poem1
Blogbox | Kulturë

Nga Azem Galica për Shote Galicën

Nga - 06.10.2016

Poezi për dashurinë dhe legjendën.

Në librin tim “No Matter the Time” (Pa Marrë Parasysh Kohën) unë e kthej vëmendjën kah historia, larg jetës sime. Fokusohem në tregimet më të mëdha të dashurisë që i ka njohur bota. “No Matter the Time” është koleksion i letrave të dashurisë në mes të çifteve historike. Në secilën prej tyre gjej fragmente të dashurisë që kam njohur dikur. Shpresoj që gjeni edhe ju.

Duke shkruar librin, doja ta përfshija një çift shqiptar, dhe si shumica e fëmijëve shqiptar, unë u rrita duke dëgjuar për legjendën e Shote Galicës. Nuk e dija se ekzistonte një histori e jashtëzakonshme e dashurisë prapa legjendës që gjithmonë më ka interesuar.

Të gjithë u rritëm duke dëgjuar për të, por si vajzë e re, për mua u ngurtësua në diçka më shumë se vetëm tregim. U rrit në mënyrë të mprehtë e të qëndrueshme në dorën time, si vegël që mund ta përdorja sa herë që të kisha nevojë të frymëzohesha prej fuqisë së Shotës.

Shote Galica ishte ushtare. Ajo ishte grua dhe ushtare në një kohë kur – në fillim të shekullit njëzet – këta dy tituj nuk shkonin me njëri tjetrin. Ajo veshej si burrë gjatë betejës. Pse? Kam dëgjuar arsye të ndryshme prej personave të ndryshëm. Disa thonë se teshat e meshkujve ishin më të përshtatshme për betejë, pra arsye praktike. Disa thonë se ajo nuk donte që armiku të dinte se ishte grua, arsye e arsyeshme. Tjerë thonë se ishte metaforë, me qëllim që ta tregojë natyrën skllavëruese të shoqërisë patriarkale në të cilën u rritën gratë shqiptare, arsye jo fort e besueshme. Nuk e di pse u vesh si burrë gjatë betejës. E di vetëm se morri pjesë në betejë.

E deri sa unë po rritëm po mësoj më shumë për Shotën. Po mësoj se ajo ishte e martuar dhe kishte fëmijë, dhe se bashkëshorti i saj ishte komandant i trupave, e që luftoi krah për krah me të. Po mësoj se ai vdiq e ajo vuajti e e zëvendësoi si komandant duke e udhëhequr ushtrinë në luftë pa të. Mësova se ajo ë shtye nga e njejta forcë si gjithë ne – dashuria. Dashuria për vendin e saj, për liri, dhe për familje. Dhe ajo, si pak prej neve, e diti se si të luftonte për atë që e deshi.

Dashuria më e mirë na fuqizon, i teston kufijtë tonë, dhe na ndihmon që të bëhemi njerëzit që ëndërrojmë të jemi. Kështu i mendoj Shote e Azem Galicën. Ndihem me fat që mund t’i përfshijë në këtë koleksion. Shpresoj që u pëlqen:

Nuk e desha betejën. Nuk e desha luftën

e as gjakun e ndryshkur në një pellg në tokë.

Nuk i dua lopatat e dheun e hedhur

mbi krahun tim në emër të disfatës

por kur do diçka shumë,

e veshë uniformën. E pastron pushkën.

Këtë nuk e kuptojnë politikanët –

edhe lufta është për dashuri. Edhe dashuria është për vendin.

Të gjithë po luftojmë për momentet më të vogla –

për të shkuar në shtëpi e për të pirë çaj të fortë në kuzhinat tona;

për t’i puthur fytyrat e fëmijëve tonë gjersa ngrihen nga gjumi;

për të ngrënë me duart tona me tri gjenerata të shpalosura të familjes

në një dhomë. Në mes të pasditës në një ditë vere,

këto ëndrra humben, flaka e qirit shuhet

nga fryma e vdekjes. Zemër, kush pos teje mund të ishte përballur me vdekjen

me kaq hijeshi? Kush pos teje mund të ishte përballur me luftën

me kaq vendosmëri? Pra kam ikur tani.

Ky është çmimi njerëzor i luftës.

Gjithë e kemi ditur, por tani është afruar.

Këtë herë, je duke u gjunjëzuar mbi varrim tim.

Nuk ka mrekulli këtu. Çdo jetë në tokë

përfundon në këtë pikë. Pjesa e mrekullueshme je ti

që e vesh uniformën tënde e pastron pushkën tënde.

Pjesa e mrekullueshme je ti që e përballon pikëllimin

e e mbanë me vete nëpër male.

Pjesa e mrekullueshme janë muskujt e tu të zgjatur

që rriten nën të. Pjesa e mrekullueshme

është se si kurrë s’u ndale së luftuari, as edhe për një sekond.

Librin e Fortesa Latifit, “No Matter the Time”, mund ta bleni online këtu.

KOMENTET

1
SHIKO KOMENTET
  • 18 Oct 2016 - 09:37 Halimi: Shkelqyeshem !
KOMENTO

KOMENTO