Pikëpamje | Dhunë Seksuale

Çmimi Nobel i Paqes përkujton urgjencën për t’i mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës

Nga - 30.10.2018

Në Kosovë, mbështetja e tillë ende po mungon dy dekada pas luftës.

Çmimi Nobel i Paqes, që ipet çdo vit, më herët gjatë muajit u shpërblyen Nadia Murad dhe Denis Mukwege “për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund dhunës seksuale si armë e luftës dhe konfliktit të armatosur”. Murad, vet e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës dhe aktiviste e zëshme nga komuniteti Yazidi në Irakun verior, është e përkushtuar për ta përqendruar vëmendjen te përdorimi i përhapur i përdhunimit si taktikë qendrore e Shtetit Islamik (IS). Mukwege, doktor me profesion, është përkushtuar për t’i ndihmuar viktimave të sulmeve seksuale në Republikën Demokratike të Kongos (DRC).

Lajmërimi për këtë çmim vjen në një kohë të rëndësishme të bisedës globale ku dhuna seksuale gjatë kohës së luftës kurrë nuk ka qenë më e dukshme.

Në vitet e fundit, vëmendja globale ka qenë te dhuna seksuale gjatë kohës së luftës. Nga Nisma e Parandalimit të Dhunës Seksuale dhe samiti i vitit 2014 që u drejtua nga William Hague dhe Angelina Jolie Pitt, deri te raportet e ndryshme të abuzimit dhe dhunës seksuale në DRC dhe Siri, dhe raportet gjithnjë më të shumta të abuzimit nga paqeruajtësit e OKB-së në valën e madhe të trafikimit seksual dhe njerëzor gjatë dhe pas konfliktit në zona si Republika e Afrikës Qendrore.

Në mesin e gjithë kësaj, shpërblimi i Çmimit Nobel të Paqes 2018 ka rëndësi jetike.

Pse është dashur një kohë kaq e gjatë që shteti më në fund të fokusohet në dhunën seksuale gjatë kohës së luftës?

Megjithatë, në Kosovë, të mbijetuarit ende po përballen me vështirësi në qasjen e tyre në të drejtat themelore njerëzore dhe njohjen nga niveli shtetëror për plagët e tyre të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës, që ende janë duke u shëruar. Vetëm nga 5 shkurti i këtij viti, të mbijetuarit më në fund mund të aplikojnë për mbështetje shtetërore monetare, sociale dhe ekonomike; veteranët e lënduar të luftës dhe familjarët e dëshmorëve kanë pasur të drejtë për këto përfitime që nga fundi i luftës.

Në një raport të vitit 2017, Amnesty International shkroi hollësisht për sulmin e drejtpërdrejtë ndaj të drejtave themelore njerëzore të të mbijetuarve, duke deklaruar se “nën ligjin ndërkombëtar, qeveria është përgjegjëse për t’i garantuar viktimave të drejtat për drejtësi, për të vërtetën dhe për dëmshpërblime”, diçka që qeveria e Kosovës e ka zbatuar ngadalë.

Të mbijetuarit nuk janë trajtuar si kategoritë tjera të viktimave të luftës, diçka për të cilën kanë luftuar për një kohë të gjatë OJQ-të, aktivistët dhe disa figura kyçe brenda institucioneve shtetërore, përfshirë këtu ish-Presidenten Atifete Jahjaga. Të mbijetuarit kanë duruar “ndikimin fizik, psikologjik, social dhe ekonomik të dhunës seksuale” pothuajse në heshtje prej fundit të luftës, raportoi Amnesty International.

Përveç që u janë shkelur fillimisht të drejtat themelore njerëzore, në këto vite të mbijetuarit nuk kanë arritur ta rindërtojnë jetën në mënyrë adekuate.

Por shtrohet pyetja: Pse është dashur një kohë kaq e gjatë që shteti më në fund të fokusohet në dhunën seksuale gjatë kohës së luftës?

Një gjë është e qartë, mendësia patriarkale e nderit dhe turpit e mbulon këtë çështje, duke e bërë temë shumë tabu për diskutim në publik. Kjo ndikon gjithashtu tek aftësitë e të mbijetuarve për të kërkuar haptas trajtim mjekësor apo për të folur me familjen rreth asaj. Por implikimet shkojnë shumë më thellë.

Paradoksi i gjinizuar i dhunës

Në vitet e pas luftës, Rregullat e UNMIK siguruan përfitime të vogla monetare, mjekësore dhe sociale për veteranët e lënduar të luftës dhe familjet e tyre. Megjithatë, nuk u përmendën viktimat e përdhunimit dhe abuzimit seksual, pa marrë parasysh gjininë e viktimës. Aktivistët në organizata si Medica Kosova dhe parti politike në fillim luftuan për t’i përfshirë të mbijetuarit e dhunës seksuale në ligjin për përfitime shtetërore.

Në 2007, Medica Kosova dhe UNIFEM (që tani njihet si UN Women) punuan në një fushatë të përbashkët për ta bërë kategori dhunën seksuale, por në vend të kësaj kishte precedent “statusi politik” i Kosovës, siç më tha drejtoresha e Medica Kosova, Veprore Shehu. Në atë kohë “nuk u prioritizua kjo çështje”.

Plot të tjerë janë shprehur për mungesën e vullnetit politik për ta nxjerrë në pah dhunën seksuale; thjeshtë nuk ishte aty dhe politikanët nuk e panë domosdoshmërisht si temë dobiprurëse.

Në prill, në një ngjarje publike në BarCamp në Ferizaj, ish-Presidentja Atifete Jahjaga e shprehi frustrimin e saj me agjendat politike të plot politikanëve: “Keni liderë politikë që janë më të orientuar për të kërkuar vota se për t’i trajtuar nevojat e njerëzve”. Elita politike nuk është gjithmonë perceptuese dhe e vetëdijshme ndaj nevojave të të gjithë zgjedhësve të saj.

Prioritetet e politikave dhe parimeve sociale të pasluftës janë ndikuar nga një supozim i gjinizuar të asaj se kush dhe çka është më relevante apo e rëndësishme politikisht.

Këtu është paradoksi i qenësishëm, në mënyrën se si trupat e grave, si dhe seksualiteti i burrave, u instrumentalizuan për qëllime kontradiktore. Trupat që u targetuan dhe ndaj të cilëve u kryen veprime të dhunës seksuale, u përdorën për ta justifikuar një agresion etnik për ta mbrojtur dhe mbështetur një shtet të unifikuar. Nëse trupat serbë kanë përdhunuar gra shqiptare të Kosovës në emër të Serbisë, atëherë shqiptarët e Kosovës u thirrën për t’i mbrojtur kufijtë e kombit të tyre, thirrje për kohezion të komunitetit, katalizator i së cilit ishte dhuna që u krye ndaj trupave të grave.

Trupat e grave u bënë fushëbetejë simbolike në të cilën luftohej për një Kosovë të pavarur dhe gjithashtu ishin kujtim i gjallë i nderit të njollosur dhe turpërimit të kombit kosovar.

Në këtë mënyrë, trupat u bënë përfaqësues simbolik të vet kombit, duke i reduktuar gratë në një supozim të të qenit vetëm viktima apo viktima të mundshme.

Megjithatë, po ata trupa pastaj u lanë për të vuajtur në heshtje, pa mbështetje të nivelit shtetëror, kur kombi u mbrojt me sukses dhe problemet e turpshme të përdhunimeve të së kaluarës u lanë pas.

Trupat e grave u bënë fushëbetejë simbolike në të cilën luftohej për një Kosovë të pavarur dhe gjithashtu ishin kujtim i gjallë i nderit të njollosur dhe turpërimit të kombit kosovar.

Vullneti politik për t’i mbështetur të mbijetuarit mund të mos ketë qenë gjithmonë i dukshëm, por shumë vite të aktivizmit të përkushtuar kanë garantuar që këto gra do ta marrin njohjen dhe mbështetjen që e meritojnë.

Përfaqësuesit e katër OJQ-ve të autorizuara për t’i ndihmuar të mbijetuarit në aplikimet e tyre në Komisionin e Verifikimit të qeverisë së fundmi raportuan se mbi 750 të mbijetuar kanë aplikuar për statustin e të mbijetuarve, por vetëm 140 kanë marrë përgjigje pozitive, që u jep të drejtë për përfitime shtetërore.

Sebahate Pacolli-Krasniqi, kryetare e Njësitit të Rehabilitimit në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Mirlinda Sada, drejtoreshë e Medica Gjakova, të dyja e theksuan procesin shumë të ngadalshëm të rishikimit të aplikimeve nga Komisioni. Shpeshherë të mbijetuarit po presin deri në gjashtë muaj për përgjigje.

Shehu nga Medica Kosova më tha se është e qartë se të mbijetuarit po përjetojnë një “ngurrim” për të aplikuar, veçanërisht kur ata që kanë aplikuar detyrohen të presin më gjatë se që është mandatuar në Amendamentin e vitit 2014 në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve që në fund i mundësoi qasje në kompensim të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës.

Ajo tha se edhe stigma është e gjinizuar — heronjt meshkuj të luftës nuk ballafaqohen me turp apo tabu kur aplikojnë për përfitime shtetërore — dhe theksoi se qeveria është bërë “hiper-vigjilente” kur i rishikon aplikimet për përfitime shtetërore pasi u bë publike që plot aplikime për statusin e veteranëve të luftës ishin falsifikuar.

Prandaj ndikimet sociale tek të mbijetuarit e dhunës seksuale janë të shumëfishta. “Paramendoni sa para i kanë humbur [të mbijetuarit] gjatë këtyre viteve” në të cilët nuk mund të aplikonin, tha Shehu. Minimalisht, “pavarësia ekonomike” është thelbësore, sepse e lejon njeriun “të jetë i aftë për të luftuar për të drejtat e tij/saj” dhe me shpresë e redukton stigmën.

Një implikim global

Pra çfarë zbulon kjo për bisedat globale mbi dhunën seksuale gjatë kohës së luftës dhe rezultatet e saj?

Është e qartë se për shkak se sivjet ua dhanë Çmimin Nobel të Paqes kampionëve që i dhanë fund dhunës seksuale gjatë kohës së luftës, qeveritë dhe shoqëritë nuk mund ta shpërfillin më këtë fenomen global.

Nëse shoqëritë dhe qeveritë vazhdojnë në rrugën ku dhuna seksuale gjatë kohës së luftës është tabu, ku heshtet dhe fshehet, atëherë do t’i përsëritim gabimet e njëjta me dekada.

Por nëse i ndjekim Muradin dhe Mukwegen, të cilët po luftojnë për të drejtat e atyre që janë prekur nga ‘taktika’ (krimi i luftës) e përdhunimit në kohë të luftës, atëherë mund të luftojmë edhe për t’i njohur shkeljet themelore të të drejtave të njeriut dhe humbjen e madhe të dinjitetit dhe sigurisë që po e përjetojnë sot shumë burra e gra nëpër botë.

Në vend se heshtja qeveritare të jetë bashkëfajtore në vuajtjen e të mbijetuarve, duhet të kërkohet llogari nga qeveria, që ajo t’i kundërshtojë paragjykimet e qenësishme gjinore në luftë, t’i zbërthejë pasojat shoqërore të përdhunimit dhe t’i mbështesë të mbijetuarit pas konfliktit, kur plagët thjeshtë nuk mund të shërohen vet. Nuk duhet të ketë më justifikim për shpërfilljen e kësaj kategorie të viktimave të luftës.

Siç doli me shumë guxim dhe sinqeritet Vasfije Krasniqi Goodman për ta ndarë historinë e saj më herët gjatë këtij muaji, duke ndihmuar për ta thyer heshtjen në Kosovë, shoqëritë duhet t’i besojnë të mbijetuarve dhe ta mbështesin shërimin e tyre.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO