Në periudhën e pasluftës, politikat arsimore të të gjitha qeverive të Kosovës dhe diskursi i tyre publik kanë qenë të qendërzuara rreth përmirësimit të infrastrukturës së institucioneve arsimore, kryesisht atë të arsimit fillor dhe të mesëm.
Problemet tjera të natyrës më përmbajtësore kryesisht janë lënë mënjanë, duke përfshirë problemet me metodat e vjetruara të mësimdhënies apo cilësia e teksteve shkollore. Ngjashëm, mënjanë u lanë edhe investimet në institucionet e edukimit të hershëm të fëmijëve, veçanërisht çerdhet, si institucionet më të rëndësishme në këtë fazë të edukimit — periudhë që i nxit fëmijët të zhvillojnë aftësitë e mendimit kritik, kureshtjen dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve.
Qasja e ulët e fëmijëve në edukimin e hershëm është një prej problemeve më të mëdha në sistemin arsimor të Kosovës, e evidentuar gjerësisht sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe raporteve të organizatave ndërkombëtare. Sipas MASHTI, në vitin shkollor 2023/2024 vetëm 8.9% e 107,710 fëmijëve nën moshën pesë-vjeçare ndoqën edukimin parashkollor. Ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës Botërore (BB), në vitin 2022, Kosova kishte shkallën më të ulët — vetëm 19.5% — të regjistrimit të fëmijëve të grupmoshës 0 deri në gjashtë vjet në institucionet e edukimit të hershëm dhe kujdesit për fëmijët e vegjël në Ballkanin Perëndimor.
Për fëmijët nga familjet me të ardhura të ulëta, gjendja është edhe më e rëndë. Arsyeja kryesore është mungesa e çerdheve publike. Sipas MASHTI, në tërë Kosovën janë gjithsej 62 çerdhe publike; nëntë qytete s’kanë fare çerdhe publike. Mungesa e shtrirjes së çerdheve publike kryesisht plotësohet me rreth 177 çerdhe private. Në tërësi, operojnë 239 çerdhe, të cilat nuk arrijnë t’i akomodojnë të gjithë fëmijët e kësaj grupmoshe.
Ndërkohë, një prej rrethanave që e vështirëson qasjen në çerdhe është edhe kostoja e lartë e çerdheve private në krahasim me ato publike. Çmimi për regjistrimin e një fëmije në çerdhe publike është rreth 50 euro në muaj, kurse në çerdhet private është më shtrenjtë — 80 deri në 250 euro. Çerdhet publike, ndërkohë, u japin përparësi fëmijëve që vijnë nga rrethana më të vështira socio-ekonomike, duke marrë për bazë aspekte si niveli i të hyrave, ata që vijnë nga kategoritë e luftës, apo rriten nga një prind i vetëm.
Qasja e kufizuar në çerdhe publike dhe kostot më të larta në çerdhe private, bëjnë që prindërit të mbështeten te familjarët për përkujdesje ose në rastin më të zakonshëm, përkujdesja t’u bjerë mbi supe grave.
Sipas Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, edukim i hershëm i referohet edukimit të fëmijëve për t’i stimuluar në arritjen e potencialit të tyre të plotë nga lindja deri në momentin që hyjnë në klasën e parë në shkollën fillore. Çerdhet luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve, duke ofruar ndjenjë të sigurisë dhe të stimulimit për rritjen e aftësive sociale, emocionale dhe kognitive. Në to, fëmijët kanë mundësi të zhvillojnë aftësi të rëndësishme si komunikimi, bashkëpunimi dhe menaxhimi i emocioneve, si dhe mund të zhvillojnë aktivitete edukative dhe fizike. Për shembull, PISA sugjeron se në testet e saj ndërkombëtare — në të cilat 15-vjeçarët e Kosovës rangohen në fund të listës — nxënësit që kanë ndjekur shkollimin e hershëm performojnë dukshëm më mirë.
Përveç rolit në zhvillimin e fëmijëve, çerdhet luajnë rol të rëndësishëm në integrimin e barabartë të grave në tregun e punës. Meqë atyre shpesh u bie përgjegjësia kryesore për përkujdesje ndaj fëmijëve, çerdhet do t’ua hiqnin këtë përgjegjësi, duke u mundësuar zhvillimin e karrierës dhe pavarësinë ekonomike. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2023, 75.8% e grave në moshë pune nuk janë aktive ekonomikisht, krahasuar me 42.2% te burrat. Nga 24.2 % sa është pjesëmarrja aktive e grave në tregun e punës, vetëm 19.8% janë të punësuara, krahasuar me punësimin e burrave, që arrin në 53.4%.
Në këtë situatë, institucionet e edukimit të hershëm bëhen thelbësore, sidomos për nënat vetushqyese, të cilat, pa këtë mbështetje, kufizohen në mundësitë e tyre për punë dhe zhvillim personal dhe profesional. Si të tilla, këto institucione kanë ndikim edhe në uljen e stereotipeve gjinore duke sfiduar pikëpamjet konservatore, ku roli i grave kufizohet shpesh në përkujdesjen ndaj fëmijëve.
Viteve të fundit, vëmendja te rëndësia e shtimit të numrit të çerdheve ka filluar të rritet, dhe tashmë gati të gjitha partitë politike kanë të integruara në programet e tyre zgjedhore premtime që lidhen me edukimin e hershëm. Megjithatë, programet e partive kanë ende mangësi pasi e koncentrojnë zgjidhjen e një problemi më kompleks në hapa të thjeshtë si bërja e ndërtesave dhe subvencionimi i pagesës për familjet, pa marrë në konsideratë aspekte të tjera të planifikimit efektiv dhe adresimit më të gjerë të problemit.
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2025, K2.0 analizoi planet e tri subjekteve politike më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), e cila garon në koalicion me Nisma Socialdemokrate.
LVV nuk e ka publikuar ende programin zgjedhor, andaj, K2.0 shqyrtoi hapat që ka marrë gjatë qeverisjes së vendit në katër vitet e fundit për të parë se çka mund të nënkuptojë kjo nëse VV qeverisë sërish në mandatin e ardhshëm.
Orientimi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në katër vitet e fundit
Në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje kishte publikuar një program me të cilin kishte garuar në zgjedhje, pjesë të të cilit ishin shndërruar pastaj në program qeverisës. Në fushën e arsimit, ndër të tjera, programi parashihte që qasja në edukimin e hershëm të rritej nga 7% në 24%. Këtë, LVV premtonte ta bënte me ndërtimin e 160 çerdheve të reja brenda mandatit, numër që përfshiu edhe planet për ridestinimin e hapësirave ekzistuese shkollore në çerdhe, si dhe ofrimin e lehtësirave për pagesë ose lirimin nga pagesa për familjet në nevojë.
Premtimi prej 160 çerdhesh doli të jetë ambicioz dhe u bë subjekt i kritikave nga opozita, pasi u evidentua që qeveria nuk arriti ta përmbushte këtë zotim
Ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, në mars të vitit 2024 kishte thënë se ministria kishte përfunduar ndërtimin e katër çerdheve, 18 të tjera ishin në ndërtim, kurse nëntë objekte ishin në proces adaptimi.
Për ngecjen në realizmin e premtimit për 160 çerdhe, zyrtarët e qeverisë dhe të niveleve komunale i kanë hedhur fajin njëri-tjetrit. Nagavci kishte thënë se, për ndërtimin e çerdheve nga niveli qendror, është e nevojshme që komunat të paraqesin kërkesën, së bashku me lejen dhe planin urbanistik. Por, ka pasur raste kur komunat kanë thënë që kanë paraqitur kërkesë për çerdhe, bashkë me të gjitha dokumentet e nevojshme, por ndërtimi i çerdhes nuk ka filluar as pas së paku një viti.
Sipas buxhetit të vitit 2025, janë rreth pesë milionë euro të alokuara për ndërtim të çerdheve. Por, siç ka ndodhur shpesh, projeksionet buxhetore nuk garantojnë realizimin e projekteve të përfshira në buxhet, por shpesh mbeten vetëm ndarje ideore të granteve qeveritare. Këtë e dëshmon edhe vetë bartja e mjeteve financiare nga viti në vit. Shumica e mjeteve financiare që janë alokuar për çerdhe për vitin 2025 janë të bartura nga viti 2024.
Ndërkaq, 2.8 milionë euro janë ndarë për ndërtimin e 18 çerdheve modulare, të cilat janë objekte të ndërtuara me pjesë të parafabrikuara, që montohen në vendet e destinuara, një metodë që mendohet të jetë efektive për rritjen e shpejtë të numrit të çerdheve, marrë parasysh që ndërtimi konvencional i objekteve kërkon më shumë mjete financiare dhe kohë.
Në linjën buxhetore përkatëse në buxhetin e këtij viti, çerdhet modulare planifikohet të ndërtohen në shtatë regjione — Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Prizren dhe Gjakovë. Megjithatë, nuk ofrohen më shumë detaje se si do të shpërndahen këto çerdhe nëpër komunat e përmendura dhe arsyetimi prapa tyre.
Përderisa shtimi i 160 çerdheve të reja në këtë mandat nuk është përmbushur, ky plan duket që do të ketë vështirësi në realizim edhe gjatë një mandati të ardhshëm potencial. Referencat e vetme programore për idetë e LVV mbeten premtimet publike gjatë fushatës, si dhe buxheti i vitit 2025, ku mungojnë planet e detajuara për ndërtimin e pjesës së mbetur të çerdheve nga premtimi fillestar.
Ndonëse 160 çerdhet e premtuara kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë, një lëvizje pozitive rreth përfshirjes së më shumë fëmijëve në edukim të hershëm është vënë në fund të vitit 2024. Në dhjetor, nisi pilotimi i skemës së kuponëve, që do t’i subvencionojë familjet në rajonin e Prishtinës, Lipjanit dhe Gjilanit, që përfitojnë nga ndihma e skemës sociale që dërgojnë fëmijët e tyre nga tre deri në pesë vjeç në çerdhe.
Programi do ta mbulojë pagesën për çerdhe dhe transport për gjashtë muaj, sa do zgjasë pilotimi. Sipas njoftimit të qeverisë, pilotimi është pjesë e një projekti më të gjerë të mbështetur me një kredi prej 20 milionë eurosh nga Banka Botërore. Ky projekt parasheh investime më të gjera në sektorin e edukimit të hershëm, si përmirësimin e kornizës rregullative, ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe trajnimin e mësuesve/eve dhe profesionistëve/eve të kujdesit shëndetësor.
Partia Demokratike e Kosovës
Në pjesën që flet për planet e saj për arsimin, PDK ka thënë që ka për qëllim zbatimin e një “programi kombëtar gjithëpërfshirës për zhvillimin në fëmijërinë e hershme”, por kjo pjesë është vetëm shkurtimisht e trajtuar.
Aty përmenden shkurtimisht tri elemente, që janë më konkrete: qëllimi për ta rritur ndjeshëm numrin e fëmijëve në institucione parashkollore, zgjerimin e kapaciteteve të çerdheve dhe zgjerimin e përfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara në edukimin parashkollor. Në një pjesë tjetër të programit, PDK zotohet që “të ndërmarrë një nismë të madhe për ndërtimin e çerdheve të reja në të gjitha rajonet”, por nuk ka më shumë detaje për kostot apo aspektet ttjera të planifikimit.
Pak më konkretisht është shkruar premtimi për subvencionim me 100 euro të pagesës për çerdhe private për familjet që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në institucionet publike. Mirëpo, çmimet e ndryshueshme të çerdheve në sektor privat bëjnë që një politikë e tillë e mbulimit uniform me nga 100 euro për të gjitha familjet të mos adresojë një varg sfidash që mund të dalin gjatë zbatimit të një ideje të tillë. Për shembull, programi i PDK nuk specifikon numrin e familjeve që do të mund të përfitonin nga një subvencion i tillë, shtrirjen e tyre gjeografike apo koston e programit subvencionues.
Lidhja Demokratike e Kosovës
Një program kombëtar për edukim të hershëm parashihet edhe nga LDK. Për realizimin e këtij programi, LDK premton se do ta rrisë buxhetin për ndërtimin e çerdheve me 15 milionë euro çdo vit, me premtimin për të ndërtuar 20 çerdhe në vit që do të rezultonin në 80 çerdhe brenda një mandati qeverisës me një kosto prej 60 milionë eurosh.
Marrë paraysh përvojën e qeverisë aktuale në ndërtimin e çerdheve në bazë të një premtimi ambicioz, plani i LDK-së për ndërtimin e 20 çerdheve në vit ngrit pikëpyetje për mundësitë reale të realizimit të tij. Pikëpyetjet shtohen sidomos duke pasur parasysh kostot e larta për ndërtimin e objekteve të çerdheve dhe kohën e kërkuar për ndërtimin e tyre. Për shembull, në shtator të vitit 2023, qeveria kishte nënshkruar kontratën për ndërtimin e një çerdheje në fshatin Godanc të komunës së Shtimes. Procesi i ndërtimit, që kishte filluar një muaj më vonë, parashihet të zgjasë dy vite nëse punimet kryhen brenda afatit të paraparë. Kostoja e projektit, sipas kontratës, është më shumë se 400,000 euro.
Ndërkohë, në zonat ku ekzistojnë shkolla me hapësira të pashfrytëzuara, LDK premton që do të investojë në përshtatjen e këtyre hapësirave për të shërbyer si çerdhe, por nuk ofron më shumë hollësi për këtë premtim.
Gjithashtu, sipas programit, LDK premton përfshirjen e 95% të fëmijëve të grupmoshës 3-5 vjeç në edukimin e hershëm, një plan ambicioz, por që sërish ngrit pikëpyetje për mundësinë reale të realizimit të tij teksa shkalla aktuale e përfshirjes së kësaj grupmoshe për vitin 2023/24 ishte 36.8%.
Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate
Programi i koalicionit të AAK dhe NISMA për arsimin është i shkruar në një gjuhë të përgjithësuar, ku përmenden në mënyrë të përgjithshme propozime për probleme të ndryshme në arsim, por programi nuk shquhet për ndonjë propozim substancial të politikave konkrete.
Në programin e AAK-së nuk ka fare pjesë që trajton problemin që ka Kosova me qasjen e ulët të fëmijëve në edukimin e hershëm. Megjithatë, zyrtarë të kësaj partie, në deklaratat e tyre publike gjatë fushatës kanë përmendur idenë e zbatimit të një programi për ndërtimin e çerdheve modulare, që sipas tyre, do të ndërtohen brenda 40 ditësh.
Por, ngjashëm si në disa raste të partive të tjera, mungon një studim serioz i gjendjes aktuale që do ta vendoste në kontekst premtimin për ndërtimin e çerdheve të reja e do ta bazonte në matës konkretë të nevojave në terren, në tregues të kostos financiare e kohëzgjatjes së projekteve.
Çka mund të nxjerrim nga këto programe zgjedhore
Në programet e tyre zgjedhore, partitë më të mëdha politike nuk e kanë injoruar problemin me qasjen e ulët në edukimin e hershëm, por vërehet një qasje sipërfaqësore ndaj një problemi serioz. Partive u mungon një qasje holistike dhe një vizion më largpamës, sidomos një që lidh rritjen e qasjes në edukim të hershëm me integrimin e grave në tregun e punës.
Çerdhet modulare duken si ide kreative për zgjidhjen e problemit nga pikëpamja e urgjencës për veprim në këtë drejtim, marrë parasysh rëndësinë e edukimit të hershëm dhe nevojës së plotësimit të nevojave infrastrukturore me një ritëm më të lartë sa se që është bërë në dekadat e fundit.
Meqenëse Kosova është ende në fillim të ndërtimit të një rrjeti të mirëfilltë të çerdheve publike, institucionet kanë rastin që, duke ndërmarrë hapat e duhur, të ndërtojnë një sistem të mirëfilltë të edukimit të hershëm që përfshin të gjithë fëmijët, duke mos harruar edhe rajonet jashtë qendrave më të mëdha urbane ku investimet publike arrijnë me shumë vështirësi.
Një element tjetër i përmendur shkarazi në programet e partive, por i patrajtuar si duhet, është qasja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në edukimin e hershëm. Ky problem kërkon trajtim më përmbajtësor, përtej nevojave infrastrukturore.
Ndërtesat dhe kushtet tjera infrastrukturore, megjithëse të nevojshme, nuk janë nevoja e vetme dhe nuk adresojnë mangësitë serioze në këtë fushë, gjë që dëshmohet në nivelet më të larta të arsimit ku gjendja me infrastrukturën është më e mirë, por sistemi nuk arrrin të përmbushë obligimet që ka ndaj nxënësve.
Imazhi: Dina Hajrullahu / K2.0