Biseda | Media

Ibrahim Nehme: Ndryshimi nis në imagjinatën tonë

Nga - 11.10.2017

Themeluesi i një revistës me seli Bejrut flet për fuqinë që e kanë mediat për të nxitur ndryshime radikale.

Revista e pavarur libaneze, The Outpost, u lind me optimizëm, dhe u sajua në një kafeteri me vizione të pasigurta sa i përket të ardhmes së saj. Për shkak të The Outpost, revistë e themeluar në Bejrut, themeluesi i saj Ibrahim Nehme ka shkuar në disa vende të botës, e ndalesa e fundit e tij ishte në Prishtinë.

Edicioni i parë doli nga shtypshkronja në shtator të vitit 2012, e ndonëse Libani ishte një prej disa vendeve në të cilat drita e Pranverës Arabe nuk ndriçoi sa duhet, kjo revistë u frymëzua nga ndjesia e qenësishme dhe e pakalueshme e asaj lëvizjeje: kundërshtimi i gjendjes ekzistuese. Kjo revistë u krijua për të qenë katalizator i ndryshimit shoqëror dhe kulturor në rajonin arab, për t’i thyer narracionet e vjetra të rrjedhës së përgjthshme, dhe për të ofruar pikëpamje të reja dhe të padëgjuara më parë, brenda dhe jashtë vendit.

E etiketuar si revistë e mundësive, ky botim ka prodhuar edicione të dizajnuara e të kuruara në mënyrë të bukur, e të cilat i kanë analizuar të mirat, të këqijat dhe mbi të gjitha, mundësitë e trupave tanë – mundësitë për të gjetur një vend që e quan shtëpi, për të humbur, për ta ngrohur zemrën, për të jetuar këtu, për të ecur përpara, për ta rishkruar historinë, e madje edhe mundësinë e mundësisë.

Ibrahim Nehme është në Prishtinë për programin e K2.0, Volume Up, program i prezantimeve publike që ka për synim transformimin e imagjinatës sonë kolektive dhe fillimin e bisedave të reja për media, komunikim dhe gazetari. Prezantimi publik i Nehmes, “Ndikimi i Imagjinatës”, do të mbahet sonte në Prishtinë te Klubi nga ora 19:00 dhe do të mbahet përsëri të nesërmën (12 tetor) në Prizren te Kino Lumbardhi nga ora 18:00.

Një punëtori e mendimit kreativ, “Cikli i Jetës së një Ideje”, do të organizohet të premten më 13 tetor në Termokiss (klikoni këtu për t’u regjistruar dhe për më shumë informata rreth punëtorisë).

Prezantimi i Nehmes, “Ndikimi i Imagjinatës”, rrjedh nga hulumtimet të cilat ai i zhvilloi për më shumë se një vit rreth mundësive që i kanë mediat radikale dhe lëvizjet e rezistencës për të nxitur transformime kulturore. Këto hulumtime ai i nisi pasi i ndali botimet për një kohë, meqë vendosi të mendonte sërish për konceptin e tyre. Ne biseduam me Nehmen për këtë, punën e tij me The Outpost dhe shumë më shumë, pak para se të ateronte në Prishtinë.

Foto: Jimmy Dabbagh

K2.0: The Outpost është revistë e mundësive nga bota arabe, e frymëzuar dhe pothuajse e lindur nga Pranvera Arabe. Është revistë që kërkon narracione më pozitive, dhe në të njëjtën kohë i diskrediton stereotipet. Kjo është me gjasë edhe më e rëndësishme në botën arabe, e cila ka vuajtur shumë nga stereotipet, veçanërisht në vitet e fundit. Çfarë roli luan The Outpost në këtë kontekst?

Ibrahim Nehme: The Outpost është revistë e mundësive në një vend në të cilin narracionet kryesore flasin për pamundësinë: që është e pamundur të jetosh këtu, e pamundur të ndikosh dhe të krijosh ndryshime etj. Ka shumë ankesa dhe vajtime për atë se si gjithçka është e pamundur, e kjo gjendje qartë përjetësohet nga politika dhe shoqëria, por është e ngulitur shumë edhe në narracionet e mediave dhe në prodhimet kulturore të cilat i konsumojmë. Të gjitha narracionet të kujtojnë se të kanë mposhtur, je i pafuqishëm dhe pa perspektivë për një të ardhme të mirë.

Brenda këtij konteksti të pamundësisë, lansimi i revistës për mundësi ishte pothuajse veprim intuitiv. Për këtë do të flas gjatë prezantimit tim – atë se si ndryshimi nis në imagjinatën tonë dhe pastaj rrjedh teposhtë dhe ngadalë i ndryshon rregullat. Nëse mund ta shtysh dikë të eksplorojë një mundësi tjetër, të mendojë ‘çka nëse’, çka nëse gjërat në fakt mund të ishin më ndryshe, kjo është diçka e madhe. Ndryshimi nis aty.

Dhe kështu, si revistë e mundësive, ne eksplorojmë një mundësi të re në secilin edicion, që zakonisht është një temë për të cilën kemi interesim dhe pasion.

Meqë The Outpost nuk shtypet më tash e një vit, me çfarë jeni marrë ju?

Shtypjen e The Outpost e ndala për shkak se desha të mendoja për vazhdimësinë e saj, jo për shkak se i erdhi fundi. Pas katër viteve duke e botuar revistën, e kuptova se e kishim arritur një pikë interesante, dhe se këtë e kishim arritur vetëm duke e fokusuar energjinë tonë krejtësisht në mediumin e shtypur. Isha i mendimit se kishte hapësirë për ta zgjeruar bisedën përtej edicionit të shtypur, në një farë mënyre, për të arritur te më shumë njerëz dhe për të angazhuar më shumë njerëz. The Outpost gjithmonë ka qenë ide e madhe, dhe revista ka qenë një manifestim i saj – domethënë, sigurisht se mund të marrë forma tjera të jetës.

Pra kisha nevojë për hapësirë dhe distancë nga revista, për të gjetur bilancin e për ta sajuar një plan. Prodhimi i revistës ishte punë me orar të plotë, dhe kështu nuk kisha hapësirë për të menduar për të ardhmen përderisa isha duke punuar me revistë. I nisa hulumtimet dhe thjesht s’kisha mundësi të ndalesha. Megjithatë, nuk e dija se do të më duhej një vit për t’i rënë në fije. Me pak fjalë, projekti im i ri është vazhdimësi e The Outpost, zgjerohet nga pika ku është ndalur The Outpost.

Ndikimi i imagjinatës

Ibrahimi e ndali botimin e The Outpost në shtator 2016 dhe më pas e kaloi një vit duke reflektuar mbi punën e tij me revistën, si dhe duke hulumtuar mbi rolin e kulturës në avancimin e lëvizjeve të rezistencës dhe ndryshimit. Në prezantimin e tij, ai do t’i ndajë me ne ato që i ka mësuar në vitin e fundit, dhe do të flas për fuqinë e imagjinatës sonë kolektive, dhe atë se si organizatat radikale mediale mudn të sjellin transformime radikale dhe ndryshime kulturore.

Në Prishtinë më 11 tetor, te Klubi M, nga ora 19:00.
Në Prizren më 12 tetor, te Kino Lumbardhi, nga ora 18:00.

A mund të na thuani më shumë për këtë projekt të ri?

Do të flas për të gjatë prezantimit tim këtë javë dhe jam shumë i ngazëllyer sepse nuk kam folur publikisht për të ende. Në parim, jam i interesuar që ta shndrroj The Outpost nga një revistë në një hapësirë e cila ushqen dhe mbështet projekte si The Outpost. E përbashkëta e këtyre projekteve është që të gjitha janë në një farë mënyre platforma të cilat përfytyrojnë dhe prodhojnë narracione të reja.

Me të vërtetë besoj se për t’i ndryshuar gjërat, ne duhet të ndikojmë te biseda e rrjedhës së përgjithshme, dhe e vetmja mënyrë për ta bërë është t’i afrojmë narracionet tona nga margjinat në qendër. Në fund ato mund të bëhen forcë e cila ka ndikim te biseda e rrjedhës së përgjithshme, dhe me gjasë e ndryshon atë. Në disa mënyra, kjo bisedë është shumë toksike dhe është shkaku kryesor i problemeve tona.

Pra kemi media si The Outpost, të cilat po mundohen t’i kundërshtojnë narracionet të cilat kryesisht fuqizohen apo edhe themelohen paraprakisht nga masmediat. Si mund t’i ndryshojë këto narracione të rrjedhës së përgjithshme një organizatë mediale e pavarur e cila në përgjithësi nuk arrin deri te pjesa më e madhe e popullsisë?

Parimisht duhet ta shtysh pëpara narracionin tënde. Nga lëvizja për shfuqzimin e skllavërisë e deri te minoritetet si LGBT dhe gratë, e përbashkëta e të gjitha këtyre lëvizjeve ishte se të gjitha filluan në mendje – domethënë, në imagjinatën tonë, në shpresën dhe besimin për mundësi për botë më të mirë. Kërkon kohë, por kyçe është ta kesh bindjen e patundur për kauzën tënde dhe guximin për ta shtyrë narracionin tënd në të gjitha drejtimet. Me kohë fjala përhapet, më shumë njerëz i bashkohen kauzës, narracioni bëhet tepër i madh, sa që nuk i lejon tjerët ta injorojnë, kultura ndryshon, disponimi ndërron dhe ngadalë bota ndryshon.

Në prezantimin tuaj do të flisni për fuqinë e organizatave radikale mediale dhe lëvizjeve kulturore të rezistencës sa i përket krijimit të ndryshimeve kulturore. Në një botë kaq të polarizuar si bota e sotme, e kemi një ndjesi që fjala ‘radikale’ e ka humbur kuptimin, ose po keqpërdoret shumë. Çfarë mendoni për këtë?

Fjala ‘radikale’ parimisht po përdoret për t’iu referuar sendeve ekstreme. Siç ke lëvizje radikale të cilat janë të rrënjosura në frikë dhe errësirë, mund të kesh lëvizje radikale të cilat ushqehen nga imagjinata dhe kreativiteti, lëvizje të cilat mund të përfytyrojnë atë që nuk është përfytyruar ende. Nuk po them që po mundohemi ta shpikim përsëri rrotën. Në një farë mënyre gjithçka është bërë më parë, por duke marrë parasysh sfidat e rënda me të cilat përballet bota jonë sot, mendoj se na duhen ide shumë të guximshme dhe të shkëlqyeshme. Me të vërtetë na duhen idetë radikale, për t’i bërë ballë këtij terrorizmi e ekstremizmi dhe kësaj dhune.

Në librin “Hope in the Dark” (Shpresë në errësirë), Rebecca Solnit shpjegon se rrënja e fjalës ‘radical’ (radikale) është ‘radice’, që në kuptimin e plotë të saj do të thotë ‘rrënjë’. Ajo thotë se fjala ‘radikale’, brenda një konteksti të tillë, ka të bëjë me gjetjen e shpjegimeve, me fokusimin në shkaqe, në vend të efekteve.

Në vitin 2011, pak pas lindjes së The Outpost, Pranvera Arabe ishte përhapur nëpër shtetet arabe. Gjatë këtyre protestave, apo kësaj lëvizjeje, e cila nxiti lëvizje të ngjashme në botën perendimore… ekzistonte një besim madhështor dhe i pandalshëm që gjithçka është e mundshme, që ndryshimi duhet të ndodhë, dhe që duhet të ndodhë menjëherë. Ky besim ishte shumë pozitiv. Si ka ndikuar kjo te revista juaj, dhe a është zbehur kjo ndjesi përgjatë viteve? A jemi në një kohë më pesimiste?

Po, e qartë është. Kur shpërtheu Pranvera Arabe, të gjithë ishin plot energji të mirë dhe plot shpresë. Sepse pas disa viteve me diktatura dhe shtypje, njerëzit e kishin humbur krejtësisht shpresën, e pastaj e panë një mundësi, e cila erdhi në formën e Pranverës Arabe, dhe iu kapën asaj.

Por zgjati pak, dhe në disa aspekte është ajo ndjesia që jemi kthyer aty ku ishim më parë. Nuk ndihmon fare fakti që institucionet e mediave janë të vendosura për t’i shtyrë përpara dhe për t’i përjetësuar narracionet e dështimit dhe të pafuqisë. Kur gjithçka që dëgjon në lajme apo edhe në artin dhe kulturën që e konsumon flet për atë se si ti je rast i pambrojtshëm, nuk ke shumë shpresë.

Me Pranverën Arabe e pamë një mundësi dhe menduam se ndoshta është e mundshme një e ardhme më ndryshe. Të gjithë u ndezën me këtë energji dhe filluan të kenë shpresë. Ideja e ndryshimit u bë relevante dhe e mundshme për shumë njerëz.

Por pastaj, siç e dini, Pranvera Arabe u zbeh, dhe nëse shkoni në Egjipt, për shembull, në shumë aspekte e ke ndjesinë që situata është shumë më keq se që ishte para Pranverës Arabe. Nëse shkon në Liban, e ndien këtë gjithashtu. Shkoj dhe ulem në kafeteri, shkruaj dhe punoj. Më pëlqen t’i dëgjojë bisedat e njerëzve. Gjatë pjesës më të madhe të kohës njerëzit ankohen dhe vajtojnë për situatën e keqe, për mungesën e shpresës, dhe prapëseprapë mediat dhe prodhimet kulturore kanë të bëjnë shumë me këtë lloj narracioni të cilët njerëzit po e riprodhojnë – këtë narracion të pashpresë.

Po të kishte organizata të mediave të cilat shtyjnë përpara narracione më shpresëdhënëse dhe të cilat u tregojnë njerëzve se ka rrugëdalje tjetër, se një mënyrë tjetër është e mundshme pavarësisht të gjitha strukturave të kalbura të cilat të bëjnë të ndihesh sikur progresi është i pamundur… po të kishim organizata të tilla të mediave, mendoj se fillimi do të niste aty, në imagjinatën tonë.

Workshop: “The Lifecycle of an Idea”

Ideas are like living organisms. They evolve and morph into different forms, take lives of their own, travel across distances, and spread like viruses. What begins as a small idea could slowly transform and become a really powerful idea that captures our collective imagination.

In today's world we are in need of bold ideas that resist the systematic and institutionalized attempts to repress our freedoms; ideas that inspire us to imagine and work towards a better future.
In this workshop, participants will dissect the lifecycle of an idea and learn how to generate, develop and disseminate ideas that have impact. Anyone interested in the creative process, storytelling and general cultural practices is welcome to join in this half-day workshop.

Due to a limited number of places, we kindly ask you to send an email to kosovotwopointzero@gmail.com with the subject “Volume UP” to register as a participant. As places are limited and will be given to the first 20 persons who register via email, please, make sure you join us if you register for this unique opportunity!

Në Prishtinë ju do ta drejtoni një punëtori që organizohet nga K2.0 si pjesë e programit Volume Up. Emri i punëtorisë është “Cikli i jetës së një ideje”. Çfarë mund të presin pjesëmarrësit nga kjo?

Kjo është hera e parë që do ta drejtojë këtë punëtori. Është e bazuar dhe mbështetet shumë në punën dhe hulumtimet të cilat i kam zhvilluar në vitin e kaluar. Dikur më erdhi kjo ide e shndrrimit të The Outpost në një hapësirë e cila zhvillon tri operacione. Fillimisht, është e aftë për të joshur shumë njerëz dhe shumë ide; sepse kur vijnë njerëzit dhe shkëmbejne mendime, kështu lindin zakonisht idetë e reja. Së dyti, është hapësirë e cila funksionon si makinë, si inkubator apo lehtësues që i lejon idetë e lindura brenda hapësirës që të manifestohen dhe të bëhen realitet. Së treti, roli i hapësirës është të veprojë si transmetues i gjithë energjisë dhe aktivitetit në hapësirë, sepse mendoj se ka shumë vlerë brenda imagjinatës dhe krijimit, por vlerë të madhe kanë edhe bisedat për atë se çfarë po bëjmë dhe krijojmë.

Pra, me këtë punëtori jam i interesuar ta riprodhoj identë apo dinamikën e hapësirës, dhe të shoh se çfarë del prej saj. Është pak a shumë punëtori e mendimit kritik në të cilën do të mundohemi të prodhojmë ide, të mendojmë për atë se si mund t’i përkthejmë në diçka domethënëse, dhe të shohim se çfarë ndikimi mund të kenë këto ide.

Meqë jemi te hapësira… pas luftës në Bejrut – me gjasë njerëzit në Kosovë e ndajnë të njejtën përvojë – janë bërë shumë ndërtime të pakontrolluara dhe zhvillime kaotike urbane, dhe hapësirat publike kanë pësuar nga privatizimi. Si ndikon kjo te shtimi i prodhimit kolektiv të ideve?

Unë jam magjepsur nga ngjashmëria e Prishtinës dhe Bejrutit. Me sa duket në këto shtete të pasluftës si Libani dhe Kosova e shumë të tjera, ekziston një strategji sistematike prapa politikave, e cila është shumë e ngjashme. Shtetet ose qytetet janë të ndara, e kjo strategji ka për qëllim dobësimin e popullit, për t’i bërë njerëzit më të pafuqishëm. Me shtimin e më shumë kufijve dhe mureve, botëkuptimi i njerëzve të cilët banojnë në këto toka bëhet më i ngushtë, dhe kështu këto vende bëhen sheshe lojrash për politikanë dhe biznesmenë grykës.

Sikurse hapësira publike që po pakësohet, e ke ndjesinë se edhe hapësira popullore kulturore, do të thotë hapësira ku jetojnë idetë dhe narracionet, po pushtohet dhe monopolziohet, e kjo më kujton një citat të Walter Benjamin-it, i cili e thekson më tej atë që u mundova ta shpjegoja më lart: “Secili rresht që e botojmë me sukses sot është fitore e kundër forcave të errësisë”.

Pra, kurdo që e sheh hapësirën duke u zvogëluar, bëhet e rëndësishme që ti si person të marrësh sa më shumë hapësirë që mundesh, sepse në rastin tonë, ne jemi pakica, që do të thotë ne nuk e kemi fuqinë e pushtetin. Këto hapësira kanë tendencë të migrojnë kah kufijtë – gjen hapësira që dalin në vende të rëndomta nëpër qytet, sepse vetëm këtë mund ta kenë aktualisht. Si media e pavarur, ne kemi nisur me burime të kufizuara, duke u munduar ta krijojmë një revistë, dhe këto përpjekje zakonisht nuk janë në rrjedhën e përgjithshme, në hapësirën kryesore publike – zakonisht janë në margjina.

The Outpost.
The Outpost.
The Outpost.
The Outpost.

Sa u përket narracioneve ‘minoritare’, narracionet e padëgjuara që nuk përfshihen në diskursin kryesor, është e rëndësishme të flasim për grupet e margjinalizuara në shoqëri. Si përfaqësohet kjo në revistën tuaj?

Pjesa më e madhe e artikujve tanë janë për njerëz të cilët konsiderohet se i përkasin pakicës, në shumë mënyra, qoftë kjo pakicë e bazuar në racë, gjini, etni, seksualitet apo klasë. Mendoj se The Outpost ishte hapësirë ku mund të dëgjoheshin të gjitha zërat të cilët konsiderohet se i përkasin pakicës.

Tema e pakicave në Liban duket e ndërlikuar. Në Kosovë ka ulëse të rezervuara në parlament për komunitetet pakicë, por në rastin e Libanit ato janë komunitetet religjioze.

Ne e kemi një situatë të ngjashme, por në një farë mënyre është më keq. Në Liban të gjitha ulëset janë të caktuara për grupe të ndryshme sektare. Grekët ortodoksë e kanë një përqindje, katolikët e kanë një tjetër. Në tërësi i kemi 18 sekte në vendin tonë, dhe të gjithë përfaqësohen. Gjithashtu, Presidenti është maronit i krishterë, Kryeministri është sunit musliman, dhe Kryetari i Kuvendit është shiit. Kjo nuk është ligjërisht e detyrueshme, por nisi si protokoll dhe u bë normë. Është sistem që e zmadhon ambientin toksik sektar të vendit, ambient ky në të cilin njerëzit parimisht identifikohen në bazë të sektit të tyre, pastaj në bazë të ‘shtetit’ të cilit i përkasin…

Si i qaseni një ndarjeje të tillë si revistë?

Revista e ka mbuluar tërë rajonin arab, nuk ka qenë e fokusuar rreptësisht në Liban. Jemi munduar të kemi diversitet  përgjatë rajonit. Në fillim ndoshta për shkak se e kishim selinë në Liban, ishim më të fokusuar në të.

Nuk mundohemi t’i mbulojmë këto lloj çështjesh në veçanti, por mundohemi të krijojmë një hapësirë në të cilën njerëzit mund ta përfytyrojnë një botë më të mirë. Dhe pastaj në atë hapësirë në të cilën ata janë të angazhuar dhe të fuqizuar, ata mund të fillojnë të bëjnë hapa aktivë drejt dekonstruktimit dhe thyerjes së të gjitha kufijve dhe pengesave të cilat i kemi para nesh.K

Foto kryesore: Jimmy Dabbagh.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO