Në thelb | Zgjedhjet2021

Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh për sundimin e ligjit

Nga - 11.02.2021

Me zgjedhje gati çdo dy vjet, midis premtimeve të largëta, K2.0 dëgjon ide për zgjidhje.

Ani pse zgjedhjet janë bërë ndodhi e shpeshtë në Kosovë, diskutimi për atë që njëmend ka rëndësi për jetën e zgjedhësve është i rrallë.

Në tubimet e partive politike, debatet televizive e në atë që shkruhet e thuhet nga dhe për partitë politike flitet shumë për llogaritje e manovrime partiake, sondazhe, slogane e njerëz, e më pak për çështje praktike që në thelb do t’i njoftonin votuesit se çfarë mund të presin pas fushatave zgjedhore. Në parim, vetë fushatat zgjedhore do duhej të ishin në funksion të këtij qëllimi — që votuesit të dinë për çfarë po votojnë.  

Midis gjithë kësaj e mbi të gjitha, për ta sfiduar këtë kontekst, në K2.0 kemi folur me ekspertë të fushave të ndryshme dhe përmes përgjigjeve të tyre jemi përpjekur të radhisim disa prej çështjeve që nuk diskutohen e që janë të rëndësishme për votuesit në këtë 14 shkurt. 

Përmes serisë “Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh”, në tetë artikuj të fokusuar në nga një lëmi shtjellojmë se çka konkretisht nuk po merr vëmendjen e duhur, cila është situata e tanishme dhe çka duhet bërë që gjërat të ndërrojnë në favor të qytetarëve. Po ashtu, provojmë që përmes ofrimit të zgjidhjeve largpamëse të informojmë votuesit e ta kthejmë mirëqenien e tyre në qendër të diskutimit.

Perspektivë tjetërqysh për të drejtën tonë për drejtësi 

Nëse kërkohet një përkufizim për sundimin e ligjit, ai do të ishte parimi i qeverisjes në të cilin të gjithë personat, institucionet publike dhe private, përfshirë vetë shtetin, janë përgjegjës ndaj ligjeve në fuqi dhe si të tillë duhet të gjykohen në mënyrë të pavarur dhe të jenë të barabartë para drejtësisë. 

Për të ndodhur kjo, pikësëpari këto ligje duhen të jenë në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, që është edhe rasti në Kosovë. 

Kushtetuta e vendit konsiderohet si ndër më progresivet në Evropë për nga përputhshmëria me standardat dhe konventat ndërkombëtare që ruajnë integritetin e secilit qytetar dhe sigurojnë trajtimin e barabartë brenda sistemit të drejtësisë. Si akti më i lartë ligjor, Kushtetuta ka epërsi ndaj ligjeve specifike që mund të lënë vend për interpretime të ndryshme, ndonjëherë në dëm të mbrojtjes së të drejtave fundamentale. 

Në kontekst të kësaj, Kosova është shembull ilustrues që ligjet e mira nuk mjaftojnë, ndërsa është niveli shumë i lartë i korrupsionit dhe nepotizmi që çojnë deri te mungesa e sundimit të ligjit dhe dëmtojnë funksionimin e shtetit.

Rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International për vitin 2020 konfirmuan vazhdimin e stagnimit në luftën kundër korrupsionit, ku për të dytin vit radhazi Kosova shënoi 36 pikë duke u renditur në pozitën 104 nga 189 vende të përfshira së bashku me Shqipërinë, Algjerinë, Bregun e Fildishtë, El Salvadorin, Vietnamin dhe Tajlandën.

Shoqëria civile si dhe profesionistë e ekspertë të pavarur me vite po avokojnë për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, dhe që korrupsionit duhet t’i shpallet luftë. Gjithashtu analizat dhe raportet tregojnë që edhe vetë qytetarët po e perceptojnë korrupsionin si një nga shkaqet kryesore të stagnimit në zhvillimin e vendit. 

Prandaj është e pritshme që sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit të zënë goxha vend nëpër deklaratat, prezantimet dhe programet politike të partive madje edhe tek ato parti që janë definuar me qeverisje përplot keqpërdorim të parasë publike e me politikanë përplot me afera korruptive.

programin e LDK-së, udhëheqësit të koalicionit aktual qeverisës, renditen shkurt të gjitha fjalët dhe frazat që e përshkruajnë një sundim të mirë të ligjit dhe një sistem efikas të drejtësisë forcimi i institucioneve të drejtësisë, gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm, rritja e transparencës përmes mekanizmave llogaridhënës — por nuk gjendet asnjë masë apo veprim konkret që do të adresonte cilëndo prej tyre. 

Në programet e partive të tjera, sistemi i drejtësisë dhe në veçanti sundimi i ligjit gjejnë hapësirë më të madhe, duke u analizuar faktorët e ndryshëm që i kontribuojnë problemit dhe po ashtu duke u theksuar hapat dhe masat që partitë pretendojnë t’i marrin, të paktën në letër. 

Programi i Vetëvendosjes thekson gjyqësorin e pavarur si dhe procesin e vetingut si pjesë integrale të sistemit të drejtësisë. Po ashtu thekson mbështetjen financiare për sistemin e drejtësisë, duke shtuar kapacitete njerëzore dhe profesionale në departamentin special në

kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, asaj të Apelit, si dhe në Prokurorinë Speciale, me qëllim të luftimit të krimit dhe korrupsionit. 

AAK-ja po ashtu ndalet te pavarësia e institucioneve të drejtësisë, rritja e buxhetit, luftimi i korrupsionit, reformat në drejtësi dhe procesi i vetingut.

Ndërsa programi i PDK-së i jep përparësi përfundimit dhe zbatimit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit (RFSSL) — një iniciativë e filluar në vitin 2016 që ka për qëllim rishikimin e kornizës ligjore dhe bashkëpunimin ndërmjet të gjitha organeve gjyqësore. Edhe PDK-ja thekson ngritjen e pavarësisë, profesionalizmit, transparencës dhe efikasitetit të gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe zbatimin më të mirë të sanksioneve penale dhe masave alternative.

Për një sistem të drejtësisë të pavarur kemi folur me dy njohës dhe hulumtues të fushës së sundimit të ligjit: Rreze Hoxha Zhuja, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, dhe Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Në pyetjet tona për atë se çfarë na mungon, çfarë aspiratash do duhej të kemi dhe si do të mund të vijë ndryshimi, kështu u përgjigjën ata: 

Çka po na mungon?

Rreze Hoxha Zhuja, Grupi për Studime Juridike dhe Politike:

Cilësia, efektiviteti, pavarësia dhe paanësia nga akterët politikë janë katër elementet kryesore që i mungojnë institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë. Pavarësisht nga reformat e shumta në këtë sektor, të njejtat kanë dështuar të adresojnë në formë sistematike mangësitë e këtij sektori dhe shpesh, qëllimisht, kanë identifikuar gabimisht shkakun e problemeve. 

"Sjellja njerëzore dhe mungesa e vullnetit janë pasojë që variojnë nga mungesa e guximit për të ushtruar profesionin e deri tek lidhjet dhe afërsia me interesat partiake."

Kryesisht, të gjeturat e reformave të këtij sektori kanë dalë me rekomandime për përmirësimin e aspekteve teknike të funksionimit të institucioneve, krijimin e mekanizmave të rinj që duplifikojnë punën e mekanizmave ekzistues, nevojën për trajnime të gjitha të rëndësishme në esencën e tyre, mirëpo që dështojnë të adresojnë problemet e lartcekura në thelb. Kjo ngase të njejtat nuk diskutojnë mbi aspektet e domosdoshme të integritetit personal, moralit, profesionalizmit dhe vlerave të individëve që bëjnë pjesë në këtë sektor. Rezultatet e tilla konsiderohen të jenë fryt i mungesës së vullnetit politik për të forcuar sektorin e sundimit të ligjit meqenëse një gjë e tillë do të kishte kosto të lartë politike.

Marrë parasysh të njejtat, ajo çfarë po dështojmë të adresojmë është fakti që thelbi i mosfunksionimit të këtij sektori është sjellja njerëzore dhe mungesa e vullnetit për të punuar — jo legjislacioni, jo struktura ekzistuese e institucioneve, jo procedurat. Sjellja njerëzore dhe mungesa e vullnetit janë pasojë që variojnë nga mungesa e guximit për të ushtruar profesionin e deri tek lidhjet dhe afërsia me interesat partiake. Prandaj, ajo çfarë i mungon këtij sektori është një reformë, e cila adreson etikën, profesionalizmin, integritetin, pavarësinë dhe paanësinë nga bota e politikës.

Ehat Miftaraj, Instituti i Kosovës për Drejtësi, IKD:

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, nga shpallja e pavarësisë, është duke kaluar përmes reformave, të cilat fokusohen kryesisht në miratimin e legjislacionit dhe formimin e mekanizmave të rinj ku shumicën e kohës ndërlidhen me kërkesat nga jashtë, siç është rasti me Liberalizimin e Vizave apo Procesin e Dialogut për Stabilizim-Asociimin në mes të Kosovës dhe BE-së.

Nevojat e qytetarëve janë të orientuara drejt shtetit ligjor, sigurisë juridike, të drejtës për qasje në drejtësi, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, por që nuk zbatohen në praktikë për qytetarin e zakonshëm.

"Drejtësia në Kosovë është selektive, ku qytetari në vend të shërbehet me drejtësi jo rrallë herë është viktimë e vet sistemit."

Deri më sot, asnjë parti politike ose qeverisje në Kosovë, drejtimin e politikave nuk e ka orientuar kah nevojat dhe interesat e qytetarit, në mënyrë që të përcaktojnë se çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo. Qasja në drejtësi është e drejtë themelore e njeriut. Qytetari duhet të besojë se institucionet e drejtësisë janë të drejta, të paanshme dhe të pavarura, se institucionet e drejtësisë udhëhiqen nga individë që kanë integritet dhe vlera që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Përderisa këto parime janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj, në praktikë këto të drejta në Kosovë janë një iluzion që nuk gjen zbatim në praktikë. 

Sistemit të drejtësisë i mungon integriteti si në aspektin institucional ashtu edhe individual. Drejtësia në Kosovë është selektive, ku qytetari në vend të shërbehet me drejtësi jo rrallë herë është viktimë e vet sistemit. 

Cilat qëllime duhet të na prijnë?

Rreze: Të krijojmë një sistem gjyqësor të pavarur, një sistem prokurorial profesional, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni luftohen. 

Cikli institucional në luftimin e krimit dhe ofrimin e qasjes në drejtësi për qytetarët është i gjerë dhe kërkon koordinim institucional, i cili mungon. Kjo, ngase secili prej këtyre institucioneve është përballur me ndryshime të shumta ligjore, reformime të ndryshme teknike dhe jo me adresim të problemeve eseciale, të cilat kanë të bëjnë me profesionalitetin dhe integritetin e individëve të agazhuar aty. Përforcimi i mekanizmave të matjes së performancës, implementimi i legjislacionit për disiplinim, verifikimi i vazhdueshëm i integritetit dhe pastërtisë së figurës është mjeti, i cili mund të sigurojë një sektor të sundimit të ligjit, ku krimi luftohet dhe qasja në drejtësi nuk mohohet. 

Ndërsa, aplikimi i reformave të shpeshta të cilat, në situatën politike në vend nuk arrijnë të përfundohen dhe ndërrojnë qasje me ndërrimin e qeverive, të cilat janë të shpeshta do të kontribuojnë vetëm në dobësimin e këtij sistemi ekzistues me probleme madhore dhe jo në përmirësimin e tij.

Ehat: Aspiratat dhe kërkesat e ligjshme dhe legjitime të qytetarëve në Kosovë janë të qarta: qeverisje e bazuar në vlera dhe parime që promovojnë sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, ku qytetari është në qendër të vëmendjes. Aspiratat e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, nuk duhet të jenë të orientuara për të ndërtuar shtet ligjor vetëm për shkak të përmbushjes së kritereve, të cilat lidhen me procesin e liberalizimit të vizave apo rrugëtimit tonë drejt integrimit evropian, por si orientim i përqafimit të vlerave dhe standardeve të pranueshme, të cilat sigurojnë se secili qytetar trajtohet i barabartë para ligjit dhe sistemit.

"Qytetari i Kosovës, nuk mund dhe nuk duhet të pajtohet që vendi ynë të jetë sinonim i një shteti që identifikohet si më i korruptuari në Evropë."

Edhe pse Kosova, në aspektin gjeografik, është në një cep të kontinentit evropian, qytetarët e Kosovës kanë të njejtin orientim dhe besojnë në vlerat perëndimore, ku kërkesat e qytetarëve të Kosovës janë dhe duhet të jenë të njejtat me ato të një qytetari të BE-së. Aspiratat janë të qarta, në kërkim të një shteti ku nga taksat tona kërkojmë shërbime adekuate dhe profesionale në drejtësi, arsim, shëndetësi, kulturë, mirëqenie dhe mundësi të barabarta. Qytetari i Kosovës, nuk mund dhe nuk duhet të pajtohet që vendi ynë të jetë sinonim i një shteti që identifikohet si më i korruptuari në Evropë. Kjo nuk reflekton dhe as nuk pasqyron identitetin e qytetarit të Kosovës dhe vlerat që ai përfaqëson. 

Kosova meriton të qeveriset dhe përfaqësohet nga njerëz me integritet, që nuk kanë probleme me ligjin dhe që nuk e kanë të kontestuar në publik kredibilitetin profesional apo personal. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës, dhe ky standard nuk duhet të jetë vetëm dekor në Kushtetutë, por duhet të jetë aspiratë dhe kërkesë e përditshme drejtuar institucioneve të drejtësisë. 

Si të arrijmë te ndryshimi?

Rreze: Konsensusi politik për përmirësimin e situatës së tanishme të sundimit të ligjit, është nevojë e pashmangshme. Para arritjes se konsensusit duhet të ekzisojë vullneti politik për ndryshime pozitive dhe plani i qartë se si një qëllim i tillë arrihet. 

"Qasja e ndjekur deri tani dhe përshtatja e qeverisjes në kuadër të interesave personale e partiake duhet ndërruar."

Me një situatë politike jo stabile, ku interesat personale mbizotërojnë interesat e përgjithshme dhe të vendit, çdo iniciativë që ndërmirret është e dështuar në esencë. Ndryshimet që nevojiten janë të qarta dhe fillojnë nga ndërrimi i përfaqësimit në nivele të larta dhe ligjbërëse, për të vazhuar pastaj me reforma kyçe dhe thelbësore në sektorin e sundimit të ligjit për të arritur në një reformim total të tij. Qasja e ndjekur deri tani dhe përshtatja e qeverisjes në kuadër të interesave personale e partiake duhet ndërruar për t’u krijuar një formësim i ri institucional në vend, me fokus të veçantë të institucioneve në sundimin e ligjit.

Ehat: Përderisa, në shtete si Kosova me demokraci të brishtë dhe me institucione shumë të dobëta dhe lehtësisht të ndikuara nga politika dhe grupet e interesit, gjendja agonike ku jemi sot mund të ndryshojë vetëm nëse do të ketë vullnet politik për të ndryshuar mendësinë dhe praktikat e instaluara në dekadën e fundit. Ky vullnet politik mungon në këtë fushatë nga të gjitha partitë politike.   

Planprogramet e partive politike pothuajse janë identike me njëra tjetrën, kanë propozuar ide shabllon, pa elaborim të duhur dhe pa treguar se cilat janë veprimet, të cilat do të përmirësojnë sundimin e ligjit në Kosovë, do të rrisin qasjen në në drejtësi, pavarësinë dhe integritetin e institucioneve. 

Qeveria e ardhshme do të jetë e obliguar që këtë proces [vettingu] ta zbërthejë në politike qeveritare.

Procesi më i rëndësishëm që sot ka Kosova, është procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, proces që është në konsultim publik. Ky proces, i udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, është përkrahur me dhjetëra milionë euro nga partnerët tanë kryesorë si ShBA dhe BE.  Nga ky proces kanë dalë 16 dokumente të politikave, ku janë identifikuar problemet, sfidat dhe janë propozuar masa konkrete për përmirësimin e sundimit të ligjit në fusha si: integriteti apo si njihet në publik vettingu, llogaridhënia, profesionalizmi, qasja në drejtësi, efikasiteti, mjetet juridike, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, profesionet e lira, bashkëpunimi me shoqërinë civile, etj. Qeveria e ardhshme do të jetë e obliguar që këtë proces ta zbërthejë në politike qeveritare dhe të fillojë në përmbushjen e objektivave, ku do të kërkohen edhe ndryshime kushtetuese, ligjore, por edhe ri-strukturim i institucioneve në fushën e sundimit të ligjit.

Fatkeqësisht, as edhe një parti politike nuk ka treguar qartë se cili do të jetë qëndrimi lidhur me këtë proces që do të jetë Kushtetuta e sundimit të ligjit në pesë vitet e ardhshme. Përkundrazi, kanë propozuar masa që janë në kundërshtim me këtë proces, e në raste të caktuara edhe masa që kufizojnë dhe cenojnë rëndë parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit. K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.