Pikëpamje | BE

KOSOVA DUHET TË INTERESOHET PËR “BREXIT”

Nga - 22.06.2016

Referendumi i MB për dalje nga BE mund të ketë me gjasë pasoja të mëdha për Kosovën.

Shënim i Redaktorit (25 qershor, 2016): Ky artikull u publikua të enjten, me 24 qershor, 2016, ditën e referendumit të Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësim në BE. Rezultati i referendumit tani më është lajmëruar: MB votoi që të largohet nga BE.

Sot në një grup të vogël të ishujve në anën e largët të kontinentit, plot burra e gra po i’a mësyjnë shkollave, qendrave të komunitetit dhe sallave të sportit për ta shkruar një iks në një copë letër. Deri sa qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore po votojnë në një referendum për atë se a duan të mbesin brenda Bashkimit Evropian, në duart e tyre nuk është vetëm e ardhmja e vendit të tyre, por me gjasë edhe e tërë kontinentit. Dhe kjo mund të ketë ndikim të madh për Kosovën.

Debatit për “Brexit” – dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja – i është kushtuar vëmendje minimale në mediat e Kosovës në muajt e fundit; sipërfaqësisht, vendimi i një shteti gati 2,000 kilometra larg për anëtarësinë e vet në një organ ndërkombëtar mund të duket sikur ka pak rëndësi për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Por mos gaboni, nëse Britania e Madhe voton që të largohet nga BE-ja sot, mund të ketë me gjasë ndikim të madh në shtetin më të ri të Evropës.

Mund të duket e pakuptueshme për shumicën e kosovarëve, që tradicionalisht e kanë vlerësuar Bashkimin Evropian si synim themelor. Deri sa Kosova dhe vendet tjera të rajonit përpiqen me dëshpërim që të pranohen në BE, pse një shtet që duket se ka gjithçka që duan shtetet tjera, po flirton në mënyrë kaq të rrezikshme me mundësinë e largimit?

Arsyet janë të shumta dhe të ndërlikuara, dhe janë diskutuar gjatë në mediat britaneze e ndërkombëtare gjatë javëve e muajve të kaluar. Por realiteti është, derisa Britania e Madhe shkon në sondazhe sot, parashikimet për dy rezultatet e mundshme janë shumë të afërta me njëra tjetrën, dhe ka shumë gjasa që të premten në mëngjes, një prej anëtarëve më të fuqishëm të BE-së mund ta ketë nisur procesin e tërheqjes. Pra pse duhet të interesohen kosovarët?

Në afat të shkurtër – humbja e një aleati të fuqishëm

Së pari, në aspektin afatshkurtër, një “Brexit” do ta ndryshonte në mënyrë të pashmangshme marrëdhënien e Kosovës me Britaninë e Madhe. Prej luftës së viteve 1998-99, kur ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair ndihmoi që ta bindte SHBA-në për përdorimin e trupave të tyre, Britania e Madhe vazhdimisht ka qenë një prej mbështetësve më të mëdhenj ndërkombëtar të Kosovës.

Ishte në mesin e pesë shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës në shkurt 2008, dhe luajti rol aktiv në opinionin konsultativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Britania e Madhe gjithashtu ka luajtur rol kyç në lobim për njohje të Kosovës në vende tjera, dhe kështu e ka rritur ligjshmërinë e këti shteti ndërkombëtarisht, dhe vazhdimisht e në mënyrë të zëshme e ka përkrahur kauzën e Kosovës në BE, OKB dhe Komonuelth. Sot, Britania e Madhe vazhdon ta ushtrojë ndikimin e vet mbi pesë shtetet e BE-së si dhe shtetet tjera përreth botës që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Dhe aktualisht Britania ka ndikim. Është pjesë e “katërshës së madhe” të anëtarëve të BE-së, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është në zemër të Komonuelthit dhe e ka ekonominë e pestë më të madhe në botë. Vota për “Brexit” do ta linte Britaninë të madhe të margjinalizuar dhe të izoluar në skenën ndërkombëtare, si dhe më të dobët e me më pak ndikim mbi ish-partnerët e saj evropian.

E Kosova jo vetëm se do të humbiste një mbështetës të fortë brenda BE-së si organ, por 27 anëtarët e mbetur të BE-së me gjasë nuk do ta pranojnë me mirësi këtë refuzim; aftësia e Britanisë së Madhe për të ndikuar në këto shtete në bazë bilaterale do të reduktohej shumë. Kjo pastaj me gjasë do të kishte ndikim në aftësinë e SHBA-së – mbështetësit më të madh ndërkombëtar të Kosovës – për të patur ndikim mbi BE-në, pasi që aktualisht llogarisin në Britaninë e Madhe që të veprojë si urë lidhëse pa dallime politike e ideologjike me pjesën më të madhe të shteteve të Evropës.

Brenda Kosovës, roli i Britanisë së Madhe në grupin “Kuint” – i përbërë prej pesë ambasadave më me ndikim në Prishtinë – do të dobësohej e do të bëhej i paqëndrueshëm. Si mund të vazhdojë Britania e Madhe që të përkrahë ‘vlera evropiane’ e të punojë drejt ‘integrimit evropian’ të Kosovës në një kohë kur vet i ka kthyer shpinën Evropës?

Dhe nuk është fare e sigurt se do ta ketë ende të njëjtin apetit për të lobuar fuqishëm për Kosovën edhe po të ruante Britania e Madhe një pjesë të ndikimit të vet pas “Brexit”. Jo vetëm që do të konsumohej nga një betejë e vështirë dhe e zgjatur për të rinegociuar dhe zbatuar kushtet e veta të largimit dhe për t’i rivendosur ligjet – diçka që ekspertët parashikojnë se mund të zgjatë prej 2 deri në 10 vjet – por e pashmangshme do të ishte edhe një periudhë ku Britania e Madhe do t’i shikonte problemet e veta dhe do ta shpërfillte rolin e përgjegjësitë e veta botërore.

Në një kohë kur diplomacia e Britania e Madhe do të fokusohej në negocimin e marrëveshjeve të reja tregtare (dhe ka pak gjasa që Kosova do të përfshihej diku në maje të asaj liste), ndikimi ekonomik i “Brexit” mbi Kosovën është vështirë të parashikohet. Shumë ekspertë ekonomik po paralajmërojnë se nëse Britania e Madhe voton që të largohet nga BE-ja sot, ekonomia britaneze do të kthehet në recesion.

Ky mund të jetë lajm i keq për Kosovën, pasi që Britania e Madhe vazhdimisht ka qenë një prej burimeve kryesore të investimeve të jashtme në Kosovë në dekadën e fundit, e dyta vetëm pas Gjermanisë. Sipas shifrave të vitit 2013 nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike, paratë e Britanisë së Madhe mesatarisht i kanë përfaqësuar 13 përqind të Investimeve Direkte të Jashtme në Kosovë prej vitit 2007. Vlerësohet gjithashtu se më shumë se 90 përqind të këtyre investimeve tani vijnë nëpërmjet organeve multilaterale, kryesisht nëpërmjet BE-së.

Në afat më të gjatë – Evropa në krizë

Megjithatë, me gjithë rëndësinë e marrëdhënies së Kosovës me Britaninë e Madhe, një Brexit mund të ketë pasoja edhe më thelbësore për të ardhmën e Kosovës, dhe të rajonit. Përveç Grenlandës (kur filloi të vetëqeveriset) dhe Algjerisë (kur fitoi pavarësi nga Franca), asnjë shtet nuk e ka lënë ndonjëherë BE-në prej kur u themelua si Komuniteti Ekonomik Evropian në 1957, në përpjekje për të evituar përgjithmonë shkatërrimin e luftës që e kishte copëtuar kontinentin. Shumë ekspertë besojnë se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja mund të jetë shkaktar i asaj që njihet si “efekti domino”, duke i dhënë shtytje lëvizjeve euroskeptike në shtete tjera anëtare.

Në një kohë kur BE-ja veç se është lënduar thellë nga mënyra shumë e kritikuar e trajtimit të krizës së refugjatëve, kur kufijtë janë ngritur përsëri brenda zonës së lëvizjes së lirë Shengen, kur eksperimenti Eurozone është zhvlerësuar, dhe kur grupet nacionaliste të së djathës ekstreme po rriten nëpër kontinent, humbja e një prej anëtarëve më të fuqishëm të BE-së duket si goditje e papërballueshme.

Pasi që kredibilitetin me gjasë e ka në pikën më të ulët që ka qenë ndonjëherë, kjo lëvizje do t’i shkundte themelet e BE-së. Raportet aludojnë se aleatët e afërt të Britanisë së Madhe, Suedia dhe Holanda, do t’i konsideronin përsëri pozitat e tyre në BE nëse Britania e Madhe largohet. Anëtarë tjerë si Austria – që erdhi shumë afër votimit të një presidenti populist e euroskeptik muajin e kaluar – Danimarka dhe Republika e Çekisë gjithashtu do të kishin vështirësi që të frenonin kërkesat e rritura për rinegocim të marrëdhënieve të tyre me Evropën. Edhe në Francë, anëtare themeluese e Bashkimit Evropian dhe pjesë e “katërshës së madhe”, po rritet një atmosferë armiqësore drejt Evropës; një sondazh i fundit aludoi se vetëm 38 përqind të popullsisë kanë pikëpamje të favorshme drejt BE-së, rënie 17 përqindëshe nga viti i kaluar. Deri sa rritet zhurma për dalje, është mjaft e besueshme që mund të përhapet si sëmundje ngjitëse nëpër këtë Bashkim që veç se po çalon keq.

Çfarë kuptimi do të kishte krejtë kjo për Kosovën? Të paktën, një “Brexit” do të niste një periudhë të krizës brenda BE-së, pasi që shtetet anëtare do të mundoheshin ta qetësojnë e bindin vetën, njëra tjetrën dhe qytetarët e tyre, që Bashkimi Evropian ka të ardhme. Në këto kushte ku anëtaret udhëheqëse si Gjermania, Italia dhe Franca do të mundoheshin t’i bindin tjerët që të mos largoheshin, do të rrezikohej besimi i kahmotshëm për zgjerim të mëtejmë, në të cilin Kosova dhe fqinjët e vet të Ballkanit llogarisin aq shumë. BE-ja do të ishte shumë e shpërqëndruar duke u munduar që t’i zgjidh problemet e veta të brendshme, e përveç kësaj, pranimi i anëtarëve të rinj vështirë se do t’i qetësonte e kënaqte votuesit euroskeptik në shtete anëtare individuale.

Megjithatë, nëse ndodh më e keqja dhe shtetet tjera fillojnë ta ndjekin Britaninë e Madhe drejt daljes, atëherë mund t’i vijë fundi i BE-së, të paktën në këtë formë që e njohim ne; disa analistë parashikojnë që mund të rindërtohet me një bërthamë të brendshme të integruar thellë dhe një asociacion të anëtarëve satelit, ndërsa tjerë parashikojnë shpërbërje totale. Për Kosovën dhe shtetet tjera të Ballkanit, që për një kohë të gjatë i kanë fokusuar të gijtha politikat e jashtme në anëtarësim në BE, kjo do të ishte katastrofë.

Serioziteti i këti skenari duket se është kuptuar nga liderët e rajonit, pasi që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dje shkroi një lutje për “Times of London” që Britania të mos e lë BE-në. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjithashtu e dha paralajmërimin e tij për pasojat e mundshme të një Brexit, pak pasi u emërua: “Nëse nuk ka integrim në BE, rajoni mund të tërhiqet në nacionalizëm dhë në idenë e rivendosjes së kufijve. Kjo do të shkaktojë më shumë probleme, kriza dhe vuajtje, përtej aftësive tona për ta kuptuar”.

Një herë në jetë, Thaçi e pati mirë. Kosova nuk ka plan B. Nuk ka plan rezervë. E ka vetëm BE-në.

Prej kur Kosova u përfshi në deklaratën e 2003 të Komisionit Evropian në Selanik, që i dha mbështetje të qartë ‘perspektivës evropiane’ të shteteve të Ballkanit Perendimor, anëtarësimi në BE ka qenë forca kryesore shtytëse pas politikave të brendhsme e të jashtme.

Është shpërblimi i integrimit ai që i mundësoi bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga BE-ja në përpjekje për t’i ‘normalizuar’ marrëdhëniet, si dhe më vonë Marrëveshjen e Brukselit në 2013. Kjo pastaj rrjedhoi në marrëveshje nga Kosova dhe fqinjët për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, e për të zhvilluar sundimin e ligjit dhe “marrëdhënie të mira fqinjësore” nëpërmjet bashkëpunimit të rritur ndërkombëtar. E ai shpërblim kërkoi edhe fokus në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Po të implodonte BE-ja dhe po të largohej ai shpërblim pas “Brexit”, boshllëku i mbetur do të ishte i papërballueshëm, jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin.

Vlera të vërteta evropiane

Pa marrë parasysh se a voton Britani e Madhe për t’u larguar nga BE-ja sot, debati për “Brexit” duhet të shërbejë si thirrje e zgjimit për Kosovën, pasi që Evropa shpeshherë shihet si prioriteti i vetëm. Kur i lëmë anash tendencat për frikësim, populizëm dhe ksenofobi, që tepër shpesh e kanë dëmtuar debatin e Britanisë së Madhe, nën ato ekziston një situatë reale që kërkon kritika ndaj BE-së. Është e fryer, stërburokratike, ka deficit demokratik, dhe ka qenë e paefektshme në trajtim të krizës së vazhdueshme të refugjatëve. Por në Kosovë, ku ka mbështetje të gjerë për anëtarësim në BE në spektrin politik – si dhe nga shumica e popullsisë – kritikat ndaj BE-së shumë shpesh etiketohen si ‘anti-evropiane’.

Nuk ka konfilkt në mes të qenit pro-evropian, dhe të në njejtën kohë shtrimit të pyetjeve, kritikave dhe kërkesave për llogaridhënie. Në fund të fundit, nëse ekzistojnë me të vërtetë ‘vlerat evropiane’, këto janë ato.

Si qytetar krenar i Britanisë dhe evropian krenar, unë do të votoj në referendumin e MB sot. Dhe për hir të shtetit tim, Evropës, e edhe Kosovës e këti rajoni, unë do të votojë që të qëndrojmë në BE.

Ish-Kryeministri britanez, Winston Churchill, kishte thënë dikur: “Është thënë që demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç gjithë tjerave që janë provuar”. E njëjta gjë mund të thuhet për BE-në – nuk është në interesin e askujt që t’i kthehemi botës siç ishte para BE-së.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO