Pikëpamje | Zgjedhjet 2025

Zgjedhjet nuk nxorën fituese një parti

Nga - 20.02.2025

Por, demokracinë e Kosovës.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura më 9 shkurt, shprehin në mënyrë të qartë se fitorja dhe humbja në zgjedhje mund të kenë nivele e kuptime të ndryshme. Kush fitoi në këto zgjedhje?

Përgjigja e atypëratyshme dhe formale në këtë pyetje është e thjeshtë: në zgjedhje fitoi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) duke dalë e para me pak mbi 40% të votave. Megjithatë, diskutimi rreth këtyre rezultateve nuk mund të përfundojë këtu.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pati një rritje të përqindjes së votës krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Sipas rezultateve të tanishme, PDK ka 22.05%, shifër që paraqet një rritje prej 5.04 pikë përqindjeje, duke e renditur si partinë e dytë. Njëjtë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila doli e treta, ka rritje gati të njëjtë me PDK për kah pikët e përqindjes. Me një rezultat shumë të ulët prej 12.73% në vitin 2021, në këto zgjedhje ajo u rrit për 4.91 pikë përqindjeje, në 17.64%. 

Por, këto rezultate duhen trajtuar nga këndvështrime të ndryshme. Për të vlerësuar se kush ka fituar dhe kush jo, është e nevojshme të analizohen dinamikat politiko-partiake të partive në garë para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore. Kjo analizë mund të ndihmojë në identifikimin e fitoreve domethënëse, nëse ato ekzistojnë, si dhe në formulimin e propozimeve për hapat e ardhshëm, që mund të marrin partitë politike.

Në këtë drejtim, një prej fitoreve shumë të rëndësishme është vetë rezultati zgjedhor. Teksa LVV mori një shumicë prej 50.02% në zgjedhjet e vitit 2021, u dëshmua qartë e zëshëm se Kosova, si demokraci me institucionet e konsoliduara megjithatë mund të rrezikohet nga një qeveri një-partiake, që ka tendenca të “kapjes” së institucioneve shtetërore si në rastin e ligjit për Këshillin Prokurorial, e ndërhyrje në vendimmarrjen në institucione të pavarura jashtë sistemit formal.

Kosova ka kaluar teste të rëndësishme kur është sfiduar demokracia e saj —  institucionet kanë dëshmuar qëndrueshmëri ndaj këtyre sfidave dhe aftësi për t’i zgjidhur ato. Dy shembuj ilustrues të kësaj janë rasti i shtrembërimit të vullnetit të votuesve në zgjedhjet e vitit 2010 kur pati falsifikim të rezultateve, si dhe roli që ka luajtur Gjykata Kushtetuese, duke ndihmuar në kapërcimin e shumë ngërçeve në konsolidimin e institucioneve. Megjithatë, demokracinë nuk mund ta marrim si të mirëqenë.

Në këtë drejtim, rezultati zgjedhor tregon se vota e qytetarëve kolektivisht kërkon pluralizëm partiak në institucione, demokraci e transparencë në vendimmarrje, si dhe politika zhvillimore për të ardhmen. Andaj, kthimi te një ekuilibër më pluralist partiak e politik është fitore për Kosovën. 

Fushata bëri dallimin thelbësor

Dëshmia më e qartë e kthimit te ky ekuilibër gjendet te vetë rezultatet për partitë. Albin Kurti dhe partia të cilën e udhëheq, LVV, u ndëshkuan për arrogancën e shprehur gjatë qeverisjes e sidomos gjatë fushatës zgjedhore. Në fushatë, arrogancën e manifestuan me mospublikim të programit deri pak para zgjedhjeve, mungesë të hollësive dhe sulme ndaj partive tjera. 

Pos kësaj, LVV u ndëshkua edhe për qeverisjen katër-vjeçare, e cila nuk la shenjë në asnjë prej dikastereve të rëndësishme për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, siç janë, ndër tjera, sistemi i shëndetësisë, arsimi apo përgjithësisht cilësia e kushteve të jetës. Kështu, u tkurr në votë. 

Për dallim prej LVV, PDK dhe LDK u rritën në votë. Këto dy parti dhe udhëheqësit e tyre kanë qenë e kundërta e Kurtit dhe LVV-së në qasjen politike ndaj problemeve ditore dhe veçanërisht në llojin e fushatës që kanë bërë para zgjedhjeve. Shkaqet dhe faktorët e kësaj rritjeje janë një prej mësimeve thelbësore nga këto zgjedhje.

LVV dhe Kurti kanë pasur një fushatë elektorale, e cila ka qenë shumë më shumë e përqendruar në polarizim, përqeshje të kundërshtarëve, sulme ndaj prokurorëve e medieve, sesa në shpalosje të programit e synimeve partiake për mandatin e ardhshëm qeverisës. 

PDK dhe LDK, në anën tjetër, janë përqendruar kryekëput në shpalosjen e pikave programore. Kështu fushata zgjedhore u shndërrua në një ngjarje politike në dy nivele cilësisht të ndryshme me njëra-tjetrën. Në njërën anë, PDK dhe LDK u përqendruan në diskutim racional për llojin e qeverisjes, ndërsa në tjetrën, LVV u apeloi emocioneve, si për shembull, frikës për kthimin e të kaluarës, e tensioneve me Serbinë. Kështu, LVV i foli të pavetëdijshmes dhe fantazisë së qytetarit më shumë sesa arsyes e nevojës së saj/tij. 

Pikërisht ky dallim thelbësor politik shpërfaq në mënyrën më elegante transformimin politik nëpër të cilin po kalon Kosova. Në retrospektivë, 9 shkurti mund të jetë dita kur Kosova filloi një rrugëtim tjetër politik sepse të vetmet parti që shënuan rritje të votave ishin dy opsionet politike, të cilat vendosën të bëjnë fushatë tjetër lloj, me pamje tjetër, me cilësi tjetër të diskursit politik. Rritja nuk ishte e vogël. 

Të dy këto opsione politike u udhëhoqën nga tjetër lloj përfaqësuesi politik nga ç’jemi mësuar të shohim. Edhe Memli Krasniqi, edhe Bedri Hamza, edhe Lumir Abdixhiku janë udhëheqës politikë të kohës sonë, të cilët nuk marrin legjitimitet nga e kaluara, përkatësisht nga vitet e ‘90-a. Ndërsa, Kurti e Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të dy janë figura të së kaluarës. Ky është ndryshim cilësor.

Përgjatë gjithë fushatës zgjedhore, kur flitej për Hamzën dhe Abdixhikun, theksi vihej edhe te përgatitja profesionale e tyre — të dy ekonomistë. Në një diskurs krejtësisht të ndryshëm, Kurtit qytetarët iu drejtuan si “Albin baba”, e vetë ai u tha qytetarëve se mund të shërbente si figurë babai. Një element i megalomanisë, të cilin nuk e treguan as Hamza, as Abdixhiku. Suksesi i Hamzës dhe Abdixhikut qëndron pikërisht që bënë që këto opsione politike të zgjojnë kërshërinë dhe mbështetjen qytetare, sukses jashtëzakonisht i vlefshëm për Kosovën. Një qasje të tillë nga këto dy parti e pamë edhe në zgjedhjet e vitit 2021 me Enver Hoxhajn në PDK dhe Avdullah Hotin në LDK, si bartës listash. Por ajo ishte kohë tjetër, ku midis kakofonisë, duket se qytetarët nuk deshën fare t’i dëgjojnë e shohin këto opsione. Këtë radhë ishte ndryshe. 

Mundësi për transformim politik

Nëse i shqyrtojmë rezultatet e Exit Pollit të bërë nga kompania e hulumtieve, UBO Consulting e të publikuar në Debat Plus (TV Dukagjini) më 9 shkurt, pasi u mbyllën vendvotimet, ka të dhëna interesante të krahasimit dhe analizimit të variablave të ndryshme, që njihet si krostabulim, të rezultateve zgjedhore. 

Sikur PDK ashtu edhe LDK kanë shënuar rritje të ndjeshme sa i përket votës së grave dhe rinisë, krahasuar me vitin 2021. Teksa në vitin 2021 për LVV kishin votuar 61.6% të të gjitha grave që kishin marrë pjesë në zgjedhje, më 2025 kjo përqindje ka rënë në 48.7%. Te PDK kjo përqindje është ngritur nga 13.9% në 21.3%, ndërsa te LDK nga 16.3% në 20.5%. Të njëjtën rritje të ndjeshme për të dyja partitë e shohim edhe te grupmoshat më të reja të votuesve veçanërisht të grupmosha 18-21 vjeç dhe 22-34 vjeç. Këta janë indikatorë të rëndësishëm se PDK dhe LDK i kanë lexuar më vëmendje rezultatet e vitit 2021 dhe kanë reflektuar mbi to. 

Nga të njëjtat përqindje e krostabulime të nxjerra nga UBO Consulting vërehet se përqendrimi i PDK dhe LDK në program e ka arritur efektin e kuptimit dhe leximit ndryshe të këtyre partive politike nga qytetarët e Kosovës. Në pyetjen drejtuar respondentëve mbi arsyet që përcaktuan votën e tyre për një parti, 60.9% e votuesve të LVV deklaruan se lideri ishte faktori kryesor. Në krahasim, kjo përqindje ishte 28.8% te votuesit e PDK dhe 20.3% te ata të LDK. Nga ana tjetër, 32% e votuesve të PDK dhe 36.8% të atyre të LDK e konsideruan programin si arsyen kryesore të votës, ndërsa vetëm 22.3% e respondentëve të LVV e listuan këtë faktor si vendimtar.

Mënyra se si partitë e konceptojnë fushatën dhe ku e përqendrojnë diskursin e tyre politik e ndikon edhe orientimin e mendimin politik të qytetarëve. Në këtë drejtim PDK dhe LDK, gjatë fushatës, kanë bërë një punë shumë të dobishme në paraqitjen e një shembulli ndryshe të politikbërjes, e cila, edhe pse u kritikua fillimisht si e pamjaftueshme dhe e gabuar, po del të ketë qenë e qëlluar. 

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, nëse nuk dekonstruktohet, mund ta krijojë një tjetër kuptim nga ky shkrim këtu. Është lehtë të thuhet se partitë politike dështuan meqë LVV fitoi prapë me një përqindje e dallim të madh në votë. 

Këtu duhet të faktorizohen edhe pritjet që secili mund t’i ketë pasur, e aq më tepër sa kanë qenë realiste ato pritje. Të presësh që një parti me mbi 50% të votës në vitin 2021 të bjerë në 25% pas katër viteve të qeverisjes është të presësh një anomali. Nuk duhet harruar se as kjo rënie prej 10 pikë përqindjeje në votë e LVV nuk ka qenë as lehtë e arritshme e as lehtë e pritshme. Megjithatë ndodhi për dy arsye: qeverisja katër-vjeçare, e cila nuk arriti as për së afërmi t’i përmbushë pritjet e qytetarëve, por edhe për shkak se PDK dhe LDK u kthyen në skenë si opsione reale politike. 

Megjithatë, fitorja më e madhe në këto zgjedhje nuk është e një partie. Është fitore për shëndetin e demokracisë së Kosovës. Duke qenë se siç duket asnjë parti nuk do të mund ta formojë qeverinë e vetme, politikës sonë po i kthehet domosdoshmëria e bashkëpunimit, marrëveshjes e kompromisit. E meqë nuk mund të mbizotërojë vetëm një grup politik, ngriten kapacitetet e kontrollit të Kuvendit mbi qeverinë.

Këto rezultate po ashtu treguan se të gjitha partitë politike tashmë kanë marrë ndëshkim në kohë të ndryshme për gabimet në qeverisje. Dhe secila prej tyre do t’i mbajë mend këto ndëshkime dhe nuk do të duhej t’i përsëriste të njëjtat gabime.

Kjo është mundësi e transformimit politik të Kosovës — përmes reformimit të partive politike.

Por, kjo është vetëm faza e parë në këtë transformim. Faza e dytë — formimi i qeverisë — dhe faza e tretë — qeverisja — janë shumë më të rëndësishme për sa i përket reformimit të partive. Veçanërisht qeverisja. Mirëpo, për këto njëherë për njëherë nuk mund të flasim.



Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.