Në thelb | Të drejtat e njeriut

Anita Mitic – të jetuarit si aktiviste

Nga - 09.03.2017

Aktivistja për të drejtat e njeriut në Beograd e cila nuk hesht.

Për shumëkënd ajo është tradhtare, derisa për të tjerë mbrojtëse e drejtësisë. Për Anita Mitic kundërthëniet janë përditshmëri.

Si drejtoreshë e zyres së Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Beograd, aktivizmi i saj zor se mund të fitojë simpatinë e politikanëve kyç serbë apo mbështetësve të tyre nga radhët e mediave proqeveritare. Por edhe me standardet e saj, fillimi i 2017-ës është karakterizuar me ngjarje të llojllojshme.

Vetëm në javët e para të vitit, Mitic e kanë ofenduar zyrtarët më të lartë qeveritarë duke kërkuar edhe arrestimin e saj; mediat e kanë cilësuar si ‘spiune të huaj’, ndërsa vetura dhe zyra e saj u vandalizuan, derisa tetë kolegët e saj aktivistë u sulmuan fizikisht. E gjithë kjo, për shkak se guxoi të flasë kundër mënyrës me të cilën vendi i saj po dështon t’i adresojë krimet historike të kryera gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Po dëgjoj me plot interesim se në uebfaqen dhe biografinë e saj, Anita Mitic me krenari thotë se gjithçka nuk është normale në Serbi, dhe thotë se ajo u përndrit kur e vizitoi Kosovën në vitin 2009”, tha me cinizëm Dragan Vuçiqevic, kryeredaktor i njërës prej të përditshmeve më të lexuara serbe “Informer”, gjatë debatit televiziv të kanalit TV Pink që u mbajt në fund të janarit. Pasi e ritheksoi mbështetjen e tij për Aleksandar Vucic, Vuçiqevic vazhdoi duke i thënë Miticit se gabimi i vetëm i kryeminisrit ishte që “po i lejon ata dhe njerëzit si puna e tyre të thithin fonde… për të krijuar kaos në vend dhe për (të zhvilluar) fushata antiserbe”.

Udhëheqësi i mediumit proqeveritar i referohej protestës së fundit të organizuar nga zyra e YIHR-së në Serbi gjatë debatit të organizuar nga Partia Përparimtare Serbe (PPS), si pjesë e një fushate parazgjedhore në qendrën kulturore të lagjes Beshka. “Ata e ndaluan tubimin në mënyrë fashiste dhe naziste”, theksoi ai, duke iu referuar aktivistëve të cilët po e kundërshtonin faktin se partia në pushtet e kishte ftuar të dënuarin për krime lufte, Veselin Shlivancanin, të fliste në këtë tubim. Shlivancanin, ish oficer i Armatës Popullore Jugosllave (JNA), u dënua për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi më 2007, për rolin e tij në masakrën e Vukovarit në vitin 1991, në të cilën të burgosurit dhe civilët kroatë u torturuan dhe u vranë nga forcat e JNA-së dhe nga paramiliatrët serbë.

"Besoj se është e rëndësishme të kemi diskutim, por nuk ka diskutim me kriminelë lufte".

Anita Mitic

Kur Shlivancanin nisi të fliste në tubimin e partisë qeveritare, Mitic dhe aktivistët tjerë filluan të fishkëllonin me filikaqa dhe zbuluan një pankartë në të cilën shkruante “Kriminelët e luftës duhet të heshtin që viktimat të flasin!”. Ata menjëherë u sulmuan nga trupmëdhenjtë e partisë dhe u larguan me forcë nga tubimi.  Disa aktivistë u lënduan dhe u dërguan në spital, derisa Mitic u largua me veturën e dëmtuar.

“Besoj se është e rëndësishme të kemi diskutim, por nuk ka diskutim me kriminelë lufte”, thotë Mitic me vendosmëri. “Sepse ju e patët kohën tuaj në gjykatë, i patët avokatët tuaj, u dënuat dhe më vjen keq, po s’kemi çka flasim më”.

Në ditët që pasuan, Mitic dhe aktivistët tjerë të YIHR-së nisën të linçohehn publikisht, derisa partia e kryeministrit i etiketoi si tradhtarë të cilët duhen arrestuar, derisa mediat proqeveritare i dhanë asaj ngjyrime të një merceneraje të paguar nga fondet e huaja “për të krijuar kaos në krejt Sërbinë” dhe për të shkaktuar “terror të errët, fashist”.

Pas kësaj, Miticit i drejtuan shumë ofendime e kërcënime, duke përfshirë edhe kërcënime me vdekje, por pavarësisht kësaj ajo nuk ndjen keqardhje. “Jam e dëshpëruar dhe jam absolutisht e tërbuar”, thotë ajo. “Por më vjen mirë që e kemi bërë këtë sepse më në fund i kemi shtyrë njerëzit të flasim për dy gjëra të rëndësishme”.

Për Miticin është e rëndësishme se me mbulueshmërinë e gjithanshme mediale pas sulmit, shoqëria serbe nisi të flasë për krimet e luftës të cilat ishin kryer si dhe për rolin e kryesëve të tyre në publik, si dhe doli në pah “fytyra e vërtetë” e Vucic dhe partisë së tij.

“Nuk mund të shtirresh se je pro-europian dhe pastaj t’i rrahësh aktivistët e t’i promovosh kriminelët e luftës — nuk shkon kështu”, thotë ajo. “Mesazhi më i rëndësishëm këtu është se ne nuk jetojmë në një shoqëri shumë demokratike përderisa shkon e u jep dajak kundërshtarëve politikë”. Në demokraci, kjo nuk u bëhet aktistëve të të drejtave të njeriut”.

Anita Mitic ia ka caktuar vetës misionin të flasë kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut, një vendim i cili e vuri në shënjestër të autoriteteve serbe dhe të mediave proqeveritare. Foto nga Anita Mitic.

Organizatat për të drejtat e njeriut vazhdimisht theksojnë se Serbia duhet të ballafaqohet me rolin e saj në luftërat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë edhe ndjekjen e zyrtarëve të lartë të përfshirë në krime lufte. Presidenti Tomisllav Nikolic dhe Kryeministri Aleksandar Vucic kritikohen në veçanti për shkak të mbrojtjes dhe lavdërimit të kriminelëve të dyshuar dhe të dënuar për krime lufte.

Mitic është e vetëdijshme se hapja e diskutimeve për krime lufte të orkestruara nga Milloshevici në vitet ’90 mund ta rrezikojnë sigurinë e saj dhe të kolegëve të saj. Disa ditë pas sulmeve në Beshka, ajo doli në punë dhe në hyrjen kryesore gjeti letra të ngjitura ku shkruante “Për një grusht parash (të huaja) e shitën atdheun e tyre, nënën dhe babain e tyre”.

Por ajo është e vendosur të mos zmbrapset dhe të mos ndalet së luftuari për atë që ajo beson se është e drejtë.  “Unë ende besoj se ia vlen, sepse jetojmë në këtë shoqëri dhe në këtë vend i cili është plot frikë dhe pengesa kryesore për të ndryshuar diçka është frika”, thotë ajo. “E kam përshtypjen se ne i frymëzojmë njerëzit të mos dorëzohen dhe sa herë që ka diçka që s’është në rregull, të zgjihen e të thonë se s’është në rregull. Nuk mund të kesh kriminelë në vende publike, dhe kjo ishte në një qendër kulturore e cila është institucion publik i financuar nga populli”.

Unë jam zemra e Serbisë — kujdesu për mua!

Mitic, e cila tani është 26-vjeçare, u lind dhe u rrit në Beograd. Sa ishte e vogël, ishte e vetëdijshme se qyteti i saj tërhiqte shumë vëmendje, me protesta të rregullta kundër Milloshevicit nëpër rrugët kryesore. Megjithatë, ajo as që e kishte idenë se po jetojnë në zemër të një regjioni i cili po katandisej nga luftërat e përgjakshme.

Duke shikuar në retrospektivë, i dalin në pah dy kujtime nga fëmijëria. I pari është dita kur nëna e saj, dentiste, u kthye nga puna dhe tregoi rrëfimin e njërit prej pacientëve të saj i cili po thoshte se “njerëzit në Sarajevë po kultivojnë domate në ballkonët e tyre”. Ishte kjo gjatë shtetrrethimit katervjeçar të Sarajevës, gjatë së cilit qytetarët e kryeqytetit të Bosnjës e Hercegovinës ishin ngujuar nga forcat serbe dhe u ishin ndërprerë krejt furnizimet — si fëmijë i vogël nuk e kuptonte domethënien e kësaj.

Pastaj në vitin 1999 — kur ishte 8-vjeç — i kujtohet të ketë dëgjuar për kamionin-frigorifer që transportonte trupa i cili kishte rënë në lumin Danub. Më vonë, u zbulua se kamioni bartke trupa shqiptarësh të Kosovës të cilët ishin nxjerrë nga varrezat për t’u transportuar dhe hedhur në lumin afër kufirit me Rumaninë; dy vite më vonë, trupat ishin më mesin e 700 viktimave kosovare të cilat u zbuluan në tokën nën menaxhim të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Batajnicë, afër Beogradit.

Megjithëse këtë nuk e kuptonte në atë kohë, këto ngjarje më vonë ndikuan në rrjedhën e jetës së saj.

Në shkurt të vitit 2008, Mitic po i përcillte festimet në Prishtinë nëpërmjet televizorit, ndërsa Kosova e shpalli pavarësinë e saj.  “Oh, sa do të doja ta shihja këtë monument veç njëherë, por kjo s’ka për të ndodhur”, ishin fjalët e Mitic që po i thoshte motrës së saj pasi e pa se si po zbulohej monumenti i pavarësisë “NEWBORN” në kryeqytetin e Kosovës.  “Kështu mendova, sepse (ma merrte mendja) se nuk mund të shkonim në Kosovë”.

"Po e vija në pikëpyetje gjithë jetën time, shkollimin, prindërit, dhe gjithçka për të arritur deri te e vërteta".

Anita Mitic

Disa muaj më vonë, derisa po ecte rrugëve të qytetit të saj e pa një djalë duke mbajtur një letër ngjitëse në krahë me slloganin: “Unë jam zemra e Sërbisë. Kujdesu për mua”. Këto fjalë të thjeshta shprehnin mënyrën se si ndihej Mitic; ajo shqetësohej sa herë që e dëgjonte mantrën tashmë të përsëritur sa e sa herë “Kosova është zemra e Sërbisë”, megjithëse në atë kohë nuk e kuptonte arsyen. “Thjesht, ndjeva se diçka s’ishte në rregull me këtë”, tha ajo.

Mitic pa se djaloshi me sllogan ishte aktivist i YIHR-së.  Ajo nisi të bënte kërkime për këtë organizatë, u shkruajti dhe shumë shpejt u bë njëra prej vullnetareve të saj. Gjatë kësaj kohe, ajo përcolli një ligjëratë për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe për ngjarjet që pasuan; ajo ishte 18-vjeç dhe po studionte shkenca politike në Universitetin e Beogradit, por ishte kjo hera e parë që po dëgjonte për mizoritë që shteti serbë i kishte kryer në Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë.

“U ndjeva e manipuluar nga të gjithë, që nuk po flisnin për këtë, sepse krejt çka dëgjoje ishin disa thashethëme dhe disa njerëz”, thotë ajo.  “Gjyshi im ishte kroat, nëna ime dhe unë kemi familje (në Kroaci), dhe unë ende nuk kam njohuri për luftën. E dija se nëna ime nuk mund të shkonte në Kroaci (kur isha më e vogël) por nuk e dija arsyen”.

Por ishte vizita e parë në Kosovë ajo që kishte ndikim më të madh tek ajo. Vetëm një vit pasi i kishte thënë motrës së saj se mbase kurrë nuk do të kishte mundësi ta shihte monumentin NEWBORN, ajo u gjend në mes të Prishtinës duke u shoqëruar me shqiptarë të Kosovës në bare e kafeteri të kryeqytetit. Udhëtimi ishte organizuar nga zyrat e YIHR-së në rajon, si pjesë e njërit prej dhjetëra programeve të organizuara për të rinjtë, që kur kjo organizatë u themelua më 2003, me qëllim të shpeshtimit të komunikimit ndërmjet shoqërive të ndara.  

“Kosova ishte paragjykimi im më i madh — paragjykimi ndaj shqiptarëve. Ndodh të dëgjosh rrëfime për bregdetin kroat dhe për lojërat Olimpike në Sarajevë, por askush kurrë nuk flet për Prishtinën”, thotë Mitic, duke theksuar se mbulueshmëria mediale e Kosovës përbrenda Serbisë kishin pasur ndikim në përshtypjet e saj. “Dhe kur shkova në Prishtinë për herë të parë, takova aktivistë nga YIHR-ja në Kosovë të cilët tash i kam miq të mirë. Kjo është e hera e parë në jetë që (i thoja vetes): ‘Tash, nëse kjo është një gënjeshtër aq e madhe që po ma tregonit gjatë gjithë jetës, cilat qenkan pra gënjeshtrat tjera?”

Mitic nuk kishte ndonjë ide të qartë për Kosovën para se ta vizitonte atë si pjesë të udhëtimit të organizuar nga YIHR-ja. Ishte kjo një përvojë e cila, siç thotë ajo, e bëri ta vinte në pikëpyetje çdo gjë që i kishin thënë më parë. Foto nga Anita Mitic.

Në Kosovë ajo dëgjoi rrëfime për një dekadë të tërë segregacioni gjatë viteve ’90, për shtëpi-shkolla, përvoja të spastrimit etnik dhe deportimit, dhe për ata të cilët i shpëtuan masakrave të orkestruara nga forcat sërbe.

“Dhe pikërisht në këtë moment nisa të dyshoja në gjithçka që më kishin mësuar, sepse u dashurova në Prishtinën mu në shikim të parë”, thotë ajo.  “Dhe i thoja vetes, ‘Nëse na e keni fshehur Prishtinën, çka tjetër na keni fshehur?’ Po e vija në pikëpyetje gjithë jetën time, shkollimin, prindërit, dhe gjithçka për të arritur deri te e vërteta”.

Të vendosur për të mos harruar

Në fillim të vitit 2016, Mitic u akuzua për shkeljen e Ligjit për Tubime Publiike. Një vit më parë, para shënimit të 20-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, Mitic ishte njëra prej aktivistëve të përfshirë në një ngjarje që ishte planifikuar për t’u bërë homazh viktimave. Në një performancë simbolike të quajtur #sedamhiljada (shtatë mijë), aktivistët kishin për synim të tubonin 7,000 njerëz — që do të përfaqësonin numrin e përafërt të viktimave të Srebrenicës të cilët tashmë ishin identifikuar — jashtë ndërtesë së Parlamentit në Beograd. Por pastaj, një ditë para kësaj ngjarjeje, ministri i punëve të brendshme i Sërbisë, Nebojsha Stefanovic, i ndaloi tubimet në Beograd, duke u thirrur në rreziqet për sigurinë.

“Nuk mund të na ndalojnë ta përkujtojmë gjenocidin, nuk do të heshtim për këtë”, kishte shkruar në Facebook si kundërpërgjigje ndaj ndalimin të ministrit, duke i ftuar njëkohësisht miqtë që megjithatë ta shënonin përvjetorin. “Duke u thirrur në postimin e saj, policia e identifikoi si organizatore të vetme të një tubimi të vogël i cili u organizua me qirinj dhe numra të shtypur po atë ditë më vonë. Rasti i saj aktualisht është në limbo ligjore, meqë atë kurrë më nuk e kanë thirrur të paraqitet para gjykatës.

Për ta shënuar 20-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës më 2015, Mitic dhe aktivistët tjerë ndezën qirinj në Beograd për t’i përkujtuar viktimat, duke e sfiduar ndalimin e tubimeve. Foto nga Anita Mitic.

Përkundër rrezikut ligjor, organizata e Mitic ka vazhduar të drejtojë përpjekje për të hapur diskutime rreth së kaluarës. Në mars të vitit të kaluar, në 17-vjetorin e masakrës së Suharekës në të cilën u vranë 48 civilë shqiptarë nga forcat policore serbe, YIHR-ja në Serbi organizoi një marsh aktivistësh të të drejtave të njeriut nga qendra e Beogradit drejt periferisë në Batajnicë ku ishte hedhur një numër i madh viktimash. Qëllimi i tyre ishte ta ngritin vetëdijen në lidhje me ekzistimin e varrezave masive dhe dështimin për t’i ndjekur kryesit e vrasjeve.

“Është e rëndësishme të flasim për trashëgiminë e viteve ’90 sepse njerëzve nuk u kujtohet, dhe ata që kanë lindur më vonë nuk e kanë idenë për këtë periudhë”, thotë Mitic. “Për këtë arsye sllogani ynë i ballafaqimit me të kaluarën është: “Të rinj për të mbajtur mend, të vendosur për të mos harruar”.

Për Mitic, janë njohuritë që i ka fituar gjatë dekadës së kaluar, përgjegjësia që e ndjen për viktimat e luftës — si dhe e ardhmja e të rinjve tjerë — ato që e bëjnë të mos zmbrapset.  “Do të ndihesha e turpëruar sikur të dija gjithçka që ka ndodhur dhe ta ktheja shpinën”, thotë ajo.

Motoja e YIHR-së kur bëhet fjalë për të kaluarën është “Të rinj për të mbajtur mend, të vendosur për të mos harruar”. Foto nga Anita Mitic.

Sot, kur Mitic po i shoqëron të rinjtë e Serbisë gjatë programeve të vizitave në Prishtinë, gjithmonë i bjen ndërmend ndikimi nga vizita e parë në Kosovë. Pasi mbërrijnë në stacionin e autobusëve ajo vëren frikën në fytyrat e tyre, por megjithatë i lë që vetë t’i krijojnë përshtypjet e tyre.

“Ata janë të frikësuar dhe i lëmë ashtu — nuk bëjmë pyetje, veç shohim e bëjmë”, thotë ajo.  “Dhe pastaj përfundojmë në Prishtinë, duke pirë birra dhe e sheh se si zhduket ajo frikë.  Sa e bukur është puna jonë kur sheh se si njerëzit ndryshojnë për gjysmë ore!”

Edhe pse aktivizmi i saj ishte plot telashe dhe një “rrotullamë emocionale’, janë pikërisht këto momente ato që ia kujtojnë vlerën e kundërshtimit të rrjedhës së ujit dhe të ngirtjes së zërit.

“Ta ndryshosh arsimin, politikën, t’i ndryshosh narrativat… E di se nuk mund t’i ndryshosh të gjithat përnjëherë por diku duhet të fillohet, të paktën duhet të fillohet diskutimi në lidhje me këto ndryshime”, thotë Mitic.  “Është një fjalë që thotë: “Derisa ka errësirë, do të ketë edhe agim”. Dhe unë e shoh këtë punë kështu – i dua agimet, sidomos pas ndejave”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO