që ndodhi më 13 korrik, 1995.

Në vijim është transkripta e bisedës:

: Po pres një thirrje për President Karadžić. A është aty?

B: Po.

: Mirëdita! Vetëm një minutë, oficeri në detyrë do të përgjigjet tani, Z. President.

B: Mirëdita! E kam Deronjić në linjë.

: Deronjić, ngrite zërin.

D: Mirëdita! Po. Po ju dëgjojë.

: Deronjić, Presidenti po pyet sa mijëra?

D: Rreth dy për momentin.

: Dy, Z. President. (dëgjohet në prapavi)

D: Por do të ketë më shumë gjatë natës.

[…]

D: A po më dëgjoni, President?

: Presidenti nuk mund të ju dëgjojë, Deronjić. Unë jam ndërmjetësi.

D: I kam rreth dy mijë këtu tani deri […]

: Deronjić, Presidenti thotë: “Të gjitha mallrat duhet të vendosen brenda magazinave para orës dymbëdhjetë nesër”.

D: Në rregull.

: Deronjić, jo në magazinat atje, po diku tjetër.

D: E kuptova.

: Ditën e mirë.

Ajo çfarë Karadžić po kërkon nga Deronjić-i nëpërmjet këtij shkëmbimit me kodim të dobët është t’i çojë të burgosurit civilë nga Bratunac, ku ishin duke u mbajtur, në Zvornik, ku do t’i vrisnin. Për mendimin e gjykatësve, ky shkëmbim shënon momentin e marrëveshjes ndërmjet Karadžić-it dhe komandantëve ushtarakë, që tema kishte ndryshuar në “ku jo nëse të burgosurit do të vriteshin” (paragrafi 5,805), dhe si rrjedhojë, edhe fillimin e angazhimit personal të tij në veprimin e kryerjes së gjenocidit.

Për të gjetur qëllim gjenocidal, gjykatësit nuk pyetën “A ka kuptim?” por “A është e vetmja ndërhyrje e arsyeshme që mund të bëhet?” Kjo tregon sa i lartë është pragu për një dënim mbi akuza për gjenocid.

Specifikimi i dukshëm në këtë bisedë buron nga standardi i lartë për dënime. Për të gjetur qëllim gjenocidal, gjykatësit nuk pyetën “A ka kuptim”, por “A është e vetmja ndërhyrje e arsyeshme që mund të bëhet?” Kjo tregon sa i lartë është pragu për një dënim mbi akuza për gjenocid.

Pra çfarë gjetën në qëllimin për Akuzën 1?

Paragrafët 2,596 dhe 2,597 afirmojnë karakterin e ideologjisë nacionaliste që kërkonte ta krijonte një shtet etnikisht homogjen. Por ata vendosën se ndërhyrja mbetet e hapur që ky synim mund të arrihet nëpërmjet metodave të tjera që nuk përfshijnë vrasjen.

Ngjashëm me kërcënimet dhe deklaratat nxitëse për të “asgjësuar”, “farosur” e kështu me radhë: Në paragrafin 2,599, vendimi përcakton se këto kërcënime mund të jenë thënë në mënyrë hiperbolike dhe jo në kuptimin e plotë të tyre dhe se gjykatësit “nuk janë të bindur se e vetmja ndërhyrje e arsyeshme që mund të nxjerret nga këto deklarata është se folësit përkatës kishin për qëllim shkatërrimin fizik” të grupeve.

Ai që me gjasë është fragmenti kyç që i shpjegon vendimet e gjykatësve që krimet në “komunat” nuk përbënin gjenocid është në paragrafin 3,466: “Dhoma është e mendimit se një ndërhyrje tjetër e arsyeshme që është në dispozicion si pjesë e dëshmive është se përderisa i Akuzuari nuk kishte për qëllim kryerjen e këtyre krimeve të tjera, ai nuk kishte kujdes të mjaftueshëm që ta ndalojë ndjekjen e planit të përbashkët për t’i larguar me forcë popullsinë jo-serbe nga Komunat. Përderisa Dhoma konsideron se këto krimet e tjera rezultuan nga fushata për largimin me forcë të popullsisë jo-serbe nga Komunat, Dhoma nuk i sheh ato si pjesë e qëllimshme e planit të përbashkët”.

Ky ishte argumenti në kontekstin ligjor. Jashtë kontekstit ligjor, ajo që gjykatësit gjetën është se po, synimi i Republika Srpska ishte krijimi i një shteti etnikisht homogjen duke ndërruar me forcë popullsinë, por ata menduan se mund ta bëjnë pa vrasje.

Fakti se ata kanë vrarë nuk do të thotë se besuan se duhet të bëjnë vrasje. Merreni argumentin për aq sa ka vlerë.

Me gjasë ka më së shumti vlerë si shembull i dallimit ndërmjet arsyetimit ligjor dhe çdo lloj tjetër të arsyetimit. Ka shumë gjasa që gjithashtu është tregues se, të paktën në këtë fazë të hershme, gjykatësit po ngurrojnë shumë të shpallin gjetje të gjenocidit.

A është lirimi nga Akuza 1 një fitore për Karadžić?

Deri diku po, në kuptimin se ai u lirua nga akuza. Por gjetjet faktike janë të gjëra dhe theksojnë një shkallë të madhe të disa krimeve, të planifikuara dhe koordinuara në nivelin më të lartë politik.

Janë dy grupe të njerëzve që me gjasë janë të interesuar në dallimin ndërmjet gjetjes së krimeve kundër njerëzimit dhe gjetjes së gjenocidit: 1) avokatët, dhe 2) njerëzit që janë aktiv në politikë dhe kërkojnë të ndërtojnë kapital politik nga presenca apo mungesa e etiketës së fundit. Motivet dhe interesat e tyre nuk janë të njëjta, me gjasë nuk janë të përputhshme me njëra tjetrën dhe në përgjithësi nuk janë të dobishme për njerëzit jashtë komuniteteve që grinden për to.

Këto vendime janë artefakte të asaj që çfarë ishin në gjendje të bëjnë një përbërje e posaçme e gjykatësve në një moment të posaçëm në historinë sociale dhe politike, në një fazë të posaçme të zhvillimit të profesionit të tyre.

Krimet kundër njerëzimit nuk janë krime të vogla, dhe nuk janë domosdoshmërisht krime më të vogla se gjenocidi. E rëndësishme është që, në bazë të fakteve të vërtetuara në gjykim, Karadžić u dënua për krime të mëdha, edhe nëse dënimi nuk ishte për secilën akuzë.

Por përtej kësaj, në fund ato që do të kenë më së shumti rëndësi në lidhje me gjykimet e tribunalit (ato që janë të arsyeshme dhe të dokumentuara) nuk janë vendimet që përshkruhen në to. Këto vendime janë artefakte të asaj që çfarë ishin në gjendje të bëjnë një përbërje e posaçme e gjykatësve në një moment të posaçëm në historinë sociale dhe politike, në një fazë të posaçme të zhvillimit të profesionit të tyre.

Ato që do të kenë rëndësi në lidhje me gjykimet janë të dhënat e dokumentuara që i vërtetojnë ata dhe kontributi i tyre për afirmimin e ekzistencës së fakteve.

Pse nuk u dënua me burgim të përjetshëm?

Dënimi që iu dha Karadžić-it është produkt i përpjekjeve të gjykatësve për ta balancuar “rëndësinë e krimeve” për të cilat ai u dënua kundër “rrethanave lehtësuese” të cilat ata janë të obliguar t’i konsiderojnë.

Asgjë nuk u konsiderua si rrethanë rënduese. Kjo mund të jetë për shkak se rrethanat rënduese potenciale në këtë rast nuk mund t’i atribuohen Karadžić-it por shërbimit publik nën presionin politik në 1996 (gjykatësit mbetën agnostik sa i përket asaj se a ishte kjo pasojë e të ashtuquajturës “Marrëveshjes Holbrooke”, dhe aktori shumë i dashur Hal Holbrook me sa duket nuk ka qenë i gatshëm për të dhënë dëshmi), dhe faktit se “në disa raste, i Akuzuari shprehi keqardhje” (paragrafi 6,059). Mosha e tij gjithashtu është marrë si rrethanë lehtësuese.

Dënimi nga TPNJ është gjithashtu i lidhur me praktikat e dënimit që ekzistuan në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), të cilat për këto krime ishin të paqartë gjykatësit cekën se “Neni 141 i Kodit Penal të RSFJ ndaloi gjenocidin, Neni 142 ndaloi krimet e luftës kundër popullsisë civile, Neni 143 ndaloi krimet e luftës kundër personave të lënduar dhe të sëmurë dhe Neni 144 ndaloi krimet e luftës kundër të burgosurve të luftës. Shkeljet nën Nenet 141, 142, 143 dhe 133 të Kodit Penal të RSFJ ishin të dënueshme me burgim prej jo më pak se pesë vjet apo me dënim me vdekje” (paragrafi 6,042).

Pra “diçka ndërmjet pesë vjet dhe vdekjes” mundëson një shkallë të lartë të lirisë së veprimit, posaçërisht në mungesë të përvojës paraprake.

Mund të shtojmë këtu se një dënim me 40 vjet burg (minus krediti për tetë vitet e kryera e bën 32 vjet, minus “bonusi Meron” për lirim automatik pasi e kryen dy të tretën e dënimit e bën 19 vjet) nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai do të përjetojë më pak kohë në burg se po të dënohej me burgim të përjetshëm. Burgimi i përjetshëm në fakt nuk do të thotë se i burgosuri do të mbahet deri në vdekje. Kjo për shkak se, përveç nëse je ushtar në një nga njësitet e komanduara nga Karadžić, nuk e din kur do të vdesin njerëzit e tjerë.

Pra nëse dënimi i përjetshëm interpretohet në përgjithësi si mbajtje e një maksimumi arbitrar që përcaktohet nga faktorët e tillë si jetëgjatësia, dhe në rastin e TPNJ-së, procedurat famëkeqe dhe të buta të dënimit në RSFJ. Pra këta faktorë në fakt mund ta bëjnë një “dënim të përjetshëm” shumë më të shkurtër se 19 vjetët që pritet t’i ipen Karadžić-it.

Në atë kuptim, mund të thuhet se fakti që Karadžić nuk morri dënim me vdekje kishte kryesisht kuptim simbolik. Kjo kombinohet me faktin se probabiliteti që ai do të jetojë edhe 19 vjet është i ulët sipas statistikave.

Por të thuash që një gjë ka kuptim simbolik nuk është njëjtë si të thuash që nuk ka fare kuptim. Fillimisht, ekziston një disjunksion i qartë ndërmjet rëndësisë ekstreme të shkeljeve dhe dënimit të kufizuar. Së dyti, çështjet simbolike janë çështjet për të cilat njerëzit (kudo, por posaçërisht në këtë rajon) më së pakti janë të gatshëm të lëshojne pe.

A duhet të jenë të kënaqur njerëzit?

Pra a është tribunali pro-serb, anti-serb, i moderuar për Klingonë, apo çka? Nuk është asnjëra prej këtyre, dhe kushdo prej njerëzve të shumtë që po thonë se vendimi është vendim për një grup etno-kombëtar të konceptuar në mënyrë abstrakte nuk ka ide se çfarë po flet. Injoroni ata me mospërfilljen që e meritojnë.

Dhe ma lejoni një observim për pretendimet e anësisë, posaçërisht ato të bazuara në identitet: Ato mund të kenë pak vlerë sa i përket pritjes për diçka që mund të ndodhë në të ardhmen (“Mary po vjen për darkë të premten, dhe ajo është katolike, kështu që me gjasë do t’i hahet peshk”), por nuk kanë fare vlerë për t’i shpjeguar faktet që veçse kanë ndodhur (“Mary e pjeku peshkun më shumë se që duhet për shkak se është katolike”).

Njësi matëse e suksesit apo dështimit të këtij vendimi nuk është ajo se ku qëndron Radovan Karadžić prej tash deri në vdekjen e tij, apo ajo se çfarë do të bëjnë një tufë e politikanëve egoistë në javët apo muajt e ardhshëm.

Kjo vlen për çfarëdo budallakina palidhje që mund t’i përdorin njerëzit për ta shpjeguar vendimin (“Kryetari i trupit gjykues është korean, dhe ai është xheloz ndaj serbëve sepse ata e kanë lakrën trushi më të butë”), dhe gjithashtu për budallakina qëllimisht jopërfaqësuese që njerëzit mund t’i citojnë për ta rrafshuar kompleksitetin e reagimeve (“Fola me dikë që ka qenë i lidhur afërsisht me këso lloj politika ekstremiste me vite, prandaj e di çfarë mendojnë të gjithë pjesëtarët e grupit etno-kombëtar të këtij personi”). Për t’i shpjeguar ndodhitë reale, duhet të angazhohesh me substancën reale.

Sa i përket pyetjes konkrete se a duhet të jenë të kënaqur njerëzit, kush jam unë t’u tregojë njerëzve çfarë duhet t’i kënaqë ata?

Disa njerëz mund të jenë të kënaqur apo të pakënaqur me vendime për akuza të posaçme apo me gjatësinë ose shkurtësinë e dënimit. Disa njerëz do të jenë të kënaqur që tribunali më në fund e ka mbyllur një proces gjyqësor me të vërtetë të madh. Disa njerëz do t’i shohin dënimet për 10 nga 11 akuzat si fitore e pjesshme, e disa do ta shohin një humbje simbolike në çështjen e gjenocidit si humbje dërrmuese.

Fatkeqësisht, shumica e njerëzve, të paktën në afat të shkurtër, do ta shohin këtë apo çfarëdo ngjarje tjetër si konfirmim të asaj që e kanë besuar gjatë gjithë kohës.

Çfarë mund t’u sugjerojë njerëzve të cilët nuk janë të sigurtë se a duhet të jenë të kënaqur me këtë: Njësi matëse e suksesit apo dështimit të këtij vendimi nuk është ajo se ku qëndron Radovan Karadžić prej tash deri në vdekjen e tij, apo ajo se çfarë do të bëjnë një tufë e politikanëve egoistë në javët apo muajt e ardhshëm. Njësi matëse është ajo se, në afat të gjatë, faktet e vërtetuara me kombinimin e hetimeve dhe argumenteve, a do të sjellin pajtueshmëri dhe a do të fillojnë të japin bazë për diskutime dhe pranim të ndërsjellë në mesin e njerëzve që janë mësuar në mënyrë agresive nga një falangë e institucioneve që gjithmonë duhet ta mendojnë veten si viktimë dhe të tjerët rreth teje si armiq.

Se a do të ndodhë kjo varet shumë më pak në ato që i bën tribunali dhe shumë më shumë në ambientet sociale dhe politike në të cilat jetojnë njerëzit.

Ndoshta ja vlenë ta shtojmë një pikë tjetër: Me gjasë nuk është ide e mirë të kërkohet kënaqësi nga ligji.

Çfarë bën kjo për historinë dhe pajtimin?

Të fillojmë me historinë, sepse kjo është pjesa e lehtë.

Së pari, vendimi i bënë bashkë dëshmitë e dokumentuara në lidhje me një shkallë shumë të gjërë të krimeve ndonëse është i kufizuar në Bosnje dhe Hercegovinë, në mënyrë efektive e bën atë që vendimi në gjykimin e Slobodan Milošević-it duhej ta bënte po të mos kishte ndërruar jetë i pandehuri. Në fund, kjo shkallë përmbajtësore e detajeve do të ketë shumë më shumë rëndësi se vendimet për atë se a duhet të dënohet apo jo, ose a është një krim i një lloji apo tjetër.

Asnjë vendim për çfarëdo çështje nga çfarëdo gjykate nuk do ta zëvendësojë atë që një kompleks i tërë i institucioneve po dështojnë ta bëjnë në lidhje me pajtimin.

Puna që me të vërtetë kishte vlerë këtu u krye jo nga avokatët, por nga hulumtuesit që mblodhën materiale që këta të parët mund t’i përdorin.

Vendimi e vazhdon rrëfenjën që është zhvilluar në tribunal që konflikti në Bosnje dhe Hercegovinë ishte luftë civile, duke gjetur se pavarësisht dëshmive të gjëra për koordinimin, përfaqësimin politik, armatimin, trajnimin, financimin dhe rastet e përsëritura të ushtrimit të drejtpërdrejtë të ndikimit politik, as Slobodan Milošević (paragrafi 3,460), e as togerët e tij Jovica Stanišić dhe Franko Simatović (paragrafi 3,461) nuk ishin pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale (megjithatë, punëtorët e tyre Šešelj dhe Arkan ishin, sipas paragrafit 3,459).

Sa i përket pajtimit, i kemi parë dy lloje të deklaratave publike. Lloji i parë janë deklaratat banale nga politikanët globalë që shprehin shpresë të zbetë që vendimi disi do të kontribuojë në pajtim. Këto deklarata janë pa vlerë.

Lloji i dytë janë nga politikanët në rajon që nuk bëjnë asgjë për ta promovuar pajtimin, duke thënë se vendimi nuk do ta promovojë pajtimin. Këto deklarata janë më pak se të pavlera.

Këso lloj deklarata tregojnë diçka që duhet të jetë e qartë: Asnjë vendim për çfarëdo çështje nga çfarëdo gjykate nuk do ta zëvendësojë atë që një kompleks i tërë i institucioneve po dështojnë ta bëjnë në lidhje me pajtimin. Ata mund të kishin filluar në punojnë në këtë drejtim më me seriozitet para se të gjykohej Karadžić. Prapëseprapë mund ta bëjnë nëse rezultati i gjykimit është ndryshe. Mund ta kishin bërë po të mos ishte gjykuar kurrë Karadžić.

Mund ta bëjnë tani.

Karadžić në vitet e 90-a

Në qershor 1990, Radovan Karadžić, Momčilo Krajišnik dhe Biljana Plavšić formuan degën boshnjake të Partisë Demokratike Serbe (SDS), që veçse kishte ekzistuar në Kroaci. Atë vit u mbajtën zgjedhje në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH), dhe SDS u bë një nga tri partitë kombëtare që fituan.

Në pranverën e vitit të ardhshëm, 1991, SDS i shpalli disa pjesë të Bosnjes si Zonë Autonome Serbe dhe së shpejti i bëri thirrje të gjithë serbëve në vend ta bojkotojnë referendumin për pavarësi nga Jugosllavia, që u mbajt më 1 mars, 1992. Sidoqoftë, pjesëmarrja totale e votuesve ishte mbi 63 përqind, dhe 99.7 përqind votuan në favor të pavarësisë.

Më 9 janar, Karadžić dhe SDS formuan Republikën Serbe të BiH, që më vonë u riemërua Republika Srpska, entitet i njohur nga marrëveshja e Paqes që u nënshkrua më 1995. SDS ekziston ende sot dhe është pjesë e qeverisë së BiH.

Ndërkohë, të tre anëtarët themelues të saj, si dhe disa të tjerë, u shpallën fajtor në vitet e pasluftës për pjesëmarrje në krimet e kryera gjatë luftës në BiH.

Karadžić ishte president i SDS nga korriku 1990 deri në korrik 1996. Ai gjithashtu veproi si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Republika Srpska gjatë kohës së luftës dhe Komandant Suprem i forcave të armatosura të saj deri në korrik 1996.

Foto kryesore: Creative Commons.

KOMENTO