Në thelb | Zgjedhjet 2025

Zotimet e partive politike për zhvillimin e AI dhe TIK

K2.0 analizon programet zgjedhore.

Gjatë dekadës së fundit, Kosovës i është dhënë shpesh epiteti i qendrës teknologjike në Ballkanin Perëndimor, falë rritjes së shpejtë të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), përfshirë inteligjencën artificiale (AI). Ky sektor ka tërhequr mijëra të rinj/reja e po ashtu ka tërhequr themelimin e dhjetëra kompanive lokale, të cilat tashmë eksportojnë shërbime teknologjike për tregun e jashtëm.

Në vitin 2023, në Kosovë operonin 1,950 kompani që ofronin shërbime të TIK, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 930 kompani, sa ishin në vitin 2020. Rritja më e madhe e sektorit u shënua në vitin 2022, kur u shtuan mbi 700 kompani të reja, duke reflektuar një interes dhe investim të lartë në këtë industri.

Të rinjtë dhe të rejat nga mosha 15 deri në 30 vjeç — të cilët/at përbëjnë pak mbi 23% të popullsisë — e shohin këtë sektor si një mundësi tërheqëse, jo vetëm për zhvillimin profesional, por edhe për përparësitë ekonomike që ofron. Sipas Institutit GAP, në prill 2024, paga mesatare për 50% të programerëve/eve në Kosovë ishte mbi 1,000 euro — gati dyfish më e lartë se paga mesatare në vend prej 570 euro. Kjo statistikë tregon potencialin e këtij sektori për të krijuar vende pune të mirëpaguara.

Në vitin 2023, shërbimet e TIK-ut përbënin 9.6% të eksporteve totale të shërbimeve të Kosovës, duke e vendosur këtë sektor si një nga eksportuesit kryesorë të vendit dhe një nga sektorët e vetëm ku më shumë eksportohet sesa importohet. Gjatë dekadës së fundit, eksporti i shërbimeve të TIK është rritur nga 59.8 milionë euro sa ishte në vitin 2013, në 284.2 milionë euro në vitin 2023 — një rritje prej gati 375%. 

Ky progres është rezultat i aftësimit të fuqisë punëtore dhe integrimit të kompanive vendase në tregun global. Përveç kësaj, sektori vazhdon të tërheqë investitorë të jashtëm, kryesisht për shkak të fuqisë punëtore me kosto më të ulët në krahasim me tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, zhvillimi i këtij sektori është udhëhequr pothuajse tërësisht nga sektori privat, pa ndonjë strategji institucionale që do të kapitalizonte këtë potencial e që, për shembull, do të rriste investimet në këtë sektor apo në sistemin publik të edukimit që të ofrojë këto shkathtësi. I njëjti trend vërehet edhe në edukimin joformal në këtë fushë. Përgatitja profesionale në fushat e TIK dhe AI ndodh kryesisht përmes kurseve të ofruara nga kompani digjitale vendase dhe platforma online, më shumë sesa nga institucionet arsimore publike.

Në fakt, motori kryesor i zhvillimit të aftësive digjitale në Kosovë kanë qenë pikërisht këto kompani private. Në dekadën e fundit, ato kanë ofruar kurse të panumërta për përgatitjen e fuqisë punëtore në sektorin e TIK-ut, duke nisur që nga fëmijët pesë-vjeçarë e deri te studentët/et në të njëzetat. Shumë prej këtyre trajnimeve janë krijuar fillimisht për të plotësuar nevojat e vetë kompanive për kuadro të reja, por efektet janë përhapur në të gjithë tregun e punës, duke ndikuar në përgatitjen e një gjenerate të re profesionistësh/esh të teknologjisë në Kosovë.

Ndryshe nga nismat e udhëhequra nga sektori privat në edukimin joformal, sistemi i edukimit formal në Kosovë mbetet larg të të ofruarit të shkathtësive të nevojshme për epokën digjitale. 

Ky realitet nxjerr në pah një paradoks të thellë: pavarësisht depërtimit pothuajse absolut të internetit në Kosovë prej 96%, shkollat publike vazhdojnë të jenë shumë prapa në shfrytëzimin e teknologjisë për arsimin. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në vitin 2021 nga gjithsej 1,058 objekte të institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese (IEAA) publike në vend, vetëm 705 prej tyre, apo 66.64%, kanë qasje në internet. Edhe aty ku ka internet, ai shpesh është i kufizuar vetëm në zyrat e personelit dhe, në raste më të rralla, në kabinetet e TIK-ut.

Më shqetësuese është mungesa e pajisjeve teknologjike në shkollat publike. Të gjitha IEAA-të publike në Kosovë kanë gjithsej vetëm 9,138 kompjuterë, që përkthehet në një raport prej një kompjuteri për 35 nxënës (9,138 kompjuterë për 320,000 nxënës). 

Infrastruktura digjitale

Për 320,000 nxënës në sistemin publik të edukimit ekzistojnë:

1,753 projektorë,
191 ekrane digjitale,
502 televizorë të mençur,
727 makina fotokopjuese,
851 printerë,
247 tabletë dhe
11 skanerë

Për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e vendit në fushat e AI dhe TIK-ut, nevojiten politika të qarta nacionale që investojnë në to në disa nivele. Kjo përfshin krijimin e programeve të trajnimit për AI, fuqizimin e edukimit fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, njohur si STEM, në shkollat publike dhe thellimin e bashkëpunimit mes sektorit privat dhe fakulteteve. Aftësimi i të rinjve/rejave në këto fusha do të mundësonte krijimin e një tregu pune konkurrues dhe të adaptueshëm ndaj inovacioneve teknologjike. 

Inovacioni është i pranishëm në programet zgjedhore të partive politike, por në shumicën e rasteve përmendet vetëm si fjalë në kontekst të premtimeve për fushën e teknologjisë. Ndërkohë, inovacioni, si koncept dhe proces i gjetjes së mënyrave të reja për të zgjidhur probleme, kryesisht mungon.

Ndërkohë që sektori privat vazhdon të jetë motori kryesor i zhvillimit teknologik në Kosovë, partitë politike, bazuar në atë që shihet nga programet zgjedhore, nuk kanë plane të qarta se si do ta mbështesin këtë sektor. Sfidat me të cilat përballen punëtorët e këtij sektori janë fare të patrajtuara. Për shembull, një problem që haset vazhdimisht gjatë punës së profesionistëve vendorë me kompanitë jashtë vendit — sidomos punëtorëve të pavarur nga kompanitë vendore — është mungesa e metodave efikase të pagesave. Platformat si PayPal ende nuk e pranojnë Kosovën, dhe partive u mungojnë ide se si mund të zgjidhej ky dhe probleme të tjera të ngjashme konkrete.

K2.0 analizoi planet e katër subjekteve politike më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), e cila garon në koalicion me Nisma Socialdemokrate.

Lëvizja Vetëvendosje

Gjatë mandatit qeverisës, LVV nuk pati ndonjë fokus të veçantë në investime dhe mbështetje në sektorin e TIK, veçanërisht në mbështetjen e sektorit privat.

U përurua një park teknologjik, por ai ishte projekt i nisur nga qeveritë e mëparshme. Në tetor 2023, u përurua Parku për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina” në Bërnicë, një investim prej 1.2 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë. Kjo hapësirë iu dha Shoqatës për Teknologji Informative dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK) për shfrytëzim për një periudhë pesë-vjeçare, me synimin për të nxitur inovacionin dhe ndërmarrësinë në sektorin e teknologjisë.

Ideja prapa parkut teknologjik është krijimi i lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat, shtetit, shoqërisë civile dhe akademisë, duke krijuar mundësi më të mira trajnimi dhe punësimi.

Ndërkohë, nismë nga LVV ishte mbështetja e shkollimit të vajzave dhe grave në fushat e STEM në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë. Në këtë drejtim, qeveria ndau bursa në vlerë prej 1,000 eurosh për studente të STEM, duke synuar të inkurajojë pjesëmarrjen e tyre në këto fusha.

Ndërkaq, për dallim prej programeve gjatë dy fushatave të fundit për zgjedhjet e përgjithshme, LVV këtë herë ka publikuar një program zgjedhor me më pak hollësi. Në kapitullin “Inovacioni dhe Teknologjia” figurojnë vetëm dy paragrafë, të cilët flasin për krijimin e një valute digjitale dhe mbështetje për industrinë e TIK. Në këtë të fundit, programi i LVV është i fokusuar vetëm në ndërtesa; aty flitet për ideimin dhe ndërtimin e një “ICT Tower” (Kulla TIK) si investim publik në qendër të kryeqytetit, për kompanitë që tregohen të suksesshme në rritjen e punësimit. 

Shembuj të tillë të krijimit të hapësirave të dedikuara për të rinjtë/rejat që duan të merren me këtë fushë ka pasur gjithnjë në vendet e rajonit, për shembull Piramida në Tiranë. Në Piramidën e Tiranës u zhvendos qendra e inovacionit TUMO Tirana. Ajo u hap në vitin 2020 nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Tani, qendra TUMO mëson fëmijë të grupmoshës 12 deri në 18 vjeç. Qëllimi i saj është t’u ofrojë fëmijëve mundësinë për të zhvilluar aftësitë e tyre digjitale.

Por mënyra e shfrytëzimit për këtë lloj hapësire në Prishtinë nuk është trajtuar fare në programin zgjedhor të LVV-së, duke ngritur më shumë pyetje se që janë dhënë përgjigje, dhe duke bërë kështu që premtimi të shihet vetëm si ide në letër e patrajtuar si duhet. Po ashtu, është e paqartë, për shembull, se çka do të ketë ndryshe ICT Tower me Parkun e Teknologjisë, të hapur në vitin 2023. 

E njëjta gjë vlen edhe për “mbështetje për hapësira e objekte në qytetet kryesore”, fjali e shkruar pas asaj për Kullën TIK, por që sërish mungojnë sqarime për qëllimin dhe mënyrën e funksionimit të këtyre ndërtesave dhe hapësirave.

Krahas premtimit për një Kullë TIK, programi zgjedhor i LVV shpërfill në tërësi qendrat ekzistuese nëpër vend, sidomos në Prishtinë, që veç janë konsoliduar si pika kyçe për të rinjtë/rejat që drejtohen në këtë profesion dhe kompanitë lokale që nuk kanë nevojë për objekte shtesë. Një prej tyre është Qendra e Inovacionit e Kosovës (ICK), e cila prej vitit 2012, ka shërbyer si qendër trajnimi në këto fusha, inkubator i start-ups me bazë në AI, e edhe qendër ndërlidhëse mes të rinjve dhe tregut të punës. 

Ndërkaq, në program nuk përmendet askund digjitalizimi i institucioneve arsimore. Në prill të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar për ndarjen e një buxheti prej 18 milionë eurosh për një periudhë tre-vjeçare, dedikuar blerjes së pajisjeve digjitale për shkollat. Digjitalizimi i arsimit është identifikuar si një nga pesë objektivat kryesore në Strategjinë e Arsimit 2022-2026.

Strategjia përfshin pesë drejtime kryesore për digjitalizimin e arsimit: krijimin e një platforme digjitale gjithëpërfshirëse dhe të centralizuar për fushën e arsimit, përgatitjen e materialeve mësimore digjitale për të gjitha nivelet, furnizimin e institucioneve arsimore me internet cilësor dhe pajisje teknologjike, kultivimin e kompetencës digjitale te të gjitha palët e përfshira në arsim, dhe krijimin e mekanizmave institucionalë që mundësojnë realizimin e digjitalizimit. 

Megjithatë, deri më tani, disa nga këto nisma ende nuk janë zbatuar plotësisht, si për shembull digjitalizimi i shkollave. Ndonëse ka nisur si projekt në vitin 2023, në buxhetin e miratuar për 2025, shihet se shumë mjete financiare për digjitalizimin e shkollave janë bartur nga viti 2024.

PDK

PDK nuk e trajton gjerësisht sektorin e TIK dhe të AI, anipse integrimin e kësaj të fundit e premton në sektorë të ndryshëm si në atë të mbrojtjes apo shërbimeve publike.
Diçka më specifikisht parasheh te krijimi i qendrave për kërkim dhe zhvillim, funksionimin e së cilave i ka paraparë në bashkëpunim mes universiteteve dhe kompanive.

PDK premton krijimin e një kornize strategjike që do të udhëheqë krijimin e këtyre qendrave. Këto qendra, sipas PDK, do të nxisin bashkëpunimin mes universiteteve dhe kompanive, duke theksuar inovacionin në fusha kyçe si AI. 

PDK i sheh qendrat për kërkim dhe zhvillim si inkubatorë për teknologji, që do të kishin synim rritjen industriale dhe përmirësimin e konkurrencës globale të Kosovës. Megjithatë, pjesa tjetër e planifikimit mbetet e paqartë. Sipas tyre, ata do të ofrojnë stimuj për bashkëpunim mes universiteteve dhe sektorëve privatë për të orientuar hulumtimet drejt fushave si AI.

Pjesa tjetër e programit për këtë çështje është kryesisht e trajtuar pa thellësi. Në program, PDK e përmend në disa sektorë integrimin e AI, por pa dhënë detaje shtesë për zbatim. Po ashtu, programi zgjedhor i PDK nuk parasheh mbështetje për sektorin privat që është pika nismëtare e inovacionit në këtë fushë, e as nuk parasheh plan specifik investimi për rritjen e potencialit për eksportimin e shërbimeve në sektorin e TIK & AI.

Sa i përket digjitalizimit të sistemit arsimor, PDK premton sigurimin e laptopëve për nxënësit/et dhe mësuesit/et, integrimin e tyre me Microsoft Office 365, vendosjen e tabelave të mençura në klasa dhe implementimin e një Sistemi të Menaxhimit të Mësimit (LMS) në çdo shkollë. Përveç kësaj, plani i PDK premton integrimin e AI dhe asistentëve digjitalë për të mbështetur mësimin e përshtatur dhe për të ofruar edukim të personalizuar.

Megjithatë, PDK nuk ofron ndonjë plan të hollësishëm kohor a buxhetor për realizimin e këtij premtimi. Integrimi i IA dhe asistentëve digjitalë duket si plan ambicioz për t’u realizuar në një sistem arsimor që nuk ka as qasje të plotë në internet.

LDK

LDK ua ka dedikuar disa seksione të programit zgjedhor planeve për sektorët e TIK dhe AI, të cilat variojnë prej themelimit të Ministrisë së Teknologjisë, prezantimin e kornizave të reja ligjore deri te futja e lëndës së kodimit në shkolla fillore.

Ministria e Teknologjisë, sipas LDK, do ta ketë fokusin te inovacioni dhe zhvillimi strategjik, dhe premton të investojë në zhvillimin e sektorit të TIK përmes trajnimit të fuqisë punëtore, mbështetjes së bizneseve teknologjike dhe “krijimit të infrastrukturës së nevojshme për inovacion”.

LDK premton ndarjen e 80 milionë eurove për financimin e trajnimit të ekspertëve të teknologjisë dhe programuesve të rinj, duke synuar të trajnojë 35 deri në 40,000 të rinj brenda një mandati qeverisës. Por, nuk ekziston strategji e qartë se si do bëhet lidhja e personave të trajnuar me tregun e punës. Gjithashtu, LDK nuk e bën të qartë ndërlidhjen me sektorin privat, marrë parasysh që trajnimet për punë në këtë sektor tashmë bëhen gjerësisht nga kompanitë private.

Për të mbështetur rritjen e bizneseve teknologjike dhe nxitjen e inovacionit, LDK premton ta krijojë një Tech Fond (Fond të Teknologjisë), mekanizëm financiar që do të ofrojë kapital, borxhe dhe grante për start-up dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorin e TIK-ut. Sipas LDK, ky fond do të sigurojë gjithashtu asistencë teknike, mentorim dhe zhvillim biznesi për kompanitë me potencial për rritje dhe ndikim social. Krahas kësaj, LDK premton draftimin e Ligjit për Investitorët Engjëj. 

Ky ligj do të ofrojë lehtësime tatimore për investitorët që financojnë bizneset e fazës së hershme, duke ulur rrezikun dhe duke nxitur investimet në sektorin e teknologjisë. Sipas LDK, universitetet, në bashkëpunim institucionet e teknologjisë, do të vendosin mbi inovacionin e një projekti dhe do t’i mbështesin nismat start-up më premtuese. Për të thjeshtuar procesin, LDK propozon krijimin e një portali online, ku nismat start-up mund të regjistrohen dhe të lidhen drejtpërdrejt me investitorët e interesuar.

Për të forcuar më tej ekosistemin teknologjik, LDK premton të ndërtojë Parkun Teknologjik më të madh në rajon, i cili do të vendoset në Prishtinë dhe do të shërbejë si qendër për kompanitë teknologjike dhe institucionet hulumtuese. Por, është e paqartë përfshirja e këtij premtimi në programin zgjedhor të LDK teksa një park i tillë veç ekziston në Prishtinë. 

Në sistemin arsimor, LDK planifikon ta inkuadrojë lëndën e kodimit si të detyrueshme në shkolla fillore. Para inkuadrimit të kësaj lënde, LDK premton ta ngrisë infrastrukturën digjitale në të gjitha shkollat e Kosovës me një buxhet prej 20 milionë eurosh.

Ndërkohë, për AI, LDK ka premtuar krijimin e një programi kombëtar në këtë fushë me një investim prej 15 milionë eurosh. Sipas LDK, ky program do të ketë detyrë zbatimin e disa politikave, ku përfshihen krijimi i një strategjie kombëtare të AI për Kosovën, krijimi i një qendre kërkimore, promovimi i përdorimit të AI në sektorin publik dhe privat, zhvillimin e talentit dhe përdorimin etik të AI. 

LDK e ka lidhur potencialin e AI me “ekonominë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve”, por seksionet e ndryshme brenda premtimit janë të trajtuara vetëm shkurtimisht. 

Në shumë raste përmendet fakti që AI mund të sjellë përfitime për shoqërinë “për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve”, por nuk jepen sqarime më konkrete se si mund të përfitojë ekonomia e Kosovës nga një ide e tillë, apo cilat janë fushat kryesore ku AI do të mund të përdorej për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

AAK

AAKs ka paraparë krijimin e një “kampusi” me shkollë të mesme dhe universitet “madhështor” në pjesën e programit zgjedhor që trajton fushën e teknologjisë. Megjithatë, programi nuk sqaron më tutje se si është menduar një nismë e tillë dhe cilat probleme synon të zgjidhë.

Ngjashëm, AAK ka premtuar se do të ofrojë trajnime të vazhdueshme falas për të gjithë mësimdhënësit/et, me fokus në disa fusha, përfshirë STEM.

Çka mund të nxjerrim nga këto programe?

Programet zgjedhore të partive politike në këtë fushë të krijojnë përshtypjen që ato kanë qenë të interesuara të përfshijnë sa më shumë ide që të tërheqin sa më shumë grupe shoqërore. Por, përkundër shumësisë së ideve, problemet problemet ekzistuese nuk adresohen tërësisht.

Këto ide per premtime që variojnë prej më të thjeshtës, ndërtimi i një Kulle TIK, programet me dhjetëra nisma të reja e deri te më të ndërlikuarat si themelimi i një Ministrie të Teknologjisë.

Premtimet e disa prej partive politike për “ndërtesa” sugjerojnë për mosnjohje të mjaftueshme të problemeve në këtë fushë, pasi hapësira fizike në vetvete nuk është sfida më e madhe në një profesion që bazohet kryesisht në punë përmes internetit dhe kompanitë private veçse mund të sigurojnë hapësirat e nevojshme për funksionimin e aktivitetit të tyre ekonomik. 

Po ashtu, ofrimi i trajnimeve të veçanta nga shteti për punëtorë që do të punojnë në sektorin privat pa bashkëpunim të ngushtë me vetë këtë sektor mund të krijojë paqartësi të tjera.

Për shembull, institucionet kryesore për trajnimin e punëtorëve për punë në këtë fushë sot janë kompanitë private, të cilat trajnojnë kuadro në bazë të kërkesës së tregut dhe nevojave që mund t’i kenë kompanitë e tyre. Ndërkohë, trajnimi i kuadrove nga shteti pa identifikimin paraprak të këtyre nevojave, mund të krijojë një fuqi punëtore që s’funksionon në treg.

Ndërkohë, ndërsa sistemi arsimor publik, përfshirë prej shkollave të nivelit më të ulët deri te fakultetet e universitetit publik kanë mbetur shumë prapa në këtë drejtim dhe janë gjithnjë e më pak tërheqëse për studentët, partitë dështojnë të ofrojnë ide se cili duhet të jetë pozicioni i shkollimit publik në këtë fushë.

 

Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu/K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.