Pikëpamje | Roma

Më duhet diçka më pak se një ditë kombëtare

Nga - 07.04.2017

‘Dita Kombëtare e Romëve në Kosovë’ është cirk absurd që nuk i ndihmon askujt.

Në Kosovë, 8 prilli, apo dita ndërkombëtare e romëve, konfiskohet e festohet si “Dita Kombëtare e Romëve në Kosovë”.

“Sa mirë!”, mund të thotë dikush. Eh po më lejoni që t’ua shpjegojë se si e manifeston vetën dita kombëtare e romëve në Kosovë, e pastaj ju mbetet juve që ta formoni një opinion.

Të filloj me komunat që kanë shumicë të komunitetit romë dhe një apo më shumë romë që punojnë me komunën nëpërmjet “Zyreve të Komunitetit”. Një fond simbolik u ipet këtyre zyreve për të organizuar ngjarje për këtë ditën kombëtare të romëve. Këto festa përfshijnë: një sallë, muzikë (sivjet e inçizuar, e jo live, se ka më pak fonde se në vitet e kaluara), pak ushqim e pije, dhe një numër të personave romë, pjesa më e madhe e të cilëve janë familjarë, edhe ata të largëtit, të organizatorit.

Sigurisht e ka anën e vet të mirë. Të gjithë e pëlqejnë vallëzimin, ushqimin e pijet. Por pikëlluese është fakti se fondet që shpenzohen në këtë cirk janë të shënuara si projekte të komunitetit (minoritar) në fund të vitit në raporte buxhetore. E kështu çfarëdo pretendimi që u bëhet qeverive lokale se nuk është bërë asgjë për romët në këtë komunë pritet me një faturë ftyrës që e thotë të kundëtën.

Në nivel qeveritar, përgjegjësia për organizimin e ngjarjeve të ditës së Romëve i ipet me plot mirësjellje, respekt e konsideratë zyrës për çështje të komuniteteve, në zyrën e kryeministrit. Organizimi përfshinë: rezervimin e një dhome të madhe në ndërtesën e Qeverisë dhe krijimi i një agjende ku përfshihen të njejtit folës si në secilin vit paraprak – por të jem krejtësisht e sinqertë, duhet ta pranoj se i kam parë disa ndryshime të vogla në renditjen e këtyre folësve.

Në këtë festë nuk gjenë shumë ushqim e pije, e le më muzikë. Ke vetëm një shishe ujë, e ndonjëherë edhe kafe u ofrohet atyre që janë të ulur në tavolinën kryesore. Në ngjarjen marrin pjesë zyrtarë të Qeverisë (që është pak a shumë ekuivalent me anëtarët e largët familjar të organizatorëve të festës tjetër), si dhe anëtarë të organizatave ndërkombëtare, ambasadorë, përfaqësues nga shoqëria civile e komunitetit romë, dhe disa njerëz tjerë. Më duhet të them se kjo ngjarje ishte shumë më e mirë se e kaluarja, po me siguri mendoni se si është e mundur kjo pa pije e muzikë.

E po, shënimi i ditës së romëve në këtë skenar fillon me disa fjalime nga zyrtarët qeveritar, që e përmbledhin me disa fjali progresin e romëve. Përmenden përpjekjet e ekzekutivit për integrim, dhe shprehen pretendime për atë se si romët janë pjesë e shoqërisë kosovare.

Fjalimet e përfaqësuesve të shoqërisë civile të romëve përbëhen prej theksimeve të problemeve të njejta, që janë listuar prej kur u festua për herë të parë Dita Kombëtare e Romëve në fillim të 2000-ve.

Pastaj i ke krerët e disa organizatave të rëndësishme ndërkombëtare të cilët, varësisht prej besimeve individuale apo perceptimeve të tyre ndaj komunitetit romë, thonë se duhet të bëhet shumë më shumë punë, në mënyrë të butë ose strikte.

Tani, para se ta kenë rendin përfaqësuesit e romëve për të folur, zyrtarët e Qeverisë, këta anëtarë të pasjellshëm të familjes së gjërë, përdorin justifikimin e angazhimeve më të rëndësishme për të dalur më herët. Përfaqësuesit e romëve mbesin me kuptimin e plotë të fjalës për të folur me njëri tjetrin, ose në disa raste disa për t’u folur disa përfaqësuesve të komuniteit ndërkombëtarë që fatkeqësisht nuk mund të ndryshojnë shumë, por na kanë mësuar gjithçka për multikulturalizmin.

Fjalimet e përfaqësuesve të shoqërisë civile të romëve përbëhen prej theksimeve të problemeve të njejta që janë listuar prej kur u festua për herë të parë dita kombëtare e romëve, në fillim të 2000-ve. Shumë pak e kritikojnë Qeverinë, e ata që e bëjnë fillimisht e lëvdojnë shumë administratën aktuale, që të arrihet bilanci.

Siç e përmenda më herët, nuk ka ushqim e muzikë por veshjet janë element i rëndësishëm, veçanërisht për romët. Edhe pse jo me veshje nacionaliste apo patriotike, disa prej tyre sigurohen që të vishen me ngjyrat e flamurit romë; kravata të kaltërta apo të gjelbërta, ose stolisen me kunja që shfaqin flamurin romë. Përfundimi i këtij cirku të nivelit të lartë është se financimi është i destinuar për projekte me komunitetin romë, dhe nuk mund të pretendosh ndryshe.

Një ditë më pas, gjithçka kthehet në normalitet; diskriminim, stereotipe, urrejtje, qytetari e gradës së dytë, mungesë e mundësive në çdo sferë të jetës...

Ekziston edhe ana e tretë që përfshihet në manifestimin e ditës kombëtare të romëve – shoqëria civile rome. Angazhimi i shoqërisë civile rome në këtë ditë është kryesisht në formë të kërkimit të fondeve nga institucionet qeveritare dhe donatorët ndërkombëtar. Megjithatë, në 2015 u organizua një protestë në të njejtën ditë, e në të morrën pjesë dhjetëra aktivistë romë, të cilët u përpoqën që ta shprehin pakënaqësinë me situatën e romëve në Kosovë – diçka më ndryshe dhe më e guximshme, kur e kemi parasysh frikën e thellë qe e ndjenin edhe shumica e protestuesve në atë ditë.

Shumica e OJQ-ve të romëve kërkojnë fonde për ditën kombëtare të romëve, zakonisht për aktivitete shumë të ngjashme. Nuk ka fare koordinim, por të gjithë duan që të organizojnë ngjarje për ditën speciale. Këtë pjesë nuk do ta përshkruaja si cirk. Në vend të kësaj po e zgjedhi fjalën maskaradë, sepse siç tha Soren Kierkegaard “janë dy mënyra për t’u mashtruar: njëra është të besosh të pavërtetën, e tjetra është të refuzosh besimin e së vërtetës”.

Dita kombëtare e romëve në Kosovë organizohet me muaj të përgatitjes e mijëra euro të shpenzuara nëpër gjithë vendin. Por një ditë më pas, gjithçka kthehet në normalitet; diskriminim, stereotipe, urrejtje, qytetari e gradës së dytë, mungesë e mundësive në çdo sferë të jetës, e më e rëndësishmja, mungesë e gatishmërisë për t’i pranuar romët si njerëz që kanë banuar në Kosovë prej shekullit 13.

Pse, si njeri romë, nuk më duhet dita kombëtare e romëve?

Ngjashëm me opinionet e Morgan Freeman për Muajin e Historisë së të Zinjve, unë besoj se dita kombëtare e romëve është bërë absurde për shkak të asaj që ndodh realisht në atë ditë. Prania ime në Kosovë si person romë nuk mund të reduktohet në një ditë në prill çdo vit. Më duhet diçka më pak se një ditë kombëtare.

Kur të them se jam rome, më duhet që të më pranosh pa thënë ‘oh, por nuk po dukesh si e tillë’. Nuk i kam rënë në fije ende parametrave për atë se si duhet të dukem.

Më duhet që të mos ndjesh keqardhje e të më thuash ‘hajde de se si ne shqiptarët je’, sepse realisht nuk jam.

Më duhet që t’i mësosh fëmijët e tu, por kryesisht prindërit e tu, që romët nuk hanë e as nuk marrin fëmijë kur ata nuk sillen mirë. Në fakt, asnjë njëri nuk e bënë këtë.

Më duhet që të mos na gjykosh për shkak të ngjyrës së lëkurës apo erës sonë. Ka njerëz që i njoh dhe u vjen po aq era dhe kanë ngjyrë të lëkurës më të mbylltë, por hej, s’janë romë.

Më së shumti, më duhet që të mos më asociosh me gjithçka që e konsideron të keqe apo të pavlefshme në lidhje me komunitetin romë.

Nëse një ditë e gjej vetën të çliruar prej këtyre sendeve, do ta kem ditën e romëve të respektuar çdo ditë, e nuk do të kem nevojë për një ditë të mbivlerësuara kombëtare si këto sot.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.