Tashmë kanë mbetur vetëm edhe dy javë deri në zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit, dhe politikanët po merren vazhdimisht me fushatat e tyre.
Fushata zyrtare 10-ditëshe nuk fillon deri të mërkurën (25 shtator), por asnjëra parti nuk e ka pritur këtë datë për t’i filluar përpjekjet që të sigurojë avantazh në sondazhe.
Dy partitë kryesore madje i publikuan programet e tyre qeverisëse, por siç është zakon, nuk kanë dhënë shumë detaje.
Ndërsa i numërojmë ditët deri në ditën e zgjedhjeve, ne i kemi përmbledhur ngjarjet më të rëndësishme të javës.
- Kurrë nuk është vonë për të publikuar premtime
Me javë aluduan e dhanë deklarata të mëdha, por këtë javë partitë më në fund filluan të publikojnë zotime konkrete për atë që do të bëjnë po të zgjidhen.
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ishte i pari që zbuloi planin e tij për qeverinë.
Haradinaj e postoi një broshurë në Facebook në të cilën i listoi 100 zotime – kryesisht nga një fjali për secilin – duke e lidhur me temën e taksës 100 përqindëshe që ishte pikë qendrore e strategjisë zgjedhore të AAK-së. Në majë të listës ishte mbajtja e taksës 100 përqindëshe mbi produktet serbe “deri në njohjen e Kosovës”, e pas saj ishte “aplikimi për statusin e kandidatit të BE-së” deri në fund të vitit 2020.
Numër tre ishte “sigurimi i një vendimi final për liberalizimin e vizave” deri më 2020; para fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme më 2017, Haradinaj kishte premtuar se kosovarët do të udhëtonin pa viza brenda tre muajve po të zgjidhej ai kryeministër.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) i prezantoi prioritetet për qeverinë të mërkurën.
Kandidati i partisë për kryeministër, Albin Kurti, tha se ata duan ta hapin një faqe të re me një qeveri të re për shtetin. Ai tha se hapat e parë do t’i përkushtoheshin reduktimit të shpenzimeve dhe të posteve ministrore. Mes të tjerash, ai tha se “qeveria Kurti nuk do ta lejojë zhvatjen e parasë publike dhe shkeljen e shpresave, të kërkesave dhe të punës së qytetarëve”.
20 prioritetet e partisë, të publikuara në uebfaqen e tyre, përfshijnë forcimin e sundimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar, më shumë vende pune dhe të drejta për punëtorët, rikuperimin e arsimit, shëndetësinë publike, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e energjisë, si dhe sigurimin e banimit të përballueshëm për çifte të reja.
Javën e kaluar, kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani i shpalosi pesë shtyllat kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) – qeverisja dhe sundimi i ligjit, familja, punësimi, arsimi dhe shëndetësia, dhe partneritetet ndërkombëtare – duke thënë se programi i plotë do të publikohej në ditët e ardhshme. Megjithatë, deri të premten pasdite, programi i plotë i LDK-së për qeverinë ende nuk është zbuluar.
Javën e kaluar lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Kadri Veseli, premtoi që në ditët në vijim do ta publikonte planin e partisë së tij kundër korrupsionit, i cili përfshin 25 pika. Megjithatë, edhe ajo nuk ishte publikuar deri të premten pasdite.
Megjithatë, Veseli dha premtime të reja për ekonominë. Në një takim të premten me përfaqësues të Odës Ekonomike dhe të bizneseve të ndryshme, Veseli premtoi se ata nuk do të ngarkoheshin me taksa të reja në qeverinë e ardhshme, dhe shtoi se do të kishte nisma konkrete në sektorin e ndërmarrësisë.
- Marrëdhëniet ndërmjet LDK-së dhe VV-së ende janë pak të tensionuara
Marrëdhëniet ndërmjet LDK-së dhe VV-së kanë qenë deri diku të tensionuara prej kur dy partitë dështuan të lidhin marrëveshjen e shumëpritur për koalicion parazgjedhor për shkak se nuk arritën të pajtoheshin për kandidatin e tyre për kryeministër. Këtë javë, dy partitë shkëmbyen fjalë lidhur me një koment që e bëri Kurti në një takim me qytetarët në Podujevë.
Mes të tjerash, lideri i VV-së premtoi reforma të thella për drejtësinë dhe zhvillimin ekonomik, duke thënë se kur të jetë ai në krye të qeverisë, VV-ja do të bëjë reforma të gjyqësorit dhe do të zbatojë veting. Ai tha gjithashtu se ish-prokurorin Elez Blakaj – i cili iku në Amerikë vitin e kaluar pasi ishte kërcënuar dhe kishte pretenduar ndërhyrje politike në gjyqësor – do ta kthenin në Kosovë.
“Ne do ta kthejmë Prokurorin Blakaj në Kosovë”, është raportuar të ketë thënë Kurti. “Ne do ta bëjmë kryeprokuror të shtetit dhe askush nuk do të guxojë ta kërcënojë”.
Por në një prej takimeve, Osmani e LDK-së tha se është e rrezikshme, përveçqë është jokushtetuese, kur një parti politike premton ta caktojë një kryeprokuror. Ajo tha se kjo ide e tregon logjikën “Pronto”, duke iu referuar skandaleve që i kanë karakterizuar administratat në të kaluarën dhe janë kritikuar ashpër nga Kurti dhe partia e tij.
Ish-deputetja e VV, Albulena Haxhiu, iu përgjigj Osmanit duke thënë se nuk fiton respekt duke e cituar gabimisht Kurtin, dhe se ai nuk kishte thënë ashtu siç pretendonte kandidatja e LDK-së për kryeministre.
Duke folur në emisionin teliviziv “Pressing” në kanalin T7, Kurti u mundua ta qartësonte deklaratën e tij për Blakajn.
“Thashë që do ta kthenim Elez Blakajn si simbol”, tha Kurti. “Blakaj është një simbol i traumës”.
Ndërkohë, vetë Blakaj dha një mesazh nga ShBA për partitë politike të Kosovës, duke thënë se krejt çka duhet të bëjnë për drejtësinë është të mos vazhdojnë me të njëjtat veprime dhe të tregojnë vullnet politik për veting nga ekspertët e pavarur ndërkombëtarë.
- Zgjedhjet janë biznes i shtrenjtë
Miliona euro shpenzohen nga partitë politike në fushata zgjedhore.
Sipas legjislacionit në fuqi, secili entitet politik është i obliguar t’i deklarojë shpenzimet e bëra gjatë fushatës zyrtare 10-ditëshe, raporton KTV, por kishte pretendime se legjislacioni në fuqi nuk e mbulon në mënyrë adekuate periudhën para fillimit të periudhës zyrtare të fushatës.
Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës tha këtë javë se ndonëse partitë thonë që shpenzimet zgjedhore financohen nga donatorët e jashtëm, deklaratat financiare pas fushatës nuk përputhen me këtë pretendim.
Hulumtimet e kryera nga OJQ-të Democracy Plus dhe Çohu vlerësojnë se gjatë fushatës zgjedhore në fillim të vitit 2017, partitë politike i shpenzuan mbi 3 milion euro.
Për një kohë të gjatë kishte ankesa për mungesën e transparencës sa i përket financimit të partive politike. Raportet monitoruese theksojnë mbikëqyrjen e dobët dhe shmangien e deklarimit të burimeve të financimit nga ana e partive politike, pavarësisht kërkesave ligjore lidhur me këtë.
Isuf Zejna nga Democracy Plus së fundmi tha për Radio Evropa e Lirë:
“Fusha e financimit të partive politike nuk është problem që e ndjek vetëm Kosovën. Në të gjitha shtetet e rajonit dhe shtetet që janë në transicion ka probleme me financimin e partive politike sepse donatorët kanë për qëllim të japin donacione për partitë politike dhe pastaj të shpërblehen me kontrata publike ose koncesione në leje dhe të mira të tjera”.
Ai shtoi se zbulimi publik i financave nuk është në interesin e donatorëve apo të partive politike. Zejna gjithashtu e theksoi rolin mbikëqyrës të Komisionit Qendror Zgjedhor, të cilin e akuzoi për faktin se nuk po i dënojnë me gjoba partitë e mëdha politike për mungesë të transparencës financiare, pavarësisht shkeljeve të hapura dhe të vazhdueshme të ligjit.
- Periudha para zgjedhjeve është kohë e mirë për t’u punësuar
Lajmërimet për pozita të reja të punës në institucione publike gjatë zgjedhjeve mbetet si fenomen në Kosovë. Kjo ka ngritur dyshime që pushtetarët po përpiqen t’i shfrytëzojnë pozitat e tyre për të punësuar mbështetës të partive të tyre para zgjedhjeve.
Plot institucione qendrore dhe lokale kanë lajmëruar vende të lira të punës në ditët dhe javët e fundit ndërsa i kanë intensifikuar veprimtritë zgjedhore. Uebfaqet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Diasporës, Ministrisë për Administratë Publike dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të gjitha kanë publikuar vende të lira të punës.
Këto ministri drejtohen nga partitë që kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës në largim, por thirrje për vende të punës kanë publikuar edhe Komunat e Prishtinës, Podujevës dhe Prizrenit, të cilat drejtohen prej partive që janë në opozitë në nivelin qendror.
- Po rritet numri i kandidatëve për deputetë që kanë aktakuza
Prokuroria Themelore në Prishtinë këtë javë e lëshoi një aktakuzë për një ish-anëtar të Kuvendit të Kosovës dhe një kandidat aktual për zgjedhjet e ardhshme.
Liburn Aliu, i cili përsëri është pjesë e listës së VV për zgjedhjet e 6 tetorit, është akuzuar për “pengim të një personi zyrtar në performimin e detyrave zyrtare”.
Aktakuza kundër tij thotë se Aliu i mënjanoi 40 letra zyrtare të votimit të deputetëve në sallën e Kuvendit të Kosovës më 21 mars, 2018. Aliu ishte njëri nga disa deputetë të VV-së që u arrestuan nga policia atë ditë, derisa partia e tij po bënte përpjekje ta bllokonte miratimin e marrëveshjes së diskutueshme për demarkacion të kufirit me Malin e Zi.
Aliu beson se aktakuza kundër tij është politike, dhe se për të ka dëgjuar vetëm në media, e nuk ka pranuar ndonjë dokument. Ai tha se i sheh veprimet që i bëri vitin e kaluar si politike, pasi që i bëri për ta kundërshtuar një marrëveshje që partia e tij e konsideronte si të dëmshme për Kosovën.
Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.