Shtyp | Migrimi

Hava Shala: Liri nga brenda

Nga - 26.09.2014

Kosovarët luftuan për pajtim si një mënyrë për arritjen e lirisë së popullit.

Kosovarët janë mësuar që personalitetet e tyre publike të jenë njerëz të moshuar me kostume; Hava Shala është krejt e kundërta. E rrjedhshme, e zgjuar dhe ekspresive, si dhe patriote në mënyrë këndellëse të sinqertë e të njerëzishme, Shala është grua, e kaluara e së cilës është e pasur me rrebelim, protesta e me veprimtari politike. Edhe pse tash jeton në Zvicër, jeta e saj është një mikrokozmos i historisë së fundit të betejës së Kosovës për pavarësi, përfshirjes së vazhdueshme në lëvizjet e nëntokës, burgosjeve politike, organizimit të demonstratave kundër shtetit serb, si dhe pjesëmarrjes në pajtimet e mëdha të gjaqeve në fillim të viteve të 1990-ta.

Njëra nga paraqitjet publike më të fundit të Shalës ishte ngjarja TEDxPrishtina Women e vitit të kaluar, ku ajo foli për kohën sa kishte qenë aktiviste, protestuese dhe organizatore e komunitetit, duke punuar për të pajtuar një numër të madh familjesh shqiptare të Kosovës të cilat ishin në kurthin e gjakmarrjeve tradicionale pikërisht në kohën kur Kosova po kërkonte pavarësi nga Serbia. Fjalimin e saj e përcolli një ovacion me ngritje në këmbë — që nuk është gjë e vogël duke marrë parasysh frontin jo lehtë të frymëzueshëm e shpesh cinik, i cili kosovarëve të rinj u shkon mjaft mirë për dore.

Pëlqyeshmëria e Shalës qëndron në modelin e saj të drejtpërdrejtë e të ndjeshëm të patriotizmit dhe në vazhdimësinë e angazhimit të saj politik në Kosovë. Koha e saj si e burgosur politike ndodhi në pjesën më të vonshme të periudhës së njohur si ilegaliteti — lëvizje që përbëhej nga organizimi i lirë i celulave sekrete të cilat shkruanin traktate politike, ngjyrosnin sllogane në hapësira publike si dhe shpërndanin pamflete duke kërkuar pavarësinë e Kosovës nga Jugosllavia — nën rrezikun e vazhdueshëm nga burgosjet e shpeshta dhe brutaliteti policor. Shala ishte vetëm 17 vjeçare kur u dënua me shtatë vjet burg për shpërndarje pamfletash politike. “Kushdo që mori përsipër të merrej me atë lloj pune duhej të kishte parasysh faktin se veprimet e tyre fillimisht do të rezultonin në arrestim dhe dënim,” shpjegon Shala.

Falë dënimit të zvogëluar, ajo u lirua pas katër vjetësh, në vitin 1988 — në valën e betejës së Kosovës për autonomi dhe pavarësi të plotë. Protestat e Kosovës për status republike në kuadër të federatës jugosllave u pritën me shtypje të ashpër nga policia dhe forcat shtetërore të sigurisë. Një vit pas lirimit të Shalës, Kosovës do t’i hiqej statusi i autonomisë, në kohën kur vendin e përvetësoi Republika e Serbisë.

Pas një kohe të shkurtër, Shala dhe të rinjtë tjerë që ishin pjesë e lëvizjes së shtuar për pavarësi, filluan të punonin drejt eliminimit të gjakmarrjeve në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Gjakmarrjet — si mbetje e Kanunit tradicional shqiptar, si kod ligjesh që daton nga shekulli XV — ftonin burrat që “ta merrnin gjakun” e anëtarëve të vrarë të familjes. Lëvizja për pajtimin e gjaqeve kërkonte vizita nëpër shtëpi të të vrarëve, biseda me burrat e shtëpisë nëpër odat e tyre, dëgjimin e dhimbjes që kishin fëmijët dhe gratë që ballafaqoheshin me humbjen dhe frikën e tyre — nën përcjelljen e vazhdueshme të policisë.

“Aksioni i Pajtimit, për nga karakteri human, i jepte pretekst autoriteteve që të ndërhynin dhe ta pengonin atë, por për nga masiviteti dhe porositë që dilnin nga tubimet u bënë halë në sy për autoritetet. Ishte shumë e qartë që autoritetet përgjonin çdo veprim e çdo aksion dhe gjenin pretekste për ta penguar aksionin. Paralelisht mbaheshin edhe demonstrata dhe protesta kundër cenimit të vazdhueshëm të lirive dhe të të drejtave të shqiptarëve, në të cilat janë dalluar për pjesëmarrje dhe drejtim aktiv edhe shumë udhëheqës të Aksionit të Pajtimit”.

 

Përafërsisht rreth 2,000 gjaqe u falën ndërmjet viteve 1990 dhe 1992, përmes një kombinimi të ndërmjetësimit, bisedimeve dhe thirrjeve për një “kauzë më të madhe.”

Pajtimi i gjaqeve ishte pjesë urgjente e betejës më të madhe për pavarësinë e Kosovës dhe lëvizja i ftonte shqiptarët që ta falnin njëri tjetrin në mënyrë që të jenë të bashkuar në luftën kundër armikut të tyre të jashtëm. Llogaritej se ishin rreth 17,000 burra që rrezikoheshin nga praktika e gjakmarrjes në Kosovë gjatë fundit të viteve të 1980-ta, në kohën kur filloi lëvizja e pajtimit të gjaqeve. Pajtimi përfshinte ridefinim e logjikës tradicionale të Kanunit nga të qenit kod që kërkonte nder në marrje të gjakut në kod i cila kërkonte nder në falje — proces ky i cili ishte i dhimbshëm dhe i cili kërkonte pjesëmarrjen e familjeve të përfshira, bashkësive të tyre si dhe aktivistëve të rinj, të cilët e bënin pjesën më të madhe të ngarendjes për ta bërë lëvizjen të suksesshme.

“Së pari, nuk kishim të bënim me ‘kampanjë’, pra me fushatë, por me veprim, me aksion konkret, që ka përmbledhur në vete punë dhe përkushtim të madh”,  thotë Shala. “Pajtimi i dy familjeve ka qenë proces jashtëzakonisht i ngarkuar me emocione. Familja që duhej të falte kishte arsye të shumta të ishte e lënduar. Me humbjen anëtarit të familjes ishte e qartë se nuk mund të pajtoheshin. Për hakmarrjen mbisundonte ndjenja e mësuar se gjaku lahet vetëm me gjak. Duhej të gjendej një vlerë tjetër, më  e fortë se ajo e gjakmarrjes, që të mund të ngriteshe përmbi gjakun e familjarit – e kjo ishte ndjenja e lirisë së atdheut”.

“Pikërisht këtu qëndronte edhe çelësi i suksesit të një pajtimi – marrja parasysh e dhembjes së famijarëve dhe vënia në pah e vlerave më të larta për të cilat angazhoheshim. E tëra kërkonte shumë maturi, shumë përkushtim, shumë energji dhe koncentrim, por edhe mjeshtrinë e plasimit të fjalës së duhur në momentin e duhur. Procesi dinte që edhe me një shprehje apo sjellje të vetme të pamatur të kthehej rishtazi në fillim, siodmos në fillim, kur Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve ende nuk kishte fituar shtritjen dhe popullaritetin e duhur”, shton ajo.

Lëvizja e pajtimit arriti kulmin në tubimin masiv në rrafshin e Deçanit, të quajtur Verrat e Llukës, më 1 maj të vitit 1990, ku një numër prej rreth 500,000 personash u tubuan për të qenë dëshmitarë, për të falur dhe për t’u falur. Përafërsisht rreth 2,000 gjaqe u falën ndërmjet viteve 1990 dhe 1992, përmes një kombinimi të ndërmjetësimit, bisedimeve dhe thirrjeve për një “kauzë më të madhe.” Lëvizja gjithashtu pati aftësinë unike që të sillte gratë drejtëpërdrejtë në marrje vendimesh, gjë që zakonisht ishte rreptësisht në duart e burrave — edhe në cilësinë e ndërmjetësueseve edhe të anëtareve të familjes.

“Mendimi i gruas ka qenë në disa raste, sidomos kur është dashur të falet gjaku i burrit apo i djalit të posavrarë,  shumë i rëndësishëm, bile edhe vendimtar”, thotë Shala. “Besoj se vetë pjesëmarrja e femrës në këtë aksion e ka përforcuar edhe më shumë rolin e gruas në faljen e gjaqeve. Ka pasur raste kur një familje ka mbetur fare pa meshkuj dhe aty procesi i faljes është bërë nga nëna, gruaja, apo motrat, dhe ka qenë shumë i ngarkuar emocionalisht”.

Në pyetjen se a e merrnin seriozisht kur si grua ndërmjetësonte në faljen e gjaqeve, Shala thotë: “parakusht që të tjerët të përceptojnë ndryshe nga ç’janë klishetë shoqërore është që ti ta përceptosh veten ndryshe. Dhe përceptimi im për veten ishte ndryshe – do me thënë unë e shihja veten të barabartë me të tjerët në shoqëri. Ndoshta pikërisht ky  përceptim ka qenë edhe një ndër faktorët e suksesit për pjesëmarrjen konsekuente të femrës në Aksionin e Pajtimit”.

“’Serioziteti’ i burrave ishte më shumë dhënie urdhërash të prera, marrje vendimesh, manifestim force”,  shton ajo. “Fjala e gruas ne odë sillte më shumë jetë dhe më pak urdhëra, më shumë dashuri, e më pak vendime. Për këtë arsye edhe fjala e gruas merrej më seriozisht”.

Njëri nga kolegët e saj aktivistë tha me shaka se prania e grave bënte mirë, meqë ua lidhte gjuhën burrave që kishin prirje të shanin — gjëja e fundit që nevojitej në bisedimet për pajtimin e gjaqeve.

Në vitin 1991, Shala migroi në Zvicër me bashkëshortin e saj — pa dëshirë të vete. “Qëndrimi ynë i vazhdueshëm në Kosovë, në kohën kur ishim të dalluar publikisht dhe kur çdo hap i yni përcillej, ishte shumë i rrezikshëm. Mundësia që në Kosovë të jetoje jete gjysmë të fshehur ishte e pamundur”, thotë ajo. Ajo tani punon si ndërmjetësuese ndërkulturore në qytetin Uinterthur.

Ndjenjat e Shalës për Kosovën pas pavarësisë janë të koklavitura dhe sa të ëmbla aq edhe të hidhura. E pyetur per mënyrën se si e kishte paramenduar Kosoven pas çlirimit, Shala thotë “Gjithsesi jo kështu çfarë është sot dhe jo të zhvatur e nëpërkëmbur edhe prej atyre të cilët dikur sakrifikonin nga vetja për lirinë e saj. Kosovën e kam paramenduar me drejtësi, me barazi sociale, gjithsesi pa korrupsion; të pastër, me udhëheqje të përkushtuar dhe të gatshme për vetësakrificë për të ruajtur lirinë dhe përparimin e mirëqenies së vendit”, thotë ajo.

“Të jetuarit me dinjitet ka qenë dhe mbetet përkushtmi im. Sot në Kosovë të jetuarit me dinjitet është bërë gati i pamundur. Të jetosh mirë dhe vertikalisht është bërë gjë e vështirë”, shton Shala.

Zhgënjimi i dukshëm i Shalës vjen nga një vend i idealizmit dhe nga një vend i dashurisë, që ndoshta më së miri mbërthehet me fjalinë përmbyllëse të fjalimit të saj të cilin e mbajti në kryeqytetin e Kosovës vitin e kaluar. Lirinë e brendshme të cilën e gjeti gjatë lëvizjes së pajtimit, Shala e përshkruan si parakusht për lirinë e jashtme të cilën e fitoi Kosova si e tërë, dhe ndoshta padashur, shton shpresa për rizbulimin e lirisë përbrenda nesh si qytetarë:

“Unë kujtoj që Aksioni i Pajtimit te Gjaqëve ka krijuar një vetëdije të re, dhe vetëdija atë kohë na thoshte: ne duhemi së pari të ndiejmë lirinë nga brenda, pastaj mund ta fitojmë nga jashtë. Ne atëhere e fituam lirinë nga brenda, dhe sot kemi lirinë nga jashtë”.

  • PËR AUTORIN/EN Hana Marku
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO