Në thelb | Të drejtat e punëtorëve

“Privatizimi” i të drejtave të punëtorëve në Kosovë

Nga - 04.10.2016

Punëtorët detyrohen të pajtohen me shkeljet e të drejtave të tyre për shkak të pasigurisë së punësimit.

Detyra e tij është të kujdeset për siguri dhe rend në hyrje të Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku punon si roje sigurimi tash e tre vjet. Mirëpo F. N., punëtor i kompanisë private të sigurimit Rojet e Nderit thotë se ai nuk ndihet i sigurtë në punë.

Më 25 maj, ai u sulmua me shufra metali për shkak se nuk e lejoi një palë të hynte në klinikë jashtë orarit të vizitave; ai ishte goditur në kokë, dhe pësoi lëndime me ç’rast iu desh t’i qepej koka.

Përkundër faktit që ligjërisht i takojnë 21 ditë pushim për të pushuar e për t’u rimëkëmbur, F. N. mori vetëm katër ditë pushim. “Kam tri vajza”, thotë elektricisti i cili nuk ia del të gjejë punë të profesionit të tij teksa shpjegon gjendjen. Ai as nuk e përmend mundësinë e marrjes së kompensimit për lëndimet gjatë ushtrimit të punës, derisa ne nuk ia parashtruam këtë pyetje.

“Kush jam unë që të kërkoj kompensim?” thotë ai. “Pagat i marrim me rregull dhe kjo është mirë”. Duket se ky fakt i mjafton.

F. N. është vetëm njëri prej dhjetëra punëtorësh të cilët lëndohen gjatë orarit të punës për çdo vit në Kosovë, por sipas Jusuf Azemit, kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, shumica prej tyre janë të kënaqur nëse arrijnë ta ruajnë vendin e tyre të punës; të kërkosh të drejtat e tua në një kompani private në Kosovë, thotë ai, do të thotë të pushohesh menjëherë nga puna.

“Ka pasur raste kur kemi pasur punëtorë që nuk janë paguar tre muaj nga kompania e tyre dhe në momentin kur i kanë kërkuar paratë është fakt se u janë kthyer por u kanë thënë mos ejani më në punë nga ky moment”, thotë Azemi. Ai përmend nivelin e lartë të korrupsionit – zyrtarisht 30 përqind – tregun e pafavorshëm të punës, si dhe korrupsionin e nepotizmin nëpër institucione shtetërore si arsye të, siç e quan ai, “privatizimit” të të drejtave të punëtorëve. Rezultati, insiston ai, është varfëria.

majlinda-hoxha-private-sector-employment-rights-jusuf-azemi-head-of-bspk-09-2016-6

Jusuf Azemi, kreu i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, thotë se shkeljet e të drejtave të punëtorëve janë të shpeshta. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

F.N. insiston se nuk ka ankesa ndaj punëdhënësit të tij; përkundrazi, ai është i lumtur që ka punë, megjithëse thotë se do të preferonte të punonte në profesionin e tij. Përfaqësuesit e kompanisë Rojet e Nderit i thanë K2.0 se ata i siguruan trajtim mjekësor dhe pushim me pagesë pas këtij sulmi. “Lidhur me kompenzimet tjera ne jemi duke e shqyrtuar rastin edhe me Policin e Kosovës në mënyr që ti ofrojm kompenzimin e duhur për lëndimin e punëtorit tonë si dhe kompanisë”, thuhet në përgjigjen e shkruar të Rojeve të Nderit.

Sidoqoftë, sipas zyrtarit të sindikatës, kompanitë private të sigurimit janë shkelësit e dytë më të mëdhenj të të drejtave të punëtorëve në Kosovë, të cilave ua kalon vetëm sektori i ndërtimtarisë ku shkeljet dhe rreziqet shihen për çdo ditë.  Azemi kujton një incident vitin e kaluar kur punëdhënësit e F. N. përnjëherë larguan nga puna 60 punëtorë pa dhënë ndonjë arsye të qartë për këtë; u desh të intervenonte kjo sindikatë që punëtorët të mund të ktheheshin në vendet e tyre të punës.

Mosveprimi i Qeverisë

Të drejtat e punëtorëve në Kosovë – siç parashihet me Ligjin e PunësKontratën Kolektive të Punës, si dhe me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë – teknikisht janë të rregulluara mirë, edhe pse Raporti i Progresit i BE-së për vitin 2015 thekson se Ligji i Punës duhet të harmonizohet edhe më tej me legjislacionin evropian dhe se zbatimi i ligjit aktual është i ‘pakënaqshëm”. Në bazë të statistikave të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, 90 përqind të këtyre ligjeve nuk zbatohet në realitet.

Raporti i Progresit gjithashtu thotë se nevojitet më shumë punë për fuqizimin e legjislacionit të shëndetit dhe sigurisë për të ndihmuar në parandalimin e aksidenteve në punë. Në vitin 2014 ka pasur 64 raste të aksidenteve dhe lëndimeve në punë, përfshirë edhe nëntë vdekje; në gjysmën e parë të vitit 2015 ka pasur 26 aksidente, përfshirë edhe pesë vdekje. Dyshohet se shifrat në të dy rastet janë të vogla për shkak të mosraportimit të incidenteve.  

Sa i përket këtyre rasteve dhe progresit të vogël drejt adresimit të tyre, Azemi e akuzon Inspektoratin e Punës për korrupsion dhe nepotizëm. Mirëpo, ai gjithashtu e fajëson drejtpërdrejt ministrin e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, Arban Abrashin, që nuk reagon në raste të këtilla. Prej janarit deri në tetor të vitit 2016, Azemi thotë t’i ketë shkruar Abrashit katër a pesë herë për ta informuar se nuk ka progres në sektorin privat sa i përket të drejtave të punëtorëve.

"Ka raste kur punëtorët na tregojnë se kur zihen pronarët e tyre në befasi nga inspektorët, atyre që akoma punojnë drejtë, detyrohen të fshihen në vende aq të ngushta ku as një lepur nuk do të gjente vend".

Jusuf Azemi

Azemi gjithashtu thotë se gjatë një takimi formal me Isa Mustafen në janar të vitit 2016, ai e informoi edhe Kryeministrin për incidentet ku inspektorët kishin bashkëpunuar me kompanitë private për t’i mbuluar shkeljet.  Pjesë e këtij takimi, thekson ai, ishte edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi (i cili në atë kohë ishte zëvendësministër) si dhe Abrashi; Azemi insiston se të gjitha institucionet janë rrjedhimisht në dijeni për shkelje të hatashme të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.

“Po të më dëgjonte ndokush rastet për të cilat kam njohuri dhe pranojmë, do të mendonte se jam i çmendur”, thotë ai teksa fillon t’i përshkruajë shkeljet të cilat, sipas tij, pjesëtarët e sindikatës së tij i përjetojnë çdo ditë nëpër ndërmarrje private. “Ka raste kur punëtorët na tregojnë se kur zihen pronarët e tyre në befasi nga inspektorët, atyre që akoma punojnë drejtë, detyrohen të fshihen në vende aq të ngushta ku as një lepur nuk do të gjente vend”.

Sektori më problematik privat është ai i ndërtimtarisë. Azemi thotë se sindikata e tij ka identifikuar më shumë se 100,000 punëtorë pa kontrata; numri zyrtar i cili u dha nga Inspektorati i Punës në një konferencë për media ishte afro 1,800.

fikret-ahmeti%ef%80%a2private-sector

Shkeljet e të drejtave të punëtorëve në Kosovë vazhdojnë të ndodhin më së shumti në industrinë e ndërtimit, dhe në kompanitë e sigurisë private. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Azemi këtë numër e përshkruan si “absurd”. “Ne i kemi ftuar të vijnë edhe publikisht me neve, çdo ditë në kompani dhe e shohin sa janë pa kontrata”, thotë ai “Në anën tjetër ka kompani që kanë kaluar tetë vite pa paguar kontributet e ponëtorëve”.

Azemi shton se sindikata asnjëherë nuk ka angazhuar ndonjë avokat për këto raste, megjithëse ka pasur mjaft zhagitje në zgjidhjen e atyre rasteve dhe ata gjithmonë luftojnë kundër pretendimeve për korrupsion dhe nepotizëm. “Ka pasur raste kur inspektorët kanë dënuar kompani private për shkelje të natyrave të ndryshme, por dënimet janë shfuqizuar në qendër me arsyetimin se dikush dikë e ka pasur dajë”, thotë ai.

I gjithë kontrolli mbi sektorin privat, thotë ai, është i centralizuar pasi që rregulloret thonë se asnjë inspektor nuk mund të kryejë inspektime pa leje paraprake të lëshuar nga Inspektorati i Punës. Kjo, sipas Azemit, u ka mundësuar ndërmarrjeve private dhe personave të caktuar nga Inspektorati të bashkëpunojnë dhe t’i fshehin shkeljet.

Për ta përshkrur më mirë nivelin e ndërlikueshmërisë së këtij problemi, Azemi thekson se kjo sindikatë, e cila daton që nga viti 1990, madje nuk njihet as si institucion nga shteti.

Dështimi i mediave

Një pjesë të fajit në lidhje me adresimin e rasteve të shkeljeve të kryera nga ndërmarrjet private Azemi ua mvesh mediave, industri e cila gjithashtu është dëshmuar si shkelëse e të drejtave të punëtorëve. “Ka pasur raste kur storiet [e shkeljeve të të drejtave] janë cenzuruar”, thotë Azemi pa përmendur detajet se për cilin medium bëhet fjalë.

Por ai gjithashtu thotë se ekziston frika nga raportimi i rasteve të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, pasi që shkeljet e tilla bëhen edhe nga vetë mediat.

Asnjë nga pretendimet e Azemit nuk u kundërshtuan nga Shkëlqim Hysenaj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).  Hysenaj thotë se mungesa e kontratave të punës dhe dështimi i mediumeve në përmbushjen e obligimeve të kontratës janë ndër problemet e para me të cilat ballafaqohen gazetarët.

 

““Inspektorati i Punës nuk është angazhuar seriozisht për ta zgjidhur këtë problem dhe për të na ndihmuar neve në krijimin e kushteve më të mira për punë."

Shkelqim Hysenaj

Gjatë procesit të regjistrimit të gazetarëve në vitin 2014 dhe 2015 AGK-ja ka gjetur se rreth 30 përqind të 300 gazetarëve të cilët i kanë plotësuar aplikacionet nuk kanë pasur kontrata të punës.  Një raport i publikuar me rastin e shërnimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit nga K2.o Çohu dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës gjeti se numri total i gazetarëve pa kontratë pune është 45 përqind.

“Inspektorati i Punës nuk është angazhuar seriozisht për ta zgjidhur këtë problem dhe për të na ndihmuar neve në krijimin e kushteve më të mira për punë.  Si organizatë ne kemi kërkuar kohë më parë që të kryhet një inspektim i medieve, gjë i cili ka ndodhur, porse ne nuk jemi absolutisht të kënaqur me rezultatet e këtij inspektimi”, thotë Hysenaj, i cili zbulon se ai nuk e kishte pranuar raportin e detajuar të të gjeturave të Inspektoratit, me gjithë kërkesat e bëra.

Gjithashtu ka sugjerime se vetë mediat mund të bëjnë më shumë për përmirësimin e praktikave të tyre të punës. Gjatë një diskutimi në panel, të organizuar me rastin e publikimit të raportit të lirisë së mediave në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, këshilltarja ligjore Furtuna Sheremeti i lavdëroi mediat duke thënë se ishin prej pak institucioneve në Kosovë me rregullore të brendshme në kuadër të kësaj industrie, mirëpo theksoi se mediat duhet t’i rregullojnë vetë ambientet e tyre.

Megjithatë, shkeljet e të drejtave të punëtorëve në gjithë tregun e punës vazhdojnë të ndodhin, ku sektori privat është shkelësi më i madh.

Jeton Mehmeti nga Instituti GAP thotë se shkaqet e shkeljeve janë të ndryshme.  Në disa raste ato janë rezultat i mungesës së njohurive të vetë punëtorëve sa i përket të drejtave të tyre, thotë ai, derisa në rastet tjera punëdhënësit qëllimit i mbyllin sytë karshi dispozitave ligjore.  Ai gjithashtu theksoi mungesën e gjykatave të specializuara për kontestet e punës.  “Megjithatë, përgjegjësia kryesore për moszbatimin e duhur të ligjit të punës bie mbi inspektoratin e punës”, tha ai.

K2.0 e ka kontaktuar Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale – institucioni me përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese për të adresuar problemet e tregut të punës – për të kërkuar prononcim zyrtar në lidhje me çështjet e ngritura. Megjithatë, ministria nuk iu përgjigj kësaj kërkese.K