Në thelb | Të drejtat e privatësisë

Ruajtja e të dhënave private në Facebook

Nga - 23.06.2017

Si ta parandalojmë keqpërdorjen e informatave tona.

Ruajtja e informatave personale në Kosovë shpeshherë mund të jetë sfidë e vështirë. Të gjithë duan të dinë se kush je, prej nga vjen, çfarë bënë, a je i/e martuar, në cilën shkollë të ka shku baba, çfarë ngjyre i ka pasë sytë qeni që e ke pasë kur ke qenë fëmijë, etj.

Për shkak të mirësjelljes, detyrohesh që t’i ndash këto informata, madje duke buzëqeshur. Por për dallim të ndarjes së këtyre informatave në rrugë, autobus apo kafe, ku gjithçka duket më pak  e rrezikshme, në internet kjo mund të jetë shumë e rrezikshme! Postimi në ueb në thelb është publikim, sepse është në dispozicion për të gjithë që kanë lidhje interneti – e në Kosovë të tillë janë mbi 76% e popullsisë.

Kryesisht nëpërmjet Facebook shpërndahen lloj – lloj informata të ndjeshme në internet. Ndarja e tepërt e informatave në këtë rrjet social madje edhe ka bërë që njerëzit të kenë probleme me ligjin. Në vitin 2012, një burrë britanez që ishte duke u gjykuar për sulm ndaj babait të shokut të tij filloi të lavdrohej para kohës në Facebook, duke i shkruar shokut të tij “mendova që shpëtova me të thënë të drejtën”. Ky shkëmbim u shtyp nga Facebook dhe u dërgua në gjykatë si dëshmi, që e bëri atë të pranojë fajësinë.

Por kriminelët nuk e përdorin Facebook-un vetëm për të pranuar pa dashje fajësinë për krimet e tyre. Blerim Rexha, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin Prishtinës, tha për K2.0 se në Kosovë kemi pasur raste kur familje të ndryshme kanë ndarë postime duke treguar se janë në pushim, e kjo pastaj ka rezultuar në shfrytëzimin e rastit nga ana e hajdutëve.

Pra si mund ta mbrojmë vetën në Facebook, e t’i mbajmë informatat tona larg njerëzve të gabuar?

Privatizimi i llogarive mund ta minimizojë këtë rrezik. Facebook i ofron disa mundësi për privatësi themelore. Për shembull kemi mundësi që të zgjedhim se kush i sheh postimet e informatat tona personale. Por ka edhe funksione më të ndërlikuara, e me gjasë më pak të njohura, nëpërmjet të cilave përdoruesit mund ta ruajnë privatësinë maksimalisht. Në vijim do t’i shpjegojmë tetë këshilla për të garantuar privatësi në Facebook:

Mbaje profilin tënd larg shërbimeve të kërkimit

Mund ta mbash profilin tënd larg rezultateve të shërbimeve të kërkimit, përveç nga vetë Facebook-u. Madje mund ta mbash edhe larg Google. Kjo mund të bëhet te seksioni i privatësisë dhe veglave. Kur e çkyq vegëzen e profilit tënd me ato të shërbimeve të kërkimit, reduktohet rreziku i gjetjes së llogarisë tënde prej njerëzve të rëndomtë me një kërkim të thjeshtë.

Minimizo reklamat ‘e personalizuara’

Facebook gjithashtu e shfrytëzon ‘rishnjestrimin e sjelljeve’, që do të thotë se reklamuesit mund t’i analizojnë aktivitetet e juaja në Facebook, e kështu të gjejnë klientë të mundshëm. Në këtë mënyrë të paraqiten reklama që janë ‘të përshtatura për ty’, por edhe të përcjellen aktivitetet online prej kompanive të palës së tretë. Në seksionin e reklamave, mund t’i shkyçësh reklamat që bazohen në përdorimin tënd të reklamave dhe uebfaqeve, si dhe në veprimet sociale dhe parapëlqimet tuaja. Sheh më pak reklama ‘relevante’, por të paktën asnjë korporatë nuk mund të përcjellë se çfarë je duke bërë online.

Kufizoje qasjen në adresen tënde të postës elektronike dhe në numrin tënd të telefonit

Vendimi jo i detyrueshëm për të dhënë adresën e postës elektronike apo numrin e telefonit në Facebook e bënë më të lehtë që tjerët të gjejnë në këtë uebfaqe, por ti ke mundësi që ta kufizosh këtë funksion vetëm për përdoruesit që i ke miq. Këto hapa bëhen në seksionin e privatësisë dhe veglave. Sigurisht, është edhe mundësia për të mos ia dhënë Facebook-ut këto informata, që e redukton rrezikun e gjetjes së tyre nga ana e një të huaji.

Kontrolloni etikemtimet

Në seksionin për etiketime dhe ballinë, mund të vendosni se kush ka të drejtë që të postojë në ballinën e juaj, si dhe t’i shqyrtoni postet në të cilat etiketoheni, para se të dalin në ballinën e juaj. Kështu mund të vendosni që të mos shihen fotografi apo postime të turpshme, në qoftë se dikush u bënë tag. Kjo ju ndihmon veçanërisht që ta mbani llogarinë tuaj të Facebook të përshtatshme edhe për kolegë. Është edhe mundësia që të mos ketë të drejtë Facebook që ta “vërejë” fytyrën tënde në fotografi që i postojnë tjerët (për etiketime). Ashtu kështu mund të ju etiketojnë fytyrën e gabuar.

Jini të vetëdijshëm për aplikacione që i keni të lidhura me profil

Mund të mos jeni të vetëdijshëm për atë se sa aplikacione i keni të lidhura me llogarinë tuaj në Facebook. Krijimi i llogarive të reja për secilën uebfaqe të përshtatshme, si për shembull Airbnb, mund të jetë punë e lodhshme, e prandaj e keni mundësinë që të regjistroheni nëpërmjet llogarisë ekzistuese në Facebook. Shumë përdorues nuk e përcjellin atë se sa llogari i kanë të lidhura me profil të Facebook-ut. Në seksionin për aplikacione, mund t’i largoni aplikacionet që kanë qasje në të dhënat e llogarisë suaj, nëse nuk ju duhen më.

Shmangjuni ndarjes së tepërt të informacioneve, minimizoni check-ins (shënimin e vendndodhjes) dhe etiketimet gjeografike

Ndonjëherë pa dijeninë e juaj mund ta vëni vetën në situata të turpshme. Kjo është dukuri e njohur si ndarja e tepërt e informatave për vetën, si lokacionin e aktivitetet. Mundësia për të shënuar vendndodhjen (check in) mund t’ua bëjë të lehtë personave që të gjejnë, e hajdutëve që të dinë kur nuk je në shtëpi. Shkyçja e funksionit të lokacionit dhe mospërdorimi i funksionit check in e tagjeve gjeografike (të paktën kur nuk është e nevojshme) ndihmon që të ruajmë sigurinë personale.

Mbaje profilin të pastër duke rishikuar postimet e vjetra

Meqë aktualisht rrjetet sociale janë fenomen aq i madh në jetën sociale dhe atë të punës, shumë punëdhënës mund të kërkojnë profilin e Facebook gjatë aplikimit për punë. Mundësia për t’u punësuar mund të të pengohet nga ndonjë postim që e ke bërë nga nervoza para pesë viteve, duke të bërë që të dukesh si person me personalitet agresiv. Edhe nëse ishte vetëm një postim, e nuk është tregues i karakterit e personalitetit tënd, punëdhënësit mund të supozojnë që ti sillesh ngjashëm edhe në jetën reale – mbaje në mend, përshtypja e parë mbetet përgjithmonë. Ke mundësi që ta rishikosh ballinën e ta kufizosh audiencën për postime të vjetra, edhe nëse janë postime që i ke bërë para shumë viteve, për t’iu shmangur situatave në të cilat një postim në Facebook mund të kushtojë me një vend potencial të punës.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO