Në thelb | Zgjedhjet2021

Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh për shëndetin tonë

Nga - 08.02.2021

Me zgjedhje gati çdo dy vjet, midis premtimeve të largëta, K2.0 dëgjon ide për zgjidhje.

Ani pse zgjedhjet janë bërë ndodhi e shpeshtë në Kosovë, diskutimi për atë që njëmend ka rëndësi për jetën e zgjedhësve është i rrallë.

Në tubimet e partive politike, debatet televizive e në atë që shkruhet e thuhet nga dhe për partitë politike flitet shumë për llogaritje e manovrime partiake, sondazhe, slogane e njerëz, e më pak për çështje praktike që në thelb do t’i njoftonin votuesit se çfarë mund të presin pas fushatave zgjedhore. Në parim, vetë fushatat zgjedhore do duhej të ishin në funksion të këtij qëllimi — që votuesit të dinë për çfarë po votojnë. 

Midis gjithë kësaj e mbi të gjitha, për ta sfiduar këtë kontekst, në K2.0 kemi folur me ekspertë të fushave të ndryshme dhe përmes përgjigjeve të tyre jemi përpjekur të radhisim disa prej çështjeve që nuk diskutohen e që janë të rëndësishme për votuesit në këtë 14 shkurt. 

Përmes serisë “Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh”, në tetë artikuj të fokusuar në nga një lëmi shtjellojmë se çka konkretisht nuk po merr vëmendjen e duhur, cila është situata e tanishme dhe çka duhet bërë që gjërat të ndërrojnë në favor të qytetarëve. Po ashtu, provojmë që përmes ofrimit të zgjidhjeve largpamëse të informojmë votuesit e ta kthejmë mirëqenien e tyre në qendër të diskutimit.

Perspektivë tjetërqysh për mirëqenien tonë fizike

Do ta nisim me sferën që të paktën tash për tash mbase duhet trajtuar me urgjencë më të madhe se sa të tjerat: shëndetësinë.

Për shkak se institucionet qeverisëse të njëpasnjëshme nuk e kanë vendosur shëndetin e qytetarëve të Kosovës në rend të parë, shumë plasaritje në sistemin shëndetësor përgjatë dy dekadave të fundit kanë shkuar duke u thelluar në vend se të riparohen.

Pas kaq shumë vitesh të mbushura me po aq premtime sa edhe zhgënjime, në fund ishte pandemia Covid-19 ajo që ia doli ta sjellë shëndetin publik në qendër të vëmendjes. 

Por planet për ta ‘mjekuar’ shëndetësinë, megjithatë, vazhdojnë të mbesin të mangëta. 

Si Vetëvendosja, ashtu edhe LDK-ja dhe PDK-ja në këto zgjedhje fokusohen te sigurimet shëndetësore dhe një sistem informativ shëndetësor si dy çështjet parësore që duhet të rregullohen. Secila prej partive i trajton si prioritete, por nuk është se ndonjëra ka paraqitur plane konkrete të realizimit, dhe afatet kohore që i përmendin variojnë nga viti i parë i qeverisjes deri te fundi i mandatit. E përbashkëta është se janë të ricikluara nga zgjedhjet e kaluara, madje edhe nga ato të mëhershmet, sepse deri më tash nuk janë realizuar. 

Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga COVID-19, nuk ekziston edhe aq shumë hapësirë për manovrime duke pasur parasysh pozitën periferike të Kosovës në përpjekjet globale për vaksinimin e qytetarëve.  

LDK-ja, udhëheqësja e koalicionit qeverisës aktual në detyrë, mëton të vaksinojë rreth 75% të popullatës — “një numër të konsiderueshëm” të tyre deri në qershor — me vaksinat të cilat ka paralajmëruar se do të vijnë në shkurt. Vetëvendosja ka thënë se synon që deri në fund të vitit të vaksinojë deri në 60% të popullatës, e PDK-ja e ka ngrehur afatin kohor deri në fund të verës për 70% të popullatës. Ndërsa AAK-ja ua ka tejkaluar të trijave, duke bërë plane për t’i vaksinuar të gjithë qytetarët në një afat prej tre muajsh. 

Rreth COVID-19 e përtej tij, kemi folur me tre ekspertë të fushës së shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, përfshirë Hana Xhemajli, studiuese e politikave globale shëndetësore; Bujar Vitija, kryeredaktor i Gazetës Shneta, që mbulon shëndetësinë; dhe Artan Mustafa, hulumtues dhe ligjërues universitar i politikave sociale. Në pyetjet tona për atë se çfarë na mungon, çfarë aspiratash do duhej të kemi dhe si do të mund të vijë ndryshimi, kështu u përgjigjën ekspertët: 

Çka po na mungon?

Hana Xhemajli, studiuese e politikave shëndetësore:

Duke qenë një lloj sistemi ku reagojmë vetëm atëherë kur ndodhin krizat dhe nuk kushtojmë kohë dhe mund për masa të mirëfillta parandaluese, mund të ketë efekte të dëmshme për shëndetin e popullatës dhe jo vetëm – gjë që ndodh në luftën kundër pandemive.

Çfarë na duhet urgjentisht është një qeveri që kupton se çështjet e shëndetësisë nuk janë vetëm çështje të shëndetit. Ato prekin çdo aspekt të jetës dhe mirëqenies së njerëzve, gjë që e kemi parë me efektet e COVID-19.

Bujar Vitija, kryeredaktor i Gazetës Shneta: 

Kosova është një nga vendet e pakta që nuk ka sistem informativ shëndetësor. Rrjedhimisht nuk kemi asnjë të dhënë të saktë për sëmundjet në Kosovë, numrin e personave që vuajnë nga këto sëmundje, dhe vdekshmërinë. Ne nuk mund të ndërtojmë një sistem shëndetësor strategjik nëse nuk kemi informacione nga terreni se cilat sëmundje po prekin më shumë qytetarët, në cilat fusha duhet të investojmë më shumë, dhe cilat do të ishin zgjidhjet më të mira.

Për të vazhduar tutje kemi nevojë për sigurime shëndetësore. Në Kosovë modeli më i mirë për sigurimet shëndetësore do të ishte ai i [fondit të] Bismarkut ku i punësuari dhe punëdhënësi do të paguanin përqindjen nga paga në Fond. Janë edhe disa hapa tjerë që duhet të rregullohet para se të funksionalizohen sigurimet, sikurse janë çmimorja, protokollet e trajtimit, e-receta, etj.

"Spitalet nuk kanë rrjet qendror të oksigjenit dhe pacientët trajtohen me bombola."

Gjithsesi të gjitha këto mungesa kanë ndikuar edhe në menaxhimin e dobët të pandemisë që ka ndodhur në Kosovë. Nuk kemi pas specializime për rreth 5 vite në Kosovë, rrjedhimisht jemi mbrapa me një gjeneratë mjekësh. Pandemia vuri në sipërfaqe numrin e vogël të anesteziologëve dhe stafit tjetër mjekësor. Mungesën e respiratorëve ku Kosova ishte me numrin më të vogël për banorë [në rajon dhe në Evropë]. Spitalet nuk kanë rrjet qendror të oksigjenit dhe pacientët trajtohen me bombola. Mungojnë hapësira adekuate për trajtimin e sëmundjeve infektive, etj.

Artan Mustafa, hulumtues dhe ligjërues i politikave sociale:

Një nga mangësitë më të mëdha në gjithë sektorin e mbrojtjes sociale mbetet mungesa e një sigurimi publik shëndetësor funksional dhe efiçient. Shteti sot shpezon në kujdes shëndetësor publik dhe barna nga lista esenciale kombëtare, mirëpo në mungesë të sigurimit formal, Kosova — në mënyrë implicite — i ngjan modelit të “sigurimit shtetëror” që aplikohet në shtete si Rusia dhe jo në shtete të rajonit dhe BE-së. Ky model karakterizohet nga ambiguitetet e shumta në kuptim të qasjes në shërbime dhe barna, pabarazi që krijohen nga ndikimi i grupeve të ndryshme burokratike dhe të interesit, si dhe përgjithësisht nga mbrojtja më e dobët shëndetësore për kategoritë më fragjile sociale. 

"IKSHPK për shembull nuk ka asnjë databazë të qasshme publike të anketave që realizon."

Të dhënat dhe hulumtimet sugjerojnë qartë se në Kosovë ka pabarazi shumë të mëdha në shpenzime shëndetësore në mesin e popullatës, sa i takon shpenzimeve të kujdesit dhe të barnave. Vetëm një shtresë e ngushtë, përgjithësisht më e pasur, e shoqërisë posedon sigurim shëndetësor në tregun privat dhe është më e mbrojtur në rastet kur paraqiten nevojat për shpenzime shëndetësore. Sigurimi publik do të kishte kthime shumë pozitive për rritjen e cilësisë së jetesës dhe shëndetit në Kosovë — çfarë është sakrifikuar në vazhdimësi në favor të disciplinës buxhetore. 

Një mungesë tjetër e dukshme është mungesa e informacioneve dhe të dhënave të detajuara që do të duhej të lëshoheshin rregullisht nga spitalet dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. IKSHPK për shembull nuk ka asnjë databazë të qasshme publike të anketave që realizon (me shpenzimet publike), çka do t’i mundësonte publikut dhe kërkuesve gjithandej ta analizonin dhe kuptonin shumë më mirë gjendjen shëndetësore të vendit. Këto mungesa vijnë mbi të gjitha nga fakti që nga nivelet më të larta shtetërore nuk është kërkuar përgjegjësi. 

Cilat qëllime duhet të na prijnë?

Bujar: Ne duhet të aspirojmë për një sistem shëndetësor që ka në qendër pacientin. Sot e kemi një sistem shëndetësor me burokraci, nuk ka llogaridhënie e përgjegjësi, menaxhimi është i dobët dhe korrupsioni e keqpërdorimet janë në nivele shumë të larta.

Fatkeqësisht sot pacienti kosovar është pothuajse i neglizhuar në sistemin publik shëndetësor, i vjedhur nga spitalet private, dhe i pa shpresë për t’u shëruar. Një shëndetësi që nuk e ka qëllim pacientin, por vetëm si mjet për t’u pasuruar persona të caktuar, nuk do të mund të përmirësohet kurrë.

Artan: Në planin e politikës së brendshme, mendoj se në dhjetë vitet e ardhshme Kosova duhet të punojë drejt arritjes së një kontrate më të balancuar sociale.

"Nëse ka një term që e përkufizon mirë historinë e Kosovës në 100 vitet e fundit ai është termi 'pabarazi'."

Pjesë e rëndësishme e kësaj kontrate sociale duhet të jetë shtrirja e kujdesit publik për fëmijët parashkollorë. Kjo mund të fillojë me zgjatjen e klasave aktuale përgatitore për fëmijët 5-6 vjeç nga 2.5 orë në 5-6 orë në ditë dhe më pas të vazhdojë me zgjerimin e përfshirjes publike të grupmoshave më të reja. Një pjesë e madhe e shkollave të sotme, mund të zgjerojnë aktivitetin kah kujdesi parashkollor. 

Nëse ka një term që e përkufizon mirë historinë e Kosovës në 100 vitet e fundit ai është termi “pabarazi”. Me qasjen e sotme ndaj kujdesit për fëmijët, ku shteti ndërhyn tejet minimalisht me kujdes publik dhe pret që kujdesi të jepet kryesisht nga tregu, Kosova është duke punuar ta konsolidojë pabarazinë për shumë dekada të ardhshme. Përkundrazi, një politikë më ambicioze e kujdesit publik për fëmijët do t’i kontribuonte zhvillimit personal të fëmijëve, tregut të ardhshëm të punës, krijimit të hapësirës më të madhe për gruan që të punojë, dhe zbutjes së pabarazive të mëdha për kategoritë më fragjile, etj. 

Hana: Po e përmend vullnetin politik si hap të rëndësishëm kryesisht sepse është tejet e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kështu besoj se Qëlimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm janë ndër aspiratat më të rëndësishme që përfshijnë domosdoshmërisht një shumësi objektivash për t’i promovuar shëndetin dhe mirëqenien.

Caku për “Shëndet dhe mirëqenie të plotë’ përban 13 nëncaqe në të cilat duhet të përqendrohen shtetet anekënd botës para dhe pas pandemisë, me ndryshime që bëhen për t’iu përshtatur klimës së tanishme me COVID-19. Caqe që ngërthejnë një larmi çështjesh, prej zvogëlimit të shkallës së vdekshmërisë amënore, ndalimit i vdekjeve të parandalueshme të foshnjave dhe fëmijëve nën moshën 5 vjeçe, deri te zvogëlimi i vdekjeve nga sëmundjet e patransmetueshme përmes parandalimit dhe trajtimit dhe promovimi i shëndetit dhe mirëqenies mendore.

Si të arrijmë te ndryshimi?

Bujar: Qeveria e re nga kushdo që mund të ndërtohet, në këtë kohë sigurisht që duhet ta ketë prioritet pandeminë, sigurimin e vaksinave dhe barnave e materialeve tjera të nevojshme për stafin mjekësor.

Por në një situatë më të normalizuar, nevojitet modernizim dhe digjitalizim i spitaleve publike për të lehtësuar punën e stafit mjekësor. Kjo do të ndikonte edhe në ngritjen e nivelit të përgjegjësisë e llogaridhënies, si dhe në përmirësimin e shërbimeve për pacientët.

Niveli parësor shëndetësor do të duhej të kishte monitorim më të mirë të pacientëve në mjekësinë familjare përmes vizitave të rregullta. Kosova deri më tani ka investuar më së shumti në trajtimin e problemeve shëndetësore, por asnjëherë nuk ka investuar në parandalimin e tyre.

Sistemi ynë shëndetësor më shumë krijon pacientë, sesa i parandalon ata. Prandaj për të avancuar në shërbime kualitative shëndetësore dhe të kemi një shoqëri të shëndetshme, duhet të kemi një strategji të saktë që do të fillonte dhe do të përfundonte me pacientin.

Artan: Literatura empirike tregon që ndryshimet e mëdha në politika publike në sisteme parlamentare kanë ardhur me ndryshime të balancës së pushtetit, koalicioneve. Mbetet të shihet se a do të mund të krijohet një koalicion që artikulon reforma në politikën publike dhe që mund t’i shtyjë ato përpara në Parlamentin e vendit. Megjithatë, e njëjta literaturë tregon së në fakt shtetet dhe shoqëritë shumë shpesh kanë më shumë gjasa ta ruajnë vazhdimësinë. 

Në Kosovë numri më i madh i partive politike artikulojnë status quo-në në politika publike, kërkimi shkencor në fushën e shkencave sociale mbetet i varfër, shumica e mediave kanë përqafuar modelin e argëtimit publik dhe jo informimit, dhe ka kohë që asnjë lëvizje sociale e rëndësishme nuk është shfaqur. Të gjitha këto janë parakushte që sugjerojnë se ka më shumë gjasa të shohim vazhdimësi sesa ndryshim më substancial.

"Na duhen njerëzit e duhur në pozitat përkatëse të pushtetit për t’i mundësuar ndryshimet e mirëfillta."

Hana: Për çdo ndryshim të madh në një sistem që karakterizohet nga korrupsioni dhe mungesat e investimeve, ndryshimi i lidershipit është i domosdoshëm. Na duhen njerëzit e duhur në pozitat përkatëse të pushtetit për t’i mundësuar ndryshimet e mirëfillta. Anëtarësimi në çfarëdo organizate të madhe kërkon dituri dhe aftësi, por sidomos një momentum që deri më tash ka munguar, pra mund ta kemi humbur tërësisht mundësinë për të parë ndryshim të vërtetë për një kohë. Zgjedhjet e reja që do të mbahen pas disa ditësh premtojnë ndryshim, e ndryshimi është diçka që na duhet. Le të shpresojmë se do të jetë në drejtimin e duhur.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.