Në thelb | Zgjedhjet2021

Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh për politikën e jashtme

Nga - 11.02.2021

Me zgjedhje gati çdo dy vjet, midis premtimeve të largëta, K2.0 dëgjon ide për zgjidhje.

Anipse zgjedhjet janë bërë ndodhi e shpeshtë në Kosovë, diskutimi për atë që njëmend ka rëndësi për jetën e zgjedhësve është i rrallë.

Në tubimet e partive politike, debatet televizive e në atë që shkruhet e thuhet nga dhe për partitë politike flitet shumë për llogaritje e manovrime partiake, sondazhe, sllogane e njerëz, e më pak për çështje praktike që në thelb do t’i njoftonin votuesit se çfarë mund të presin pas fushatave zgjedhore. Në parim, vetë fushatat zgjedhore do duhej të ishin në funksion të këtij qëllimi — që votuesit të dinë për çfarë po votojnë. 

Midis gjithë kësaj e mbi të gjitha, për ta sfiduar këtë kontekst, në K2.0 kemi folur me ekspertë të fushave të ndryshme dhe përmes përgjigjeve të tyre jemi përpjekur të radhisim disa prej çështjeve që nuk diskutohen e që janë të rëndësishme për votuesit në këtë 14 shkurt. 

Përmes serisë “Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh”, në tetë artikuj të fokusuar në nga një lëmi shtjellojmë se çka konkretisht nuk po merr vëmendjen e duhur, cila është situata e tanishme dhe çka duhet bërë që gjërat të ndërrojnë në favor të qytetarëve. Po ashtu, provojmë që përmes ofrimit të zgjidhjeve largpamëse të informojmë votuesit e ta kthejmë mirëqenien e tyre në qendër të diskutimit.

Perspektivë tjetërqysh për vendin tonë në rajon dhe botë 

Çështja e politikës së jashtme mbizotëron në debatin publik, pavarësisht se a është kohë zgjedhjesh apo jo. Njëkohësisht, është edhe fusha ku Kosova ka ngecur, posaçërisht kur bëhet fjalë për konsolidimin dhe legjitimimin e saj në rrafshin ndërkombëtar. 

Njohja së fundmi nga Izraeli e që erdhi edhe si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia, në shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, gjatë administratës Trump duket që është i vetmi ogur i mirë i një marrëveshjeje që përndryshe polarizoi skenën vendore politike, një efekt që rëndom prodhohet. 

Mungesa e bashkërendimit të brendshëm politik dhe e strategjive të qarta, kanë bërë që përparimi i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar të mbetet pezull.

Kjo ngecje e Kosovës vërehet sidomos në dialogun e stërzgjatur me Serbinë, i cili ka vazhduar si tek-tuk e pa qartësi për një epilog dhe mosanëtarësimin në struktura e mekanizma ndërkombëtarë, procese këto që patën mbetur mbrapa edhe para se të ndaleshin përkohësisht nga qeveria aktuale, si pjesë e marrëveshjes së ëashingtonit. Tutje, viteve të fundit, më shumë kemi lexuar e dëgjuar për lobimin e qeverisë së Serbisë për të “tërhequr” njohjet e Kosovës se sa për angazhimin e qeverisë së Kosovës për të sjellë njohje të reja. 

Megjithatë, këto ngecje nuk janë të shkoqitura nga dinamikat gjeopolitike dhe lëvizjet e pushteteve në rendin politik botëror, me ç’rast “aleatëve perëndimorë”, në të cilët Kosova e mbështet fuqishëm pozicionimin e saj ndërkombëtarisht, ndoshta edhe u kanë ndërruar prioritetet e shqetësimet politike në krahasim me ato që kishin 10 vite më parë.

Në këto rrethana, aspiratat e mëdha të Kosovës për integrim në BE apo njohje në OKB as që vijnë në diskutim.

Edhe pse gjërat janë kështu si janë, partitë politike vazhdojnë t’i bëjnë pak a shumë premtimet e zakonshme në planprograme: mbrojtjen e sovranitetit; anëtarësimin apo ndonjë formë avancimi në raport më OKB-në, BE-në, Këshillin e Evropës e të tjera; përparimin në marrëdhënie ndërkombëtare me 5 vendet mosnjohëse të BE-së; e rikonfirmimin e BE-së dhe SHBA-ve si partnerë strategjik. 

Kështu, LDK në programin e saj cek dy fusha kryesore në politikë të jashtme: Integrimi në BE dhe Dialogu me Serbinë. Por, në të dyjat vetëm sa rendit pika të përgjithshme të synimeve. Te Integrimi me BE-në, LDK, përveç premtimit për anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe rritje të pjesëmarrjes në mekanizmat e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në kuadër të procesit të integrimit evropian, po ashtu parasheh afërsim në reforma në nivel të BE-së. Ndërsa për dialogun me Serbinë, në vija të trasha premtohet se nëse njohja reciproke me Serbinë nuk arrihet, atëherë do të aplikohet “reciprocitet i plotë”, cilido qoftë kuptimi i tij. 

Ngjashëm, PDK synon anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Paktin e NATO-s dhe Këshillin e Evropës, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat i Bashkimit Evropian (BE), duke prezantuar si strategji heqjen e pengesave politike me anë të marrëveshjeve, e të cilat nuk qartësohen bollshëm. Ndryshe nga partitë tjera, PDK e adreson edhe çështjen e “rimëkëmbjes” së imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare duke fajsuar kundërshtarët politik për lëndim të marrëdhënieve diplomatike me shtete të caktuara. 

AAK në kuadër të synimeve për shtrirje ndërkombëtare dhe dinamizim të marrëdhënieve shumëpalëshe, përveç anëtarësimit në INTERPOL, UNESCO dhe Këshillin e Evropës shkon një hap më tej, duke synuar njohje nga 5 vendet mosnjohëse të BE-së. 

Ndërsa VV, as që i përmend të mësipërmet në prioritetet e saj. Aspiratat në lidhje me BE i mbështet në rikthimin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane si adresë kryesore për marrëdhënie me BE-në, pa u thelluar tutje në këtë aspekt, teksa ndër tjera, përmend bashkëpunimin edhe me shtetet me të cilat nuk ka ende marrëdhënie të thelluara bilaterale, organizimin e diplomacisë përmes artistëve, sportistëve e ndërmjet qyteteve. 

Në aspekt rajonal, marrëdhëniet apo bashkëpunimet me vende të tjera të rajonit anashkalohen tek të gjitha këto parti, dhe fokusi i vetëm është fuqizimi i marrëdhënieve me Shqipërinë. 

Më thellësisht, për politikën e jashtme të Kosovës në vend dhe rajon, kemi folur me njerëz që njohin rrjedhat e dinamikat politike në Kosovë e dhe jashtë saj, përfshirë: Besnik Pula, Profesor Asistent në departamenin e Shkencave Politike në Virginia Tech, ShBA; Donika Emini, Drejtore e Platformes CiviKos; Vjosa Musliu, Profesor Asistente e Shkencave Politike në Vrije Universiteit Brussel, VUB; dhe Agon Maliqi, analist i politikave dhe redakor-bashkëthemelues i Sbunker. 

Në pyetjet tona për atë se çfarë na mungon, çfarë aspiratash do duhej të kemi dhe si do të mund të vijë ndryshimi, kështu u përgjigjën ekspertët: 

Çka po na mungon?

Besnik Pula, Profesor Asistent në departamentin e Shkencave Politike në Virginia Tech:

Në pamjen më të gjerë, në vështrimin tim prej jashtë duket që diskursi politik në Kosovë nuk po arrin të tejkalojë kallëpin që është zhvilluar gjatë 10 viteve të fundit. Ky është një diskurs politik që është ndërtuar në bashkëveprimin midis partive të vjetra udhëheqëse dhe sfiduesve të rinj si Lëvizja Vetëvendosje, i përqendruar në temat e korrupsionit, integrimit evropian dhe zhvillimit ekonomik për ta rritur punësimin. Këto padyshim që janë çështje serioze. 

Sidoqoftë, është e habitshmeqë dy sfida të mëdha për botën mezi ia dalin të hyjnë në diskursin politik të Kosovës. Këto janë, në njërën anë, kriza e shëndetit publik COVID-19 dhe e dyta, kriza e ambientit. Dikush mund të thotë që çështjet tjera: korrupsioni, BE-ja, punësimi, janë pyetje më “ekzistenciale”. Por, çfarë është më ekzistenciale se shëndeti dhe ambienti? 

"Kosovës i duhet një strategji që do të përmbushë afirmimin e saj si anëtare e komunitetit ndërkombëtar. Kjo kërkon një qasje njëmend ndërkombëtare ndaj politikës së jashtme, në vend se të llogaritet në disa aleatë dhe partnerë për t’ia kryer punët Kosovës në organe ndërkombëtare."

Kriza e COVID-19 është krizë e shëndetit publik që ka marrë jetët e milionave rreth botës, mijërave vetëm në Kosovë. Ka bërë kërdi në ekonominë botërore dhe i ka sjellë kaq shumë sfida sistemit publik shëndetësor duke vënë në pah paaftësinë e tij të plotë në kohë krize. Kriza e COVID-10, sipas ekspertëve të shëndetit, është gjithashtu vetëm një ndër kërcënimet tjera virale potenciale me të cilat do të përballet njerëzimi. Bashkë me sfidat ekosistemike, ekonomike dhe sociale të shpërfaqura nga ndryshimi i ambientit, paaftësia për t’i futur këto çështje kritike në debatet bashkëkohore në Kosovë është një dështim serioz politik.

Në pamjen më të tanishme, Kosova ka disa sfida të vështira në arenën ndërkombëtare dhe zhvillimin ekonomik. Në domenin e parë, Kosovës i duhet një strategji që do të përmbushë afirmimin e saj si anëtare e komunitetit ndërkombëtar. Kjo kërkon një qasje njëmend ndërkombëtare ndaj politikës së jashtme, në vend se të llogaritet në disa aleatë dhe partnerë për t’ia kryer punët Kosovës në organe ndërkombëtare. Kjo strategji ka dështuar dukshëm dhe Kosova, përgjatë dekadës së fundit, ka mbetur as andej as këndej, midis një entiteti politik të kontestuar dhe një shtetësie të plotë ndërkombëtare. 

Donika Emini, Drejtore e Platformës CiviKos:

Elementi kyç që mungon sot në diskutimet publike mes elitës politike në Kosovë është të kuptuarit bazik që rendi gjeopolitik dhe balanci i forcave ka ndryshuar në mënyrë drastike gjatë dekadës së kaluar. Përshkrimi i rendit ndërkombëtar të sotëm si kompleks është nënvlerësim. Bota dypolare në të cilën Kosova është konsideruar si “triumfi i perëndimit” sot është tejet e sfiduar. Ndërsa bota po bëhet më shumëpolare me disa epiqendra të pushtetit, në Kosovë ka mungesë të të kuptuarit për ndikimin e dëmshëm që mund të ketë në shtetësinë e saj të (pa)përfunduar ndërkombëtarisht.

Sfida e parë është paaftësia për të gjetur një qëllim në politikë të jashtme. Përderisa ky është fati i shteteve të vogla të cilat navigojnë në një botë ku asimetria e forcës lejon pak hapësirë për manovrime, Kosova nuk duket se po tejkalon qasjen bazike të vitit 2008 ndaj politikave të jashtme, të fokusuar në njohjen diplomatike dhe ndonjëherë në anëtarësimin në mekanizma të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Së dyti, politikat e jashtme pa qëllim të caktuar: Kosova — pa dashje —- ndoshta për shkak të mungesës së strategjisë së qartë të vendit, ka kanalizuar politikat e saj të jashtme dhe procesin e integrimit në BE përmes dialogut të vazhdueshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo ka shpënë në sukses të kufizuar në politika të jashtme.

Në nivel rajonal, përkundër të qenit pjesë integrale e strategjisë sonë të politikave të jashtme dhe pjesë e kushteve të BE-së, ekziston një ngurrim në rritje e sipër që Kosova të bëhet pjesë e arenës rajonale. Kjo është reflektuar në diskutimet e vazhdueshme mbi iniciativën e Mini-Shengenit dhe zonës ekonomike rajonale kryesisht duke iu frikësuar qasjes së Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Vjosa Musliu, Profesor Asistente e Shkencave Politike në Vrije Universiteit Brussel, VUB:

Gjatë 20 viteve të fundit, ka pasur një tendencë nga politikanët dhe shoqëria civile në Kosovë për ta ndarë “politikën e brendshme” (p.sh. funksionimin e mire të strukturat shtetërore, insitucionet publike të përgjegjshme dhe të besueshme) nga “politika e jashtme” (p.sh. cili duhet të jetë vendi i Kosovës në rajon dhe në botë). Një ndarje e tillë është logjikisht e pabazuar dhe politikisht e pafrytshme pasi krijon bindjen se ka një demarkim të qartë, pothuajse kartezian, të asaj se çfarë është politikë e jashtme dhe çfarë ajo e brendshme. Përkundrazi, në vend se të shikohen si të ndara, të dyja janë të ndërlidhura, pra e ndërtojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën. 

"Mënyra se si i ashtuquajturi 'dialog teknik' ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është zhvilluar deri tani, ka lënë përshtypjen se pjesmarrësi kryesor nuk është Kosova, Serbia, serbët e Kosovës ose shqiptarët e Kosovës, por vetë BE-ja."

Strukturat perëndimore dhe evropiane të pranishme në Kosovë kanë qenë pjesëmarrëse në riforcimin e mëtutjeshëm të kësaj ndarjeje. Për shembull, kur është fjala për marrëdhëniet BE–Kosovë, një ndarje e tillë ndërmjet politikës së brendshme dhe asaj të jashtme ka krijuar një konstelacion në të cilin politika në Prishtinë është bërë kryesisht për të rrumbullakosur standardet dhe kriteret vlerësuese të zyrave teknokratike në Bruksel, në vend se për të ndërtuar sisteme dhe institucione funksionale, thuajse demosi i këtyre politikave nuk janë njerëzit që jetojnë në Kosovë por strukturat dhe institucionet e BE-së në Bruksel.

Ngjashëm, mënyra se si i ashtuquajturi “dialog teknik” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit — i ndërmjetësuar nga BE-ja — është konceptuar dhe zhvilluar deri tani, ka lënë përshtypjen se pjesmarrësi apo akteri kryesor nuk është Kosova, Serbia, serbët e Kosovës ose shqiptarët e Kosovës, por vetë BE-ja.

Agon Maliqi, analist i politikave dhe redakor-bashkëthemelues i Sbunker: 

Gjëja e parë dhe kryesore që na mungon është moskonsolidimi i shtetësisë në institucionet shumëpalëshe që i japin vulën dhe ligjshmërinë shtetësisë; para së gjithash në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Këshillin e Evropës, NATO-në dhe të tjerat. Këto vazhdojnë të na e mbajnë peng, në një mënyrë, funksionimin normal si shtet. 

"Fakti që jemi të bllokuar në nivel botëror, mandej edhe atë evropian, shfrytëzohet nga Serbia për të na bllokuar edhe në nivel rajonal."

Por edhe nëse ato janë shpesh të paarritshme, ose për shkak të arsyeve gjeopolitike si pengesa prej Rusisë dhe Kinës, ose për shkak se nuk po mund të biem dakord me Serbinë — atëherë Kosova duhet të përpiqet ta zhbllokojë veten në nivelin e dytë. Ne nuk jemi ende pjesë e institucioneve shumëpalëshe në Evropë, duke nisur nga më e lehta, pra Këshilli i Evropës, deri tek institucionet si NATO-ja e BE-ja. Efektivisht, ne nuk kemi perspektivë euro-atlantike. Për të flitet, por ajo nuk ekziston për sa kohë që nuk na njohin pesë shtetet anëtare të BE-së edhe katër shtetet e NATO-s, sepse Qiproja nuk është në NATO.

Tash, duke zbritur poshtë e më poshtë, në rajon këto kufizime po reflektohen. Domethënë fakti që jemi të bllokuar në nivel botëror, mandej edhe atë evropian, shfrytëzohet nga Serbia për të na bllokuar edhe në nivel rajonal; që të mos kemi, së pari, qarkullim normal me Bosnjën, të kemi asimetri në raportet tregtare dhe kosto shumë të mëdha. Kështu që edhe në nivel rajonal jemi të kufizuar në veprime.

Cilat qëllime duhet të na prijnë?

Besnik: Të paktën, duhet të aspirojmë për shoqëri që u garantojnë të drejtat themelore qytetarëve të vet, përfshirë ato ekonomike dhe sociale. Kosova gjithashtu, me të drejtë aspiron të ketë vendin e vet në Evropë dhe në botë. Për një vend si Kosova, angazhimi ndërkombëtar dhe politika e jashtme luajnë një rol të rëndësishëm, ashtu siç luan roltë menduarit kreativ për transformimin e vet ekonomik ashtu që të zhvillojë aftësitë, të sigurojë vende pune dhe të jetë i qëndrueshëm. 

Donika: Kosova duhet të punojë që të bëhet faktor stabilizues në rajon, të njihet si faktor stabiliteti dhe pjesë e proceseve të integrimeve evropiane dhe euro-atlantike. Siguria duhet të përdoret si mjet i politikave të jashtme, e cila ka qenë efektive për shtetet tjera në rajon. Kosova duhet të aspirojë jo të vetëm të bëhet faktor i stabilitetit por gjithashtu ofruese e sigurisë si pjesë e disa misioneve ndërkombëtare (në bashkëpunim si palë e tretë me BE-në, NATO-n apo shtetet anëtare). Në aspektin rajonal, antarësimi në Kartën e Adriatikut duhet të jetë qëllim afatshkurtër për Kosovën.

Mbështetja e bashkëpunimit rajonal (shumëpalësh) është çelësi; kjo shkon përtej Ballkanit perëndimor, duke përfshirë të gjithë Evropën juglindore. Kosova duhet të aspirojë të bëhet partner i besueshëm në nivelin rajonal. 

Sa i përket antarësimit në BE, Kosova duhet të aspirojë të krijojë komunikim me pesë shtetet mosnjohëse të BE-së duke përdorur partnerët e saj strategjkë. Kjo jo vetëm që do të ndihmote Kosovën në aspektin dypalësh, por do të përdorej si themel i qëndrueshëm drejt njohjes së plotë në rast se Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e normalizimit. Kosova duhet të vazhdojë betejën për njohje diplomatike dhe të kërkojë të ndërtojë aleanca në nivelin ndërkombëtar. Megjithatë, të gjitha manovrimet politike në këtë drejtim duhet të jenë plotësisht të koordinuara në mënyrë që të ushqenjë njëra-tjetrën dhe të shtyjnë përpara agjendën e politikave të jashtme të vendit. 

Vjosa: Për shkak të mënyrës se si Kosova është krijuar si shtet, është pothuajse e pamundur të mendohet për Kosovën pa menduar së pari për implikimet financiare dhe politike që ka ShBA-ja në njërën anë dhe për anëtarësimin në BE në anën tjetër. Ndonëse të dy intervenimet [të ShBA-së dhe të BE-së] mund të përdoren si forca për ndryshime të pozitive dhe mund të nxisin ndryshime zhvillimore të frytshme; por në të shumtën e rasteve, duket se Kosova është peng i idesë për anëtarësim në BE.

"Rritja e ndikimit kinez në shumë zona të të ashtuquajturit ‘Jugu Global’, një rënie e vazhdueshme morale dhe politike e demokracisë (neo) liberale, si dhe lufta mjedisore, janë tregues të qartë se rendi botëror ose supremacia e ShBA-së nuk janë siç ishin në vitin 1999."

Puna e qeverisë së ardhshme duhet të jetë rivlerësimi i marrëdhënieve me BE-në duke pasur parasysh zhvillimet e tanishme në BE dhe përgjithësisht në botë. Për Brukselin, zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është qartazi në një moment jo të mire apo në “asistencë për mbijetesë”; në mesin e shumë shteteve anëtare të BE-së është forcuar sentimenti për rikthim te “politikat sovrane” — qoftë në perëndim ose në lindje; Brexit-i është prova më e prekshme për këtë gjë. Megjithatë, brenda Kosovës, BE-ja e portretizon veten dhe përqafohet nga elita politike vendore si e pagabueshme dhe e paprekshme nga krizat. Edhe pse krizat në vetvete nuk janë domosdoshmërisht të këqija apo të rrezikshme, të dy palët [BE-ja dhe Kosova] duhet t’i rinegociojnë marrëdhëniet bazuar në ndryshimin e realitetit brenda BE-së.

E njëjta vlen për vendin e Kosovës në botë. Rendi botëror që rëndom shfaqet në ligjëratën e elitës politike udhëheqëse në Kosovë të jep idenë se kjo e fundit [elita politike] është e pavëmendshme ose e pavetëdijshme për ndryshimin e realiteteve në politikën botërore. Rritja e ndikimit kinez në shumë zona të të ashtuquajturit ‘Jugu Global’, një rënie e vazhdueshme morale dhe politike e demokracisë (neo) liberale, si dhe lufta mjedisore, janë tregues të qartë se rendi botëror ose supremacia e ShBA-së nuk janë siç ishin në vitin 1999. Si rezultat, vendi i Kosovës në botë do të lëkundet dhe do të ndryshojë gjithashtu.

Agon: Janë dy rrugë. [E para] të përmbyllet me dialog. Por meqë nuk kemi konsensus të brendshëm dhe as hapësirë për kompromise përtej Ahtisaarit, jemi në pozitë të vështirë negociouse. Kështu që mund të synojmë ta tejkalojmë këtë bllokimin të paktën në nivelin e Evropës. E kemi të vështirë t’ia ndryshojmë mendjen Rusisë, ose edhe Kinës, që të zhbllokohemi në nivel të Kombeve të Bashkuara. E kemi arritur kulmin në atë se çka mund të arrijmë në botë me njohje bilaterale. Domethënë nuk vlen ajo strategjia e mëhershme që të shkojmë me njohje bilaterale. 

Pra thelbi, si më duket mua, se çka do të bënte punë më së shumti janë [njohjet nga] këto 5 vendet e BE-së [që nuk e njohin Kosovën]. Kjo mund të ishte agjenda dhe kërkesa jonë kryesore me aleatët. Sepse bëhet fjalë për njohje nga vende të NATO-s. Njohja prej këtyre pesë vendeve do të na jepte frymëmarrje më të madhe dhe do të na e largonte presionin prej dialogut me Serbinë si diçka që duhet të përfundohet gjithsesi, sa më shpejtë. Ne do ta forconim pozitën negociuse. Do të kishin ndarë perspektivën tonë euro-atlantike prej Serbisë, sepse për momentin jemi peng i perspektivës së Serbisë. 

E nësë nuk arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë kthehemi te dialogu [rruga e dytë] — [për] çfarë lloj kompromisi jemi të gatshëm edhe a jemi të gatshëm ta arrijmë. Sepse, përndryshe alternativa e tretë do të ishte të mbesim të bllokuar dhe të izoluar. Shumëkush thotë se ne edhe mund të presim, por nuk po i llogarisin kostot e gjendjes aktuale. Kosova po humb më shumë se Serbia nga gjendja e tanishme.

Si të arrijmë te ndryshimi?

Besnik: Duket sikur ka mungesë të imagjinatës politike si dhe të hapësirave për të zhvilluar dhe kultivuar një imagjinatë të tillë. Kosovës i duhen më shumë njerëz, të cilët bashkërisht mund të mendojnë për pamjen më të gjerë në vend se të përfshihen në grindje të kota e të padobishme që duken të karakterizojnë diskursin politik të Kosovës këto ditë, i cili duke qenë i fiksuar pas personaliteteve, i trajton shumë pak cështjet e strategjitë e vërteta. Ngulja këmbë ndaj BE-së për ta përmbushur zotimin për mbështetje dhe përfundimisht për ofrim të anëtarësisë së Kosovës – është poashtu cështje kritike. Në këtë kohë popullizmi e ksenofobie nuk duhet ta tolerojmë ndërtimin e më shumë mureve përbrenda Evropës nga BE-ja.

Donika: Qëllimet e politikave të jashtme në thelb duhet të harmonizohen me reformat e brendshme. Kjo ka rëndësi kyçe veçanërisht në plotësimin e agjendës së integrimit të BE-së. Kapacitetet institucionale janë të rëndësisë kyçe. Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Integrimeve Evropiane — e cila është shpërbërë gjatë gjashtë muajve të fundit — janë çelës në këtë proces. Rrjeti diplomatik luan një rol kyç në implementimin e qëllimeve të poitikave të jashtme të Kosovës. Ministritë kyçe duhet të forcohen për të siguruar koordinim më të mirë të aktiviteteve të politikës së jashtme.

"Për të rritur numrin e mekanizmave rajonale ku merr pjesë Kosova, ajo duhet të zhvillojë një plan/hartëzim të detajuar të iniciativave më relevante dhe të krijojë një udhëzues/strategji se si të jetë më e efektshme në këtë aspekt."

Në rastin e Kosovës që është e kufizuar sa i përket në aftësisë së saj për të marrë pjesë në mekanizmat e bashkëpunimit shumëpalësh, themelimi i lidhjeve bilaterale me shtetet njohëse do të sigurojë praninë ndërkombëtare dhe diplomatike. Forcimi i marrëdhënjeve diplomatike dhe bashkëpunimit me shtetet anëtare kyçe të BE-së, siç janë Gjermania dhe Franca, janë çelësi; rivendosja e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar duhet të qartësohet domosdoshmërisht pas Brexit-it. Së fundi, bashkëpunimi i forcuar me SHBA-në do të kontribuonte pozitivisht jo vetëm për të fituar njohje ndërkombëtare dhe antarësim në mekanizma shumëpalëshe, por gjithashtu në aspektet e sigurisë të përmendura në seksionet paraprake.

Kosova tashmë është anëtare e disa organizatave ndërkombëtare relevante dhe institucioneve financiare. Për të rritur numrin e mekanizmave rajonale ku merr pjesë Kosova, ajo duhet të zhvillojë një plan/hartëzim të detajuar të iniciativave më relevante dhe të krijojë një udhëzues/strategji se si të jetë më e efektshme në këtë aspekt.

Vjosa: Shtysa kryesore dhe pika e kthesës për qeverinë e re — veçanërisht nëse vjen në pushtet një shumicë e udhëhequr nga Vetëvendosja — duhet të jetë ndërlidhja e politikës së jashtme me atë të brendshmen, si dhe miratimi i politikave që çojnë drejt ndërtimit të shkollave, spitaleve dhe gjykatave të mira, të besueshme dhe funksionale, pavarësisht nga perspektiva evropiane. 

Është jorelevante, nëse flasim teknikisht, plotësimi i më shumë kërkesave dhe kritereve për anëtarësim në BE, nëse më shumë kosovarë do të vazhdojnë të kërkojnë shërbime shëndetësore në Serbi, në Maqedoninë e Veriut ose në Turqi. Është jorelevant vlerësimi pak më i mirë në indekset ndëkombëtare të mbrojtjes të së drejtave të njeriut etj., nëse gjithnjë e më shumë të rinj kosovarë fillojnë jetët e tyre të maturuara me plane se si të punojnë si punëtorë shëndetësorë ose të sektorit social në Gjermani. Ndonëse zhvillimi i marrëdhënieve Kosovë–BE dhe performimi i mirë në indekset ndërkombëtare është i rëndësishëm, ndarja e këtyre aspekteve nga proceset e brendshme zhvillimore është kundërproduktive, në mos e rrezikshme.

Agon: Unë mendoj që kryesorja është të shemben iluzionet edhe mos të jetojmë në përrallat ku notojmë tash e 7-8 vjet — domethënë me këtë far bindjeje se bota është e ngrirë në vitin ‘99 dhe perëndimi do të na shtyjë ne përpara. Ky iluzion duhet të shembet — s’ka më askush as kapital politik, as energji të na zgjidhë këtë punë sepse jemi shumë të parëndësishëm në skemën e problemeve botërore. Pra duhet edhe të jemi pak më realistë.

"Një send që mund ta theksoj është që mos të bëhemi tepër BE-centrikë ose ShBA-centrikë por t’i definojmë vetë interesat tona e të luajmë pak lojëra reale politike si shtet."

Edhe e dyta është mos t’i kthejmë — ashtu si kemi bërë kohët e fundit — çështjet e politikës së jashtme në çështje të politikës së brendshme. Sepse nuk po arrijmë të kemi konsesus të brendshëm; po e bllokojmë vendimarrjen për çkado për shkak se gjithçka pastaj po konsiderohet si tradhti. 

Dhe një send që mund ta theksoj është që mos të bëhemi tepër BE-centrikë ose ShBA-centrikë por t’i definojmë vetë interesat tona e të luajmë pak lojëra reale politike si shtet. Rasti me Izraelin është ilustrim i kësaj, ku për herë të parë biem ndesh me politikat e jashtme të BE-së por, në të njejtën kohë fitojmë dicka. Ishimi të detyruar ta ndërmerrnim këtë hap duke e pasur parasysh pozitën tonë. Meqë dialogu dhe integrimet nuk janë duke na çuar askund, duhet t’i shqyrtojmë pak alternativat e angazhimit bilateral me aleatë. Kjo nënkupton edhe qasjen pak ma strategjike në raport me Shqipërinë, në fushat si mbrojtja, politika e jashtme. Ose edhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale me Britaninë dhe me aktorë të tjerë që nuk janë në BE. Pra, t’ia krijojmë vetes një qasje më fleksibile në politikë të jashtme në përputhje me interesat. Gjithmonë duke pasur parasysh që politika jonë e jashtme t’i ketë në bosht vlerat dhe orientimet demokratike. K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.