Copy Paste
Pikëpamje | Demokraci

Dita e Pavarësisë ‘copy paste’

Nga - 16.02.2017

Derisa shënohet edhe një Ditë e Pavarësisë, Kosova vazhdon të ballafaqohet me problemet që dihen — megjithatë, ato mund të fillojë t’i tejkalojë nëse qytetarët vihen në qendër të demokracisë së vendit.

Një vit tjetër, një përvjetor tjetër i pavarësisë.

Derisa po e shënojmë vitin e nëntë të pavarësisë së shtetit tonë, festimet e hareshme dalëngadalë po veniten, sikurse edhe veçantia e vetë ditës. Në thelb, një venitje e tillë jo domosdoshmërisht duhet të shihet si dëshpëruese. Është e natyrshme që me kalimin e çdo viti, glorifikimi dhe entuziazmi që janë përjetuar në fillim të largohen gradualisht.

Megjithatë, njëri prej shkaqeve kryesore të një shkëputje të tillë është diku tjetër; ç’është e vërteta, ai është gjithnjë e më i rrënjosur në përshtypjen e cënimit të qytetarisë, zhgënjimit dhe pakënaqësisë, më shumë se në çkado tjetër. Dita e pavarësisë, deri tani, nuk ka arritur të kthehet në një traditë të kremtimeve gjithëpërfshirëse pavarësisht kuptimeve dhe kujtimeve që ndjell për njerëz të ndryshëm. Një imazh i zbehtë po shihet në përvjetorin e pavarësisë. Por shpërfillja e këtyre narracioneve sot do të nënkuptonte shpërfilljen e realiteteve të hidhura që shumëkush në shoqërinë tonë i has dhe ballafaqohet me to në baza ditore.

Prandaj, a na thërret ky përvjetor të zhvillojmë më shumë debat, apo debati tashmë u shterrua? A është shndërruar 17 shkurti në asgjë më shumë se një ditë tjetër për përçartje mbi zhgënjimet dhe problemet me të cilat ky vend vazhdon të përballet? A jemi lodhur nga të qenit të detyruar t’i përsërisim problemet e njëjta pa pushim? Nëse kjo ditë na thërret të reflektojmë për llojin e shtetit dhe republikës që jemi duke e ndërtuar, a ka ndryshime vërtet të rëndësishme që mund të gjurmohen apo shihen?

Shumë besojnë se pa ndryshim kuptimplotë të klasës politike, gjasat për ndryshim të rëndësishëm janë të vogla. Dhe, nëntë vitet e kaluara kryesisht kanë qenë dëshmitare të thurrjes së njëjtë politike nga një qeveri në tjetrën. Si të udhëhequra nga PDK-ja ashtu edhe nga LDK-ja, koalicionet qeverisëse nuk janë bazuar në parimet e politikëbërjes, ideve apo vizionit politik.  Ajo që i ka përbashkuar ata ka qenë më shumë mundësia e përfitimit personal përmes pozitave publike sesa ndonjë ndjenjë e përkushtimit apo zotimit për ta shndërruar një vend me vetëm 1.8 milionë banorë në një shtet të fuqishëm ekonomik dhe shoqëror. Ndërkohë, zëri dominues i opozitës përmes Vetëvendosjes njëlloj ka dështuar të ofrojë vizion dhe alternativë politike më gjithëpërfshirëse përtej çështjeve të ‘territorit’ –  një tjetër vizion që ndërtohet mbi kauza sociale.

‘Lajmet e rreme’ dhe ‘faktet alternative’ mund të jenë koncepte të sajuara së fundmi diku tjetër, por ekzistenca dhe konceptet që ato ngërthejnë nuk janë domosdoshmërisht të reja në Kosovë.

Në gjithë spektrin politik, beteja politike zhvillohet kryesisht nëpërmjet polemikave përçarëse, pavarësisht çështjes në fjalë. Si rezultat i kësaj, sot jetojmë në një shoqëri që është gjithnjë e më e polarizuar ku opinionet e bazuara në fakte, madje edhe mundësitë për mendim individual dhe të pavarur, rrallë shërbejnë si bazë për biseda të përbashkëta. Faktet kanë humbur kuptim, politika është bërë sinonim i ‘interesit dhe përfitimit personal’ dhe gati gjithçka shikohet nga prizmi i ngjyrimit politik. ‘Ne’ dhe ‘ata’ jemi politikisht të polarizuar – dhe kushdo që është jashtë skemave të tilla diskursive përbuzet, shpërfillet ose shënjestrohet në baza të rreme. Prirja për të zhvleftësuar çfarëdo argumenti kundërshtues, ndonjëherë vetëm për qëllimin e thjeshtë të përgënjeshtrimit, e ka shndërruar diskutimin publik në shpërdorim të vazhdueshëm të faktit, fuqisë dhe autoritetit politik.

‘Lajmet e rreme’ dhe ‘faktet alternative’ mund të jenë koncepte të sajuara së fundmi diku tjetër, por ekzistenca dhe konceptet që ato ngërthejnë nuk janë domosdoshmërisht të reja në Kosovë. Sigurisht, rrëmuja e portaleve dhe përdorimi i mediave sociale mund t’i kenë dhënë shtytje përhapjes së ‘lajmeve të rreme’. Por ‘faktet alternative’ për vite me radhë kanë qenë këtu si pjesë e retorikës të klasës politike.

Saga e vazhdueshme politike për procesin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është shembull ilustrues ku armiqësia politike me fjalë dhe argument dhe kundërargumente të drejtuara nga njëra palë te tjetra, i kanë shtuar më shumë huti dhe dykuptimësi krejt procesit sesa ndonjë përshtypje të qartësisë. Pavarësisht se a flasim për premtimin e 200,000 vendeve të reja të punës, apo për sigurimet shëndetësore, për sistemin arsimor të përshtatshëm për shekullin XXI,, kosovarët kanë dëgjuar premtime të përsëritura që kanë të bëjnë me një një gamë të gjerë çështjesh, dhe shumëkush siç duket ka hequr dorë nga pritjet për ndërtimin e një republike të qëndrueshme.

Edhe një përvjetor u shënua sot – me po ato premtime, po atë klasë politike, po atë pavarësi ‘copy-paste’.

Krizë e qytetarisë?

Nëse shikojmë përtej Kosovës, do të shohim se diskutimet e ngjashme për përçarjen dhe polarizimin janë duke u zhvilluar anembanë botës. Po e citoj një recension të një eseje të titulluar “Citizenship and loyalty” (Qytetaria dhe besnikëria) të filozofit francez Yves Michaud, sot “nuk ka krizë të demokracisë, e as të identitetit. Kriza e vetme dhe reale është ajo e qytetarisë”.

Në këtë ese, ai e komenton klimën specifike politike që po mbizotëron në Francë, ku politika përjashtuese e udhëhequr nga retorika e frikës dhe e urrejtjes, është ngulitur te një pjesë e shoqërisë, dhe de fakto ka çuar në ngritjen e  komunitarianizmit (sistem i organizimit shoqëror i bazuar në grupe të vogla të vetorganizuara). Ndjenja dhe retorika të ngjajshme populliste po gjejnë hapësirë të përshtatshme edhe në vendet tjera, si në Evropë ashtu edhe në SHBA. Por ajo çka Michaud-i vë në pah përmes vërejtjeve të tij është nevoja për t’iu kthyer asaj se çka do të thotë të jesh qytetar – e që është, pjesëtar i një komuniteti politik, qoftë i një qyteti, shteti apo i botës.

Çështjet e përqendruara tek qytetarët rrallëherë kanë dominuar ose janë bërë pjesë kyçe e bisedave tona ditore politike.

Ajo çka veçanërisht dallohet në recensionin e tij është theksimi i ‘krizës së qytetarisë’. Në Kosovë, ne shpesh jemi fokusuar në demokracinë dhe identitetin, duke e shpërfillur atë që përfundimisht krijon strukturën e të dyjave – qytetarinë. “Kriza e qytetarisë” në Kosovë nuk duhet të barazohet, matet ose mendohet gabimisht në bazë të angazhimit qytetar.  Në fakt, në fillim të vitit ishim dëshmitarë të një nisme solidariteti  —  e paparë që një kohë — për mbledhjen dhe shpërndarjen e gjërave elementare të nevojshme për familjet në nevojë në gjithë vendin, derisa temperaturat e dimrit zbritën në minus 20 gradë. Kjo ishte nismë e ndërmarrë nga qytetarët për mirëqenien e qytetarëve; kjo ishte përgjigje ndaj dështimeve të institucioneve qeveritare.

Çështjet e përqendruara tek qytetarët rrallëherë kanë dominuar ose janë bërë pjesë kyçe e bisedave tona ditore politike. Kur në tetorin e vitit të kaluar K2.0 lansoi fushatën online  #podumedite (#IwantToKnow), si mënyrë për të inicuar debat ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre për çështjet që lidhen me mirëqenien e tyre, shumica e pyetjeve të ngritura kishin të bëjnë me shërbimet – qofshin ato të sektorit shëndetësor, publik apo social. Kështu që, pavarësisht se çka përpiqen të na bindin zërat domiunes politikë të partive politike apo mediave sa i përket ‘çështjes më urgjente të radhës’, shumë kosovarë mbesin të shqetësuar me politikat që ndikojnë në mirëqenien e tyre.

“Kriza e qytetarisë” në Kosovë sot përmbledhet kështu:  “një fëmijë nëntëvjeçar” mund ta ketë një iPhone me rrjetin 4G dhe të hyjë në YouTube për t’i përcjellur kosovarët duke fituar çmimin Bafta për filmin më të mirë të shkurtë, i cili i flet për problemin global të migrimit të dhunshëm dhe për refugjatët; njëkohësisht ata mund të përcjellin diskutime online mbi atë se si kosovarëve në vend u refuzohet viza Shengen – si përkujtim që ata janë nga vendi i vetëm në Evropë, qyetatarët e të cilit janë të privuar nga udhëtimi i lirë. Dhe, i njëjti ‘fëmijë nëntëvjeçar’ poashtu do të duhet ta vë në pikëpytje nëse ditën tjetër do të ketë ujë për t’u larë ose për të  pirë, ose ajër të pastër për të marrë frymë. Përsëri, këto janë vetëm disa nga problemet…

Ne duhet ta mos harrojmë se demokracia mund të marrë disa forma dhe trajta. Oligarkia, si ajo që është e pranishme në Kosovë nuk është detyrimisht përjashtuese dhe nuk mbijeton detyrimisht e pavarur nga demokracia. Ajo që përnjëmend e dallon demokracinë është niveli në të cilin qytetaria njihet si pjesa më komplekse dhe më e rëndësishme e strukturës së saj. Kështu që, 3,288 ditë pasi Kosova e ka shpallur pavarësinë, dhe sidomos gjatë shumë përvjetorëve që do të vinë, Kosova do të duhet të kërkojë të jetë republikë e definuar nëpërmjet qytetarisë – për qytetarët dhe nga qytetarët.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO