Pikëpamje | BE

A po i vjen fundi aferës së dashurisë ndërkombëtare të Kosovës?

Nga - 10.02.2018

Reagimi politik ndaj strategjisë së BE-së për zgjerim përbënte një ndryshim të tonit.

Kur në maj të vitit 2016, Komisioni i BE-së propozoi heqjen e vizave për kosovarët, mbetën dy kushte para se të realizohej lëvizja e tyre e lirë në Zonën Shengen: “progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”; dhe një kusht i ri, ratifikimi i marrëveshjes së vitit 2015 për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në atë kohë, politikanët që po e udhëhiqnin vendin nuk u ankuan për këtë kusht të shtuar – larg asaj. Në fakt, ata festuan për këtë lajm. “Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime”, shkroi Presidenti Hashim Thaçi në faqen e tij në Facebook. Ai shtoi se kjo nuk ishte dhuratë nga BE-ja, por rezultat i merituar i punës së Qeverisë.

Dy vite më vonë, ai kusht – i cili në atë kohë me sa duket ishte nënvlerësuar – ka shkaktuar protesta, e ka bllokuar punën e Kuvendit për disa muaj dhe e ka rrëzuar një Qeveri, ndërsa qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar, të pasigurtë nëse do të mbyllet ky proces i kahmotshëm.

Të martën (6 shkurt) e kësaj jave u publikua strategjia e re e BE-së për zgjerim në Ballkanin Perendimor. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e portretizoi atë si “një rrugë e qartë për të gjithë partnerët e Ballkanit Perendimor”. Megjithatë, siç duket kjo strategji Kosovës i ka ofruar pak sa i përket optimizmit për një të ardhme evropiane, duke përdorur gjuhë të paqartë, dhe më shumë dënime se shpërblime.

“Kjo përbën qasje të pabalancuar dhe favorizuese ndaj Serbisë.”

Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër i Kosovës

Kosova mbetet “shtet kandidat potencial” për t’iu bashkuar BE-së, ndërsa e vetmja frazë që e përmend perspektivën e saj evropiane nuk jep afate kohore: “Kosova* ka mundësi për progres të qëndrueshëm nëpërmjet zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe përparim në rrugën e saj evropiane, kur këtë ta mundësojnë rrethanat objektive”. Kjo dallon nga situata e fqinjit verior të Kosovës, Serbisë, si dhe Malit të Zi. Këto dy shtete u shpallën si “front-runners” (favoritë) për t’u anëtarësuar të parët nga grupi i shteteve të Ballkanit Perendimor. Kjo u parashikua të ndodhë në vitin 2025.

Në raste të tjera gjatë dekadës së fundit kur perspektiva evropiane e Kosovës është dukur kësisoji e turbullt, liderët e Kosovës përdorën gjuhë të butë e konstruktive ndaj BE-së. Por këtë herë jo. Në fakt, liderët politikë në Prishtinë filluan ta ngrisin zërin për të kritikuar.

“Avancimi i Serbisë, dhe grupimi i saj si front-runner është mjaft i padrejtë, kur Serbia gjatë gjithë kohës ka zhvilluar politikë destruktive karshi Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit”, tha për K2.0 Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj. “Kjo përbën qasje të pabalancuar dhe favorizuese ndaj Serbisë”.

Fjalët e tij pasqyrojnë kumtesën zyrtare për media që e bëri Qeveria e Kosovës të martën pas publikimit të strategjisë: “E trajton [Kosovën] në mënyrë asimetrike, pa qartësi për të ardhmen e saj evropiane, duke renditur vetëm kushtet dhe jo stacionin e Kosovës”.

I njohur si partner i afërt i komunitetit ndërkombëtar që nga fundi i luftës, Thaçi shprehu pakënaqësinë e tij në lidhje me strategjinë ee BE-së në Facebook. U pa se toni i tij ndryshoi nga ai i përdorur në uverturat e tij të viteve të fundit. “Kjo strategji ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE”, shkroi ai, para se të shtonte se “Kosova nuk do të zhytet në dëshprim”.

Vazhdimësi e një trendi?

Toni më kritik i deklaratave, veçanërisht i atyre të Thaçit, po kontribuon në vazhdimin e rritjes së nivelit të tensionit në marrëdhëniet ndërmjet lidershipit politik të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar në muajt e fundit. Në tetor 2017, Thaçi foli kundër partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, duke thënë se ata e kishin thyer një premtim për t’i hequr vizat në shkëmbim të themelimit të Dhomave të Specializuara, për t’i gjykuar liderët e UÇK-së për krime të supozuara të luftës.

Shtetet anëtare të QUINT-it (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca dhe Gjermania) e mohuan pretendimin e Thaçit, duke thënë në një deklaratë: “Nuk është arritur ndonjë marrëveshje ndërmjet komunitetit ndërkombëtar dhe Kosovës në lidhje me krijimin e Dhomave të Specializuara”. Thaçi nuk reagoi asnjëherë ndaj kësaj deklarate.

Vetëm dy muaj më vonë, më 22 dhjetor, tensionet me komunitetin ndërkombëtar u rritën edhe më tej, kur 43 deputetë nga koalicioni qeverisës u përpoqën të ndërmarrin një nismë për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara. Paradoksalisht, pjesa më e madhe e atyre të cilët e mbështetën nismën kishin votuar për krijimin e Dhomave në rastin e parë, dhe besohet në masë të madhe se kjo është ndikuar nga Thaçi, i cili kishte qenë ithtari kryesor i krijimit të gjykatës me seli në Hagë në vitin 2015.

Reagimi i komunitetit ndërkombëtar ishte i shpejtë dhe i ashpër. Ata i paralajmëruan autoritetet e Kosovës se shfuqizimi i Dhomave të Specializuara do të çonte deri te izolimi ndërkombëtar i Kosovës. Si rrjedhojë e këtij presioni, nisma për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara u ndal.

Gjithnjë e më shumë frustrime

Megjithatë, kritikat e fundit për Strategjinë e BE-së për Zgjerim janë gjithashtu shenjë e frustrimit gjithnjë e më të madh në mesin e udhëheqësve të Kosovës për padrejtësinë e perceptuar sa i përket trajtimit të Kosovës nga ana e BE-së.

“Republika e Kosovës ka një varg arritjesh të cilat do të duhej të njiheshin dhe të pranoheshin nga Bashkimi Evropian si përkushtim serioz për avansim thelbësor në rrugën europiane të shtetit tonë”, thuhej në një deklaratë të Qeverisë, e cila erdhi si reagim ndaj strategjisë së zgjerimit. “Me Qeverinë e re, Kosova ka implementuar shpejt dhe me efikasitet prioritetet kyçe të renditura në Agjendën e Reformave Europiane (ERA 2017), dhe kështu ka bërë progres të konsiderueshëm drejt përmbushjes së kritereve të përgjithshme të MSA-së. Qeveria e Kosovës ka pritur që ky progres të jetë i mjaftueshëm për të qartësuar rrugën që ka Kosova para vetes për të fituar statusin kandidat, ashtu siç ishte me të gjitha shtetet e tjera të rajonit…”

Ky frustrim u theksua edhe nga Zëvendëskryeministri Hoxhaj, i cili aludon se Kosova e luajti rolin që iu kërkua, dhe u trajtua në mënyrë të padrejtë nga BE-ja. “Kosova ka treguar përkushtimin dhe orientimin properëndimor, vazhdimisht. Në anën tjetër, qartazi në këtë strategji ka pasur një disbalancë mes shteteve”, tha ai për K2.0.

Megjithatë, ndjesia e viktimizimit nuk pasqyrohet në të gjitha pjesët e Qeverisë së Kosovës. Të mërkurën, në një konferencë për shtyp, ministrja për integrim evropian, Dhurata Hoxha, gjithashtu tha se “pritjet e Qeverisë ishin më të mëdha”, por ajo përdori një ton pak më ndryshe, duke pranuar se Kosova nuk i kishte plotësuar të gjitha reformat e kërkuara. “Ne kemi arritur ta plotësojmë MSA-në vetëm 30 për qind. Mund të bëjmë më shumë, ka sfida, mirëpo kjo nuk nënkupton që ne nuk mund të arrijmë dhe ta përshpejtojmë hapin në fazën vijuese”, tha Hoxha.

“Kjo qasje do të mund të ndryshohej në të ardhmen nëse Kosova kushtëzon BE-në në procesin e dialogut me Serbinë."

Donika Emini, hulumtuese e paqës dhe sigurisë ndërkombëtare

Donika Emini, hulumtuese për paqe dhe siguri ndërkombëtare pranë Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, beson se edhe pretendimet për zbatimin e 30-përqindëshit të MSA-së nuk janë të sakta. “Deri tash, që nga nënshkrimi i MSA-së, Kosova nuk ka pasur as kontinuitet institucional me fillu implementimin e kësaj marrëveshjeje si duhet”, tha ajo për K2.0.

“Megjithatë, ky proces është i gjatë, dhe Kosova duhet t’i marrë me seriozitet reformat. Kjo me gjasë do ta vënte Kosovën në një pozicion më të favorshëm për të kërkuar integrim. Por për ta bërë këtë, duhet të kemi shumë vullnet politik për t’i zbatuar reformat, dhe kjo Qeveri me sa duket nuk do ta ketë atë qasje”.

Emini e kritikoi edhe qasjen e BE-së ndaj Kosovës. Por ajo beson se kjo ka histori më të gjatë dhe se qasja e Kosovës ndaj ndërveprimeve të kaluara të saj me BE-në është pjesërisht përgjegjëse për zbehjen e saj. “BE-ja ka pasur qasje asimetrike edhe në dialogun e lehtësuar nga ajo në mes të Kosovës dhe Serbisë, por pala kosovare asnjëherë nuk e kushtëzoi dialogun për ta ndryshuar këtë qasje”, tha Emini, e cila vazhdoi duke thënë se nuk është ende tepër vonë.

“Kjo qasje do të mund të ndryshohej në të ardhmen nëse Kosova e kushtëzon BE-në në procesin e dialogut me Serbinë. Nëse Kosova kushtëzon duke kërkuar të drejtën për aplikim – zyrtarisht për anëtarësim – në BE deri në vitin 2019”.

Ç’është e vërteta, roli kyç i Kosovës sa i përket anëtarësimit të Serbisë, si dhe stabilitetit rajonal në përgjithësi, mund të jetë në favor të saj, pasi që BE-ja ka pohuar në strategjinë e saj se arritja e një “marrëveshjeje gjithëpërfshirëse – dhe ligjërisht të detyrueshme – për normalizim, është urgjente dhe shumë e rëndësishme”, për rrugët përkatëse evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Tashmë ka tregues që po sinjalizojnë se qeveria e Kosovës po e shqyrton mbajtjen e një qëndrimi më kategorik në marrëdhëniet e saj me BE-në, pasi Enver Hoxhaj tha për K2.0 se ai dëshiron përfitime në shkëmbim të përkushtimit të Kosovës në dialog me Serbinë në të ardhmen. “Nëse Kosova nuk merr liberalizimin pasi t’i kryejë detyrat e saj brenda vitit 2018, këtij dialogu do t’i humbasë kuptimi, dhe atë jo vetëm në planin politik, por edhe në atë të mbështetjes së qytetarëve”, tha Hoxhaj.

Me zhvillimet e muajve të ardhshëm me gjasë do ta kuptojmë se a është ndryshimi i tonit nga ana e zyrtarëve të lartë të Kosovës një tregues i ndryshimit të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, apo kemi të bëjmë me fjalë boshe për t’i ikur fajësimit për mungesën e progresit të reformave të brendshme.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO