Blogbox | Art

Deja Vu te Onufri XXIII

Nga - 10.01.2018

Ekspozita më e re në Tiranë përmban kujtime të vitit të kaluar.

Në kontekstin e një ekspozite për kujtesën kolektive, lirisht mund ta botojmë përsëri recensionin e Vincent WJ van Gerven Oei-it për Çmimin Onufri të vitit të kaluar, “And Find a Rope Hanging There”, që doli në Exit. Si vitin e kaluar, imazhi kryesor promocional i ekspozitës Çmimi Onufri nuk është pjesë e ekspozitës, sistemi i ngrohjes në Galerinë Kombëtare ende nuk punon (nuk ekziston?), dhe lidhjet ndërmjet shumë punimeve janë vërtet të dobëta.

Pra, historia po përsëritet. Çmimi Onufri nisi në vitin 1993 si garë kombëtare për artistë shqiptarë. Në vitin 1998 u shndërrua në një ekspozitë të kuruar ndërkombëtare; kuratori u zgjodh nëpërmjet një shpalljeje publike.

Prej asaj kohe, jo më shumë se katër nga njëzet ekspozitat e kuruara u kuruan nga gratë; dhe Galeria Kombëtare kurrë nuk ka pasur një drejtoreshë. Në Tiranë thuhet se personi i propozuar për t’u bërë drejtori i tetëmbëdhjetë është mashkull. Kujtesa duhet të na sfidojë për një të ardhme më të mirë, jo të na mbajë pazull në të kaluarën.

Pra, historia po përsëritet. Sivjet, kuratori fitues, Gaetano Centrone, e titulloi ngjarjen “Au Fil Du Temps – Collective Memory, Personal Memory” (Me kalimin e kohës – Kujtesa Kolektive, Kujtesa Personale”. Si në ekspozitën e vitit të kaluar, “Stranger Than Kindness” (Më e çuditshme se butësia), titulli i caktuar nga kuratori përdor shprehje të huaja për ta zëvendësuar konceptin. Por ne nuk na mashtron.

Megjithatë Centrone ka një përzgjedhje të disa punimeve të mira. Dallohen tregimet e shkurta të malzezes Jelena Somasevic për fëmijërinë në ish-Jugosllavi, të publikuara përkrah objekteve që u ngjajnë shtëpive të kukullave të natyrës së Freud-it (një divan i lakuar, pafundësia e makinës për vrapim, balta nën llambën e vogël). Narrativat vënë në pah truqet e kujtesës dhe të vrojtimit, duke kombinuar personalen me gjeopolitiken – në këtë rast, efektet që ka spastrimi etnik dhe gjenocidi tek njerëzit e rëndomtë.

Instalacioni i Calixto Ramirez-it ishte një nga punimet më të dalluara, i frymëzuar nga qyteti në të cilin ishte shfaqur, Tirana. Foto nga Maja Lako.

Ndonëse punimet e Tomasevic-it burojnë nga një lidhje e thellë personale me peizazhin, artisti i lindur në Meksikë i cili vepron në Romë, Calixto Ramirez, krijoi një instalacion si reagim ndaj vizitës së fundit në Tiranë, me gjasë vizita e tij e parë në këtë qytet: një grumbull i gjithëpranishëm i tullave të kuqe të thyera, të kurorëzuara me gota të mbushura me raki, me kriklla të mbushura me birrë, dhe gota të tjera të ndryshme, përkrah videos që paraqet bardhë e zi piramidën në qendër të qytetit . Nuk është e qartë se çfarë është më e brishtë, tullat, gotat e rakisë të epokës komuniste, apo piramida plot me trupa, që është gati duke u rrënuar.

Hulumtimet e shqiptarit i cili vepron në Berlin, Vangjush Vellahut, për “shtetet e panjohura” të cilat po përballen me vështirësi për sovranitet, Fragments I (5 + 1) (2016-18), shpalosen nëpërmjet një video instalacioni me tre kanale dhe dëshmi të ndryshme si tregime personale dhe anekdota nga banorë të gjashtë vendeve të tilla. Rrëfimi mbi peizazhin lëvizës (shumë të ngjashme nëse merren parasysh gjeografitë kaq larg njëra-tjetrës) nuk mundohet të avokojë për këto shtete, por të veprojë si histori verbale.

Në video-punimin e kosovares e cila vepron në Londër, Alketa Xhafa Mripa, shikuesit hynë në një hapësirë shumë intime ku artistja e lan babain e saj – edhe ai është artist i mirënjohur në rajon – ai është në profil ndërsa ajo e ka shpinën të kthyer nga kamera. Ndonëse nuk e këmbejnë pothuajse asnjë fjalë, prapëseprapë ka shkëmbim.

U dallua butësia e punimit të Alketa Xhafa Mripës ku përfshihej babai i saj, por paraqitja e punimit mund ta ketë zmadhuar ndikimin e tij. Foto nga Maja Lako.

Kjo ngjarje mbështetet në punimet e fuqishme, dhe shthuret në vende ku duart e kuratorit ndihen si më të pranishme. Disa prej punimeve me sa dukej ishin përfshirë vetëm sa për ta mbushur hapësirën: fotografitë nga videot e Vellahut e kishin mbushur galerinë, fotografitë e Xhafa Mripës, të varura pa nevojë, e dobësojnë ndikimin e videos, dhe piktura e palëzetshme e bërë në mur nga dyshja amerikano-italiane, Emiliano Perino dhe Luca Vele, me sa duket kishte për qëllim të komentonte ekonominë e drogës në Shqipëri, por e tkurr kompleksitetin e saj në një infografi optimiste të cilës i mungojnë informatat.

E gjithë kjo nuk ndihmohet nga gjuha e kotë e përdorur në tekstin e shkruar në mur nga kuratori. Ajo e bën të paqartë atë se a janë humbur idetë gjatë përkthimit, apo nuk kishin ekzistuar kurrë si ide. Ai tekst dëshmon se koncepti kuratorial nuk përputhet apo mbështetet tepër në faktin se angazhimi i koncepteve të kujtesës personale dhe kolektive tashmë po përdoret figurativisht nga shumë artistë të rinj bashkëkohorë shqiptarë. Pse ndodh kjo? Nuk marrim njohuri të reja.

Pra, historia po përsëritet. Leonard Qylafi, i cili ishte poashtu pjesë e ekzpositës së vitit të kaluar Çmimi Onufri, është këtu përsëri me pikturat e tij të turbullta që u ngjajnë punimeve të Gerhard Richter-it. Dhe “dikush i quajtur” Fani Zguro (siç iu referua Gerven Oei), kuratori i ekspozitës së vitit të kaluar, sivjet është përfshirë në listën e dhjetë artistëve të përzgjedhur të Centrone-s.

Momenti më i çuditshëm the misterioz ndodh sidoqoftë para se të hysh në ekspozitë: Guri Bulovari, një artist i panjohur nga Pogradeci i cili u paraqit në Tiranë për herë të parë në ekspozitën Onufri vitin e kaluar dhe ishte hiti i atij edicioni, e ka një solo ekspozitë në rrugën që të çon te Onufri. Një dhomë e ftohtë, një imazh çorientues, dhe fituesit e vitit të kaluar. Shihemi vitin e ardhshëm.

Ekspozita Çmimi Onufri, “Au Fil Du Temps – Collective memory, personal memories”, është e hapur në Galerinë Kombëtare të Shqipërisë nga 20 dhjetori 2017 deri më 30 janar 2018. Ajo përfshin punime nga Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramirez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa dhe Fani Zguro.

Foto kryesore nga Maja Lako.

KOMENTO